Arafati, S’aji dhe Muzdelife prej ritualeve të Haxhit

Pa dyshim që secili besimtar mysliman që mësyn vendet e shenjta, ëndërron t’i kryejë obligimet dhe ritualet e tij me përpikëri dhe pa asnjë lëshim eventual.

E bën këtë kësisoj, sepse kështu kryen një obligim jetësor, më te cilin e ngarkoi i Lartmadhërishmi. Myslimani i përkushtuar, ka parasysh gjithnjë hadithin e Muhamedit a.s., i cili ka thënë: ” Merrini (më pasoni mua) nga unë ritualet e haxhit”, prandaj edhe është i kujdesshëm që çdo ritual ta kryejë mu ashtu siç e ka kryer edhe Muhamedi a.s.. Meqenëse ritualet dhe obligimet e Haxhit janë shumë dhe të ndryshme për nga shkalla e ngarkesës së tyre, këtu do të bëjmë fjalë vetëm për tri prej tyre:
a) S’aji në mes Safas dhe Merves.
b) Qëndrimi në Arafat dhe
c) Qëndrimi (ose bujtja ) në Muzdelife.

S’aji në mes Safas dhe Merves

Me fjalën S’aj në kontekstin e fikhut të Haxhit, nënkuptojmë “vrapimin ose shpejtimin e hapave në ecje në mes të kodrinave të Safas dhe Merves”, duke rikujtuar kështu dhuntinë që Allahu i Lartmadhërishëm ia dhuroi Haxheres dhe birit të saj, Ismailit, në luginën e Mekës, ku nuk kishte as ujë, as shenjë gjallërie. Haxherja s’mund t’i duronte klithmat e të birit që kërkonte ujë, prandaj filloi të vraponte në mes të atyre dy kodrinave në kërkim të ujit për të. Allahu vë theksin në Kuran tek vlera që kanë këto vende dhe vrapimi në to, për vizitorin e Qabesë. Ai thotë:” Safa” dhe “Merve” janë nga shenjat (për adhurim) e All-llahut, e kush e mësyn shtëpinë për haxh (Qabenë për haxh), ose për umre (vizitë jashtë kohës së Haxhit), nuk është mëkat për të t’i vizitojë ato të dyja (të ecë në ato dy vende). E kush bën ndonjë të mirë nga vullneti (jo obliguese), s’ka dyshim se All-llahu është shpërblyes i gjithëdijshëm”. (El-Bekare, 158). Po ashtu edhe Muhamedi a.s. në lidhje me këtë ritual ka thënë :”Juve ju është bërë obligim S’aji, prandaj kryjeni”.(1)

Norma-dispozita e S’ajit për haxhiun

Dijetarët e shkollës juridike hanefite mendojnë se S’aji vrapimi në mes të Safas dhe Merves është vaxhib për haxhiun, por jo farz-ose rukn i tij, ashtu siç mendojnë dijetarët e tri shkollave juridike të tjera. Sipas hanefinjve, nëse dikush nuk e kryen S’ajin, duhet të therë kurban si shpagim për lëshimin që ka bërë pa arsye, e nëse për këtë lëshim ka ndonjë arsye, ai lirohet edhe nga shpagimi me kurban i këtij lëshimi. Ndërkaq, sipas dijetarëve të tri shkollave juridike tjera, S’aji konsiderohet rukn- obligim, moskryerja e të cilit s’mund të kompensohet me therje të kurbanit, sepse ruknet-farzet e haxhit, nuk mund të kompensohen me therje te kurbanit.(2)
Ndërkaq, kushtet për të qenë S’aji i pranuar, sipas hanefinjve, janë:
1) Që ai të bëhet pas tavafit ose pas kryerjes së shumicës së tij.
2) Që të fillohet S’aji –ecja e shpejtë nga kodrina Safa dhe të përfundohet në Merve, e nëse bën të kundërtën, duhet të përsërisë vetëm një ecje-shkuarje prej shtatë - sa janë në përgjithësi. Ndërkaq, pastërtia ose abdesti nuk është kusht po vetëm konsiderohet prej syneteve të S’ajit.

Qëndrimi në Arafat

“Haxhi është (qëndrim në) Arafat”.(3)
Me këtë fjalë Muhamedi a.s. dëshiroi të na e bënte të qartë rëndësinë dhe obligueshmërinë e pazëvendësueshme të qëndrimit në Arafat. Nisur nga ky hadith profetik, të gjithë dijetarët islamë të të gjitha kohëve kanë rënë dakord se qëndrimi në Arafat është rukn-obligim që s’pranon kompensim në asnjë mënyrë. Prandaj kujt i kalon pa e bërë qëndrimi në Arafat, atij i ka kaluar edhe Haxhi, dhe obligohet ta përsërisë Haxhin në vitin e ardhshëm. Pajtueshmëria e dijetarëve islamë ekziston në parim për obligueshmërinë e qëndrimit në Arafat, po megjithatë ata patën dallime më pastaj rreth kohës kur obligohet qëndrimi në Arafat. Hanefinjtë mendojnë që koha kur obligohet qëndrimi në Arafat fillon prej kohës kur dielli arrin në zenit ditën e Arafatit (Dita e nëntë e dhul-hixhes) e deri në mëngjesin e ditës së dhjetë të këtij muaji (Ditën e parë e Kurban-Bajramit), dhe, nëse haxhiu qëndron se paku për një çast në hapësirat e Arafatit gjatë këtij intervali kohor, ai konsiderohet se e ka plotësuar ruknin-obligimin e qëndrimit në Arafat.
Ndërsa vaxhib e ka që të qëndrojë deri në perëndimin e diellit të ditës së Arafatit, e nëse largohet nga Arafati para perëndimit të diellit, Haxhi i tij është i pranuar, mirëpo obligohet të therë një kurban, sepse ka lënë pakryer një prej vaxhibeve të Haxhit, dhe personi i tillë konsiderohet mëkatar.(4) Ndërkaq, dijetarët e shkollës malikite mendojnë që obligim është qëndrimi në Arafat në një pjesë të natës pas perëndimit të diellit në ditën e Arafatit, kurse ata të shkollës juridike shafiite dhe hanbelite mendojnë sikurse hanefinjtë, që në cilëndo periudhë kohore të qëndrohet nga koha e zenitit
të diellit e deri në perëndim të tij, kryhet obligimi i qëndrimit në Arafat.(5)
Për sa u përket hapësirave të Arafatit, është punë e mirë që sot kufijtë dihen dhe janë të limituar shumë qartë e s’ka vend për merakosje lidhur me këtë pikë.

Synetet dhe gjërat e rekomanduara në Ditën e Arafatit

a)Është synet që në Arafat të shkohet ditën e nëntë pas lindjes së diellit, duke bërë telbijen, madhërimin e Allahut (Tekbir) dhe me shqiptimin e shehadetit (Tehlil);
b)Haxhiu të pastrohet para se të niset për në Arafat;
c)Të qëndrojë në vendin ku ka qëndruar Pejgamberi a.s., nëse kjo është e mundur dhe pa i penguar njerëzit e tjerë;
ç) Të qëndrojë në këmbë aq sa të ketë mundësi deri në perëndim të diellit, i drejtuar nga Kibleja dhe duke lutur Allahun e Lartmadhëruar (duke bërë dua);
d) Të mos agjërojë atë ditë, sepse aty kërkohet forcë që të qëndrojë në këmbë, dhe të shtojë ibadetin ndaj Allahut, duke E lutur Atë pa zë të ngritur, duke bërë dhikr- duke përmendur Allahun etj.;
dh)Të mos hyjë nën hijen e asnjë peme, druri a çadre, nëse mund ta përballojë vapën, ngase transmetohet se i Dërguari, a.s., i Allahut nuk kishte kërkuar hije në Arafat.(6)
Duaja-dhikri që rekomandohet, sipas haditheve të Muhamedit a.s., në ditën e Arafatit, është :”Lutja më e mirë ditën e Arafatit është ajo që e kam thënë unë dhe (e kanë thënë) pejgamberët para meje -La ilahe il-lall-llah vahdehu la sherike lehu, lehul- mulku ve lehulhamdu ve huve ala kul-li shejin kadir”.(7)

Qëndrimi (bujtja) në Muzdelife

Muzdelife është një vend që shtrihet përafërsisht në mes të Arafatit dhe Mina-s. Qëndrimi në Muzdelife është vaxhib tek shumica absolute e dijetarëve islamë, e nuk është rukn - obligim i pazëvendësueshëm, madje ka një mendim të paargumentuar dhe të dobët se qëndrimi në të është synet. Prandaj kush e lë qëndrimin aty pa arsye, është gjynahqar-mëkatar dhe duhet të therë kurban, si kompensim për lëshimin e tij, por haxhi i tij pranohet, ndërsa kush nuk qëndron në Muzdelife për ndonjë arsye të justifikueshme, ai nuk obligohet as të therë kurban. Fjetja në Muzdelife është vaxhib tek hanbelinjt, ndërsa konsiderohet synet te hanefinjtë.
Ndërkaq, dijetarët e shkollës juridike shafiite dhe malikite kanë nga dy transmetime të mendimeve, njëri që përputhet me atë të Imam Ebu Hanifes, e tjetrin me atë të Imam Ahmedit.(8)
Koha kur obligohet qëndrimi në Muzdelife, sipas hanefinjve është prej kohës kur hyn koha e sabahut e deri kur të lindë dielli, dhe kush qëndron në këtë kohë, ka arritur obligimin e qëndrimit në Muzdelife, e nëse qëndron më herët, ai ka qëndruar vetëm në kohën kur e kishte synet të qëndronte aty. Ndërkaq, sipas tre dijetarëve të tjerë, qëndrimi në Muzdelife është obligim gjatë një pjese të natës,kurse është synet deri në agim të mëngjesit të ditës së Kurban-Bajramit. E - se kur është më e preferuar të qëndrohet gjatë natës, edhe për këtë ka dallime që nuk kanë peshë të madhe juridike. Këto ishin vetëm tri nga ato ritualet e Haxhit, të cilat obligohet t’i kryejë haxhiu gjatë qëndrimit në vendet e shenjta, edhe pse, siç u pa, qëndrimi në Arafat është rukn –obligim i pazëvendësueshëm, në dallim nga dy të tjerat, për të cilat u theksua se janë obligime-të detyrueshme.


_________________
1) Transmeton Imam Ahmedi nga Safijje bint Shejbe..
2) Shih: El-Fkhul-Islamijj ve edil-letuhu. Dr. Zuhejli ( 32228) Bot. i IV. Darul Fikr. Damask. 2004, Pastaj shih: Bedaius-sanai’. El-Kasani El-Hanefijj. (384-86). Darul-Kutub El-ilmijje.Bejrut. 1997.
3)Transmetojnë Imam Ahmedi, Termidhiu, Ebu Davudi dhe Nesaiu nga Abdurrahman Ed-dejlemijju.
4)Shih:Erkanul-Islam. Vehbi Sulejman Gavoqi. (2750). Darul-Beshair El-Islamijje. Bejrut.2002
5)Shih: El-Fkhul-Islamijj ve edil-letuhu. Dr.Zuhejli(32236) Bot. i IV-të. Darul Fikr.Damask. 2004
6) El-Mugni fi fikhil-haxh vel- umreti. Dr. Seid Bashenfer. Dar ibn Hazm.Bot. i parë. Bejrut. 2003.
7)Transmeton Imam Maliku në Muvet-tan e tij
8)Shih: El-Fkhul-Islamijj ve edil-letuhu. Dr. Zuhejli (32244) Bot. i IV. Darul Fikr.Damask. 2004



Driton Arifi

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.