Politikat sociale për fëmijë (2)

Politikat sociale të një vendi kanë ndikim të drejtpërdrejtë në të drejtat e njeriut të qytetarëve të atij vendi. Sidomos të drejtat ekonomike dhe sociale janë të lidhura pashkëputshëm nga këto politika. Duke qenë se të drejtat e njeriut janë të pashkëputura, të ndërlidhura dhe të ndërvarura, edhe të drejta civile dhe politike preken drejtpërdrejt në një vend ku shkalla e varfërisë është e lartë. Rikujtojmë se në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, Kombet e Bashkuara kanë shpallur që mosha fëmijërore ka të drejtë për një përkujdesje dhe përkrahje të veçantë.

Jemi të bindur se familja, si njësi themelore e shoqërisë dhe mjedis natyror për rritjen dhe mirëqenien e të gjithë anëtarëve të saj, veçanërisht të fëmijëve, duhet të ketë mbrojtjen dhe ndihmën e nevojshme për ta marrë përsipër plotësisht rolin e saj në bashkësi. Duhet ditur se fëmija, për zhvillimin e plotë dhe të harmonishëm të personalitetit të tij, duhet të rritet në një mjedis familjar, në një atmosferë lumturie, dashurie dhe mirëkuptimi. Duhet pasur parasysh se fëmija duhet të përgatitet plotësisht për të bërë një jetë individuale në shoqëri, dhe të edukohet në frymën e idealeve të shpallura në Kartën e Kombeve të Bashkuara, dhe sidomos në frymën e paqes, të dinjitetit, tolerancës, lirisë, barazisë dhe solidaritetit. Duhet pasur parasysh se, ashtu siç është thënë në Deklaratën për të Drejtat e Fëmijës "fëmija, për shkak të papjekurisë së tij fizike dhe intelektuale ka nevojë për një mbrojtje dhe kujdes të posaçëm, duke përfshirë mbrojtjen juridike të përshtatshme, si para ashtu dhe pas lindjes".(14)
Prandaj, do të ishte e lehtë por e pavërtetë të supozohet se politika për fëmijët i mbulon të gjitha politikat sociale që lidhen me ta.
Politika dhe legjislacioni për fëmijët shpesh është konsideruar, në pjesën më të madhe të rasteve, si "mirëqenia e fëmijës", p.sh.:
- mbështetja dhe shërbimet për fëmijët në vështirësi, si rezultat i divorcit, ndarjes së familjes;
- abuzimet dhe pakujdesia nga ana e prindërve, ose sjelljet kriminale të fëmijës.
Në këtë mënyrë politikat për fëmijë kanë lidhje me shërbimet sociale, shërbimet e gjykatës ose me shërbimet ekuivalente për fëmijët dhe familjet, si dhe Organizatat Jofitimprurëse.
Sipas informacioneve të marra nga udhëheqësja e Qendrës për Punë Sociale nëpër disa komuna, QPS funksionon në pajtim me Ligjin për Familjen 2004/32, Ligjin për Shërbimet Sociale dhe Familjare 02/L-17. QPS është përgjegjëse për ofrimin e programeve të mbrojtjes sociale, sikurse:
- Shërbimet sociale profesionale për individ dhe familje në nevojë sociale (mbrojtja e fëmijëve, viktimat e dhunës në familje dhe trafikimit, etj);
- Shpërndarja e ndihmave sociale për familjet e varfra (Skema e Asistencës Sociale).
QPS funksionon në mënyrë të plotë në kuadër të komunës dhe në mënyrë zinxhirore me Policinë e Kosovës, Qendrën e Shëndetit Mendor, Qendrën për Mirëqenien e Gruas, Qendrën për Barazi Gjinore, si dhe me të gjitha institucionet e tjera që janë përgjegjëse për mirëqenien sociale dhe ekonomike të fëmijëve në nevojë. QPS ofron shërbime për të gjitha kategoritë e fëmijëve në nevojë, që para lindjes e deri në vdekje.(15)
Në Kosovë ekziston një shkallë e lartë e varfërisë dhe papunësisë, popullatë e re në moshë, si dhe rol i zgjeruar i familjes në sigurimin e mbrojtjes sociale. Kjo ka ndikuar që numri i kërkuesve për mbrojtje dhe asistencë sociale të jetë shumë i madh. Asistenca sociale përfshin kryesisht shërbimet sociale dhe ndihmën ekonomike për njerëzit dhe grupet në nevojë, të paaftë të sigurojnë nevojat jetësore ose të zhvillojnë aftësi personale apo të mbështesin integrimin e tyre, si rezultat i kufizimeve ekonomike, fizike, psikologjike dhe sociale; e një nga grupet e përfituesve janë fëmijët. Për më tepër, Letra e Bardhë (2009) ka sqaruar se, përderisa përkufizimet e grupeve në nevojë për mbrojtje sociale mund të ndryshojnë në të gjitha vendet e botës, rasti i Kosovës dhe historia e fundit e saj nga paslufta bën listën e rreziqeve sociale më komplekse. Këtu përfshihen një numër i madh i grupeve specifike në nevojë për mbrojtje, si:


-fëmijët pa përkujdesje prindërore, fëmijët me sjellje asociale, fëmijët në konflikt me ligjin dhe pa përgjegjësi penale, fëmijët me marrëdhënie të çrregulluara në familje, personat e moshës së shtyrë, personat me aftësi të kufizuara fizike ose mendore, fëmijët e lënë pas dore dhe të keqtrajtuar, fëmijët në rrezik apo viktimat e shfrytëzimit apo abuzimit, viktimat e dhunës në familje, viktimat e trafikimit, personat në varësi nga alkooli ose droga, etj.(16)
Qeveria e Kosovës, bazuar në prioritetet dhe strategjitë zhvillimore, ka ndarë buxhetin rreth 230 milion € për mirëqenie sociale, apo rreth 14.5% të totalit të shpenzimeve të parashikuara për vitin 2014. Në anën tjetër, komunat për financimin e Qendrave për Punë Sociale kanë buxhetuar 3.7 milion € nga dy burime të financimit: nga fondet e përgjithshme 2.8 milion €, dhe 0.9 milion € nga të hyrat vetjake komunale.(17)

Strehimi familjar

Interesi më i mirë i fëmijës përmbushet kur nevojat e zhvillimit fizik dhe psikologjik plotësohen brenda kontekstit të familjes të tij/ saj. Çdo përpjekje duhet të bëhet që të promovohet mirëqenia e fëmijës në suaza të familjeve të tyre biologjike.
Konventa e OKB-së mbi të Drejtat e Fëmijëve thekson qartë që të gjithë fëmijëve, përfshirë fëmijët e braktisur, fëmijët me nevoja të veçanta dhe të keqtrajtuar, duhet t'iu mundësohet të jetojnë në familje. Formave alternative të mbrojtjes sikurse strehimi familjar duhet t'i jepet gjithmonë përparësi në raport me strehimin rezidencial. Strehimi familjar ndahet në dy lloje: 1. Strehimi te të afërmit, dhe; 2. Strehimi në familje strehuese alternative. Konventa për të Drejtat e Fëmijëve (KDF) garanton se kur një fëmije i mohohet përkohësisht ose në mënyrë të përhershme mjedisi familjar, ose kur nuk është në interesin e tij/ saj më të lartë të qëndrojë në këtë mjedis, ai/ajo ka të drejtë për një mbrojtje dhe një ndihmë të posaçme nga shteti. Në Kosovë, në vitin 2012 ishin 1310 raste të evidentuara të fëmijëve pa përkujdesje prindërore, ndërsa në vitin 2013 ishin 1285 raste, e në vitin 2014 ishin 1228. Përderisa fëmijë të braktisur ishin 54 fëmijë në vitin 2012,52 në 2013, dhe 45 në vitin 2014. Kostoja mesatare e një fëmije për qëndrim vjetor në kujdes rezidencial (strehimore) është 7,500 €. Shihet qartë që strehimi familjar është 5 herë më i lirë se strehimi rezidencial. Përveç kostos më të lirë, janë përfitimet tjera psiko-sociale te fëmijët, model i cili është integrues dhe më i miri për zhvillimin tërësor të fëmijës në familje.(18) Aktet nënligjore përcaktojnë që familjet strehuese që ofrojnë strehim për fëmijët pa përkujdesje prindërore, e që janë farefis me fëmijën, pra të marrin 75 € në muaj për fëmijë. Ndërsa familja që strehon fëmijë të braktisur, e që nuk janë farefis i fëmijës, marrin 150 € në muaj për fëmijë. Kjo shumë dallon për fëmijët me aftësi të kufizuara të strehuar në familje strehuese, sepse familjet në emër të përkujdesjes për fëmijët marrin nga 250 € në muaj për fëmijë.(19)
Bazuar në atë që u tha më lart, sistemi i sotëm i ndihmës ekonomike siguron vetëm përfitime "ekonomike" por jo "sociale". Mirëqenia e fëmijëve nuk ndryshon për ata që marrin ndihmë ekonomike (arsimimi, kujdesi shëndetësor, kushtet e banimit më të mira). Shumëdimensionaliteti i varfërisë nuk është marrë në konsideratë (dhe veçanërisht varfëria e fëmijëve) nuk merret në konsideratë nga skema aktuale e ndihmës ekonomike.
Rekomandime
Kohëve të fundit në Kosovë është duke u debatuar e komentuar mjaft rreth" sundimit të ligjit", "luftës kundër korrupsionit" e shumëçka tjetër, por jo edhe për drejtësinë. Nuk është fjala për drejtësinë vetëm në aspektin e respektimit të ligjit, por edhe në drejtësinë si kategori etike e si normë shoqërore. Reduktimi i varfërisë dhe pabarazisë është një objektiv që duhet dhe mund të arrihet në çdo vend. Çdo shoqëri që ka fëmijë të ushqyer mirë, të strehuar, të mbrojtur, të edukuar, të shëndetshëm dhe të zhvilluar, është një shoqëri që mbron të tashmen dhe investon për të ardhmen, sepse ky përjashtim i dyfishtë i këtyre kostove kthehet në një përfitim të dyfishtë për gjithë shoqërinë. E nevojshme dhe shumë frytdhënëse do të ishte organizimi i një fushate sensibilizuese, me anë të së cilës do të informoheshin fëmijët për të drejtat e tyre. Kjo fushatë do kishte mundësi të organizohej në nivel komunash, duke përfshirë shkollat fillore dhe ato të mesme. Gjithashtu do ishte mirë sikur nëpër komuna të kishte persona përgjegjës dhe numra 7/24 që do t'ua mundësonte fëmijëve lajmërimin e rasteve të dhunës që shkaktohen ndaj tyre.
Ndër iniciativat kryesore në këtë fushë janë ndërhyrja dhe përmirësimet e politikave dhe programeve në drejtimet legjislative që janë të obliguara të garantojnë të drejtat për të gjithë individët në nevojë, pavarësisht shkakut dhe natyrës së shfaqjes së nevojës. Gjithashtu, koncepti i kuadrit ligjor të mundohen të garantojnë një sistem më të qartë financimi, për të siguruar qëndrueshmërinë e shërbimeve dhe për të stimuluar familjet strehuese me të ardhura më të larta në përshtatshmëri me standardet tona. Po ashtu, strehimi familjar në Kosovë vazhdon të mos i përmbush nevojat e familjeve strehuese, duke bërë që fëmijëve pa përkujdesje prindërore dhe fëmijëve të braktisur në shumë raste t'iu mohohet e drejta për të njohur ambientin familjar, dhe akoma më e rëndë, qëndrimi në institucione rezidenciale konsiderohet i gjatë te mosha 0-3 vjeç, që është edhe faza më formuese e zhvillimit të fëmijëve. Qëndrimi i fëmijëve për kohë të gjatë në institucionet rezidenciale identifikohet si një shqetësim serioz, që sjell efekte shumë të dëmshme në zhvillimin e fëmijës, duke përfshirë një sërë problemesh sikurse problemet shëndetësore, zhvillimi jo i mirë fizik, mendor dhe emocional. Prandaj, do ta përfundonim me fjalët e Gandit, i cili thotë: "Në qoftë se dëshirojmë të krijojmë një paqe të qëndrueshme, duhet të fillojmë nga fëmijët".


___________________
(14). http://www.hrrp.eu/alb/docs/CRC-a.pdf
(15) Intervistë me udhëheqësen e QPS në Istog, zj.Mirvete-Verbaj. 09.12.2015.
(16).http:j Iwww.gazetaexpress.com/ lajme I qofte-edhe-l- kilometër-me-pak-asfalt-ne-autostrade-shume-me-teper-mireqenie-perfemije-60188/ ?archive=l
(17) .http://komfkosova.org/ assets/uploads/publicatiori/ Analiza_ne_gjuhen_shqipe2.pdf.
(18) http:/ I zeri.info/' zer-
ati 437991 femijet-kane-te-drejte-te-rriten-ne-familjel
(19) http://komfkosova.org/ assets/ uploads/publicationl Analiza_ne_gjuhen_shqipe2.pdf



Besarta Shatri

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.