Haxhi një shkollë shoqërore dhe sociale

Mirësitë dhe mundësitë e njeriut në këtë jetë janë sa të shumta dhe nganjëherë jo të vlefshme, aq edhe të pakta por me vlerë të madhe. Shpeshherë njeriu bie peng i shumë gjërave të pa nevojshme për jetën, shëndetin, nderin dhe këndin e adhurimit të tij.

Megjithëkëtë Krijuesi Fuqiplotë ka caktuar mundësi që njeriu të gjëje vetën e tij në kryerjen e disa obligimeve, që këto të vetdijesojnë qëllimin e tij. S’ka dyshim se qëllimi final i krijimit të njeriut është “Adhurimi i Allahut dhe të jetuarit sipas rregullave Kur’anore në këtë jetë”.Nga gjërat më me vlerë që Allahu ka caktuar për njeriun,janë disa momente dhe periudha vendore e kohore.
Bazuar në këto, themi se përzgjedhjen dhe programin mahnitës që Allahu ka caktuar për njerëzit mundë ta renditim në këtë mënyrë:
a. Prej muajve më të bekuar të vitit që Allahu ka zgjedhur për njerëzit është muaji i shenjtë i Ramazanit,
b. Nga netët më të bekuara që Ai caktoi dhe zgjodhi, është Nata e Kadrit (Lejletu’l-Kadri), natë kjo që është më e vlefshme se një mijë muaj. Natë kjo që filloi zbritja
e Kur’anit Fisnik,
c. Prej ditëve më të mira të vitit Ai ka zgjedhur ditën e daljes së haxhilerëve në rrafshnaltën e Arafatit, kur ata dalin para Allahut zemër hapur për të kërkuar faljen e mëkateve dhe shpërblimin e veprave të mira me xhennet.
d. Prej vendeve më të bekuara dhe bereqetshme Ai ka caktuar Qaben në qytetin e bekuar të Mekes,
e. Po ashtu ai caktoi edhe qytetin e Medines ku qëndron xhamia e Muhammedit a.s. si dhe xhaminë el-Aksa në Palestinë, si vende të bekuara,
f. Ai gjithashtu caktoi ditën e xhuma ndër ditët më të mira të javës, ku tubohen myslimanët për të kryer lutjet dhe namazin e tyre të përbashkët,
g. Caktoi kohët e namazit në të cilat robi i Allahut shpalos nevojat e tij pesë herë në ditë ndaj Krijuesit të tij,
h. Caktoi periudhën e vizitës së Qabes, pra kryerjen e haxhit vetëm një herë në jetë. Këtë obligim ua ngarkoi vetëm atyre që kanë gjendjen e mirë financiare. Kështu, në këtë mënyrë mundë të bëjmë renditjen e kohëve, rrethanave dhe vendeve të ndryshme që përzgjodhi Allahu për njeriun. Për të gjitha këto Krijuesi është shprehur se janë “ditë të caktuara”, prandaj përmbajtja e këtij programi njeriun e ofron tek Allahu në mënyrë shumë të suksesshme. Shpesh herë njerëzit preokupohen me gjëra të dorës së dytë. Ata qetësinë e tyre e kërkojnë në vendet jo të duhura dhe si rezultat i kësaj ata shpenzojnë pasuri të mëdha. Çdo kush nga ne, brenda një viti së paku harxhojmë një sasi të caktuar të hollash për të kryer disa pushime apo për tu relaksuar. Për ta realizuar këtë, brenda gjithë vitit çdo kryefamiljarë mundohet të ndajë një sasi të hollash për këto pushime. Por, të paktë janë ata myslimanë që bëjnë llogarinë e një grumbullimi të hollash për të kryer një obligim hyjnor, për ta realizuar një vizitë shpirtërore që kjo do të i shpërblehej me xhenetin firdeus. Kjo është një llogari për të kryer pushimet në Qabën – Shtëpinë e Allahut, që aty padyshim se do të jemi mysafirët më të mirë të Allahut xh. sh. Nxitimi për të kryer një vizitë të tillë, duhet të bëhet në atë mënyrë sikurse njeriu nxiton për një post të tij në këtë jetë. Ashtu sikurse bënë përgatitjet e tija për mësimin e një provimi, një kursi pune etj. Në këtë kontekst, Pejgamberi ynë i Dashur Muhamed Mustafa na ka thënë: “Kush dëshiron të kryej haxhin le të nxitojë! Ngase ndodh që ai të sëmurët, i humbet mjeti bartës, apo i paraqitet ndonjë nevojë tjetër”.(1)

Haxhiu drejtë simboleve në Qabe

Nuk ka fare dyshimi se Qabja me rrethinë ka simbole që myslimanet vizitorë do të informohen me to nga afër. Në këtë kontekst Allahu xh.sh. thotë: “Aty ka shenja të qarta” (Ali Imran, 97). Ngado që ata të
drejtojnë shikimet do të vërejnë këto shenja mahnitëse. Prandaj ata edhe i bëjnë një përkushtim dhe respekt këtyre simboleve. Sa mirë na tregon ky ajet Kur’anor në lidhje me këtë çështje: “...kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, ai tregon përkushtimin e zemrës së tij”.(Haxhxh, 32.)
Kjo tregon se një vizitë e tillë ka një aspekt të thellë shpirtëror më tepër nga ai material. Atëherë pra, çdo vend në këtë botë simbolizohet me diçka që njeriut i mbetet në kujtesë. Qabja është ajo që në këtë rast, vizitorëve do tu mbetët në kujtesë përgjithmonë. Ata çdo herë do ta kujtojnë atë dhe do të dëshirojnë që përsëri të bëjnë një vizitë të dytë. Por, ka edhe vende dhe simbole tjera që haxhiu do të mahnitet kur t’i shikoje ato. Ai në ato momente do të ndieje një kënaqësi të veçantë që asnjëherë më pare nuk e ka ndier. Kjo, për arsye se ato janë vende të bekuara, siguruara dhe bereqetshme nga Allahu i Gjithë Lavdishëm. Kjo begati kaq e madhe është si rezultat i asaj se ky vend është siguruar nga lutja që i bëri Ibrahimi a.s. Allahut xh.sh. Ai u lut në këtë mënyrë: “Dhe kur Ibrahimi tha: “Zoti im, bëre këtë një qytet sigurie dhe banorët e tij, që besuan All-llahun dhe jetën tjetër, furnizoj me lloje të frutave!”. (El Bekare, 126.)
Qysh në momentin kur ai të hyjë në kufijtë e qytetit të Mekes, llogaritet se ka hyrë në zonën ku ndalohen sharjet, fyerjet, fjalët e liga etj. Aty nuk lejohet shkulja e qimeve nga trupi (me qëllim), aspak nuk lejohet këputja e ndonjë gjelbërimi, gjethi, dege, fidani etj. Allahu xh.sh. deshi që kur haxhiu të hynë në atë zonë të jetë i lirë dhe pa preokupime, të mos mbys as edhe një insekt më të vogël. Ai, robin e kërkoi të lirë dhe të pastër, për ta futur në grupin e atyre që inshallah do të jetë i falur. Me atë program të përsosur që të gjithë haxhilerët do ta ndjekin, do të marrin një trajnim të veçantë gjatë atyre ditëve. Të gjithë një zëri do të bashkohen në thirrjet gjatë hyrjes në ihram, gjatë tavafit duke kënduar Telbijen: “Lebbejk Allahumme lebbejk – Të përgjigjemi ty o Allah të përgjigjemi”. Në vazhdim ata një ditë para ditës së Kurban – Bajramit, shkojnë në rrafshnaltën e Arafatit, ku aty duhet të qëndrojnë për një kohë. Aty ata do të bashkojnë namazet, atë të drekës me namazin e ikindisë si dhe atë të akshamit me namazin e Jacisë. Pra veshja e “ihrâmit”, rrotullimi shtatë herë “Tavafi” rreth Qabesë si dhe qëndrimi në “Arafat” janë nga pikat kryesore –farzet e haxhit. Moskryerja e këtyre nuk e plotëson normën e haxhit. Tavafin ata e nisin nga “Haxheru’l-Esvedi ose Guri i Zi” që gjendet nga ana juglindore e Qabes. Për çdo rrotullim ata simbolikisht përshëndesin këtë gur. Ata do të ndalen edhe tek “Mekami Ibrahim” dhe krejt në fund të tavafit do të falin nga dy reqate para këtij “Mekami”.Rruga e tyre pas Arafatit vazhdon duke vizituar: “Muzdelifen” - vend ky që gjendet në mes Arafatit dhe Minasë. Në lidhje me këtë Allahu thotë: “E kur të shpërndaheni (hiqeni) prej Arafatit, përmendeni Allahun në vend të shenjtë (Muzdelife)”. (El Bekare, 198.)
Aty do të bëhet caktimi i prerjes së kurbanëve. “Minâ” – në këtë vend hanxhinjtë do të kryejnë procesin e hedhjes së guralecëve. Këtë gjë më herët e kishte vepruar ?brahimi a.s. dhe djali i tij Ismaili, ku triumfuan ndaj djallit. Por më e rëndësishmja nga kjo është se ne në fakt me këtë gjest duhet ta godasim djallin në zemrat tona. Këta gurë të hedhur, janë gurë që godasin mëkatin, godasin të pa drejtën dhe atë që e huton njeriun. Vazhdon procesi i kryerjes së vrapimit në mes kodrës “Safa dhe Merve”. Në këtë vend po ashtu gjendet edhe burimi i Zemzemit, një ujë ky specifik që buron vetëm nga ky vend e askund tjetër. Me pirjen e këtij uji ata do të freskohen shpirtërisht. Aty përkujtojnë vrapimin e nënës Haxhere për të gjetur ujë për birin e sajë Ismailin. Çdo nënë do të ndieje një ndjenjë magjepse për lindjet e fëmijëve të sajë. Pra edhe Safaja e Merva janë nga shenjat e Allahut xh.sh. “Safa” dhe “Merve” janë nga shenjat (për adhurim) e Allahut”.
(El Bekare, 158.)
Në këtë mënyrë ai do të vazhdojë të vizitojë qytetin e ndriçuar të Medines. Qytet ky që strehoi Muhammedin a.s. kur ai emigroi. Një vend që Muhamedi a.s. krijoi themelet e para të një shteti Islam dhe aty ai ndërroi jetë dhe u varros. Në këtë rrugë, haxhiu do të vizitoj edhe shumë vende tjera në Medine të cilat atij do t’i zgjerojnë edhe më tepër zemrën për dashurinë ndaj Islamit. Ai do të pasurohet me një informacion edhe më të plotësuar për këto vende të shenjta dhe gjithmonë do t’i ketë në kujtesë të mirë.

Përfitimet nga haxhi

Vizitori përvetëson ndjenjat dhe vëren barazinë e tij me haxhinjtë e tjerë, me veshje të njëjtë dhe në kushte të njëjta. Ai e vëren se, nëse pasuria, pozita e të hollat sot gjenden në duart e tij, nesër mund të humbasin, prandaj në këtë mënyrë zgjeron ndjenjën e drejtësisë. E kupton se nacionaliteti, raca, gjuha, mosha dhe çdo dallim tjetër, janë kalimtare. Pastaj e kupton edhe rëndësinë e bashkimit të myslimanëve në një pikë të përbashkët. E kujton Ditën e Mahsherit - Ditën e Llogarisë para Allahut xh.sh., se të gjithë njerëzit do të japin llogari, dhe e kupton se duhet të përgatitet për Ahiret. Përfiton cilësi të mira: durim, përballje me vështirësi, qëndrim të përbashkët me të tjerët, ndihmë të ndërsjellë, bashkëpunim etj. E falënderon Allahun që i ka dhënë pasuri, pozitë, shëndet, apo mirësi të tjera. E kupton më mirë mesazhin e Muhamedit a. s., kur të vizitojë ato vendet se ku ka jetuar ai me shokët e tij. E kupton se feja, krahas aspektit personal që ka, posedon edhe aspektin shoqëror, prandaj ngarkohet me përgjegjësinë e detyrave shoqërore.(2)
Krejt në fund lusim që kandidatët që kanë vendosur të kryejnë një haxh të begatshëm, të përfitojnë nga të gjitha këto mirësi që i ofron atmosfera e haxhit. Lutja jonë është që ata të kthehen me një haxh të pranuar. Ndërsa shpërblimi për haxhin e pranuar padyshim se është xheneti.(3)


__________________
1). Ahmed ibn Hanbel, I, 214; ibn Mâxhe, Menâsik, 1.
2). Kitabimi Ö?reniyorum, f. 33. Ankara 2008.
3). Buhari, Haxh, 4; Nesâi, Menâsik, 4 (5/113)



Mr.sci. Zymer Ramadani

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.