“Intelektualë të shquar shqiptarë në mediat arabe”

Janë botuar -me këtë titull-dy vëllimet e para secili me njëqind figura intelektualësh të shquar shqiptarë, në punë e sipër, vëllimi i tretë i autorit, Prof. Dr. Beqir Ismaili. Në projekt, synimi i përkthimit të tyre në gjuhën shqipe dhe botimi në mediat e vendlindjes, në Kosovë.

Studimi dhe analizimi i veprimtarisë së mendimtarëve bashkëkohorë, përmes jetës dhe veprës së tyre,lufta dhe përpjekjet e tyre për një mendim të lirë që ushqen zhvillimin e kombit, përbën një ndihmesë në formimin e brezave të qytetëruar, për t’iu përgjigjur detyrave të vendit dhe kërkesave të kohës.
Është një fakt i njohur që kombet e qytetëruara kujdesen pandërprerë për njeriun dhe formimin e tij moral e shoqëror, qytetar dhe shpirtëror. Historia është e mbushur me shembuj të shkëlqyer të burrave të intelektit, politikës, kulturës, literaturës, shkencës, filozofisë, arteve dhe me radhë. Edhe me vepra të panumërta që kanë përjetësuar jetën dhe bëmat e tyre të pavdekshme n ë kohëra. Janë këta provë e nivelit të lartë të moralit qytetar njerëzor, pavarësisht nga kombësia dhe fusha e mendimit të këtyre figurave, sepse ato dëshmojnë vlera universale, të gjithkohshme, që janë dhe mbeten pjesë e thesarit të kulturës, zhvillimit dhe përparimit të njerëzimit mbarë. Kombi shqiptar, ka nxjerrë në çdo epokë, edhe ne atë moderne dhe në veçanti, gjatë shekullit të kaluar, një brez figurash të fuqishme të mendimit, politikës, letërsisë dhe kulturës, burrash dhe grash të suksesshme që, me veprën dhe punën e tyre përkushtuese, me luftën dhe përpjekjet hera herës dhe të pazakonta, i kanë bërë një shërbim të vyer vendit, popullit dhe kanë dhënë ndihmesën e tyre të çmuar çështjes kombëtare, lirisë, pavarësisë e përparimit.
Ky brez pati fatin të jetë dëshmitar i ngjarjeve të rënda, i gjëmave e tmerreve të jashtëzakonshme që ndodhën me shqiptarët në Ballkan, deri te lufta shkatërruese në Kosovë.
Dolën atëherë të tjerë intelektualë, atdhetarë e luftëtarë të shquar, që mbajtën mbi supe çështjen e shqiptarëve në Ballkan, që bënë sakrifica sublime dhe mbrojtën -me forcën e intelektit, kulturës, të fjalës dhe të veprës madhore- të drejtat e shqiptarëve, ngritën fuqishëm e me dinjitet, zërin kundër gjenocidit dhe urrejtjes së verbër,u vunë pa mëdyshje, në mbrojtje të lirisë së tyre, të paqes dhe të drejtësisë njerëzore.
Kësisoj, ata fituan nderim dhe adhurim në zemrat e shqiptarëve: njerëzve me kulturë e të shqiptarëve të thjeshtë të popullit. Sepse shembulli i mendimtarëve, ishte i prekshëm dhe frymëzues për të gjithë. Sepse vepra e tyre ishte e pandarë nga fjala e tyre.
Këta mendimtarë kanë mbrojtur të drejtat e shqiptarëve dhe të Kosovës, me të gjitha forcat,energjitë e përkushtimin e tyre, mjaft syresh janë vrarë për hir të saj, disa u arrestuan, disa u larguan nga vendi e nga shtëpitë e tyre, ndaj dhe pena pezmatohet, kur shkruan për atë që ka ndodhur.
Mbetet detyrë qytetare, e studiuesve, publicistëve, e krejt literaturës së sotme, të dokumentojë, të mos ngurrojë të nxjerrë në pah vlerat te tyre, të shkruajë për qëndrimet e tyre, për Kosovën dhe popullin e saj.
Nga gjithë këto ide dhe nga kërkesa ndaj vetes- për një pasqyrim, studim dhe evidentim me përgjegjësi prej qytetari, intelektuali dhe publicisti, të shumë viteve të punës dhe jetës së tij -përçohet krejt vëllimi në fjalë- i treti i serisë rreth figurave të ndritura të intelektualëve shqiptarë- si vazhdim i një pune disavjeçare qëmtuese, përmbledhëse dhe gazetareske, të autorit, Prof. Dr. Beqir Ismaili.
Një material i pasur, i bollshëm dhe shumëplanësh, i plotësuar me një dokumentim origjinal fotografik, shoqëron studimet-portrete të këtyre vëllimeve dhe ndihmon në forcimin e synimit dhe objektivit që ai i ka vënë vetes në ndërmarrjen e këtij rrugëtimi jo thjesht gazetaresk e publicistik, jo thjesht studimor e kërkimor, jo vetëm për qëllime shkencore e eruditive. Dy vëllimet e para rreth veprës dhe jetës së njëqind intelektualëve të shquar, paraqesin interes për vëmendjen që autori kërkon të tërheqë në opinionin publik jo vetëm shqiptar, por kryesisht në atë egjiptian dhe arab (pasi ai ka jetuar dhe punuar për mëse 30 vjet në Kajro, si drejtues i Agjencisë shqiptare të informacionit “Albapress”) të informojë për forcën e vitalitetin e shqiptarëve në periudha të mira dhe të vështira për kombin, për ato mendje të ndritura që udhëhoqën me sukses e talent të jashtëzakonshëm vende të mëdha, shtete të fuqishëm,me kulturë e histori të lashtë, që hartuan vepra madhore dhe enciklopedi unikale, që hynë me merita nëpër analet e rekordet botërore, duke i dhënë nder e famë dheut të tyre të lindjes, të kulturës dhe të gjuhës amtare.
Shtypi egjiptian, përmes këtyre dokumentimeve, pa pasur mundësi të njohë figura kolosësh si Frashërllinjtë, Ndre Mjeda, Vaso Pasha, si qindra Rilindas që i shërbyen me mendje, penë, zemër e pushkë, me jetë e me sakrifica sublime, çështjes kombëtare në dhe’ të huaj, edhe në Misir. Mediat e atjeshme kanë njohur -përmes artikujve të Beqir Ismailit ne arabisht- gjeni të kulturës, erudicionit, largpamësisë, së burrave si Fan Noli, Gjergj Fishta, Hoxha Tahsin, Merxhani, Konica, Eqrem Vlora, Mithat Frashëri e qindra të tjerëve, me të cilët krenohen bota, kultura, ekonomia, filozofia, diplomacia, arsimi e pedagogjia evropiane e më tej.
Më së shumti, shkrimet, në formë artikujsh të shkruar me një gjuhë të thjeshtë, të qartë dhe kuptimplotë, janë botuar nga autori, në vijueshmëri në gazetën egjiptiane "Al-Hayat Almasreya" (Jeta Egjiptiane), si pjesë bashkëpunimi ndërmjet Zyrës së Albapres-it dhe drejtuesit e gazetës. Krahas këtyre botimeve, gazeta u ka kushtuar vend edhe zhvillimeve të çështjes së Kosovës, duke përditësuar një informacion të plotë dhe kronologjik të realitetit kosovar.
Çdo artikull flet për një personalitet intelektual shqiptar, i bëhet një vështrim i shkurtër jetës, më tej veprimtarisë tij dhe analizohet ndikimi i tyre në jetën vendore dhe në arenën ndërkombëtare.
Këto artikuj janë publikuar në gazetën "Al Hayat", mjaft e njohur në botën arabe, me synimin qartësisht të dallueshëm: për të provuar se Kosova, si Shqipëria, është dheu i një qytetërimi të lashtë, e denjë dhe e aftë të marrë në duart e saj fatet e popullit dhe të ardhmes së vet.
Me pasion dhe vijueshmëri, autori ka nënvizuar nevojën e njohjes së rrënjëve të qytetërimit shqiptar -nga më të lashtët në Europë- nga bota përreth tij, nga bota përtej kufijve gjeografikë të Shqipërisë, Ballkanit dhe Europës si dhe bota brenda vendit të tij, Kosovës, i bindur në nevojën dhe domosdoshmërinë e brezave të rinj në njohjen e këtyre rrënjëve, si pjesë e identitetit të tyre, e së vërtetës, që, sa më shumë e më mirë të njihet, aq më shumë edukon, qytetëron e fisnikëron breza qytetarësh shqiptarë dhe, njëkohësisht, fiton respektin e merituar në radhët e kombeve të tjerë, me të drejta e detyra të barabarta.
Ideja e bukur se pema e lirisë, e progresit, demokracisë, barazisë e qytetarisë europiane, në Kosovë -si kudo gjetkë- rritet aq më lart sa më të thella të jenë rrënjët e qytetërimit e të kulturës autentike vendase, përçon edhe vazhdimësinë e kësaj sipërmarrjeje intelektuale dhe qytetare -unë do të shtoja dhe gazetareske e profesionale- por mbi të gjitha, atdhetare, të autorit Beqir Ismaili. Bëhet fjalë për botimin në gjuhën shqipe të këtyre tri vëllimeve -të shpresojmë- me të njëjtën vëmendje, kujdes dhe vazhdimësi si në shtypin egjiptian, këtë herë, në Kosovë.
Në kohët që jetojmë, të fb, internetit, të celularëve të sofistikuar - kur njerëzit ‘mësyhen’ nga dhjetëra e qindra informacione njëherësh, kur globalizmi synon të krijojë klishè kulturash, mendësish, interesash e indiferentizmi, kur kufiri midis vlerës, thelbësores dhe të rëndomtës e mosvlerës duket gjithnjë e më i zbehtë- nisma si këto botime, për të informuar, për të njohur veten, për të respektuar kultura duke njohur dhe respektuar në radhë të parë kulturën dhe prejardhjen tonë, duke u afruar me tradita e kultura të ndryshme, për t’u miqësuar dhe respektuar në mënyrë të ndërsjellë dhe dinjitoze, janë për t’u përshëndetur dhe vlerësuar, si qytetari, publicistikë, dokumentim e risjellje -në një të tanishme në vazhdim- të mendimit, traditës, të trashëgimisë sonë intelektuale, si një thesar me vlera unikale dhe gjithnjë aktuale për të ardhmen e kombit tonë.



Tiranë, 27 shtator, 2017
Vjollca Lisi

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.