Islami dhe bashkëqeverisja te shqiptarët në periudhën e osmanlinjve (1)

Duhet ditur dhe pasur gjithnjë në kujtesë, se vatani, territori i banuar nga shqiptarët ishte një vend, i cili jo pak, por përreth 15 shekuj para ardhjes së osmanëve ka qenë i pushtuar në mënyrë kronologjike, herë nga romakët, herë nga bizantinët, herë nga venedikasit, por edhe nga bullgarët, e posaçërisht nga serbët.

Sipas historianit A. B. Kopanski,(1) në fillim të shek. XIV politika serbe ka filluar të zgjerohet në jug të Ballkanit, pjesë e cila më herët ka qenë nën Perandorinë Bizantine. Mbreti serb, Car Stefan Dushani, e quante dhe e konsideronte veten si lider i të gjithë të krishterëve dhe kundër myslimanëve, madje në zakonikun (kodin) serb e kishte vënë urdhrin që ai katolik që nuk do të bëhej ortodoks, të piqej në hell. I shqetësuar nga situata e kohës, Papa Klementi VI, më 1346, i dërgon një notë proteste Car Stefan Dushanit, në të cilën ai proteston për situatën dhe për kishat në Prizren dhe rrethinë, që ishin vënë nën posedimin e mbretërve serbë nga Rashka.(2) Në atë kohë kur arbërorët, paraardhësit e shqiptarëve ishin pa shtet, pa kishë të tyre, pa traditë kulturore, pa kler, pa shkolla, e të rrethuar nga Bizanti në njërën anë, nga shteti serb në anën tjetër, dhe nga Venediku në anën bregdetare, nuk kanë pasur kurrfarë gjasash të mbijetojnë dhe ta ruajnë identitetin e tyre. Duke e hetuar rrezikun e ekzistencës, feudali shqiptar Karl Topia, në vitin 1385 ftoi ekspeditat ushtarake osmane që të vinin në trojet arbërore (shqiptare) për ta ndihmuar atë.(3) Ardhja e osmanlinjve në trevat arbërore (shqiptare) me ftesë të principatës së Karl Topisë, edhe osmanlinjve u shkonte për shtati për të ndërtuar një bazament infrastrukturor në Ballkan, i cili do të lehtësonte zgjerimin dhe për këtë, atyre u duhej të ndiqnin një politikë të një prezence jo agresive ndaj shqiptarëve. Dhe, tani kur osmanët u vendosen në trevat shqiptare, vlen të përmenden rrethanat dhe kushtet e dorëzimit të qyteteve shqiptare, osmanëve që nga Durrësi e deri në Antivar (Tivarin) e që ishin:
-Ruajtja e zakoneve të vjetra dhe gjyqeve vendore;
-Mundësinë e kryerjes së riteve fetare nga të krishterët në mënyrë të lirë dhe publike;
-Kishat, kapelat dhe objektet tjera të kultit krishterë të jenë të ruajtura nga sulmet;
-Në rast të rrënimit të ndonjë kishe duhej të ndërtohej përsëri;
-Populli të ruante pasurinë e tij.(4)
Me sa dihet kjo ishte marrëveshja e parë politiko-ushtarake mes osmanëve dhe principatës së Karl Topisë (shqiptare). Do theksuar, se jo shumë kohë nga arritja e ekspeditave ushtarake osmane më 1385, të ftuara nga feudali shqiptar Karl Topia për t'i ndihmuar arbërorët (shqiptarët), katër vjet më vonë saktësisht në vitin 1389, u zhvillua Beteja e Kosovës, të cilën e drejtoi vetë Sulltan Murati I, kundër koalicionit të krishterë. Beteja përfundoi me fitoren e turqve, të cilët si aleat të tyre patën edhe shqiptarët katolikë si Topiajt e ndonjë tjetër. Po edhe në koalicionin e krishterë të udhëhequr nga Car Llazari luftuan princat shqiptarë ortodoksë si Teodor Muzaka II, që u vra së bashku me 4000 arbërorë, Gjergj Balsha II, Gjon Kastrioti etj., (disa thonë Gjon Kastrioti e disa thonë Pal Kastrioti). Duhet thënë edhe këtë se, po të ishte fitorja e Betejës së Kosovës nën komandën e Sulltan Muratit I, në dëmin e në të keqen e shqiptarëve (siç pretendon dikush), ndërsa fitorja e kësaj beteje nga forcat e komanduara nga Car Llazari në favorin e në të mirën e shqiptarëve, atëherë Car Llazari dhe aleatët e tij, do të duhej të konsideroheshin si heronj edhe të popullit shqiptarë, madje shqiptarët do të duhej t'ia ngrehnin një përmendore Car Llazarit, jo përtej Ibrit, por në Gazimestan, mu aty ku është Tyrbja e Sulltan Muratit I(5) Në vitet e para të themelimit të shtetit Osman, politika e udhëheqësve ka qenë që të mundësojnë nënshtrim vullnetar të shteteve dhe të principatave krishtere, dhe të fitojnë besimin e tyre para se të kapin armën.(6) Një faktor i cili ka ndikuar, të themi në simpatizimin e masave popullore ndaj fesë Islame e ardhur përmes osmanëve, ka qenë edhe keqadministrimi i situatës nga kleri i krishterë, por edhe mungesa e personelit dhe infrastrukturës së tij. Në mesin e shekullit XVII, kleriku shqiptar Gjergj Bardhi shprehet: "Në Shkup, Karadaken e Shkupit, Novobërdë, Janjevë, Prizren, Gjakovë, Kratovë, flitet shqip, prandaj është e arsyeshme. pse shqiptarët kërkojnë që priftërinjtë t'i kenë shqiptarë dhe t'u dilet në ndihmë atyre, ndryshe, do të kalojnë në fenë islame ose atë skizmatike" Gjithashtu, edhe etnologu e historiani Mark Tirta islamizimin e shqiptarëve nuk e shihte si dhunë, por si një ftohje, si një bojkotim i shqiptarëve kundër krishterimit, e pikërisht kundër ortodoksisë serbe, greke e bullgare, që i shpinte në shkombëtarizim, në tjetërsim etnik. Deshi dikush apo nuk deshi, e pranon apo nuk e pranon, e vërteta është se ideja e përdorimit të dhunës fetare, apo (konvertimit të shqiptarëve me dhunë në Islam) nuk qëndron dhe ky mendim është i pabazë. Të pavërtetave të sajuara, shpifjeve keqdashëse i kundërvihet edhe dijetari Tomas Arnold në përgjigje të kronikave të Farlatit, i cili konvertimin në identitetin e ri mysliman, e shihte të lidhur me dhunën dhe format e tjera të presionit ekonomik. Arnold shprehet: "Është e mjerueshme ajo që autorë të ndryshëm flasin që shqiptarët janë detyruar të ndërrojnë fenë me presione të dhunës e haraçeve të paligjshme. Për këtë shpesh përdorin shprehje të përsëritura (tautologjike). Këto autorë nuk japin të dhëna se a janë të argumentuara akuzat e tyre apo jo" thoshte shkencëtari shumë i njohur anglez- Thomas W. Arnold.(7) Në një prononcim të Çiro Truhelkës në lidhje me përhapjen e islamit thuhet se: "Është mendim i gabuar se Islami është përhapur me dhunë. Ekzistojnë argumente të shumta të cilat e demantojnë këtë. Unë mund të përmend vetëm një, e ai është se shekulli XIX nuk do të gjente asnjë të krishterë dhe asnjë kishë e manastir në Ballkan, sikur islami të përhapej me dhunë shtetërore." Duhet theksuar se autoritetet osmane asnjëherë nuk ushtronin dhunë për konvertim. Përkundrazi ata punonim me guvernator ët, me kryetarët e "mileteve" për të parandaluar konvertimin me dhunë në islam. Ky parim ka mbështetje në mesazhin qiellor, kuranor ku thuhet: "Nuk guxon të ketë dhunë në fe. Veç është sqaruar e vërteta nga e kota."(8) Faktet historike tregonin se me vetë dëshirë shtetin Osman e pranuan edhe vasalët shqiptarë, të cilët i zotonin pronat e tyre dhe i takonin besimit krishterë. Shteti Osman, me kusht që ata të pranojnë autoritetin e tij, familjet vasale të krishtera shqiptare, si: balshaj të, topiatët, dugagjinët, zakariotët, musakët, zenebisët, aranaitët, vullkashinët, kastriotët etj., gjegjësisht sinorët e tyre i pranoi si legjitim, duke mos kërkuar që ata të ndërrojnë besimin e tyre. Islami për shqiptarët tani ishte fe zyrtare që kishte depërtuar thellë në Shqipëri, e jo fe e pushtuesit, siç propagandojnë islamofobët sot, sepse edhe vetë osmanët islamin besimin e tyre e kishin marrë nga të tjerët me vullnet, siç bënë dhe shqiptarët kur u desh puna dhe i kuptuan vlerat e tij të larta.
Sundimi osman, edhe sipas P. Bartel, i kishte dhënë fund procesit të sllavizmit të shqiptarëve edhe në Kosovë. Nga kjo mund të nxirret përfundimi se Islami qe barrierë, që ndërpreu greqizmin dhe sllavizmin e shqiptarëve.(9)
ç'është e vërteta, studiues të njohur, ndër ta edhe Roberto Maroco del a Roka,(10) tashmë e kanë vërtetuar me argumente të pathyeshme, se Islami ka pasur rolin vendimtar në ruajtjen e identitetit kombëtar të shtresës absolute të popullit shqiptarë. Të po këtij mendimi, sipas historianit Renzo Falaschi, kishin qenë edhe Ismail Qemaili sikundër Kasem Biçoku, i cili ndër të tjera, shkruan, citojmë: "Procesi i islamit nisi qysh me pushtimet e para osmane në Shqipëri. Ai u përhap gjerësisht gjatë shek. XVI-XVII dhe përfshiu pjesën më të madhe të shqiptarëve. Islami lehtësoi integrimin e tyre në jetën e Perandorisë Osmane dhe u bë një barrierë e fuqishme që ndërpreu greqizmin dhe sllavizmin e shqiptarëve.(11) Mendime dhe vlerësime të këtilla, ndryshe nga ato të Zef Mirditës dhe Engjëll Sedajt(12) hasim edhe te autorët e tjerë si: Peter Bartl, Hasan Kaleshi, Muhamed Pirraku, Safet Juka, etj, Kështu, për shembull, Hasan Kaleshi (1922-1976), dhe Peter Bartl(13) kanë shprehur pikëpamje bindëse kur kanë thënë se pushteti turk i Ballkanit, përkatësisht Islami i shpëtoi shqiptarët nga asimilimi etnik. Shteti Osman me platformën e vet shumë të qartë dhe të trashëguar nga e kaluara fetare dhe e bazuar në shpalljen hyjnore, arriti që në Ballkan dhe më gjerë, madje edhe te jomyslimanët, të formojë bindjen se ata janë më të preferuarit se të tjerët. Nga kjo lind edhe shprehja “Më mirë një fes osman, sesa një mërtek katolik".(14) Se Islami në Ballkan nuk ishte aksidental, siç ishte shprehur një shkrimtar yni shqiptar,(15) dëshmojnë edhe këto të dhëna historike. Historiani Ferit Duka, duke ofruar këtë statistikë pohon se deri në fund të shekullit XVI Shkodra u islamizua 100%, Peja 90%, Vushtrria 80%, Elbasani 79%, Tetova 71%, Kërçova 65%, Kruja63%, Berati60%, Prishtina60%, Prizreni55,9%, Dibra51%, Tepelena50%, Përmeti 41% etj., dhe konstaton se nuk ka pasur një politikë islamizuese të zhvilluar me tendenca të posaçme nga sundimi osman.(16)


________________________
(1) Bogdan, Kopanski Ataullah - Silesian (i lindur më1948) historian dhe disident polak i konvertuar në Islam gjatë një shkëmbim të studentëve në Turqi në vitin 1974. Në vitin 1975 Kopanski u diplomua në histori në Universitetin Silesia dhe pesë vjet më vonë u doktorua në shkencat humane.
(2) "Bashkimi Paqësor", Revistë e përkohshme, Prishtinë, gusht-shtator, 1992, nr. 4-5.
(3) Skëndi, Stavro: "Religion in Albania during the Ottoman Rule" në "Balkan Cultural Studies", New York, 1980:152.
(4) Arnold, W.Thomas: "The preaching of Islam - A history of the propaga-tion of the Muslim Faith", Bot. Constable Company Ltd, Londër, 1913.
(5) Shih, Maxhuni, Sabri (Novosella), Car Llazari armik apo hero?!, gazeta "Bota sot", 23. 06. 2016.
(6) H. Inalxik, Osmanska Imperija klasicno doba, 1300-1600, f. 10-11.
(7) Arnold, W. Thomas: po aty, Farlati vëll. VII, fq. 31.
(8) Kurani, surja El Bekare, ajeti 256.
(9) Peter BartI, Shqipëria në mesjetë deri më sot, Drita, Prizren, 1999, fq. fq. 49; Eqrem Telhaj, Ne dhe Turqia, Kosova, nr. 15, Tiranë 1943.
(10) Roberto Maraco dela Roka, "Kombësia dhe feja në Shqipëri", 1920-1944, Tiranë 1994, fq. 23.
(11) Falashi, Renzo "Ismail Kemal bey Vlora", Romma, 1985, fq. 11; Kasem Biçeku: "Formimi i kombit shqiptar", në Kombi, fq. 251; Ferraj, H.: Skicë e mendimit politik shqiptar, SHB Koha, Tiranë 1998, fq. 51.
(12) Mirdita, Zef, "Krishtenizmi ndër shqiptarët", MKSH, Prizren-Zagreb 1998, fq. 401-403(ku, veç tjerash, flet edhe për islamin shqiptar fq. 400; Khs. Engjëll Sedaj, Papa shqiptar Klementi XI, Buzuku, 1998, fq. 7.
(13) Kaleshi, Hasan "Das tlirkische Vordringen auf dem Balkan" ... në: Suedeuropa unter Halbmond, Mynih, 1975, fq. 125-138; P. BartI, vep e cit. fq. 50-60; H. Feraj, vep. E cit. fq. 51.
(14) I. Ortayl, Osmanl'y Yeniden Kefetmek, f. 66; A. B. Kopanski, Balkanlarda Osmanl Bar ve 'Bat Meselesi', f. 39; D. Goffman, Osmanli Dunyasi ve Avrupa 1300- 1700, Stamboll, 2004, f. 74.
(15) Thënie e Ismail Kadares.
(16) Marrë nga: "Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët", Simpozium ndërkombëtar, Prishtinë, 1995



Prof. dr. Qazim Qazimi

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.