Mbulesa e Qabesë në kohën e sotme
Kujdesi për mbulesën e Qabesë nga Arabia Saudite ka rrënjë më të hershme se sa viti 1962. Në vitin 1345h -1926g qeveria e Egjiptit kishte dërguar karvanin me mbulesë të Qabesë të shoqëruara me nderime ushtarake dhe bend muzikor ushtarak sipas traditës që ata kishin pasur. Në hyrje të Mekës disa nga haxhilerët filluan ta qëllonin me gurë karvanin, duke refuzuar hyrjen e karvanit me bend muzikor ushtarak, kështu që oficeri udhëheqës i karvanit hapi zjarr mbi haxhilerët dhe ranë disa viktima dhe u lënduan disa të tjerë. Me të dëgjuar këtë mbreti Abdul Aziz urdhëroi birin e tij Saud për ta zgjidhur dhe mbyllur problemin në mënyrë që ai mos të zmadhohet, gjë që
ia arriti. Mirëpo qeveria e Egjiptit asokohe vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve me mbretin Abdul Aziz dhe e ndali karvanin e mbulesës së Qabesë, dhe bashkë me atë edhe ndihmat të cilat i dërgonte me karvanin çdo vit, nga vakëfi shekullor i cili nuk ishte pronë e saj, dhe të cilin ajo e mbikëqyrte, sepse ishte sunduese e atij vendi. Kjo gjendje vazhdoi deri në vitin 1355h - 1935g në kohën kur erdhi në pushtet mbreti Faruk.(1)
Qeveria e Egjiptit vendosi të mos dërgonte mbulesën, qeveria Saudite kishte kuptuar lajmin në fillim të muajit Dhul-Hixhxhe të vitit 1345h-1926g, andaj mbreti Abdul Aziz kishte urdhëruar që urgjentisht të prodhohet mbulesa e Qabesë. Dhe në një kohë shumë të shkurtër prej disa ditëve ajo u punua dhe u mbulua ditën e bajramit në vitin 1345h. Në vitin në vijim 1346h mbreti Abdul Aziz urdhëroi që të ndërtohet një shtëpi për punimin e mbulesës së Qabesë, gjë që ndodhi, dhe për gjashtë muaj u ndërtua në lagjen Exhjad të Mekës institucioni i parë për punimin dhe qëndisjen e mbulesës së Qabesë në gadishullin Arabik, që nga koha e mbulimit në periudhën e xhahilijetit para shpalljes së Kuranit. Ajo punoi deri në vitin 1358h, deri në rivendosjen e marrëdhënieve me qeverinë e Egjiptit.(2)
Fabrika "Kisva"
Unë kisha fatin dhe privilegjin shumë të madh ta vizitoja këtë vend të shenjte shumë herë, dhe si çdo vizitor kisha edhe kureshtje të madhe rreth prodhimit të mbulesës magjepse të Qabesë, e cila ngulitet thellë në memoaret e çdo besimtari, i cili e shikon atë. Andaj pata rastin ta vizitoj a edhe fabrikën e prodhimit të mbulesës së Qabesë e quajtur "Kisve" në Mekë disa herë. Aty pash nga afër punimin e mbulesës magjepse dhe u njoha me proceset e punimit të saj nga fillimi e deri në mbarim.
Kjo fabrikë i jep një kujdes të veçantë të gjitha proceseve të ndërlidhura me punimin e mbulesës së Qabesë, nga lënda e parë e përdorur e deri te stolisja e saj, mbi supet e asaj shtëpie magjepse mbresëlënëse.
Por, vizita më e veçantë ishte ajo në shoqërim të Myftiut të Kosovës Naim ef. Tërnava, në tetor të vitit të kaluar. Protokolli kishte paraparë edhe vizitën e fabrikës së punimit të mbulesës. Aty u pritëm nga drejtori gjeneral i saj dr. Muhamed Baxhuda.
Dr. Muhamed Baxhuda na tregoi rreth mbulesës së saj duke vënë theksin në nderin e madh dhe mundësinë e madhe që iu ofruan fabrikës në përkujdesjen për punimin e mbulesës së Qabesë, me urdhër të mbretit Abdul Aziz për themelimin e saj në vitin 1346h. Dhe sipas drejtorit, kjo fabrikë ka strategjinë e punës, e cila përcjell çdo etapë hap pas hapi dhe zgjat tetë muaj. Duke përfunduar të gjitha periudhat e punimit të saj, që nga qepja e deri në mbulimin-e Qabesë me mbulesën e re çdo vit me datë 09 Dhul-Hixhxhe, që është dita më madhështore e vitit, e ajo është dita e Arafatit, kur haxhilerët qëndrojnë në kodrinën e Arafatit. Kohëzgjatja e vendosjes së mbulesës mbi muret e Qabesë zgjat afër 13 orë, dhe në të marrin pjesë mbi 100 punonjës, të cilët janë të shpërndarë në detyra të ndryshme; rrobaqepës, teknikë, ndihmëtarë dhe punëtorë. Rripi i mbulesës së Qabesë llogaritet të jetë 47m gjatësi dhe 95cm gjerësi, kostoja e mbulesës është mes 22-25 milion rial saudit (përafërsisht 5-6 milion euro).
Për prodhimin e mbulesës përdoren 670 kg nga mëndafshi i pastër, i importuar nga Italia dhe 120 kg nga ari i pastër, dhe 100 kg nga argjendi.
Fabrika ka të punësuar mbi 210 punëtorë të shpërndarë në pjesët e saj të ndryshme, siç janë sektorët dhe departamentet: qëndisja, qepja, shtypja, përcjellja, regjja dhe transporti.
Fabrika tërheq të diplomuarit e rinj nga kolegjet teknike, për t' u trajnuar para diplomimit për rreth 9 muaj, për t' iu mundësuar tjerrjen dhe qepjen, dhe pastaj punësohen.
_____________________
(1) Vehbe Hafiz, Hamsune amen fixheziretel-arab el-babi, 145, Kajro 1960.
(2) http:f /factory.gph.gov.sa/index.html 11/03/2016
Mr. Besim Mehmeti