Rëndësia e organizimit dhe e menaxhimit të aksionit për grummbullimin dhe distribuimin e zakatit (zakatul-fitrit)

Hyrje

Zekati është detyra e katërt themelore islame e cila paraqet manifestimin e dukshëm të besimit islam. Zekati është i obliguar me Kur'an dhe Hadith -me burimet kryesore të Sheriatit, si detyrë e domosdoshme fetare, farzi ajn, e çdo muslimani dhe muslimaneje të pasur, të cilët sipas Sheriatit posedojnë sasi të caktuar të pasurisë - nisabin.
Obligueshmëria e zekatit rrjedh nga më shumë ajete kur'anore, e në veçanti është potencuar në suren Tevbe:
"Merr prej pasurisë së tyre zekatin që t'i pastrosh me të dhe t'u shtosh (të mirat) dhe njëkohësisht lutu për ta, se lutja jote është qetësim për ta. All-llahu dëgjon e sheh". (Et-Tevbe, 103).
Zekati, pa dyshim, është institucioni më efikas social që kujdeset për secilin anëtar të bashkësisë. Ai është sharti themelor i fesë dhe një prej shtyllave të islamit dhe dëshmi e imanit.
Dijetari i njohur bashkëkohor dr. Jusuf Karadavi thotë: “Zekati është obligim i përcaktuar në mënyrë kategorike (fardun minallah) por në themel jo si e drejtë e individëve që ata ta kryejnë atë ose të mos e kryejnë, varësisht nga fuqia dhe dobësia e besimit të tyre. Duhet të jetë e qartë që zekati nuk është kurrfarë bamirësi as lëmoshë individuale, ai është një institucion shumë i rëndësishëm, të cilin duhet ta kontrollojë shoqëria, e të cilin e udhëheq administrata e caktuar duke e mbledhur zekatin nga ata që janë të obliguar dhe duke e shpërndarë në fondet e caktuara.
Islami nuk e lejoi që fukaratë të jenë të varur nga lëmosha e të pasurve. Këtë mendim mund ta mbështesin ata që zekatin e shohin si lëmoshë, përkatësisht e identifikojnë me sadakanë. Mirëpo duhet ditur se zekati është farz – obligim i detyrueshëm, kurse sadakaja është fakultative.
Në zekat ne shohim parimin e vërtetuar të përgjegjësisë reciproke dhe kujdesit të njerëzve për fatin e njëri-tjetrit. Ky parim, njëherë i realizuar, mund të bëhet bazë për forma të reja të ndryshme të kujdesit në pajtim me zhvillimin, nevojat dhe mundësitë e shoqërisë.

Shumë qeveri në botën muslimane sot në mënyrë ligjore, organizative, financiare e ndihmojnë grumbullimin e organizuar të zekatit dhe distribuimin e tij të centralizuar, sepse me zakat ndihmohen kategoritë sociale të popullatës, të cilët përndryshe janë barrë e shtetit. Prandaj, çështja e zekatit sot është jashtëzakonisht aktive dhe dinamike dhe në interes të të gjithëve të përfshirë në zekat: prej pranuesit, dhënësit të zekatit, bankës dhe fondeve të ndryshme deri te shteti. Është një varg pyetjesh dhe problemesh që imponohen në lidhje me zekatin. Detyra jonë është të shqyrtojmë rolin e KSHBA-së, autoritetit fetar dhe pushtetit fetar në mbledhjen dhe shpërndarjen e zekaktit. Në këtë kuptim përgjigjet do t’i kërkojmë në burimet e mësimit islam, por do të mbështetemi edhe në eksperiencën bashkëkohore të muslimanëve. Në këtë mund të na ndihmojë edhe përvoja e Bashkësisë islame të Ish-Jugoslalvisë.

Interpretimi – Burimet

Ajetet e Kur’anit nuk flasin direkt që sundimtari, përkatësisht pushteti është përgjegjës dhe i ngarkuar për organizimin dhe administrimin e aksionit të mbledhjes dhe distribuimit të zekatit. Mirëpo, në mënyrë indirekte ulemaja nxjerr një përfundim që pushteti islam është i ngarkuar të zbatojë aksionin e zekatit. Në këtë kuptim më së shpeshti citohet ajeti: (Et-Tevbe, 109). Me këtë ajet dëshirohet të theksohet që Muhammedit (s) si Pejgamber dhe sundimtar, por edhe sundimtarëve tjerë, u urdhërohet të grumbullojnë zekatin.
Ajeti tjetër me të cilin argumentohet përgjegjësia dhe detyra e pushtetit kur është fjala për mbledhjen dhe distribuimin e zekatit është ajeti i gjashtëdhjetë i surës Et-tevbe. Sipas këtij ajeti, të dhënat e obligueshme fetare, zekati dhe zekatul-fitri, mund të shpenzohen dhe të shpërndahen në njërën nga këto kategori:
1. për të varfrit;
2. për të ngratët
3. për punonjësit (që e tubojnë),
4. për ata që duhet përfituar zemrat e tyre,
5. për lirimin nga robëria,
6. për të mbyturit në borxhe
7. për në rrugën e All-llahut (xh. sh.) dhe
8. për atë që ka mbetur në rrugë

Këto kategori nuk mund të shfuqizohen-abrogohen, po as të shuhen. Për prioritetin e njërës kategori mbi tjetrën në rastin e dhënë, është i obliguar të kujdeset pushteti kompetent islam.
Me qenë se në ajet përmenden tetë kategori, juristëve islam iu imponua një pyetje e pashmangshme: a është e domosdoshme t’ju jepet zekati të gjithëve nga tetë kategoritë e numëruara apo mund të veçohet ndonjëra prej tyre? Shafiu konsideron se zekati duhet t’ju ndahet secilës nga tetë kategoritë nëse ekzistojnë në shoqëri, në të kundërtën, atyre të cilëve është e mundur. Një pjesë e juristëve hanbelitë pajtohet me qëndrimin e imam Shafiut, ndërsa Maliku dhe Ebu Hanife thonë se nuk është e domosdoshme t’i ndahet secilës kategori. Ebu Ubejdi transmeton qëndrimin e Ibni Abbasit që zekati mund t’i jepet njërës prej tetë kategorive te përmendura. Megjithatë, qëndrime të këtilla mund të përmenden edhe më tej si dhe emra të dijetarëve nga historia, të cilët janë prononcuar për këtë çështje, por edhe më tej mbetet një pyetje e hapur. Kush është ai person apo organ, i cili, nëse e pranojmë qëndrimin e parë, do të caktojë që secilës kategori ti jepet një pjesë e zekatit? Si të realizohet, sepse të kërkohet prej individëve të cilët e japin zekatin që t’i kërkojnë të gjitha tetë kategoritë, nëse asgjë tjetër, të paktën, është e paarsyeshme. Ndërkaq, nëse pranohet qëndrimi i dytë, siç është në shkollën tonë juridike dhe në praktikën tonë, përsëri shtrohet pyetja kush është përgjegjës të caktojë cila prej atyre kategorive, një apo më shumë prej tyre, është pikërisht ajo së cilës duhet ndihmuar me zekat. Sido që të jetë, në të dyja rastet nënkuptohet ekzistimi i udhëheqjes organizative të aksionit të grumbullimit dhe distribuimit të zekatit, me një fjalë të menaxhimit të zekatit.
Në të vërtetë ky aksion nuk është ndonjë risi (bid’at), as nuk është fjala këtu për ndonjë komentim dhe interpretim të ri dhe ndryshim të dispozitës së Sheriatit. Fjala është ekskluzivisht për korrigjimin e një praktike të gabuar, e cila kishte filluar në periudhën e dekadencës, kur ishte zhdukur pushteti i organizuar islam dhe kur aplikimi i dispozitave të caktuara dhe plotësimi i disa obligimeve i ishte lënë ndërgjegjes së çdo besimtari.

Grumbullimi i zekatit gjatë historisë

Kur është fjala për dispozitat islame, është krejt e sigurt se funksioni i mbledhjes së zekatit, caktimit dhe përcaktimit të mënyrës së mbledhjes, si dhe organizimi i aksionit në tërësi, bën pjesë ekskluzivisht në kompetencën e organeve islame: organeve të pushtetit atje ku ai ekziston, ose organeve dhe institucioneve fetare të Bashkësisë Muslimane (Komunitetit Musliman) sikurse është rasti tek ne me Komunitetin shqiptarë musliman – në Bashkësinë islame të Austrisë. Në këtë na udhëzon vetë Kur’ani. Duke ua përcaktuar një pjesë të zekatit si shpërblim atyre, të cilët janë të angazhuar në aksionin e mbledhjes së zekatit, ai pa kurrfarë dileme na tregon që mbledhja e zekatit është funksion shoqëror dhe që vetëm shoqëria është kompetente dhe e autorizuar ta kryeje dhe ta menaxhojë në mënyrën e duhur.
Kështu ka vepruar edhe Muhammedi (s) si faktori më kompetent dhe më i përgjegjshëm në përpunimin dhe aplikimin e parë të mendimit kur’nor mbi zekatin. Zekati mblidhej në “Bejtul Mal” (arkën qendrore të shtetit). Çdo dërhem nga ky obligim duhej të shkonte në arkën qendrore. Pas vdekjes së Muhammedit (s) vazhdoi kjo praktikë. Ebu Bekri ushtarakisht kishte intervenuar kundër atyre, të cilët kishin refuzuar t’ua japin mbledhësve zekatin e obliguar. Halifi i dytë Omeri (r.a.) ndoqi të njëjtën rrugë. H. Osmani, solli disa ndryshime në mënyrën e mbledhjes së zekatit. E ndau pasurinë në Dhahir dhe Batin (që mund të kontrollohet dhe që nuk mund të kontrollohet).
Prandaj, ky aksion që është ndërmarrë nga ish-Unioni dhe tani KSHBA nuk është kurrfarë risie në kuptimin e largimit nga dispozitat dhe praktika islame. Përkundrazi, është kthim te dispozitat, korrigjim i deformimeve dhe realizimi i qëllimit të vërtetë të zekatit. Në këtë nuk jemi as të parët as të fundit.
Në dritën e raporteve të ndryshuara shoqërore të shekullit njëzet është shtruar çështja e të kuptuarit më të gjerë dhe më të përgjithshëm të sintagmës fi sebilil’lah, si njëra nga kategoritë e personave të cilëve u jepet zekati. Ulemaja klasike me këtë sintagmë nënkuptonin luftën e armatosur (xhihadin). Një numër i madh i juristëve të sotëm konsideron që në këtë sintagmë mund të përfshihet ndihma për çdo formë të angazhimit, për të mirën dhe përfitimin e muslimanëve, lufta intelektuale për arsimimin e masave të gjëra popullore dhe zhdukja analfabetizmit, mbështetje për personat e mendjeve dhe shkrimeve të mprehta, të cilët me ngjyrën e tyre që simbolizon gjakun e shpirtit ndriçojnë edhe skutat më të errëta të mendjes njerëzore, angazhime të sforcuara për financimin e projekteve që kanë të bëjnë me ruajtjen e identitetit islam dhe zhvillimin e veprimtarive të ndryshme kundër asimilimit të shoqërive muslimane, për ngritjen e standardit më të lartë në muslimanëve, në këtë rast shqiptarëve musliman, për krijimin e bazës ekonomike me qëllim të zhvillimit dhe implementimit të projekteve të tyre infrastrukturore dhe strategjike në Evropë sikurse janë: “krijimi i qendrave të fuqisë, instalimi i infrastrukturës së përbashkët informativo- komunikative, përpunimi i bazave dhe detajeve të prezantimit masmediatik të koncepteve kryesore të islamit në shekullin 21, ngritja e instituteve për studimin e Kur’anit,” integrimi i intelektualëve musliman „shekullarë“ në procesin e edukimit të ummetit nëpërmjet objekteve infrastrukturore zyrtare islame (mektebeve, xhamive, medreseve…), modernizimi i mësimit në mekteb, prezantimi i hutbëve në një nivel respektues, (1)etj.
Nën nocionin “në rrugën e All-llahut” futet dhënia e zekattit edhe fukarave dhe msikineve edhe atyre që e mbledhin dhe borxhlinjve dhe kështu me radhë, por me theksimin e kësaj sintagme vihet në dukje gjithashtu edhe veçantia dhe dallueshmëria në krahasim me secilën prej tetë kategorive tjera. Duke e respektuar të kuptuarit e tillë, juristet të cilët interesohen për një komentim më të gjerë të kësaj kategorie, me rastin e dhënies së fetvasë dhe të të kuptuarit të përgjithshëm të kësaj kategorie, përfshirjen e rasteve të reja (ndërtimi i qendrave islame e të ngjashme), përpiqen ta lidhin me nocionin e luftës, d.m.th. mbrojtja e mësimit, identitetit dhe dinjitetit islam të muslimanit.
Për sa i përket kategorive të rrezikuara të të varfërve: -fukarave dhe miskinëve të cilët i përmend ajeti kur’anor është mundësia rehabilitim të tyre produktiv, një çështje shumë e rëndësishme që preokupon mendjet muslimane moderne. Ideja konsiston në atë që “mjetet e zekatit të deponohen në mënyrë investuese me qëllim të zhvillimit të burimeve të pavarura financuese ose për rehabilitim ekonomik të individëve apo familjeve. Si të bëhet që mjetet e zekatit ekonomikisht të jenë lëvizëse (dinamizuese), e jo vetëm faktor konsumues, dhe që me këtë rast të mos hiqet asgjë nga zekati në kuptim të ibadetit? Fondi i zekatit nga Kuvajti, në vitin 1987 nisi programin me qëllim të rehabilitimit produktiv financiar të familjeve të varfra, të cilët duhet të shndërrohen nga shfrytëzues të zekatit në dhënës të zekatit, dm.th. të transformohen nga fusha e harxhimit (konsumimit) në fushën e prodhimit.” (2)



APLIKIMI I EKSPERIENCES SË MUSLIMANËVE BASHKËKOHOR

Modelet e grumbullimit dhe distribuimit të organizuar të zekatit.

Pas fitimit të pavarësisë politike në vendet muslimane në gjysmën e dytë të shekullit njëzet është punuar në mënyrë intensive në qasjen e aksionit të zekatit në mënyrë të organizuar. Me këtë, nga njëra anë, është ripërtërirë praktika e Pejgamberit të Zotit (s), ndërsa nga ana tjetër muslimanët e panë se po jepen mjete të mëdha materiale, e efektet ishin shumë të vogla. Me fjalë tjera, u shtrua pyetja a dëshiron me të vërtetë me këtë dispozitë Ligjvënësi që ne thjesht të plotësojmë formën dhe të “lëshojmë nga dora” këtë detyrë, apo ndërkaq, Ligjvënësi dëshiron që me aksionin e zaktit në mënyrë të organizuar të realizojmë një përparim edhe më të madh edhe më efikas, mirëqenie sociale dhe ekonomike dhe me këtë po ashtu të realizojmë, konkretizojmë mësimin islam social, por edhe mësimet tjera. Duke analizuar situatën e sotme në botë, mund të vërejmë tri forma të organizimit të grumbullimit të zekatit:
1. Dhënia e zekatit është obligimi i përcaktuar me ligjin pozitiv (zekati është obligim i përcaktuar me ligj është në gjashtë shtete: Arabinë Saudite, Malejzi, Libi, Pakistan, Sudan dhe Jemen);(3)
2. Dhënia e zekatit është vullnetare, nuk është e obliguar me ligjin pozitiv, por shteti paraqitet si themelues, mbikëqyrës i agjensionit dhe fondit për grumbullimin dhe distribuimin e zekatit. (Ky model është i pranishëm në: Kuvajt, Jordani. Oman. Katar. Bahrejn, Bangladesh dhe Indonezi. I njëjti rast ka qenë edhe me Irakun, për të cilin sot nuk ka informacione. Egjipti dallon në krahasim me vendet e përmendura me atë që në vitin 1971, ata gjeten zgjidhjen me themelimin e “Naser social Bank of Egipt”, e cila me dikaster të veçantë të punëve të veta punon në grumbullimin dhe distribuimin e zekatit. (4)
3. Dhënia e zekatit është vullnetare, e muslimanët janë lënë të lirë të zgjedhin në ç ‘mënyrë do të organizohen. (Një rast i tillë është në Indi). Karakteristikë e rëndësishme e këtij modelit të tretë të menaxhimit të zekatit është në atë që shteti nuk ka kurrfarë ndikimi në profilin dhe mënyrën e punës së organizatave të ndryshme. Thënë kushtimisht, kjo liri e organizimit ka rezultuar me numër të madh si të tipave të organizatave ashtu edhe numrit të tyre. Kësaj duhet shtuar që një pjesë e mirë e muslimanëve edhe më tej këtë obligim fetar e zbaton në mënyrë tradicionale me dhënien personale apo kanaleve jo-oficiele.(5)

Ne vend te përmbylljes

Shumë çështje sot janë duke u analizuar dhe po bëhen përpjekje për të gjetur modele të ndryshme me qëllim që disa institucione fetare apo dispozita fetare të realizohen në mënyrën më adekuate dhe më efektive. Ato janë përvoja shumë të rëndësishme dhe domethënëse të fituara në realizimin, konkretizimin, aktualizimin, reduktimin në hapësirën e vullnetit të Zotit. Thënë me fjalorin e Tarik Ramadanit, pyetja shtrohet: Si ta sjellim (shndërrojmë) Tekstin (Kur’anin dhe sunnetin) në kontekst? Si ta shndërrojmë teorinë në praktikë, të përhershëm në të përkohshmen, objektiven në subjektive, universalen në konkrete etj.? Këto janë në përgjithësi përvoja të vlefshme sado që në të njëjtën kohë ato janë të veçanta dhe specifike.
Çështja e organizimit të grumbullimit dhe distribuimit të zekatit (zekatul-fitrit) është një çështje shumë e gjallë dhe e rëndësishme e ditëve të sotme. E gjallë për arsye se zekati është njëri nga pesë ibadtet themelore dhe për kryerjen e tij është i interesuar çdo musliman në veçanti, dhe shteti, bashkësia e muslimanëve, xhemati në përgjithësi. Pastaj, specificiteti i zekatit është në faktin që këtu kemi të bëjmë me një ibadet material i cili është i lidhur ngushtë me ekonominë, e cila është në ndryshime të vazhdueshme dhe forma të reja për të cilat duhet të gjenden zgjidhje të përshtatshme dhe të duhura islame. Sot çështja e zekatit është e rëndësishme sepse me ringjalljen e praktikës së Pejgamberit (a.s.) ka një ndikim shumë të rëndësishëm financiar në standardin e kategorive të caktuara sociale të muslimanëve me të cilin ata ndihmohen materialisht, por plus lidhën edhe për islamin dhe muslimanët. Një formë e këtillë e organizimit të aksionit të zekatit ndikon në mënyrë të veçantë në disa segmente të jetës muslimane, të tilla si arsimimi në përgjithësi dhe ai islam në veçanti, si një segment i rëndësishëm i ruajtjes dhe formimit të identitetit islam.
Grumbullimi i organizuar i zekatit (zekatul-fitrit) është praktikë e muslimanëve që nga koha e Pejgamberit të All-llahut Muhammedit (s) dhe halifëve të parë, praktikë që ka mbështetje në udhëzimet e Kur’anit dhe të Pejgamberit (s), ndërsa halifeja e dytë h. Omeri (r.a.) e institucionalizoi Fondin e Bejtul-malit dhe e vendosi në arkën shtetërore. Shumica e ulemave pajtohen që e drejta e grumbullimit të zekatit i takon pushtetit islam në shtetet islame, e në shtetet joislame i takon bashkësive muslimane në krye me autoritetin suprem fetar. Ajeti kur’anor në të cilin flitet mbi obligimin e zekatit “Merre prej pasurisë së tyre zekatin që t’i pastrosh dhe t’ua shtosh të mirat e tyre”, praktika dhe udhëzimet e Muhammedit (s), as’habëve të tij, si dhe mendimet e juristëve të njohur të sheriatit tregojnë për faktin që zekati, para se gjithash, është obligim shoqëror dhe që për përmbushjen e plotë të këtij obligimi është përgjegjëse bashkësia e përgjithshme e muslimanëve, para se gjithash, në shtetet islame pushteti islam, ndërsa në shtetet joislame bashkësitë e organizuara të muslimanëve, të cilat janë të obliguara të organizojnë grumbullimin dhe shpërndarjen e zekatit në pajtim me udhëzimet kur’anore dhe ato profetike të Muhammedit (s), por edhe obliguesit e zekatit të cilat e kanë për detyre që me ndërgjegje dhe përgjegjësi ta kryejnë obligimin e tyre.
Në vitin 2012 Unioni i shqiptarëve musliman në Austri në mbledhjen e Kuvendit mori vendim që të gjitha xhamitë që janë në kuadër të Unionit, mjetet e grumbulluara nga zekati dhe zekatul-fitri t’i derdhin në fondin e Unionit, e pastaj kryesia do të vendos dhe caktojë prioritetet për shpërndarjen e tyre. Kjo është një detyrë dhe obligim i madh fetaro-moral për të gjithë shqiptarët e Austrisë që të udhëhequr tashmë nga KSHBA (Komuniteti shqiptar i Bashkësisë islame të Austrisë), të gjejnë mënyrat dhe metodat për organizimin dhe riorganizimin e jetës së tyre fetare, kulturore, sociale etj.
Nga puna jonë dhe nga të kuptuarit e të interpretuarit tonë të drejtë të mendimit islam burimor varet përparimi i xhematëve, xhamive dhe Komunitetit shqiptar si dhe forcimi i islamit dhe muslimanëve në këto hapësira. Është detyrë e jona si imamë, por edhe si anëtarë të Kryesisë dhe Kuvendit të KSHBA-së, por edhe kryesitë bashkë me kryetarët e xhamive, të gjithë së bashku të kontribuojmë në këtë çështje lidhur me aksionin e organizuar për grumbullimin e mjeteve të zekatit dhe vitrave për Fondin e KSHBA-së. Është e rëndësishme që t’ia shpjegojmë xhematit, por jo vetëm kaq por edhe të mundohemi t’i bindim ata se zekati (vitrat) është një lloj i dhënies fetare, që as dhënia, as mbledhja e as shpërndarja nuk është në dëshirën e individit, por këtë duhet ta bëjë organi më i lartë fetar dhe kompetent për këtë aksion (Ulul-Emri).
Duhet të jemi të vetëdijshëm të gjithë se ky aksion në këtë moment duhet të jetë obligimi ynë më i madh karshi të ardhmes tonë në të cilën duhet të kemi familje të shëndosh, xhemat kompakt, institucion të organizuar, punë të ndërgjegjshme dhe edukim e arsimim të mirë. Nëse nuk e bëjmë këtë, ne nuk mund të mbijetojmë në këto hapësira. Ne nuk kemi ndihmë tjetër nga askush. As nuk i kemi ato vakëfe që i kanë pasur më parë bashkësitë tona të muslimanëve në ish-Jugosllavi, por ne sot të gjithë duhet të bëhemi vakifë (bamirës) të rinj, vakifë të gjallë, vakifë që ecin, të cilët nuk mund askush më t’i uzurpojë, e të tillë do të jemi nëse e kuptojmë që tani që me ndihmën e këtyre mjeteve të realizuara bashkërisht mund të bëjmë edhe një hap tjetër të madh pas themelimit të Unionit dhe tash KSHBA-së, të zhvillojmë dhe avancojmë jetën tonë fetare në Austri dhe bashkë me të edhe KSHBA-në me xhamitë, të cilat do të jenë në gjendje, të gatshme dhe të afta të përgjigjen në të gjitha provokimet dhe sfidat e kohës. Jo vetëm atyre fetare, por do të jemi në gjendje të bëjmë shumëçka edhe në aspektin social duke ndihmuar kategoritë e rrezikuara sipas prioriteteve dhe sipas përcaktimit kur’anor. Me këtë rast ne bëhemi pjesë e përpjekjeve bashkëkohore brenda botës muslimane që zeaktit t’i qasemi në mënyrë të organizuar, që me mbledhjen e zekatit të përfshihet pjesa sa më e gjerë e popullatës muslimane shqiptare, që të distribuohet në mënyrë unike dhe të zbatohet kjo detyrë në mënyrën më efikase, sepse All-llahu (xh. sh.) është në anën e xhematit, e xhemati, në këtë rast, bashkimi i xhamive tona nën Ombrellën e KSHBA-së nga aspekti i efikasitetit mund të bëjë shumë më shumë se çdo xhami në mënyrë individuale. Por, edhe besueshmëria është më e madhe, sepse aty janë përfaqësuesit e pjesës dërmuese të xhamive shqiptare në Austri. Prandaj, të angazhohemi për të ardhmen tonë të përbashkët, sepse të gjithë kemi një qëllim të vetëm për perspektiven tonë dhe të fëmijëve tonë. Kur e kemi themeluar Unioni, ne kemi thënë se qëllimi kryesor ka qenë, është dhe do të jetë një i vetmi synim i përbashkët – ai është kënaqësia e All-llahut (xh. sh.), që me këtë veprim të jetë i kënaqur Zoti i Madh.

O ju që besuat, kini parasysh frikën ndaj All-llahut dhe le të shikojë njeriu se çka ka bërë për nesër, dhe kini frikë All-llahun, e s’ka dyshim se All-llahu është që e di në detaje atë që punoni! (59: 18)

KSHBA-ja duhet të jetë e aftë që të ndryshojë dhe t’iu përgjigjet kërkesave të reja të anëtarëve të saj në Austri.
Respektimi i ndërsjellë dhe besimi reciprok janë dy kushtet më të rëndësishme për suksesin e KSHBA-së. E kjo do të thotë që KSHBA-ja duhet të jetë institucion i gjallë që frymon me kohën dhe hapësirën ku vepron. Ai duhet të ketë shpirtin dhe zemrën e vet. Shpirti i KSHBA-së janë imamët dhe zemra e tij janë xhematlinjtë.



Referencat:
1. Mustafa Fetic, Kazivanja sa minebera, N. Pazar, 2006.
2. Abdulhalim Mahmud Tulmaz, Zekati – pastrim dhe shtim i pasurisë, Prishtinë, 2010
3. Zekat i sadekatul-fitr –islamske obaveze (grup autorësh), Sarajevë, 1976
4. Dr. Sulejman Topoljak, Zekat i sadekatul-fitr – aktuelna pitanja i odgovri, Novi Pazar, 2007
5. (Glasnik, LXVI, Rijaset Islamske zajednice u Bosni i Hercegovini, Sarajevo, septembar-oktobar 2004, br. 9-10, str. 932-948.)
6. Edin Tule, Mentalni parkour, Sarajevë, 2013.
7. Mr. Mustafa Hasani, “Modeli organiziranog prikupljanja i distribucije zekata u svijetu.” (ëëë.islamskazajednica.ba/
8. http://ibn-sina.net/


______________________
1.Shih. Edin Tule, Mentalni parkour, Sarajevë, 2013.
2.Mr. Mustafa Hasani, “Modeli organiziranog prikupljanja i distribucije zekata u svijetu.” (www.islamskazajednica.ba/
3.Mustafa Hasani, njëjtë…
4.Mustafa Hasani, njëjtë…
5. Mustafa Hasani, njëjtë…


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

"Disiplinë dhe rregull" - Visar ef. Koshi