Tahir Efendi Boshnjaku – Gjakova

Tahir efendiu, në letrat shqipe njihet me tre mbiemra: si Tahir Efendi Boshnjaku, Tahir Efendi Gjakova dhe Tahir efendiu i Madh. E mbiemëruan Boshnjaku, sepse lindi në Jeni Pazar (Tregu i Ri - Novi Pazar) ku popullsia shqiptare prej kohësh jetonte në fqinjësi me atë boshnjake; E mbiemëruan Gjakova, sepse aty e filloi karrierën profesionale dhe aty e kaloi jetën; E mbiemëruan dhe e cilësuan si Tahir Efendiu i Madh, në shenjë mirënjohje për veprën e madhe që la.

Mbështetur në të dhënat që i kemi nga pasardhësit e vajzës së Tahir efendiut, Halimes, del se ai është lindur rreth vitit 1770, në fshatin Llukare që ndodhet afro gjashtë kilometra në jug-perëndim të Jeni Pa-zarit. Banorët e këtij fshati iu përkasin dy familjeve të mëdha: të Saraçëve dhe të Pllojajve. Familja e Saraçëve, nga e cila rrjedh Tahir Efendiu është e fisit Kastrat.(2)
Pas mbarimit të studimeve në Stamboll, Tahir Efendiu filloi të punoj myderriz në Medresenë e Vogël të Gjakovës, e njohur në burime të shkruara osmane si Medrese-i xhedid (Medreseja e Re). Ai qe myderrizi i parë i kësaj medreseje, të ndërtuar rreth vitit 1807. Domethënë rreth njëqind vjet pas Medresesë së Madhe (Medrese-i atik), e ndërtuar nga dera fisnike e Kurtpashëve - Kryezive të Gjakovës në vitin 1707 dhe e shquar për nga niveli i lartë intelektual i myderrizëve të sajë, që nga i pari Yvejs Efendiu e këndej.
Tahir Efendiu, në Medresenë e Re e angazhoi si asistent të vetin njërin ndër studentët më të dalluar të tij. Edhe ai quhej Tahir dhe vinte nga i njëjti fshat, por nga familja e Pllojajve. Asistentit të vet Tahir Efendiu i dha për grua të bijën e madhe Halimen. Nga këta pastaj u lind Vejseli dhe një Tahir tjetër, i cili lindi pas vrasjes së të et, në rrethana të pandriçuara në vitet 1838-39. Pasardhësit e tyre vazhdojnë të shtohen e të rriten edhe sot.
Datëlindja dhe datëvdekja e Tahir Efendi Gjakovës nuk është dokumentuar ende, por mbështetur në datat e përfundimit të veprave të tij, mund të thuhet me siguri të plotë se ai ka vepruar gjatë viteve 1810-1843. Prej vitit 1810 ka punuar mësimdhënës në Medresenë e Vogël, ndërsa brenda viteve 1832- 1843 ka shkruar veprat e veta.
Interesimi kërkimor shkencor për veprën e Tahir Efendi Gjakovës, ka nisë që në dekadën e tetë të shek. 19 atëherë kur ende kishte njerëz që e kishin njohur nga afër dhe që ruanin kujtime të freskëta për te. I pari që u interesua për Tahir Efendi Gjakovën, qe Jani Vreto (1822- 1900). Vretoja qysh në vitin 1879 kishte shkruar: "Tahir efendiu, ma bëri të njohur në Stamboll një gjakovar që quhej Hysen efendi, duke më thënë se sipas gojëdhënës ai ishte një njeri i shenjtë dhe shkroi shqip me shkronja arabe këshilla fetare në shumë dorëshkrime, të cilët, pasi i lidhi mirë me dorën e vetë, ua dha miqve të tij nga një secilit. Tahiri, (do të jetë: Hyseni. N.K.) më tha se edhe vetë kishte një kopje në shtëpinë e tij në Gjakovë. Kur u largua me shërbim më udhëzoi ta kërkoja dorëshkrimin tek gjakovarë të tjerë që ndodheshin në Stamboll dhe më të vërtetë e gjeta tek një tjetër Tahir ... "(3)
Emri i Tahir efendiut zgjoi interesim më të madh në opinionin shkencor dhe publik, pas botimit të veprës së tij "Vehbije" (Dhuratë) më 1907 në Sofje, të cilën e transkriptoj Ismajl haxhi Tahir Gjakova, sekretar, këshilltar e bashkëpunëtor i Haxhi Zekës (1832-1902). Ky botim, megjithë mangësitë e gabimet që ka, i dha jehonë të mirë emrit të Tahir efendiut. Përveç gabimeve jo të pakta, që janë bërë në transkriptimin e veprës së cekur, në këtë botim edhe titulli i veprës është dhënë gabimisht: "Emni Vehbije", gabim ky që është përsëritur më vonë edhe nga studiues të tjerë, që kanë zënë në gojë këtë vepër. Tahir efendiu, qartë e thotë emrin e veprës, që në fillim të saj, me këto fjalë:
"Emni: Vehbije. Vezni i kësaj oshtë kështu: Failatun-failatun-failat",
Vepra e Tahir efendiu t u gjet në fokus të interesimit të Lumo Skendos (alias Mid'hat Frashërit), hulumtues i pasionuar, shkencëtar erudit dhe njëri ndër bibliografët e parë dhe të mirëfilltë shqiptarë. Lumo Skendo në përshkrimin bibliografik që i bëri mevludit me titull: "Manzumet-yl-mevlud, fi efdalil-mevxhud bi lisani'l-arnaud (Vjersha e mevludit në gjuhën shqipe për qënien më të vlefshme)" ia konteston autorësinë e kësaj vepre Tahir Popovës, duke thënë: "Rrëfehet se autor i këtij mevludi nuk është vërtet Tahir efendi Popova, por një Tahir efendi Jakova, i njohur në Kosovë me emrin Tahir efendi i Math; ky, thuhet se paska lënë disa shkrime shqip midis të cilëve edhe këtë mevlud, të cilin, duke e ndryshuar pakë, e ka botuar njëemërsi i tij prej Popove.”(4) Kujtojmë se ky deklarim publik i Mid'hat Frashërit, është një argument serioz, por jo edhe i vetmi, që vepra në fjalë të konsiderohet e Tahir efendiut të Madh. Si mbështesë për këtë kemi shfaqur më herët ca argumente.(5) Këtu mund të shtojmë dhe një; Në faqen 15 të këtij mevludi jo rastësisht është përdorë fjala "e mestiti", në kuadër të bejteve "E mestiti këtë mevludin ni fakir // për rahmet Zotit kul-li shej'in kadir. Emni Muhamed-Tahir bin Halil // bani afv hem epu xhennet ja Xhelil". Në vendlindjen e Tahir Popovës dhe në rrethinë fjala "me mestit" ka kuptimin me hedhë mazë dhe, rëndom, përdorët nga magjetoret për të shprehur veprimin që bëjnë pasi të kenë qitur petullën e fundit të flisë dhe para se ta kenë futur flinë nën saç.
Tahir Popova me këtë fjalë do të ketë synuar të shprehë një lloj redaktimi që mund t'i ketë bërë tekstit të mevludit, të shkruar më herët nga Tahir efendiu i Madh.
Një vështrim kritik për "Vehbijen" e Tahir efendiut duke riprodhuar edhe disa pjesë të saj, ka botuar H. Kaleshi. Në këtë vështrim Kaleshi përveç të tjerash, shkruante: "Duke lexuar veprën e tij, vijmë në përfundim se ai ka qenë fort i ngritur, sepse mirë njihte traditën islame, të gjitha disiplinat fetare dhe metrikën arabe".(6)
Kontribut të veçantë dhe të vlefshëm gjuhësor për "Vehbijen" e Tahir efendiut, gjithsesi ka dhënë prof. Idris Ajeti.(7)
Kontributin që ka dhënë Tahir efendiu në pasurimin e gjuhës letrare shqipe me neologjizma e ka vlerësuar prof. Çabeji, duke thënë: "Do të përmendet që Tahir Boshnjaku prej Gjakovë që më 1835 shtiu në përdorim disa fjalë si: mësues, nxanës, digues, dis, folës, kallxues, shtis, etj., si pështim, randim, rrënim, rrëzim, të cilat me të tjera rrugë u bënë pastaj pronë e leksikut abstrakt të gjuhës shqipe"(8)
Gjurmuesit dhe studiuesit e veprës së Tahir Efendi Gjakovës kanë njohur vetëm tri vepra të këtij autori të shkruara në gjuhën shqipe me alfabet arabo-osman. Njëra është Vehbija, e shkruar në poezi dhe prozë, sipas shembullit të shumë veprave në letërsitë orientale islame, e përfunduar .në vitin 1835, e transkriptuar dhe e botuar nga Ismail Haxi Tahir Gjakova në Sofje më 1907 dhe e ribotuar me një studim kritik shkencor nga Profesor Idriz Ajeti më 1960. Vepra tjetër e Tahir Efendiut në gjuhën shqipe është Mevludi që e botoi me emrin e vet Tahir Popova (vd. 18 qershor 1949). Vepra e tretë e Tahir Gjakovës mban titullim "Tefsir-ul-ajat 'ala lisan-il-arnaud" (Koment i ajeteve në gjuhën shqipe). Për këtë vepër në dorëshkrim, ka mbetur vetëm një shënim bibliografik i H. Kaleshit dhe informacioni i konfirmuar edhe nga Regjistri i librave dhe dorëshkrimeve të Bibliotekës së Vakëfit në Prishtinë,(9) se ai dorëshkrim ruhet në këtë bibliotekë me numrin e signatures 1238. Për fat të keq, kësaj vepre i kanë humbur gjurmët dhe përpjekjet tona për ta gjetur atë, deri tani nuk kanë dhënë rezultate. Sipas shënimit bibliografik të Kaleshit, dorëshkrimi ka 28 faqe të pa paginuara, është format xhepi dhe shtjellon problemin e gjakmarrjes dhe dëmin që sjell ajo.
Gjatë hulumtimeve në terren, kemi gjetur dhe identifikuar edhe katër vepra të panjohura të Tahir Efendi Gjakovës në dorëshkrim. Tri prej tyre janë në gjuhën osmane, kurse një në gjuhën arabe. Dy nga veprat që janë shkruar në gjuhën osmane, janë vepra poetike.
Vepra e parë që kemi gjetur, mban titullin "Kitab-i tenbihijjet" (Libri i paralajmërimeve". Është në gjuhën osmane, në prozë. Dorëshkrimi numron 51 faqe të formatit 16.5 x 11cm. Është shkruar me shkrimin nes'h të vokalizuar dhe është përfunduar nga autori më 7 janar të vitin 1837. Nuk është autografi, por kopje e një Mulla Ademit nga Gjakova, mbase nxënës i Tahir efendiut. Vepra është një lloj ferrëfenjësi (ilmihal) dhe iu dedikohet nxënësve respektivisht studentëve. Autori veprën e fillon me një sentencë në gjuhën shqipe: 'Pa u hup nimeti, s'i dihet kimeti'. Poashtu edhe përfundimi i veprës është bërë me fjalët shqipe: 'Mos harro ti me thonë Tahir Efendija njeri mire u konë, Zot ynë i boft rahmet përgjithmonë'.
Kjo vepër, përveç rëndësisë që ka si ferrëfenjësi i parë i këtij lloji që është shkruar deri sot nga një autor shqiptar, ka edhe rendësi të veçantë informuese për veprat tjera të këtij autori. Tahir efendiu në këtë vepër i përmend edhe dy vepra tjera poetike të tij. Ato janë "Hyda Rabbëm" (Perëndia është Zoti im) dhe "Hazine-i Din" (Thesari i Fesë).(10) Po në këtë vepër, autori ynë duke përmendur pseudonimin e vet poetik "Zaifi", na jep edhe një informacion tejet të rëndësishëm për hulumtimin e mëtejshëm të veprimtarisë së tij letrare e shkencore. Të cekim këtu se këtë pseudonim, përveç Tahir Efendiut e kanë përdorë, sipas A. S. Levendit, të paktën edhe gjashtë poetë osmanë, që kanë jetuar dhe vepruar në Perandorinë Osmane.(11) Në këtë vepër Tahir efendiu i sugjeron lexuesve leximin e veprës së tij në gjuhën shqipe "Ve-hbije" dhe i bën një reklamë të mirë asaj, duke thënë: "Po deshe skjarime më shumë se këto, kemi shkruar në Vehbijen tonë që është shqip. Po ta dinin njerëzit se ç'është vehbija ime, një flete të sajë do t'i jepnin dhjetë rubije, të tërës do t'i jepnin njëqind hajrije, mësuesit të sajë do ti jepnin një mahmudije.”(12)
Vepra tjetër e Tahir Efendiut "Hyda Rabbëm" (Perëndia është Zoti im), është nga fusha e apologjetikës islame (akaid). Është në gjuhën osmane dhe numëron 10 faqe. Vepra është shkruar në vargje për qëllime praktike didaktike. Është përfunduar së shkruari në vitin 1832. Kemi gjetur tri kopje të kësaj vepre por jo edhe autografinë e Tahir efendiut. Dy prej tyre, janë kopjuar nga Bajram Jusuf Doli, kurse njëra, nga Muhamed Tahir Jaka, që të dy nga Gjakova.
Nga vepra tjetër e Tahir Efendiut në gjuhën osmane, "Hazine-i Din" (Thesari i Fesë) kemi gjetur vetëm dy faqet e fillimit. Edhe kjo vepër është shkruar në vargje. Është me rendësi që këto dy faqe janë të shkruara nga dora e vet autorit (autografe). Këtë vepër autori ynë e fillon me këto vargje:
"Beso im bir se xhahili(13) s'bëhet dëshmor as luftëtar
Njeri fatzi gjithnjë mbetet injoranti n'këtë dynja.
Njeriu xhahil është më i keq se sa shtaza që han bar
Është armik i Qitapit(14) dhe i fesë n'këtë dynja.
Xhahilin ti e ke armik edhe në qoftë baba yt
Ndotës(15) i tokës veçse është xhahili n'këtë dynja ".

Vepra e Tahir Efendiut në gjuhën arabe, nuk ka titull, por në bazë të lëndës që shtjellon mund të quhet Libër mbi namazin, sepse bën fjalë për gjithçka që lidhet me namazin. Dorëshkrimi ka 56 faqe të formatit 20x15 cm. Është shkruar në vitin 1843. Në disa faqe të këtij dorëshkrimi gjejmë shënime interlineare dhe margjinale në gjuhën osmane.
Si përfundim mund të thuhet se Tahir Efendi Gjakova ka qenë shkrimtar dhe krijues poetik në gjuhën shqipe, osmane dhe arabe, neolog dhe lëvrues i dalluar i gjuhës shqipe, myderriz dhe dijetar me famë, përkthyes dhe ekzegjet selektiv i Kur' anit, skriptor dhe libërli-dhës, si dhe njëri nga veprimtarët më të mëdhenj dhe më mbresëlënës intelektual të gjysmës së parë të shek. XIX.


__________________________
- Të dhënat për jetën dhe veprën e Tahir efendi Gjakovës, që po botohen këtu, janë manë nga kumtesa e autorit të këtij punimi, me titull Të dhëna të reja për jetën dhe veprën e Tahir Efendi Gjakovës. lexuar në Simpoziumi Ndërkombëtar "Gjashtë shekuj të Islamit ndër shqiptarë", Prishtinë, 16-17.09.2006. Botohen për herë të parë.
2. Informacione gojore me interes për vendlindjen dhe për pasardhësit e Tahir efendiut, kemi marrë nga zotrinjtë Haxhi Hysejn Zatriqi dhe vëllau i tij Prof. Dr. Ali Zatriqi, në shtëpinë e Dr. Aliut, më 12 Maj 1992. Në shtëpinë e Dr. Aliut është rruajtur me shumë kujdes e dashuri autografia e Vehbijes së Tahir efendiut. Këtë dorëshkrim të vet autorit, Dr. Aliu, pat mirësinë të ia dhurojë Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, përmes meje, në vitin 2004. Tani ruhet në Koleksionin e Dorëshkrimeve, me nr. të signaturës D. SH. 700. Këta më kanë informuar se janë pasardhës të Tahir Efendiut, nga ana e vajzës së tij të madhe Halimes (Lrreth vitit 1808). I falënderoj për informacionet dhe për dorëshkrimin.
3. Jani Vreto, Mendime mbi shkrimin e gjuhës shqipe, në Jani Vreto, Vepra të zgjedhura, Tiranë 1973, f. 263.
4. "Dituria" nr. 1, Tiranë, 1926, f. 36-37.
5. Nehat Krasniqi, Mevludet në letërsinë shqipe me alfabet arab, në" "Dituria islame", nr. 30-31, Prishtinë, 1991, f. 26-27.
6. Hasan Kalesi, Prilog poznavanja arbanaske knjizevnosti is vremena Preporoda, në: Godisnjak, 1, Balkanoloskog Instituta u Sarajevu, Sarajevo, 1956, f. 361.
7. Idris Ajeti, Pamje historike e ligjërimit shqip të Gjakovës në fillim të shek. XIX, në: Studime gjuhësore II, Prishtinë, 1978.
8. Eqrem Çabej, Mbi disa çështje të traditës së shkrimit dhe të drejtëshkrirnit të shqipes, në: Studime filologjike, 1, Tiranë 1973, f. 100.
9. Informacioni na ka ardhur nga z. Sadik Mehmeti, i cili edhe e ka gjetur këtë Regjistër (të përpiluar nga hfz. Bajram Agani), në Arkivin e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, në Prishtinë
10. Këto të dhëna janë në fl 17a të veprës "Libri i paralajmërimeve" së Tahir Efendiut në dorëshkrim. Të tri dorëshkrimet e Tahir Gjakovës në gjuhën osmane i kam përkthyer në gjuhën shqipe dhe shpresoj të botohen së shpejti.
11. Agah Sirri Levend, Turk Edebiyati Tarihi, Ankara, 1984, f. 260, 265, 283, 289,392.
12. Dorëshkrimi "Libri i paralajmërimeve" fl. a/b. Autori ynë në veprën e tij gjuhës shqipe nuk i thot arnavutça, siç quhej ajo në gjuhën osmane, por i thotë "shqip" (Bundan ziyade beyan istersen, shqip olan Vehbiyemizde yazdik), Këtë dashuri fanatike për gjuhën amtare, nuk e kemi hasur te ndonjë autor tjetër shqiptar që ka shkruar osmanisht. Ky, besoj, do të jetë i vetmi rast.
13. Xhahil (ar.) = injorant.
14. Qitap (turq.) »Kitab (ar.) = libër. Këtu është fjala për Librin hyjnor Kur'anin.
15. Në këtë vend, autori ka përdorë një fjalë më të rëndë, të cilën e kemi zbutur për respekt ndaj autorit dhe ndaj lexuesit.



Nehat Krasniqi

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.