Gratë po gjejnë vendin e tyre për falje në xhami

Vjosa Molliqaj, veshi një fund të gjatë, mbështolli kokën me një shami dhe u gjunjëzua që të falej. Rreth 12 gra, të moshuara e të reja, ishin ulur rreth saj dhe në qetësi lexonin Kuranin apo faleshin në ballkonin e grave, në xhaminë e katër llullave në qendër të Prishtinës.

Katër vjet më parë, para se të shpërngulej në Prishtinë, Molliqaj nuk kishte një hapësirë në xhami ku do të falej. Dy xhamitë në qytetin e saj të lindjes, Deçan, nuk kishin ballkon për gra. Në Prishtinë, çdo ditë në pushimin e drekës, Molliqaj falet në xhaminë që është vetëm disa minuta larg zyrës ku ajo punon. Në xhami, ajo është në paqe, aty mund të flasë me Allahun, ta falënderojë Allahun dhe të kalojë kohë me myslimanët e tjerë.
"Është një ndjenjë shumë e mirë të mund të shkosh në xhami ku mund të shkojnë edhe gratë. Aty kam pasur mundësinë të takojë shumë motra myslimane dhe kjo më ka dhënë forcë në besim dhe në praktikumin e islamit", thotë Molliqaj.
Besa Ismaili-Ahmeti, ligjëruese në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, thotë se gratë falen më shumë në shtëpi dhe hapësirat private, se sa që shkojnë në xhami. Pas shumë vitesh që burrat dominuan në xhamitë e para luftës 1998-99, ata nuk ndiheshin rehat me të parë gratë në këto ambiente", thotë Ismaili-Ahmeti.
"Gjenerata të burrave mësohen me mospraninë e grave në xhami", thotë Ismaili-Ahmeti.
Por, ky qëndrim po ndryshon me gjeneratat e reja të vajzave dhe djemve që po arsimohen në islam dhe po i pranojnë gratë në ambientet e xhamive. Shumë gra vijnë në xhami të premteve, dita e shenjtë islame.
"Është duke ndryshuar. Duhet të ndryshojë, është jo islamike", shton Ismaili-Ahmeti.
Në ligjin islam, gratë janë të barabarta me burrat, shpjegon ajo.
Ajni Sinani, imam dhe ligjërues në Fakultetin e Studimeve Islame, pajtohet me të.
"Pjesëmarrja e burrave dhe grave në xhami nuk ka kufizime, ata janë të barabartë", thotë Sinani përmes një përkthyeseje.
Sinani thotë se gratë nuk vijnë në xhami në numër të madh si burrat, pjesërisht për shkak të ndikimit shumëvjeçar serb, kur shumë myslimanë nuk ndiheshin të sigurt të shkonin në xhami. Gratë janë falur në shtëpi dhe tradita ua ndalonte që të shkonin në xhami, mirëpo kjo traditë po ndryshon.
"Tradita ka filluar të ndryshojë pas luftës, kur gratë mbushën xhamitë", thotë Islamili-Ahmeti.
Një tjetër arsye pse gratë mund të mos shkojnë në xhami është për faktin se burrat janë të obliguar të shkojnë, përderisa gratë jo. Por, Sinani thotë se, megjithatë është e pëlqyer që gratë të shkojnë të falen në xhami, sidomos për xhuma. Edhe nëse nuk shkojnë në xhami në numër të madh, Sinani thotë se gratë janë gjithmonë të mirëpritura.
"Sipas fesë islame, nuk ka pengesa për të shkuar për t'u falur brenda në xhami. As feja e as hoxhallarët nuk i ndalojnë gratë të shkojnë të falen në xhami", thotë Sinani.
Dhe shumë gra si Molliqaj, falen në tepihët e xhamisë.
Molliqaj kishte përfunduar lutjet. Pushimi i drekës kishte mbaruar, kështu që në orën 13:00, asaj iu desh të kthehej në punën e saj si programere e kompjuterëve. Ajo u kthye në zyrë, përderisa shumë gra të tjera mbushën shkallët e xhamisë. Një grua i dha fëmijës së saj të vogël të luaj me një telefon të dorës. Ai zuri vend në një karrige të plastikës, i kthyer nga dritarja. Disa gra qëndronin të ulura vetëm, disa të tjera në çifte. Në orën 13:00, gratë u ngritën në këmbë së bashku, dhe u rreshtuan krah më krah, duke formuar kështu një rresht e gjysmë. Tani kishte më shumë gra se kur Molliqaj kishte ardhur në pushimin e saj të drekës. Gratë u përkulën dhe u gjunjëzuan, secila duke u falur me një tempo me të tjerat, përderisa imami këndonte. Nehare Janjeve falet gjithashtu në xhaminë te katër llullat. Ajo u ngjit shkallëve të mermerta të xhamisë rreth orës 22:30, në mbrëmjen e së mërkurës. U zbath dhe u ngjit në ballkonin e grave. Disa gra tashmë ishin të mbuluara përderisa të tjerat vishnin fundet pa formë dhe shamitë e gjata. Ajo bisedoi me disa nga gratë para se të fillonte falja. Gratë ishin mbledhur në rresht. Këmbët dhe trupat e tyre në një vijë. Ato faleshin nën zërin e imamit, duke u ngritur dhe ulur përsëri për të vënë ballin në dysheme. Numri i burrave në katin e poshtëm e tejkalonte disa herë atë të grave. Janjeva tha se ndiente të njëjtën qetësi si Molliqaj në xhami. Ajo ndihet rahat në xhami dhe vjen gati çdo të premte për faljen e xhumasë. Xhamia është vetëm pak minuta larg nga vendbanimi dhe zyra e saj.
"Këtu, si grua, ndihem rahat", thotë Janjeva.
Ajo gjen paqe duke qenë me Allahun dhe me myslimanët tjerë, dhe gjen paqe duke pasur mundësinë të flasë me Allahun për jetën e saj.
Janjeva thotë se ka respekt të dyanshëm mes gjinive dhe se e trajtojnë njëri-tjetrin me dashuri. Shumë gra falen në shtëpi, sepse kujdesen për familjet e tyre. Po të shkonin në xhami do ta humbasin kohën e çmueshme në shtëpi.
"Është mirë të jesh në shtëpi, gratë bëjnë gjëra që janë të rëndësishme për familjen", thotë Janjeva.
Është zgjedhje e secilit se a do të falet në shtëpi, në vendin e punës apo në xhami, thotë Sinani. Megjithatë nëse falesh në xhami, ke mbështetjen e myslimanëve tjerë.
"Mund t'i thuash dikujt fjalë të mira apo ta ndihmosh dikë. Njerëzit që takon mund të kenë probleme që mund t'i diskutosh me ta dhe t'u ofrosh zgjidhje. Ti je një person aktiv në shoqërinë tënde", shtoi Sinani.
Por, disa xhami në Prishtinë nuk e kanë të njëjtën hapësirë për gra si xhamia te katër llullat.
Xhamia "Jashar Pasha" e ndërtuar në vitin 1835, është afër sheshit Nëna Terezë. Besimtarët ishin mbledhur në 16:30, në ditë pune për faljen e pas drekës. Ballkoni i grave në këtë xhami është shumë më i vogël, përafërsisht gjysma e madhësisë së xhamisë te katër llullat. Ballkoni mbeti i zbrazët, përderisa burrat mbushën gjysmën e katit të poshtëm. Vetëm disa metra më larg, besimtarët ishin mbledhur një nga një për t'u falur rreth orës 17:00, në një xhami më të madhe. Edhe këtu ballkoni mbeti i zbrazur. Pas faljes, burrat ngritën një perde blu në të gjelbër në oborr, që bllokonte pamjen nga hyrja. Ismaili-Ahmeti thotë se gratë duhet ta kenë mundësinë ta shohin imamin e tyre, e jo t' u pengohet kjo me perde.
Yosef Estes, që ishte në xhami, thotë se perdja është aty për t'i ndarë burrat dhe gratë gjatë faljes së asaj nate, falje e veçantë në muajin e Ramazanit. Gratë rrinin të ulura jashtë në oborr, përderisa burrat kishin zënë vendet e tyre brena në xhami. Gratë janë gjithmonë të mirëseardhura të falen, thotë ai, por, gratë gjithashtu kanë detyra në shtëpi. Ato mund të falen në shtëpi nëse duhet të përkujdesen për fëmijët.
Ymer Gushlla, shkon vazhdimisht në xhami në Prizren. Ai thotë se gratë dhe burrat falen ndaras, sepse falja kërkon shumë përkushtim dhe myslimanët nuk duan asnjë shpërqendrim përderisa janë duke u falur. Gushlla thotë se nuk sheh shumë gra duke u falur në xhami, edhe më pak kur nuk është Ramazan. Gratë ishin vendosur në një ballkon të vogël të një pjese tjetër prapa xhamisë. "Jam i sigurt që po të kishte më shumë vend, gratë do të vinin të faleshin", thotë Gushlla.
Por, gratë si Janjeva dhe Molliqaj po gjejnë paqe në xhami. këtu gratë mund të flasin me myslimanët tjerë që gjenden aty për të njëjtin qëllim.
" Aty takon shumë njerëz që janë aty për të njëjtin qëllim dhe kjo bën që të gjithë të ndihen si motra e vëllezër edhe nëse është hera e parë që i sheh", thotë Molliqaj.
Ajo thotë se mund të mësojnë prej njerëzve të tjerë dhe imamit në xhami, dhe se ndihet e lumtur nga brenda, sepse ka një vend ku mund ta falënderojnë dhe t' i luten Allahut.



Laura Fitzgerald (praktikante që raporton për Kosova Live këtë verë, në bashkëpunim me Universitetin e Majamit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës)
Përktheu dhe përshtati: Bulza Çapriqi
DituriaIslame 321-322

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.