Detyrat tona kur afrohet Ramazani

“Për ummetin agjërimi është një amanet (porosi) dhuratë dhe begati (ni’met) e shenjtë nga ana e Allahut, i cili e dallon të gjallin nga i vdekuri, atë që ka shpirt nga ai që nuk ka shpirt. Besimtari i sinqertë nuk bën dallim mes agjërimit të Ramazanit gjatë verës apo dimrit, për të është njësoj, ai vetëm i uron mirëseardhje ndërsa ndihmën dhe mbështetjen e kërkon nga i Madhi Allah.”

Mëshira (rahmeti) i Allahut është i shpërndarë kudo nëpër tokë. Të gjitha gjallesat kanë hise në të por mëshirën më të madhe Allahu e ka për njerëzit. Mëshirë (rahmet) për njerëzimin është edhe ardhja e tre muajve të mëdhenj (sipas kalendarit islam): Rexheb, Sha’ban dhe Ramazan. Është afruar koha kur do të na hapet porta më e madhe e mëshirës. Muaji Rexheb kaloi, erdhi muaji Sha’ban, këto janë ditët e fundit të këtij muaji të bekuar, ndërsa tani po përgatitemi të trokasim në muajin e shpërblimeve më të mëdha, pra jemi në vigjilie të muajit madhështor të Ramazanit.
Më në fund i pritëm dy muajt e mëdhenj para Ramazanit, e falënderuam Allahun në këtë kohë të shenjtë, më të ngritur dhe më të shpërblyer se kohët e tjera në shumëfishimin e shpërblimit të veprave, dhe tani po përgatitemi që në shtëpi të presim mysafirin më të dashur të vitit, muajin Ramazan. Këta muaj (Rexheb, Sha’ban dhe Ramazan) janë muaj të fitimit për ummetin, muaji Rexheb dhe Sha’ban janë hije ose fllad për muajin e Ramazanit, gjithashtu këta janë muaj paralajmërues dhe udhërrëfyes për në rrugën e muajit madhështor, muajit të bekimit dhe paqes. Prandaj, më shumë se çdo herë në këtë muaj kemi rastin të pendohemi dhe të arrijmë kënaqësinë e Allahut.
Muaji Rexheb dhe Sha’ban meqë janë shtigje të muajit Ramazan, posedojnë shenjtëri ndaj muajve të tjerë, këtë na e vërteton Pejgamberi a.s. Andaj, përgatitjet për muajin Ramazan që bëhen gjatë këtyre muajve janë një nxitim dhe parapërgatitje e ëmbël shpirtërore. Netët e mëdha gjatë këtyre muajve si nata e Regaibit, Mi’raxhit dhe nata e Bera’etit janë urë për të arritur rrugën që të shpie drejt muajit Ramazan. Këta janë muajt në të cilët është urdhëruar, ngritur, dhe ka udhëtuar me Burak drejt vertikales Pejgamberi a.s., bile nëse do të ishte e lejuar mund të shpreheshim se këta muaj ishin muaj në të cilët Pejgamberi a.s. është dridhur sepse është ngarkuar me obligimin e faljes së pesë kohëve të namazit nga ummeti i tij, ka parë Xhennetin dhe Xhehennemin, është takuar me Pejgamberët e mëparshëm, prandaj me të vërtetë paraqesin një rëndësi të veçantë. Kjo gjendje e Pejgamberit e tërhoqi vëmendjen e shokëve të tij (as-habëve) dhe e pyetën prijësin e tyre. Usame r.a. tregon kështu: “E kam pyetur Pejgamberin a.s. dhe e pyeta: “O i Dërguari i Allahut, nuk të kam parë të agjërosh gjatë muajve të tjerë më shumë se sa gjatë muajit Sha’ban, cili është shkaku i kësaj?” Muhammedi a.s. u përgjigj duke i thënë: “Njerëzit tregojnë pakujdesi ndërmjet muajit Rexheb dhe muajit Ramazan, por përkundrazi muaji Sha’ban është një muaj në të cilin veprat ngrihen tek Krijuesi i Qiejve dhe i Tokës (Rabb al-alemin). Kur unë jam agjërueshëm, dua që vepra ime të ngrihet lart.”(1)
A ka ndokush që nuk dëshiron që ky muaj të jetë muaj i ngritjes së veprave të veta tek Allahu?! Padyshim se nuk ka asnjë besimtar që nuk do të dëshironte të arrinte një shkallë të tillë! Prandaj, këta muaj, muaji Rexheb dhe muaji Sha’ban janë muaj të ngrohtësisë së zemrave, muaj të afrimit tek sevabet. Veprat tona gjatë këtyre dy muajve janë stimulim pikënisjeje për muajin Ramazan. Ata na përgatisin që të jemi më të dobishëm gjatë muajit të begatshëm të Ramazanit, na ofrojnë një klimë më tërheqëse dhe janë shkallë parapërgatitjeje për kurorën e njëmbëdhjetë muajve, Ramazanit.

Përgatitja për mysafirin e Shenjtë

Kur në shtëpi ftojmë që të na vijë ndonjë mysafir, para se të vijë ai ndodhin disa orvatje dhe parapërgatitje të lehta që bëhen me qejf. Shtëpia rregullohet dhe pastrohet, përgatiten specialitete të ndryshme me të cilat do ta respektojmë mysafirin. Esenca e kësaj çështjeje qëndron në atë që ta respektojmë mysafirin, në mënyrë që ai të ndahet i kënaqur, dhe ne të fitojmë respektin e tij ndaj nesh. Mundohemi që shtëpinë ta përgatisim në mënyrë të plotë, porse nuk mjaftojnë vetëm përgatijet fizike, esenca është që për mysafirin duhet të përgatitemi me shpirt dhe me zemër, ashtu që kur ai të trokasë në derë ne ta presim dhe t’i themi: “Urdhëroni - bujrum” me fytyrë të buzëqeshur. Kjo është sjellja më e mirë që e ngre më së shumti të zotin e shtëpisë ndaj mysafirit. Në këtë mënyrë duhet të jemi të përgatitur edhe për muajin Ramazan.
Në të vërtetë para Ramazanit, gjatë muajve Rexheb dhe Sha’ban ne përgatitemi për një mysafir të dyfishtë, ashtu siç na ka mësuar Pejgamberi a.s. në lutjen (duanë) e tij: “O Allahu im, na e bëj neve të bekuar muajin Rexheb dhe Sha’ban, dhe na mundëso që ta arrijmë muajin Ramazan.” Kjo është një lutje që me vete ka të ndërthurur lutjen e përmallimit, lutjen e një vullneti dhe dëshire të zjarrtë për t’u takuar me një mik të vjetër.
Andaj kur në shpirtrat dhe në shtëpitë tona troket muaji i shenjtë i Ramazanit duhet që t’i ngjallim zemrat tona, të zgjohemi nga gjumi i kësaj bote duke e futur veten në një program të ri jetësor. Në këtë kohë jemi të obliguar të zbatojmë ibadete (rituale) të reja, të cilat nuk kemi qenë të ngarkuar para muajit të Ramazanit. Në ballë të këtyre ibadeteve qëndron agjërimi (es-saum).
Agjërimi nuk duhet marrë si një ibadet i rëndë por përkundrazi si një ibadet që të çon drejt faljes, një vepër që e dallon të gjallin nga i vdekuri, krijesën e gjallë nga krijesa e vdekur, ai është një porosi (amanet) dhe një begati (ni’met) i shenjtë. Agjërimi zemrën e njeriut besimtar e shpëton nga shtytjet e shpirtrave të zinj, këtë shpirt ai e shndrit sikur hëna e re. Agjërimi është një ibadet që e çliron besimtarin ashtu siç çlirohet zogu nga ankthi, pas pushimit të stuhisë dhe kolapsit të stërzgjatur, me agjërim njeriu fiton lehtësi mu ashtu sikur lirohet nga djegia e fytit pas ankthit të madh që ka përjetuar. Agjërimi është një amanet për njerëzimin. Ndoshta dikujt në këto ditë i duket njësoj si zjarri por, ai është një amanet (porosi) të cilën e pranuam apo jo ai pozicionohet tek ne (vjen dhe shkon), dhe të zotët e mendjes fillojnë ta zbatojnë këtë amanet ndërsa të pakujdesshmit dhe përtacët e anashkalojnë.
Kur jemi agjërueshëm, shtëpitë tona shndërrohen tamam në shtëpi, qyteti i huaj na shndërrohet në qytetin tonë, kurse në gjymtyrat tona na vuloset vula e qiellit, ndërsa më kryesorja është se shpirti na çlirohet nga robëria.(2)
Hazreti Mevlana Xhelaluddin Er-Rumiu agjërimin e shpjegon në këtë mënyrë: “Kapeni agjërimin si një shportë në duar, kjo i ngjan shembullit të atij që del të kërkojë në rrugë të Allahut dhe Allahu e pajisë me rizk (furnizim) atë. Agjërimi i bën të lumtur ata shpirtra që digjen për botën dhe jetën e përhershme, për dashurinë e zjarrtë ndaj Allahut. Ndërsa për fatkëqinjtë, agjërimi i ngjan shtambës (testit), prandaj kini kujdes që të mos e thyeni këtë shtambë (test).”(3)
Si përfundim, duhet që Ramazanin ta presim të pastër e të kënaqur, mbështetur në hadithin e Pejgamberit a.s.: “Kush gëzohet me ardhjen e muajit Ramazan, Allahu ia bën të ndaluar djegien e trupit të tij në zjarr (në Xhehennem).”
Gëzimi i ardhjes së këtij muaji paraqet shpërblim, por këtë e kanë fat vetëm robërit e nënshtruar ndaj urdhërave të Allahut.


___________________
1. Nesai, kapitulli “Saum”, f. 70.
2. Sezai Karakoç, revista “Samanyolu - Ziyafet”, botimet Diris, f. 45-46, viti 2008.
3. Abdülkadir Süphandağı, “Allah Dostlarından Ramazan Hatıraları”, botimi Timaş, viti 2006. f. 52.

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index -> Shkrime Autoriale
"Qëndrimet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe qëndrimet e redaksisë sonë."

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.