Haxhi dhe kujdesi ndaj brezave

Haxhi, si kusht i pestë i fesë Islame, gjegjësisht një nga pesë shtyllat mbi të cilat ngritet Islami, sipas përkufizimit të hadithit të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., në mes tjerash, në porositë dhe mesazhet e mësimet e tij për njerëzit, na flet edhe për kujdesin që duhet patur ndaj brezit të ri.

Kjo, ngase Haxhi kryeht në Mekë, aty ku është Qabeja madhëshore, aty ku është uji i burimit të Zemzemit, aty ku bëhet Tavafi-rrotullimi rreth Qabes dhe Sa’ji-ecja ndërmjet kodrinave Safa dhe Merve. Pikërisht, këto vende dhe këto veprime të cilat i bën Haxhiu, na flasin për domodsohmërinë e kujdesit ndaj brezit të ri, si dhe punën e palodhshme të cilën duhet ta bëjmë ne, që të lëmë për brezat e ardhshëm gjurmë fisnike dhe shenja të cilat atyre do t’ua tregojnë rrugën e sigurtë të ardhmërisë. Në të njejtën kohë, me këtë, e tregojmë edhe karakterin konstruktiv të kësaj feje, e cila ndërton dhe nuk rrënon, pos asaj që është e keqe normalisht, udhëzon e nuk devijon, ndihmon e nuk neglizhon. Për këtë segment, ka shumë argumente dhe dëshmi nga Haxhi, por ne do të ndalemi në një momen të rëndësishëm të lidhur për Haxhin, ecjen e Haxheres, gruas së Ibrahimit a.s. dhe nënës së Ismailit a.s., ndërmjet kodrinave Safa dhe Merve.
Në Haxh, haxhinjtë e bëjnë ecjen ndërmjet Safasë dhe Merves, apo Sa’jin, i cili është ritaul fetar në adhurimin e Haxhit, dhe i cili na kthen më herët në histori, gjegjësisht na rikujton momentin kur Ibrahimi a.s., me urdhërin e Allahut të Madhërishëm, e la gruan e tij Haxheren dhe djalin e tij Ismailin a.s., atëbotë ende foshnje, në luginën e Mekes, aty ku do të ndërtohet më pas qyteti i Mekes, dhe vetë u largua nga ata.
“Ibrahimi [alejhis-selam] i lë në mes të shkretëtirës dhe largohet. Pasi përfundoi ushqimi dhe uji, djali i vogël dhe vetë Haxhereja, filluan të ndiejnë etje. Ismaili [alejhis-selam] përpëlitej dhe qante me të madhe nga etja dhe uria. Vendi ku ndodheshin ishte shkretëtirë e thatë, vend në të cilin nuk kishte shkelur këmbë njeriu. Të dy përballeshin me një sprovë nga më të vështirat. Haxhereja filloi të shohë nga kodrat përreth. Po të shohësh rreth Qabesë, do e gjesh të rrethuar me kodra dhe male të shumtë. Nëse ngjitesh sipër një kodre, do të shohësh të tjera që vijnë rresht. Nuk ka asnjë shpresë... ku mund të shkojë? Ajo e lë vetëm djalin, i cili përpëlitej dhe qante, dhe ngjitet mbi një kodër që quhet Safa, por nuk dallon asgjë. Kur zbret nga kodra, dëgjon zërin e djalit që qante. Kjo e bën të vrapojë drejt kodrës tjetër me shpresë se mos dallon dikë. Të gjithë haxhilerët që shkojnë të kryejnë haxhin, vrapojnë në këtë vend. Është pikërisht vendi ku Haxherja dëgjonte të qarët e djalit dhe vraponte për në kodrën tjetër. Kur lodhej nga vrapimi, ajo fillonte të ecë. Ngjitej në kodrën tjetër, Merve, me qëllim që të dallojë dikë, por askush nuk lëvizte. A i imagjinon dot rrahjet e zemrës së saj? A e imagjinon zhgënjimin që përjetonte në ato çaste? Megjithatë, përsëriste fjalët: ”Nuk do të na humbasë Zoti.” Edhe pse ishte e rrënuar shpirtërisht, e raskapitur fizikisht, ajo nuk e humbiste shpresën tek Zoti. Kush mbështetet si duhet tek Zoti, padyshim që nuk do të zhgënjehet.
Rrugën mes dy kodrave, Safa dhe Merve, ajo e bëri shtatë herë. Sa herë që zbriste nga një kodër dhe dëgjonte të qarët e Ismailit [alejhis-selam] ajo nxitonte për tek kodra tjetër, me shpresë se do të shohë dikë.
Në herën e shtatë ajo dëgjon një zë. Teksa dëgjon zërin, i thotë vetes: “Hesht, hesht!” Zëri që dëgjoi, ishte zhurma e ujit kur buron. Ishte ujë që kishte filluar të burojë tek këmbët e djalit të saj, Ismailit. Ajo kër¬kon¬te mbi kodra, kurse furnizimi i vjen nga këmbët e foshnjes. Kishte ardhur Xhibrili [alejhis-selam], kishte goditur tokën tek këmbët e Ismailit [alejhis-selam] me krahun e tij e kështu kishte buruar ujë. Pra, historia e burimit të Zemzemit është se ai buron si rezultat i goditjes së tokës tek këmbët e një profeti, nga krahët e një meleku. A e ima¬gjinon pastërtinë dhe madhështinë e kësaj pjese toke? Me të arritur tek foshnja,ajo dalloi ujin që po buronte. Ngaqë iu duk pak ujë, nga frika se mos humbet në rërë, ajo filloi të mbledhë rërën rreth tij dhe të formojë një pellg të vogël duke përsëritur fjalët: ” Zem Zem...” (grumbullohu, grumbullohu). Nga këto fjalë, burimi njihet edhe sot me emrin “Zemzem”.
Thotë profeti Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]:”Zoti e mëshiroftë nënën e Ismailit. Nëse nuk do kishte nxituar, burimi i zemzemit do të vërshonte si lum.”” (Shih:Amër Halid, Historitë e profetëve, 277-278).
Nga kjo histori e shkurtër e burimit të ujit te këmbët e Ismailit a.s., e kuptojmë kujdesin që duhet ta kemi për brezat që i lëmë pas, në fakt, për të ardhmen tonë dhe të këtij umeti.
Haxhereja, nga kujdesi që pati për djalin, nuk dinte çka të bën, pos se të dalë dhe të ngjitet herë në njërën kodrinë e herë në tjetrën kodrinë dhe të shiqon mos do të gjejë ushqim dhe ujë. Vrapimi i asaj prej njërës kodrinë në kondrinën tjetër, simbolizon punën, kontributin dhe mundin që duhet ta japim për ngritjen, dhe formimin e brezave të ri. Edhe pse ajo e bëri këtë vrapim për të kërkuar ushqim, megjithatë, ushqimi këtu ka një kuptim më të gjërë, gjegjësisht, nënkupton edhe ushqimin material edhe shpirtëror, nënkupton edhe kujdesin për mirëmbajtjen materiale të brezave të rinj, por edhe ngritjen e tyre ideore, morale dhe shpirtërore. Në veçanti, duhet të mundohemi për edukimin e drejtë të fëmijëve, dhe mu edukimi i drejtë, është ushqimi më i shëndetshëm që mund t’ua sigorjmë si prindër fëmijëve tanë. Amër Halid në këtë kontekst shënon:”Nëse fëmija yt është shumë i shtrenjtë për ty, ndalo pak dhe mendohu. Haxhereja e pa që djali po vdiste para syve të saj. Kështu ajo u lodh dhe pranonte të sakrifikojë edhe jetën, me qëllim që djali të jetojë. Sigurisht që dhe ti po ta shohësh fëmijën tënd duke vdekur, do të pranoje të sakrifikoje jetën tënde, me qëllim që të jetojë fëmija. Qëndro pak o nënë dhe mendohu. Ditën e Kijametit, fëmija yt i dashur do të digjet në zjarr para syve të tu, nëse do e edukosh keq. Do të jesh ti ajo që do e shtysh fëmijën tënd në zjarr. Ne shohim sot prindër që nuk i edukojnë fëmijët e tyre me edukatë islame. Me këtë ata i shtyjnë fëmijët drejt zjarrit të xhehenemit. Thotë Zoti në Kur’an: ”O ju që keni besuar, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikë¬qyrin engjëj të rreptë e të ashpër, që nuk e kundërshtojnë Zotin për asgjë dhe veprojnë sipas urdhërave.” (Et-Tahrim: 6) “Të humbur Ditën e Kijametit janë ata që kanë humbur veten dhe familjen e tyre.” (Ez-Zumer: 16) ” (Shih:Amër Halid, Historitë e profetëve, 278).
Nuk duhet të ndalemi, nuk duhet të pushojmë dhe të rrimë duarkryq, por duhet të punojmë për brezat e ardhshëm. Asgjë nuk duhet të na ndalë dhe të na pasivizojë, dhe në asnjë mënyrë nuk duhet t’i humbim shpresat, ngase kjo grua fisnike dhe besimtare e devotshme, edhe atëherë kur në horizont nuk shiheshin elemente materiale të shpresës, pos mbështetjes dhe bindjes që kishte në Allahun, ngase gjindeshin në një shkretirë pa njerëz, pa fruta dhe pa ujë, ajo nuk pushoi së kërkuari dhe së punuari për ta arritur atë që kërkon, gjegjësisht vrapoi ndërmjet dy kodrinave, për të na mësuar neve se edhe në momentet më të rënda, kur na duket se nuk ka shpresë, nuk duhet të ndalemi, por duhet të veprojmë e të punojmë për të ardhme më të lumtur, për ne dhe për brezat tanë. Normalisht, themeli mbi të cilën u ngrit ky botëkuptim i Haxheres, dhe mbi të cilin duhet të ngritet botëkuptimi ynë, pa dyshim është besimi i patundur dhe mbështetja në Allahun e Madhërishëm.
Kjo grua besimtare dhe aktiviste e dalluar, në veçanti na mësoi që mos të dorëzohemi në rrugën e edukatës, para sfidave të cilat janë të forta për ne besimtarët në këtë kohë. Është evidente se disa nga muslimanët, në kohën tonë, mendojnë se nuk mund të arrijnë sukses në rrugën e edukimit islam të brezave të rinj, ngase sfidat shkatërruese dhe faktorët destruktivë që e shaktërrojnë moralin e rinisë në veçanti, janë të shumtë. Thuajse njëzetekatër orë jemi nën breshërinë e sulmit antimoral, ashtu që puna e jonë për të edukuar breza të shëndoshë në frymën islame, gati e ka humbur kuptimin.
Mirëpo, rasti i Haxheres na mëson ndryshe. Në fakt, kjo grua e denjë dhe e devotshme, dhe shumë e zgjuar dhe e përgjegjshme për brezat e ardhshëm, pranoi ta sfidojë shkretirën me thatësinë, varfërinë dhe rreziqet e saj, e të vrapoj djathtas e majtas për të siguruar mjete jetese pëpr fëmijun e saj. Ishte e vetëdijshme se ishte lënë në shkretëtirë ku nuk ka ujë, as ushqim, dhe ku ka plot rreziqe. Megjithatë, këto sfida u sfiduan nga kjo grua duke kaluar në aksion dhe duke mos u dorëzuar para tyre. Pra, me këtë veprim, Haxhereja na mëson se edhe ne nuk duhet të dorëzohemi para sfidave, në veçanti në fushën e edukimit, sado të mëdha që të jenë ato. Por, ne duhet të veprojmë që të edukojmë breza në frymën islame, dhe të punojmë t’i thejmë sulmet plangprishëse, edhe pse janë të shumta, të furrishme dhe të papaushueshme.
Pra, Haxhi, përmes këtij momenti, gjegjësisht Sa’jit, ngjall në umetin Islam shpresë dhe shpirt dinamik, na stimulon të ecim përpara dhe mos ndalemi, dhe na bën që mos të besojmë asnjiherë se në horizont nuk ka shpresë dhe se për luftëtarët e së vërtetës dhe të sinqertit, janë mbyllur rrugët. Jo, nuk është ashtu, ndihma e Allahut është pikërisht me ta, por prej tyre lypet mund, punë dhe aktivitet, ashtu si nëna e Ismailit a.s., ngase me këtë i ndihmojmë vetes dhe u ndihmojmë brezave të ardhshëm.

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.