Disa personalitete islame nga Deçani dhe rrethina - vështrim biografik

Deçani me rrethinë në të gjitha proceset e mëdha kombëtare kombit tonë i ka dhenë shumë personalitet të mëdha, të cilët kanë lenë gjurmë në shumë aspekte të jetës. Ndër personalitete më të shquara të kësaj ane janë edhe prijësi fetarë Tahir ef. Lluka, mulla Musa dhe mulla Hysni Hoxhaj etj.
Në këtë punim do të mundohemi që shkurtimisht të pasqyrojmë disa të dhëna me interes për tre personalitete e sipërtheksuar.

Tahir Efendi Lluka (1840/1845-1908)

Tahir Efendi Lluka me veprimtarinë e tij u përket dy shekujve. Ai ka një veprimtari të gjerë dhe origjinale, që lidhet me botimet e tij me karakter fetar e pedagogjik në gjuhën amtare shqipe, si dhe me punën e tij mësimore - mejtepin, e ngritur nga ai vetë, në prag të shekullit 20, mejtep ky që filloi punën në vitin 1900, në Llukë të Epërm të Deçanit. Me këto ai u fut në radhët e pishtarëve të shkollimit shqip në Kosovë. Tahir Efendi Lluka nisej nga parimi që shkrim-leximi në gjuhën amtare shmang prapambetjen dhe e ngre kombin shqiptar në radhën e kombeve të tjerë të qytetëruar.
Tahir Efendi Lluka arsimin fillor e bëri në Shkup, kurse të mesmin e më tej e vazhdoi në Stamboll, ku u shqua për rezultate të shkëlqyera. Për rrjedhim ai u emërua myderriz në shkollën e lartë fetare islame të Fatihut në Stamboll, ku shërbeu gati dhjetë vjet. Biografia e tij dëshmon se Tahir Efendi Lluka bashkëpunoi me veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Stamboll, si Hoxhë Hasan Tahsinin, Jani Vreton, etj.
Pas vdekjes së Hasan Tahsinit, në vitin 1881, Tahir Efendi Lluka u kthye në vendlindje, në fshatin Llukë e Epërme, ku ngriti një mejtep, që për gjuhë mësimi kishte shqipen. Shkrimi i gjuhës shqipe në këtë mejtep bëhej mbi bazën e grafisë arabe.
Duke pasur parasysh edhe botimet e tij në gjuhën shqipe, siç qenë "Broshurë për moralin" ("Risale-i ahlak"), "Mevludi", dorëshkrimi "Urata e besimtarëve" etj., si edhe ndërtimin e mejtepit, mund të themi se ai luajti një rol të madh për të mbajtur gjallë gjuhën e shkruar shqipe. Ai shkruan se shkolla është një vend tubimi, pra një vend bashkimi. Në përbërjen e shkollës së tij kishte djem dhe vajza, të cilët lexonin në gjuhën shqipe.
Tahir Efendi Lluka u njoh edhe me emrin "Tahiri i Vogël", meqë me emrin "Tahiri i Madh" njihej Tahir Efendi Gjakova-Boshnjaku, që kishte bërë përpjekje që më parë të përshtaste për gjuhën shqipe një alfabet arab, dhe ia kishte arritur. Me punën që bëri ai ishte i bindur se me alfabetin e saj gjuha shqipe do të mësohej shumë lehtë. Këtij alfabeti i janë përmbajtur edhe shumë autorë të tjerë, në këtë mënyrë të veçantë në trevat e Kosovës. Veprimtaria e Tahir Efendi Llukës nuk u pa me sy të mirë nga organet e shtetit të kohës. Kur ai shkoi në Stamboll, mjediset qeveritare dhe ato fanatike e akuzuan për aktivitetin e tij.
Veprimtaria e tij botuese dhe ajo në fushën e praktikës pedagogjike kanë tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve, si të Dr. Muamed Pirrakut, Dr. Abdullah Hamitit etj. Vdiq në prag të Kongresit të Manastirit.

Musa Efendi Alimsuaj - Mulla Musa

Siç është e njohur nga faktet historike, prijësit fetarë islamë ishin pjesë e lëvizjeve të ndryshme, dhe qëllimi kryesor i tyre ishte mbrojtja e tokave shqiptare nga sulmet e vendeve fqinje.
Ndër personalitetet e shquara që i takon plejadës së parive është edhe Mulla Musa, i familjes së Alimusajve, nga Strellci i Epërm i Deçanit.
Të dhënat për vitin e lindjes së Mulla Musës janë të pakta, apo pothuajse nuk i hasim fare në historiografinë tonë, apo ende nuk ka studiues serioz që kanë mundur të hedhin dritë mbi këtë personalitet.
Gjysma e dytë e shekulli XIX, e posaçërisht vitet e '60-ta karakterizohen me themelimin e disa komiteteve të fshehta që mision kishin çështjen kombëtare shqiptare. Këto lëvizje u themeluan edhe në Rajonin e Pejës, e prijësi i tyre ishte Haxhi Zeka, e në kuadër të këtyre pjesëtarëve bënin pjesë edhe veprimtarët si: Jakup Ferri, Çel Shabani, Haxhi Bilall Shehu e Nur Kurti nga Plava e Gucia, Rexhë Bajraktari nga Vranoci, Shaban Gashi e Mulla Musa nga Strellci.
Meqë Mali i Zi kishte ndërmarrë aksion ushtarak në drejtim të rajoneve shqiptare, dhe meqë numri i luftëtarëve shqiptarë duhet të rritej në frontet e luftës, Mulla Musa vihet në krye të luftëtarëve të Strellcit, dhe ai merr pjesë në luftën e njohur në Shekullare.
Disa studiuese të historisë me të vërtetë vijnë në përfundim së Mulla Musa ishte njëri ndër prijësit kryesorë të luftës në Shekullare. Sipas të dhënave të historisë gojore, që janë të ruajtura në kujtesën e popullit tonë, thuhet se:
"Mulla Musa në kal të bardhë, E thirr zonin n'Shekulla"
Në bazë të këtyre rreshtave të kësaj kënge popullore mund të përfundojmë se besimi, bindja dhe vendosmëria e tij në ndihmën e Allahut ishte shumë e fortë.
Mulla Musën e Strellcit e hasim si personalitet edhe në aktivitete e Lidhjes Shqiptare të Pejës, e në këtë organizëm ai përfaqësonte: Deçanin, Strellcin dhe Isniqin.
Pas themelimit të Këshillit të Përgjithshëm të Pajtimit të Gjaqeve, në krye të saj u vendos Haxhi Zeka, e zëvendës u emërua Bajram Curri, pastaj: në Podgur Nimon Podrimja nga Caralluka e Malishevës, ndërsa nga Deçani, Carrabregu e Isniqi Mulla Musa nga Strellci. Ai do t'u printe pajtimeve në Deçan, Junik e Rekë të Keqe.
Siç dihet, në vitin 1912, kur Serbia e Mali i Zi pushtuan pjesë të konsiderueshme të tokave shqiptare, dhe siç është e njohur në popull në aksionin e Savë Batarës, Mulla Musa burgoset dhe i bëhet presion që të konvertohet në fenë ortodokse, por ai ishte i paluhatshëm në besimin e tij, dhe më lehtë do të ishte t' i dalë shpirti nga trupi sesa ta ndërronte besimin që kishte.

Hysni Efendi Hoxhaj (1942-2014)

Hysniu u lind më 13 mars të vitit 1942, nga prindërit Hajrullah dhe Zyhra Hoxhaj, nga Juniku.
Hysniu fëmijërinë e kaloi në Junik, ndërsa mësimet e para për fenë islame i mori nga i ati Hajrullah Efendi Hoxhaj, si dhe nga Et'hem Efendiu. Hysni Hoxhaj shkollën fillore e kreu në Junik, ndërsa të mesmen një vit e kreu në Gjimnazin e Gjakovës, për të vazhduar po në Gjimnazin e Përgjithshëm në Pejë, të cilin e kreu me sukses.
Pas rihapjes së Medresesë u Alaudin" në Prishtinë, Hysniu e regjistron këtë shkollë me korrespodencë, të cilën po ashtu e përfundon me sukses.
Në vitin 1965 Hysniu fillon punën si imam në xhaminë e fshatit Ponoshec, e më pas në Dobrosh të Gjakovës. Pas vdekjes së imamit të Xhamisë së Junikut (Xhamisë në Tregovishtë), Mulla E'them Hoxhës, Mulla Hysniu kthehet në detyrën e imamit në Xhaminë e Junikut, në Tregovishtë, dhe i kreu detyrat e tij si imam denjësisht dhe deri ne pensionimin e tij.
Pas fillimit të punës së Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Gjakovë, e meqë territori i Deçanit gjendej në kuadër të regjionit të Gjakovës, atëherë më 1980 deri më 1984, hoxhë Hysniu, ishte anëtar i KBI në Gjakovë, dhe këtë detyrë e kreu deri më 2000.
Në themelimin e Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Deçan, gjatë vitit 2000, Hoxhë Hysniu ka dhenë një kontribut të madh, krahas të gjithë imamëve të tjerë të kësaj treve, si: Mulla Ajni Ramadani, Mulla Binak Tolaj, Mulla Bedri Kerolli, Mulla Murat Thaçi, Mulla Gëzim Qorraj dhe Isa Cacaj.
Pas themelimit të Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Deçan, Hoxhë Hysni Hoxhaj do të zgjidhet kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Deçan, në mandatet 2000-2008. Po ashtu ai kreu detyrën e kryetarit të Këshillit të Pajtimit në Junik, detyrë të cilën e kreu me përkushtim të madh. Pas pensionimit ai u shpall Kryetar Nderi i Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Deçan. Hoxhë Hysniu është njeriu që dha shembullin me të mirë të qëndresës, vendosmërisë e përkushtimit.
Gjatë Luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës 1998-1999, familja e Hoxhë Hysni Hoxhajt, pësoi rendë nga ana e okupatorit serb. Kështu, në fshatin Meje të Gjakovës, hoxhës do t' i ndalen të dy djemtë e tij, Naimi dhe Hajrullahu, të cilët vriten mizorisht nga ana e trupave policore e ushtarake serbe.
Edhe përkundër që Mulla Hysniu e përjetoi rëndë vrasjen e të dy djemve të vetëm të tij, ai ngado që shkoi dhe ngado që veproi thoshte: "Emni i Zotit, qashtu koka kon e shkrume".
Pas përfundimit të Luftës së UÇK-së, më 1999, mbetjet mortore të dy djemve të Mulla Hysniut, Naimit dhe të Hajrullahut, do të identifikohen dhe do të kthehen nga Serbia për në Kosovë. Me rastin e rivarrimit të eshtrave të dy martirëve të familjes Hoxha, Hoxhë Hysniu, ndër të tjera, tha: u Allahu m' i ka fal, Allahu m' i ka marrë. Të Atij jemi, e tek Ai do të kthehemi".
Pas një kontributi shumë të madh që dha në shërbimin si imam, dhe një pune të madhe në rrugën e pajtimit të popullit shqiptar, dhe pasi e kreu me sukses misionin e tij jetësor prej imami dhe thirrësi në fenë e Zotit, më 9 maj 2014, Mulla Hysni Efendi Hoxhaj do t'i mbyllë sytë dhe do të kalojë në botën e amshueshme.
Mulla Hysniu gjithmonë do të kujtohet si një burrë i madh dhe i përkushtuar në jetën e tij prej thirrësi, si dhe një njeriut të devotshëm që gjithë çka pati ia dha atdheut: Kosovës.
Tani neve na mbetet që të lutemi për Hoxhën e nderuar, dhe ta përkujtojmë atë në mendjet dhe me penat tona.
Tahir Efendi Lluka është personalitet që është sinonim i zhvillimit të arsimit dhe kulturës e avancimit në dije.
Mulla Musa i Strellcit është personalitet që është sinonim i luftës për mbrojtjen e tokave shqiptare.
Hysni Efendi Hoxhaj është personalitet që është sinonim i urtësisë, paqes dhe durimit.



Harun ef. Shabanaj

(Kumtesë e mbajtur në Tryezën shkencore: "Trashëgimia historike, kulturore e shpirtërore islame në komunën e Deçanit". Organizuar nga Lidhja e Historianëve të Kosovës "Ali Hadri" dega në Deçan dhe KBI në Deçan, më 3 korrik 2015, në Sallën e Asamblesë së Komunës së Deçanit)

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.