Hytbeja e myftiut të Kosovës Naim ef. Tërnava me rastin e festës së Fitër Bajramit

Të nderuar vëllezër e motra!

Pas një muaj agjërimi e sakrifice, sot feston bota mbarë ditën e Fitër Bajramit, një prej festave më me rëndësi në kalendarin e fesë sonë Islame. Me këtë rast e në këtë ditë feste jemi të gëzuar ngase kemi përfunduar me sukses të plotë edhe një nga urdhrat e të Madhit Zot xh.sh. agjërimin e muajit të shenjët të Ramazanit, muajin e Kuranit dhe me të drejt presim që Allahu xh.sh. të na shpërblej për këtë agjërim e përkushtim.

I pa fillim dhe i pa mbarim, Krijues i vetëm i këtij Universi është Allahu, ndaj vetëm Ai meriton të besohet dhe adhurohet. Krijojë nga asgjëja këtë Univers dhe këtë rregull i cili mbretëron në vazhdimësi,ngase Zoti udhëheq më të,çdo gjë ecë e noton sipas rregullit të caktuar nga Ai.

Krijojë edhe krijesa siç janë engjëjt, xhinët, shtazët shpezët etj., por për t’i dhënë kuptimin dhe rolin domethënës kësaj gjithësie Zoti krijoi njeriun e parë Ademin a.s. të cilin e porositi për besim në Zotin Një dhe kështu të gjithë pejgamberët e tjerë me rend deri te Muhamedi a.s. pejgamberi i fundit.

Allahu xh.sh. thotë:

“Vërtet vetëm unë jam Allahu, nuk ka zot tjetër pos Meje,pra Mua më adhuroni dhe fale namazin për të më kujtuar Mua”.Ta-ha-14.

Ndaj edhe ne si asnjëherë më parë edhe gjatë këtij muaji të shenjët përmes agjërimit dhe adhurimeve të shumta, treguam se thellë në shpirtrat tanë absorbuam porosit e Zotit duke i vënë ato në praktikë dhe ja sot të buzëqeshur e shumë krenarë festojmë festën e Fitër Bajramit duke e lutur Zotin për mëshirë, shëndet, mirëqenie, solidaritet, dashuri e respekt mes njerëzve.

Andaj edhe sot në këtë ditë feste e krenarie që rikujton edhe shëmbëlltyrën e njeriut më të dashur të Zotit i cili erdhi në këtë botë, shëmbëlltyrën e Muhamedit a.s. i cili botës i solli paqe, lumturi e harmoni, duke reflektuar në vazhdimësi ndjenjën e vëllazërisë dhe barazisë mes njerëzve, emër i cili është synonim i dritës, udhëzimit, paqes, harmonisë, arsimit, ndaj edhe përmendet më shumë se çdo emër tjetër në botë

Nisur nga kjo kërkojë nga ju vëllezër e motra që të largoheni nga çdo punë e ligë, të shtrini dorën e pajtimit me njëri tjetrin, të ndihmoni njëri tjetrin, e bashkërisht të përkujdesemi për të varfrit, jetimët, invalidët, njerëzit në nevojë edhe gjatë këtyre ditëve të festës. Ju u treguat shumë bujar e solidar edhe gjatë këtij muaji, ndihmuat shumë familje, shumë individ në nevojë me ndihma të ndryshme, ju treguat një solidaritet të pa parë duke shtruar edhe iftare anë këndë Kosovës sonë, por edhe vëllezërit tanë brenda trojeve tona dhe në mërgatën e lartë kudo që ata u gjenden treguan ndjenjën e humanitetit e solidaritetit për njerëzit në nevojë. E kemi bërë këtë ngase ky është mesazhi më i mirë që jep agjërimi i këtij muaji. Këto ndjenja le t’ju shoqërojnë juve edhe pas Ramazanit në vazhdimësi ngase kështu na mëson Kurani kështu na mëson Muhamedi a.s. gjithherë të kemi në mendje lutjet tona drejtuar Allahut, ngase Ai në lutjet tona do të përgjigjet.

Thotë Allahu xh.sh.

“E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua.“ (El-Bekare,186).

Gjatë tërë këtij muaji ju lutëm Allahut xh.sh. për të na falë mëkatet dhe për të na shpërblyer, këto vepra të mira sikur japin kushtrimin nga brendësia e tyre drejtuar Fuqiplotit: ne e dimë se jemi të krijuar nga toka për te jetuar mbi të dhe për të siguruar paqe për të gjithë,dhe në botë të mbretërojë paqja e mëshira.

Allahu xh.sh. thotë:

“E ne të dërguam ty Muhamed vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat” (El-Enbija-107).

Për këtë kontribut e vepra të mira të agjëruesit na mëson Muhamedi a.s. kur thotë:

“Vërtetë në xhenet është një derë e cila quhet Rejan,për atë derë do të hyjnë vetëm agjëruesit ditën e ringjalljes, dhe askush tjetër nuk ka mundësi të hyjë në xhenet përmes saj”.

Vëllezër e motra!

Muhamedi a.s. e mësoi botën se vendi,gjuha,raca,janë virtyte të cilat i ka falur Allahu xh.sh.,dhe këto virtyte duhet shfrytëzuar për afrimin e njerëzve mes vete e jo për përçarje e luftëra.

Allahu xh.sh. thotë:

“O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete…”.El-Huxhurat-13.

Një pjesë e madhe e botës Islame sot përjetojnë një krizë të thellë morale e kulturore, krizë identiteti e nxitur nga faktorë të ndryshëm, ndaj rikujtimi i shëmbëlltyrës së Muhamedit a.s. është një rizgjim i serishëm i ndjenjës edhe ashtu të strukur e të humbur në këtë vorbull të ngjarjeve e luftërave të pa kuptimta të cilat edhe më e ngufatin atë ndjenjë duke mos e lënë që të jap frytin e saj.

Allahu xh.sh. thotë:

“Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e All-llahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh All-llahun”.Ah-zab-21.

Ky rikujtim ngjall edhe më tepër në zemrat tona dashurin ndaj Muhamedit a.s. në veçanti tek ne besimtarët e këtyre trojeve, ngase dashakeqet, e njerëzit e shitur duke përdorur strategji prej më të ndryshmeve arritën të fusin në mesin tonë njerëz të cilët në emër të fesë së pastër islame mbollën paqartësi e urrejtje mes besimtarëve, duke i shtrembëruar dhe keqinterpretuar parimet e pastra e të drejta Islame me teza jo reale, intriga e indoktrinime, me qëllim largimi nga e kaluara e tyre e lavdishme, nga feja dhe traditat e tyre, duke i zëvendësuar ato me të huajat.

Për ta ruajtur porosinë Hyjnore dhe mësimet e Muhamedit a.s. nga çdo kush që tenton t’i devijojë ato duhet të ngrisim zërin dhe të themi se Islami është i pastër nga çdo gjë e ligë që tashmë i mëveshët Islamit.

Edhe sot nga ky vend i shenjtë ju themi të gjithëve se një rrugë të vetme ka e ajo është rruga e paqes, harmonisë, tolerancës, bashkëjetesës, dashurisë e respektit për tjetrin.

Vëllezër të nderuar!

Manifestimi i dashurisë që kemi për Allahun xh.sh. është ndjekja e shëmbëlltyrës së Muhamedit a.s. askush nuk ka mundësi që ta bëjë vetën të dashur te Allahu,në ndonjë rrugë tjetër, është kusht dashuria dhe respekti ndaj Muhamedit a.s.

Muhamedi a.s. u nderua dhe u respektua nga Allahu xh.sh. ngase ai pranojë Kuranin të cilin e ngriti lartë dhe e vulosi në zemrat e miliona apo miliarda njerëzish.

Allahu xh.sh. thotë.

“E kush do që i bindet All-llahut dhe të dërguarit, të tillët do të jenë së bashku me ata që All-llahu i shpërbleu: (me) pejgamberët, besnikët e dalluar, dëshmorët dhe me të mirët. Sa shokë të mirë janë ata!En-Nisa-69.

Të nderuar vëllezër kudo që gjendeni brenda trojeve tona,e në mërgatën e largët!

Bashkërisht me Zemër e shpirt të pastër drejtuar Allahut xh.sh. ta lusim Atë që të na i ketë pranuar lutjet, adhurimet tona, të na i falë mëkatet, të na mëshirojë me begatit e Tij, të falë paqe mirësi e mbarësi mbi popullin tona dhe mbarë njerëzimin.

Ky Ramazan le të shërbejë si motiv e mësim për punë të mëtutjeshme në forcimin e fesë e të atdheut, të punojmë bashkërisht e pa hile në çuarjen para të proceseve në të mirë të vendit, të popujve tanë e të atdheut tonë ku i Madhi Zot na ka Krijuar dhe na ka obliguar që t’i dalim zot këtij vendi.

Në këtë ditë feste apeloj më urtësinë e zemrës te të gjithë faktorët politik e institucion të vendit që të lënë anash interesat partiake, personale a grupore, e të angazhon seriozisht në ruajtën e unitetit veprues në të mirë të vendit e popullit, sepse para vetes kemi shumë sfida e shumë punë për të bërë që vendin tonë ta bëjmë ashtu siç e dëshirojmë. .

Mirësia e Zotit le ta përqafojë botën mbarë.

Me fat festa e Fitër Bajramit.



Myftiu Naim Ternava
24.06.2017
Prishtinë

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.