Politikat sociale për fëmijë (1)

Politika sociale është një koncept moral dhe politik që synon barazinë e të drejtave mes njerëzve dhe solidaritetin kolektiv. Si e tillë politika sociale është tërësia e masave që merren më parë për të parandaluar ose mënjanuar shfaqjen e zhvillimit të mëtejshëm të situatave të varfërisë dhe problemeve sociale dhe që kërkojnë favorizimin dhe mirëqenien e grupeve më të brishta të shoqërisë. Mund të konsiderohet si një përpjekje drejt një shoqërie më përparimtare, e cila synon që çdo individi t' i japë shanse të njëjta përgjatë gjithë jetës.

Një ndër veprat më të rëndësishme filozofike dhe në shkenca shoqërore të shekullit të kaluar është padyshim libri "Teoria e drejtësisë", e amerikanit John Rawls, shkruar dyzet vjet më parë. Ai aty rigjallëron traditën e John Lock, Rousseas dhe Kantit mbi nevojën e një kontrate shoqërore të bazuar në liri dhe barazi të qytetarëve. Sipas kësaj qasje teorike, drejtësia varet kryesisht nga ajo se si institucionet kryesore sociale bëjnë shpërndarjen e të drejtave dhe detyrimeve themelore, dhe si e caktojnë ndarjen e të mirave në shoqëri. Mirëpo për të pasur vërtet drejtësi në një shoqëri, janë të nevojshme që të respektohen këto parime themelore: liritë bazike për të gjithë, mundësitë e barabarta dhe të drejtat, si dhe këto t'iu jepen me përparësi pjesëtarëve më të rrezikuar (least-advantage) të shoqërisë.(1) Pra, drejtësia, vështruar nga këndi teorik i Rewals, me theks të veçantë nënkupton "drejtësinë si korrektësi/paanshmëri". Politika sociale është së pari, aktiviteti i politikëbërjes për të përmirësuar mirëqenien sociale dhe, së dyti, është shkenca që studion mënyrën se si politikat në fuqi ia arrijnë këtij qëllimi.(2)

Historiku i të drejtave të njeriut

Shikuar historikisht, të drejtat e njeriut si kategori juridike janë paraqitur qysh me krijimin e shteteve dhe rregullave të para juridike. Shtytje më të madhe u kanë dhënë revolucionet borgjeze, që kanë inspiruar:
-Ligjin për të Drejtat (1689);
-Deklaratën për Pavarësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (1776);
-Deklaratën për të Drejtat e Njeriut dhe të Qytetarit (1789), dhe;
-Deklaratën Frënge të të Drejtave të Njeriut dhe të Qytetarit.(3)

Lufta për të drejtat e njeriut fillon me përpjekjet për t' u njohur të drejtat e tij themelore, si e drejta për jetë dhe liri, e drejta e barazisë, e drejta për siguri dhe e drejta për t'i bërë rezistencë shtypësit. Shumë juristë të asaj kohe (Grotius, Spinoza, Rousseau etj.) temën e të drejtave të njeriut në veprat e tyre e trajtojnë si "ligj hyjnor" apo "ligj i Perëndisë", i cili është i rrënjosur në zemrën e çdo njeriu dhe që obligon bërjen e asaj që i përgjigjet natyrës racionale të njeriut.(4)

Marrëveshjet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut

Ekzistojnë katër marrëveshje ndërkombëtare kryesore që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, e ato janë:
- Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe
Politike;
- Konventa Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve;
- Konventa Ndërkombëtare kundër Torturës, dhe;
- Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike
e Kulturore.

Mbrojtjes së të drejtave të njeriut i kanë ndihmuar edhe organizatat regjionale, të cilat i kanë mbijetuar
Luftës së Ftohtë dhe rënies së komunizmit, duke vazhduar punën e tyre edhe në ditët e sotme. Nga ato, tri organizatat më të rëndësishme regjionale janë: Këshilli i Evropës, Unioni Evropian dhe Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE).(5)
Të drejtat e fëmijëve dhe siguria e tyre njerëzore

Pjesa më e madhe e koncepteve rreth nevojave sociale pranojnë se përmbushja e jetës njerëzore përtej jetëgjatësisë ka të bëjë me plotësimin e nevojave fizike, sociale dhe të nevojës për autonomi, si dhe se plotësimi i tyre gjatë fëmijërisë është mjaft i rëndësishëm për të gjitha stadet e jetë.(6) Duke u bazuar në respektin për dinjitet të të gjitha qenieve njerëzore, Konventa e të Drejtave të Fëmijëve e njeh çdo fëmijë si bartës të të drejtave të tij njerëzore. Parimisht, të gjithë do të pajtoheshin mbi të drejtën për banim, për të jetuar me familje dhe shokë, për mundësi të zhvillimit të personalitetit dhe talentit, që të jetë i respektuar dhe të trajtohet seriozisht. Prapëseprapë, edhe pse të drejtat e fëmijëve duken mjaft të rregulluara, ka shumë probleme në zbatimin e tyre. Sipas Konventës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve (KDF), mirëqenia dhe përkujdesja ndaj fëmijëve është ndër detyrat esenciale të çdo veprimtarie shtetërore dhe private.
Në këtë Konventë me fjalën fëmijë nënkuptohet çdo njeri nën moshën 18 vjeçare, përveç rasteve kur mosha madhore arrihet më herët, në përputhje me legjislacionin që i nënshtrohet. Gjithashtu, në nenin 3 të KDF-së thuhet se në të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me fëmijën, qoftë të marra nga institucionet publike ose private të mirëqenies shoqërore, nga gjykatat, autoritetet administrative apo organet legjislative, interesi më i lartë i fëmijës duhet të jetë në konsideratë parësore.(7) Që nga viti 1970 nocioni i rrezikut ka pasur një ndikim gjithnjë më të madh, si rezultat i interesit politik dhe publik rreth abuzimit të fëmijëve. Në mënyrë të veçantë është pranuar gjerësisht se një numër i konsiderueshëm i fëmijëve janë në rrezik, e kjo si rezultat i neglizhimit ose keqtrajtimit në familjet e tyre. Në shumë raste të paraqitura, ku fëmijët kanë vdekur ose janë abuzuar rëndë, profesionistë të ndryshëm janë kritikuar për mosidentifikimin e rasteve me rrezikshmëri të lartë dhe për mosndërmarrjen e hapave të përshtatshëm për të mbrojtur fëmijët.(8)
Shumë organizata fëmijësh shqetësohen për të siguruar që të drejtat për pjesëmarrje të fëmijëve po respektohen. Ata i këshillojnë fëmijët dhe të rinjtë në lidhje me shumë çështje të rëndësishme, të cilat ndikojnë në jetët e tyre. Mekanizmat kolektivë për këshillimin e fëmijëve dhe të rinjve (shkollat dhe këshillat e të rinjve, kuvendi) ndihmojnë për të siguruar se të rriturit janë më të vetëdijshëm mbi interesat e tyre. Rreziku që ekziston është se dëgjohen vetëm pikëpamjet e fëmijëve të zgjedhur. Gjithashtu dëgjimi i fëmijëve dhe mosndërmarrja e veprimeve mund të çojë në deziluzion dhe cinizëm.(9) Koncepti mbi sigurinë njerëzore është përshkruar si një dokument që promovon lirinë e qenies njerëzore nga frika dhe kërkesa, me mundësi të barabarta për zhvillim të plotë të potencialit njerëzor. Pra, ai fokusohet në situatën e pasigurisë, të shkaktuar nga dhuna dhe varfëria, e të acaruar më tutje nga diskriminimi dhe përjashtimi shoqëror.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, përqindja e fëmijëve të moshës 5-17 vjeçare që janë të angazhuar në punë ka dalë të jetë 10.7 %, përderisa numri i përgjithshëm i fëmijëve në punë të rënda i evidentuar nga Qendrat për Punë Sociale në gjithë Kosovën, për vitin 2014, ishte 206 fëmijë.(10) Ndërsa, sipas zyrtarëve shtetërorë që merren me luftën kundër narkotikëve, Kosova po "përparon" me shtimin e numrit të narkomanëve për rreth 20 mijë konsumues të drogës në Kosovë, shumica prej tyre të rinj.(11)

Shërbimet e fëmijëve që njihen me ligj kanë tri fusha kryesore të përgjegjësisë:

- Fëmijët që jetojnë në qendrat e kujdesit rezidencial ose që presin të adaptohen;
- Mbrojtja e fëmijëve, p.sh.: veprimet dhe shërbimet
për fëmijët që kanë qenë të abuzuar ose kur dyshohet se mund të jenë abuzuar;
- Ofrimi i mbështetjes për familjen, një seri ndërhyrjesh praktike dhe terapeutike për familjet që kanë anëtarë të familjes me aftësi të kufizuara, ose në rastin e kundërt, kur shëndeti ose zhvillimi i fëmijës është përkeqësuar.(12)

Ligji, politika dhe udhëheqja e kanë vënë theksin te rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional, që ka si qëllim interesin më të mirë për fëmijët, duke filluar nga mbrojtja e tyre, me kërkesën për të zhvilluar plane të përbashkëta dhe duke marrë vendime sipas rasteve specifike.

Roli i familjes dhe përgjegjësia e prindërve

Mjedisi ku fëmijët kalojnë më shumë kohë është familja. Kjo është parë si hapësirë në të cilën qeveria nuk duhet të ndërhyjë, përveç rasteve të veçanta. Prindërit janë përgjegjës për përkujdesjen dhe edukimin e fëmijëve të tyre, dhe për marrjen e vendimeve të duhura lidhur me fëmijët. Mirëqenia e fëmijëve qëndron në radhë të parë. Prindërit duhet t'i edukojnë fëmijët sipas kushteve të tyre, dhe të mbështesin zhvillimin e tyre fizik, mendor dhe moral. Ata duhet t' u ofrojnë një arsimim të përgjithshëm, të arsyeshëm dhe konform prirjeve dhe aftësive të tyre. Për këtë qëllim nevojitet bashkëpunimi me shkollën dhe përkrahja e fëmijëve gjatë zgjedhjes së profesionit të tyre. Nëse rrezikohet mirëqenia e fëmijëve, nëse prindërit nuk i ndihmojnë fëmijët vetvetiu ose nuk janë në gjendje të ofrojnë ndihmën e nevojshme, atëherë enti për çështje të kujdestarisë merr masat e nevojshme për mbrojtjen e fëmijëve.(13) Ndërhyrja shtetërore përqendrohet në detyrën e shtetit për të ndihmuar dhe siguruar mirëqenien e fëmijëve, duke shkelur (në qoftë se është e nevojshme) edhe dëshirat dhe të drejtat prindërore, për hir të fëmijëve.


__________________
(1) http://www.telegraii.comjlajmejankandi-i-drejtesise-apo-rileximi-i-rawls-it-26-2592.html.
(2) http://www. furkan.com.mk/kushtetuta-e-medines.html.
(3) Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut Kosovë, "shkolla për lider të rinj", Prishtinë, 2011, f. 7.
(4) Gruda, Z. (2000). Mbrojtja Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut.
(5) Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut Kosovë, "shkolla për lider të rinj" , Prishtinë, 2011, f. 8.
(6) Elona Dhembo dhe Irida Agolli, "Politikat sociale dhe mirëqenia sociale", Alb Papaer, Tiranë, 2010, f. 93.
(7) http://www.hrrp.eujalbjdocsjCRC-a.pdf.
(8) Ibid, (Elona Dhembo dhe Irida Agolli), f. 93.
(9) Po aty.
(10) http://www.telegraii.com/ekonomi/ lajme-ekonomi/ne-kosove-lO-7 -e-femijeve-nga- 5-l7-vjec-jane-te-angazhuar-ne-pune.html.
(11) http://www. albinfo.ch/kosove-rritet-nurnri-i-narkomaneve/.
(12) Ibid, (Elona Dhembo dhe Irida Agolli), f. 96.
(13) http://www.integration-bsbl.ch/uploads/tx_x4eipoolj_ wkb_alb_kinder.pdf.



Besarta Shatri

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.