Mbulesa e Qabesë/Kisva (1)

"Dhe thirr në mesin e njerëzve për Haxh, se të vijnë ty këmbësorë dhe duke kalëruar mbi deve të rraskapitura, që vijnë nga rrugë të largëta. (Vijnë) Për të qenë të pranishëm në dobitë e tyre dhe që ta përmendin Allahun, në ato ditë të caktuara (në shenjë falënderimi), dhe që i ka furnizuar me kafshë. Hani pra prej tyre (kurbaneve), dhe ushqeni të ngushtuarin e të varfrin. Pastaj le ta heqin papastërtinë e tyre, le t'i zbatojnë premtimet e veta dhe le të sillen (bëjnë tavaf) rreth shtëpisë së lashtë. Pra, kështu, kush madhëron atë që Allahu e bëri të shenjtë, ajo është më e dobishme për te Zoti i vet." (El Haxh, 27-30)

Ishte ky urdhri i Allahut xh. sh. drejtuar Ibrahimit a.s. për t'i ftuar njerëzit që ta kryejnë këtë obligim madhor. Në ketë obligim ka përfitime dhe dobi
të shumta të kësaj bote, siç është tregtia dhe shitblerja, si dhe përfitime tjera materiale për haxhilerët dhe vendësit, si dhe përfitime të botës së amshueshme, siç është mëshira dhe falja e mëkateve nga Allahu, si dhe pranimi i lutjeve të shumta. Ibën Abasi r.a. thotë: "Dobi të dynjasë dhe ahiretit; dobia e ahiretit është kënaqësia e Allahut, ndërsa dobitë e dynjasë janë dobi trupore, përfitime, dhe profite në tregtitë."(1)

Është një ëndërr e çdo myslimani që ta kryejë këtë obligim madhor, por ajo që është edhe më e mrekullueshme është se çdo person që viziton një herë atë vend të bekuar, pra dëshiron ta vizitojë dhe shumë herë të tjera. Por, vizita e këtij vendi të shenjtë shton etjen për të ditur më shumë detaje rreth atij vendi. Duke pasur parasysh se mund të shkruajmë qindra faqe për atë vend të shenjtë, ne do të përqendrohemi në disa informacione vetëm rreth mbulesës së Qabesë, gjë e cila i jep një madhështi mahnitëse dhe një pamje magjepse, e cila ngulitet thellë në mendjet tona.
Kujdesi për Qabenë është i njohur nga rrënjët shumë të hershme së historisë së njerëzimit, duke kaluar nëpër faza dhe etapa të ndryshme.
Ne sot po jetojmë në shekullin me avancime teknologjike, të cilat domosdoshmërish ndikuan edhe në zhvillimin dhe zgjerimin e xhamisë së Qabesë. Megjithatë këtu do të shkruajmë rreth punimit të kësaj mbulese, të quajtur "Kisva", duke u munduar të ofrojë disa informacione rreth historikut dhe punimit të saj.

Historiku i mbulesës së Qabesë para shpalljes së Islamit

Kujdesi për mbulesën e Qabesë ishte qysh edhe në periudhën e para shpalljes së Kuranit, ngase kujdesi për atë ishte pjesë e respektimit të atij vendi të shenjtë. Historianët kanë mendime të ndryshme për mbulimin e parë me mbulesë të Qabesë. Disa thonë se ishte Ismaili a.s. i pari që e mbuloi, e disa të tjerë thonë se ishte Adnan bin Ed, gjyshi më i parë i të dërguarit Muhamed a.s. Por, sipas të dhënave historike, ishte mbreti jemenas Esad Tubei Al Himjeri(2) i pari që vendosi mbulesë mbi Qabenë(3), dhe i vendosi një derë hyrëse e me çelës. Pastaj vazhdoi kjo traditë duke e mbuluar me mbulesa të veçanta e të llojllojshme, duke vijuar edhe nga pasuesit e mëvonshëm, pra duke i vendosur pëlhura dhe rroba të ndryshme njëra mbi tjetrën, Ky kujdes llogaritej nga obligimet fetare, duke vazhduar kështu deri në kohën e xhahiletit (injorancës).
Në kohën e Kusej bin Kilabit, gjyshit të katërt të të dërguarit Muhamed a.s., që gjithashtu e pastroi Qabenë nga brenda dhe jashtë saj pasi kishte arritur ti ofronte dhe bashkonte të gjithë fiset nën flamurin e tij, pra ai u ofroi fiseve të ndryshme të bashkëpunojnë mes vete në përkujdesjen rreth Qabesë, siç ishte sjellja e ujit të pijshëm, pastrimi, mbulimi etj.(4)
Pastaj filloi fisi Kurejsh, pra ta marrë përsipër mbulesën e Qabesë, e këtu fillon edhe një periudhë e re, kur individëve u jepej mundësia për ta mbuluar Qabenë. Kështu që, njeri nga pasanikët e këtij fisi ishte edhe Ebu Rebia Abdullah bin Amr El Makhzumi(5), i cili mori përsipër mbulimin e Qabesë, dhe ky akt ishte një akt i lavdërueshëm në mesin e fiseve arabe të asaj kohe. Më pas nga individët që u dalluan me mbulimin e Qabesë me mëndafsh ishte edhe një grua, e ajo ishte Nutejle bint Xhenab(6), guraja e Abdul Mutalibit dhe nëna e Abasit r.a., xhaxhait të të Dërguarit a.s. Asaj në një rast i kishte humbur djali i saj, Abasi, dhe kishte bërë një besatim se, në rast se ai do të rikthehej, do të merrte përsipër mbulesën e Qabesë, dhe kjo ndodhi më vonë.

Historiku i mbulesës së Qabesë pas shpalljes së Islamit

Pas shpalljes së Kuranit kjo traditë vazhdoni edhe më tej, dhe këtë traditë e vazhdoi edhe i Dërguari a.s., pra pas çlirimit të Mekës. Pas hyrjes së myslimanëve në Mekë, si fitimtarë dhe çlirues, i Dërguar a.s. nuk nxitoi ta ndryshonte pamjen e Qabesë, duke ndryshuar mbulesën e saj, ngase ishin shumë prioritete të tjera, dhe kjo na tregon urtësinë e tij në ndryshimin e gjerave që janë me vlerë për kombin dhe shoqërinë.
Ajo mbulesë ngeli ashtu siç ishte, derisa një ditë kur ajo u dogj e tëra nga një grua që tentoi ta parfumonte me parfumet më të shtrenjta të asaj kohe, duke pasur parasysh se parfumimi realizohej me tymosje, pra ajo e shkaktoi një zjarr të paqëllimshëm. Pas djegies së saj i Dërguari a.s. e mbuloi atë me rroba dhe pëlhura jemenase(7).
Pastaj këtë traditë e vazhduan edhe kalifët e drejtë: Ebu Bekri r.a. dhe Omeri r.a., që e mbuluan me rroba nga Jemeni dhe Kopti (Egjipti i sotëm). Në kohën e Osmanit r.a. ai urdhëroi përfaqësuesin e tij në Jemen, Jala bin Munebih, të prodhonte një mbulesë për Qabenë. Kështu që Osmani r.a. u bë personi i parë që vendosi një mbulesë të tërë mbi Qabe. Dhe nga ajo kohë mbulesa e Qabesë u bë me kujdes të organizuar e të sistemuar, dhe mund ta quajmë përkujdesje institucionale zyrtare e shtetërore, siç është në kohën e sotme. Kostoja u mbulesës merret përsipër nga Bejtul Malthesari i shtetit.
Pa dyshim se hapësira e shtetit islam u përhap shumë, dhe ai në vazhdimësi ishte në zgjerim. Prandaj, edhe numri i myslimanëve dita ditës sa vinte e shtohej. Kjo bëri që edhe kujdesi ndaj Qabesë të jetë edhe më i veçantë. Sepse Qabeja ishte shtëpia e parë e Allahut xh.sh. e vendosur në Tokë, për ta adhuruar Allahun xh.sh.
Allahu xh.sh në një ajet kuranor thotë: "Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo në Bekë (Mekë), e dobishme, udhërrëfyese për mbarë njerëzimin." (Ali Imran 96).
Të gjithë myslimanët i drejtohen vetëm Qabesë në namazet dhe lutjet e tyre. Mbulimi i Qabesë vazhdoi edhe në kohën e Umevinjve, e pastaj edhe të Abasitëve, Memalikëve, e pastaj edhe të Osmanëve, si dhe vazhdon deri me ditët e sotme, me përkujdesje të specializuar nga Qeveria e Arabisë Saudite.


_________________
(1) Tefsir Ibën Kethir, http://quran.ksu.edu.sa/tafseer/katheer/sura22-aya28.html#katheer / 16/03/2016.
(2) Mbret nga mbretërit e MbreterisHimjer të Jemenit vdiq në 430.
(3) Dr. XhevadAli, EI- Mufassalfitarihel-arab kableel-islam 1/27.
(4) Dr. Abd rabinebij Abd EI-Kajju, Kisvetuel-kaabeel- musherife, Ummal-QuraUniversity - Makkah Al Mukarramah 2005, f.45.
(5) http://factory.gph.gov.sa/index.html 08/03/2016.
6) Abdul Aziz El-Kinani Esh-Shafii (694-767h), Hidajet el-mesalikila el-rnedhahib el-arbaa fi el-menaisk 1/1471, Dar Ibn El-Xhevzi, Riad, Arabia Saudite 2001.
(7) http://factory.gph.gov.sa/index.html10/03/2016



Mr. Besim Mehmeti

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.