Hafëz Jakub ef. Muqeziu

Hafëz Jakub ef. Muqeziu u lind në Prizren në vitin 1919, mejtepin e kreu pranë xhamisë së Emin Pashës, pas së cilës vazhdoi edhe mësimin e hifzit të Kuranit te muhafizi i njohur i asaj kohe hafëz Beqir ef. Kajserliu, i cili njëkohësisht ishte edhe imam i xhamisë së Emin Pashës.

Hifzin e kreu në vitin 1937 në moshën 18 vjeçare. Pas kësaj vijoi mësimet në Medresenë e Gazi Mehmed Pashës në Prizren, te myderrizët e njohur të asaj kohe Abdullah efendiu, Sylejman efendiu dhe së fundi te Hasan efendi Nahi myderriz nga Gjakova, por medresenë nuk arriti ta përfundojë për shkak të mbylljes së dhunshme të medresesë së Gazi Mehmed Pashës në vitin 1947 nga pushteti i atëhershëm komunist.
Pas ripushtimit serb të Kosovës dhe vendosjes së pushtetit komunist haxhi hafëz Jakub ef. Muqeziu u inkuadrua në celulën ilegale të Komitetit Nacional Demokratik Shqiptar të rrethit të Prizrenit dhe veproi aktivisht në ilegalitet të plotë gjer në vitin 1950. Në vitin 1946 me forcë e rihap i Vakëfin e Prizrenit, i cili qe mbyllur dy vjet nga ana e pushtetit komunist vendor, i cili në atë kohë gjendej në ders'hanen (mësonjëtoren) e medresesë së Mehmed Pashës. Në vitin 1947 mori detyrën e imamit në xhaminë e Sinan Pashës, të cilin detyrë e kreu me sukses gjer në vitin 1950, me ç'rast u burgos nga regjimi i atëhershëm komunist.
Në vitin 1946 me vullnet dhe dëshirë të flaktë, ndërmori aksionin krye në vete, që për atë kohë ishte një flijim i jashtëzakonshëm duke marr parasysh rrethanat aktuale, e riaktivizoi topin në Kala të Prizrenit, që sinjalizonte përfundimin e agjërimit ditor të muajit të Ramazanit, një traditë shekullore në qytetin e lashtë të Prizrenit, e që për dy vjet ishte ndërprerë nga pushteti vendor komunist. Aktivizimin dhe mirëmbajtjen e topit në Kala të Prizrenit e mirëmbajti gjatë viteve 1946,1947,1948, 1949, dhe 1950 , pas së cilës topi i Kalasë së Prizrenit heshti në sinjalizimin e përfundimit të agjërimit ditor.
Pas denoncimit të celulës së Komitetit Nacional Demokrat Shqiptar në Prizren, hafëz Jakub ef. Muqeziu u burgos me shokët e vet dhe u dënua me vdekje, i cili dënim më pastaj pas ankesës iu zëvendësua me burg në kohëzgjatje prej 20 vjetësh, të cilin plot 12 vjet burg i kaloi në kazamatet e Nishit, duke punuar punë të rëndë fizike. Por hafëzi i nderuar kot nuk e humbi kohën edhe në burg, atyre mësoi mjeshtërinë e zanatit të xhamaprerësit, të cilit ia pa hajrin shumë pas daljes nga burgu, me ç'rast hapi dyqanin zejtar të xhamaprerësit, me të cilin e mbajti gjallë veten dhe familjen. Pas daljes nga burgu për 7 vjet nuk iu lejua të punojë si imam, dhe tek në vitin 1969 u caktua imam në xhaminë e Emin Pashës, ku shërbeu plot 35 vite gjer në vitin 2004 kur doli në pension. Plot 35 vjet me përkushtim punoi si imam dhe me dekada i mësoi shumë të rinj e të reja mësim-besimin fetar islam dhe leximin e Kuranit.
Ishte një burrë i rrallë shqiptar i cili çmohej për nga idetë e tija antikomuniste dhe anti serbe si dy elemente me pasoja më tragjike për popullin shqiptarë. Ai në vepër e praktikoi thënien e njohur" se pa iman s'ka vatan", që do të thotë se "pa fe s'ka as atdhe". Të gjithë atdhetarët gjatë gjithë historisë përveç që kanë qenë patriotë të çmuar, kanë qenë edhe besimtarë të devotshëm.
Hafëz Jakub ef. Muqeziu ishte njeri temperament, por i drejtë, guximtar dhe gjithmonë gati për çdo aksion apo ide në favor të çështjes kombëtare shqiptare dhe traditës fetare islame. Do të veçoja vetëm disa nga cilësitë e tija të shumta nga jeta e bujshme e tij. Gjatë kohës së Shqipërisë etnike në vitin 1944 qe ftuar nga ulemaja e Shkodrës që gjatë muajit të Ramazanit të këndojë mukabele në njërën prej xhamive të shumta të Shkodrës. Në një ditë prej ditëve të kaluara gjatë Ramazanit në Shkodër qe lutur nga ulemaja e Shkodrës, që para tyre, edhe pse në atë kohë ishte në një moshë bukur të re, 25 vjeçar, t'ju këndojë mevludin në gjuhën origjinale turke. Ky moment në jetën e tij ka qenë një ngjarje tepër e madhe, duke pasur parasysh një respekt të posaçëm që ka treguar ulemaja e Shkodrës për një hafëz të ri kosovar.
Hafëz Jakub ef. Muqeziu u varros me nderime të larta fetare e atdhetare me 13 dhjetor 2006, me ç'rast faljen e namazit të xhenazes në xhaminë e Bajraklisë ia kreu kryeimami Ali ef. Vezaj, ndërsa fjalimet e rastit i mbajtën kolegët e tij veteran të Nacional Demokrates Shqiptare.



Shkëputur nga “Dhjet vjet nga kalimi në ahiret i Hafëz Jakub ef. Muqeziut” – Faik Miftari

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.