Kur’ani famëlartë është mrekulli e përhershme (I)

Falënderimi i qoftë Allahut Krijuesit të gjithësisë, urata dhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin, e familjen dhe mbarë shokët e tij. Kërkojmë mbrojtjen e Allahut nga të këqijat tona dhe nga punët tona të këqija. Atë që e udhëzon Allahu në rrugë të drejtë, nuk mund askush ta devijojë, ndërsa atë që e lë Ai në rrugë të gabuar, nuk mund ta udhëzojë askush. Dëshmojmë se nuk ka zot përveç Allahut, të vetmit që nuk ka shok, dhe dëshmojmë se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.

Zoti i Madhërishëm i dërgoi njerëzimit shumë pejgamberë për t’i ftuar dhe udhëzuar në rrugën e besimit të drejtë dhe të veprave të mira. Përveç inspirimit me shpallje, për ta dëshmuar vërtetësinë e pejgamberisë së tyre ndaj kundërshtarëve Ai ua mundësoi edhe sjelljen e argumenteve dhe shfaqjen e mu’xhizeve-mrekullive – veprave mbinatyrore. Mrekullitë e pejgambereve kanë qenë në përputhje me nivelin intelektual të popullit përkatës dhe kishin karakter ngadhënjyes mbi kundërshtarët e tyre. Ato kanë qenë dy llojesh: ‘Muxhizetu hissijje – mrekulli shqisore’, që kanë mundur të dëshmohen dhe të perceptohen me anë të shqisave: shikimit, dëgjimit etj., ose ‘muxhizetul aklije – mrekulli mendore’, që mund të kuptoheshin e të perceptoheshin përmes logjikës së shëndoshë. Mrekullitë e llojit të parë kishin efekt momenti a të përkohshëm, andaj kishin mundur t’i shihnin vetëm ata që ishin të pranishëm kur shfaqeshin para tyre, e pastaj ngelnin vetëm si rrëfime... Me këtë lloj mrekullish kanë qenë të pajisur pejgamberët e mëhershëm, po në disa raste edhe pejgamberi ynë, Muhamedi a.s.. Të këtilla kanë qenë: shndërrimi i shkopit të Musait a.s., me urdhër të Zotit xh.sh., në gjarpër, i cili përbiu litarët e magjistarëve, të cilët nga hipnoza dukeshin se ishin gjarpërinj; dalja e devesë nga shkëmbi në kohën e Salihut a.s.; shërimi i të verbërve e të zgjebosurve dhe ngjallja e të vdekurit, me urdhër të Zotit xh.sh., nga Isai a.s. etj. Efektet e mrekullive nga lloji i dytë janë me karakter të përhershëm dhe kanë shërbyer e shërbejnë si argumente si për njerëzit e pashkolluar, ashtu edhe për shkencëtarët. Me mrekulli të tilla ka qenë i pajisur Muhamedi a.s. ndërsa mrekullia kryesore me të cilën dëshmohej qartë vërtetësia e pejgamberisë së tij, ka qenë dhe mbetet Kur’ani famëlartë.
Allahu i Madhëruar, sa herë që u dërgoi njerëzve pejgamberë për t’i udhëzuar në rrugë të drejtë, në vend që t’u besonin e t’i dëgjonin, fatkeqësisht ata i kundërshtonin dhe kërkonin prej tyre mrekulli dhe vepra mbinatyrore. Kjo i ndodhi edhe Muhamedit a.s. pas marrjes së shpalljes nga Allahu i Madhëruar dhe fillimit të thirrjes së njerëzve në fenë islame. Kundërshtarët e tij duke u munduar që ta përgënjeshtrojnë pejgamberinë e tij, përveç të tjerash, i thanë se nuk do t’i besonin për të dërguar nga Allahu përderisa të mos e shndërronte kodrën Safa në ari ose kodrat shkëmbore të Mekës në tokë pjellore ku do të buronin kroje, ose derisa të mos ketë pallat prej arit dhe bahçe me hurma e vreshta, nën të cilat do të rridhnin lumenj. Ose derisa të mos ngrihet në qiell e t’u sjellë një libër, të cilin mund ta lexonin vetë, apo derisa të mos ua prezantonte atyre Zotin dhe meleqtë etj. Meqenëse këto kërkesa të tyre ishin të palogjikshme dhe me karakter mbinjerëzor, Allahu i Madhëruar i tha Muhamedit a.s.: “Thuaj: Lavdi i qoftë Zotit tim, a jam unë tjetër përveçse njeri pejgamber”. (El-Isra, 93)
Paria e Mekës gjithashtu kërkuan nga Muhamedi a.s. që t’u sillte ndonjë mrekulli për ta argumentuar pejgamberinë e tij, siç patën vepruar pejgamberët e mëparshëm.
“Dhe thonë pse nuk po i zbresin atij mrekullitë nga Zoti i tij. Thuaj, mrekullitë janë vetëm tek Allahu, kurse unë jam vetëm këshillues i qartë. A nuk u mjafton atyre që Ne ta kemi shpallur ty librin, i cili u lexohet atyre…” (Ankebut, 50-51).
Zoti i Madhërueshëm nuk ia mundësoi Muhamedit a.s. plotësimin e kërkesave të tyre për shkak se e dinte që ata nuk do të besonin, po do t’i quanin magji, andaj, e porositi që t’i njoftonte se mrekullitë janë vepra të Allahut xh.sh. dhe, ai nuk është kompetent për to. Në ajetin e dytë Allahu xh.sh. ua tërhoqi vërejtjen lidhur me kërkesa për mrekullitë duke u thënë pse, a nuk u mjafton atyre Kur’ani për mrekulli e argument, i cili vërteton dërgimin e Muhamedit a.s. për pejgamber nga ana e Tij.
Ata kërkonin mrekulli me karakter shqisor nga Muhamedi a.s., kurse Allahu i Madhërueshëm i orientonte tek mrekullitë intelektuale të Kur’anit. Më në fund Ai premtoi se do t’ua tregojë njerëzve argumentet e Tij në gjithësi dhe në organizmin e tyre, pra përmes zbulimeve të tyre në astronomi dhe mjekësi, kështu që do të binden, se Kur’ani është i vërtetë dhe i shpallur nga Krijuesi i Gjithësisë.
Kur’ani është libër të cilin Allahu i Madhërishëm ia shpalli Muhamedit a.s. përmes melekut Xhibril a.s., për t’i nxjerrë njerëzit nga errësira në dritën e vërtetë të besimit islam. Mesazhi universal i tij i është drejtuar tërë njerëzimit pa dallim origjine familjare, kombi, race apo klase, dhe është i plotfuqishëm deri në Ditën e Kiametit. Përmbajtja e Kur’anit ka karakter inspirues, është aktuale për çdo kohë e vend, dhe në urtësinë e saj gjen këshilla, udhëzime e prehje shpirtërore si arabi ashtu dhe joarabi, si i shkolluari ashtu dhe i pashkolluari, si i pasuri ashtu dhe i varfri dhe si sundimtari ashtu dhe qytetari i thjeshtë. Kur’ani përmban në vete argumente, fakte, fshehtësi dhe mrekulli të shumta, me zbulimin e të cilave në vazhdimësi do të binden njerëzit se vërtet ai është i shpallur nga Zoti i Madhërishëm dhe se Muhamedi është i dërguar i Zotit. Si i tillë, Kur’ani është një mrekulli e përhershme, shumëdimensionale, përmbajtja e të cilit ka mahnitur si arabin beduin të shekullit të shtatë, ashtu dhe shkencëtarin evropian të shekullit njëzet.
Vlera e përhershme e mesazhit të Kur’anit dhe e mrekullive të tij më së miri kuptohet nga ajetet në vijim, në të cilat Allahu xh.sh. ka thënë: “Thuaj (o Muhamed) Allahu është dëshmitar mes meje dhe jush. Mua më është shpallur ky Kur’an për t’jua tërhequr vërejtjen juve dhe kë e arrin (komunikimi i tij)”. (En-A’am, 19).
“Ne, kur ta lexojmë atë (Kur’anin), ndiqe (me vëmendje) leximin e tij. Pastaj mbi Ne është detyrë sqarimi i tij”. (El-Kijameh, 19).
“Ne do t’ua dëftojmë atyre (që të shohin) argumentet tona në horizonte dhe në vetë ata derisa t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë”. (Fussilet, 53).
“Çdo lajm (informatë) e ka kohën (e caktuar) e pastaj ju do ta dini”. (En-A’am, 67)
“Thuaj, falënderimi i qoftë Allahut, Ai do t’ju tregojë argumentet e Veta dhe ju do t’i njihni (kuptoni) ato…” (En-Neml, 93).
Premtimet e lartpërmendura të Allahut xh.sh. kanë filluar të bëhen realitet në forma të ndryshme që nga koha e fillimit të shpalljes së Kur’anit, kanë vazhduar deri më sot dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Argumentet dhe mrekullitë e Kur’anit në fillim vërtetoheshin nga paaftësia e kundërshtarëve për ta imituar atë, mandej me zbulimet e ndryshme shkencore të myslimanëve, kurse në shekujt e fundit edhe me zbulimet e shumta shkencore edhe të jomyslimanëve. Mrekullitë dhe kuptimet e vër- teta të Kur’anit do të zbulohen vazhdimisht, ngase ai është burim i pashtershëm për të gjitha gjeneratat deri në Ditën e Kiametit.
Në lidhje me këtë aspekt, Muhamedi a.s. ka thënë: “Nuk ka pasur asnjë pejgamber të cilit nuk i janë dhënë argumente (mrekulli) të ngjashme për t’i besuar njerëzit, kurse ajo që më është dhënë mua, është shpallja (Kur’ani) me të cilin Zoti më frymëzoi, andaj shpresoj se ndër pejgamberët, në Ditën e Gjykimit do të kem më së shumti ithtarë”. (Transmeton Buhariu).
Aliu r.a. tregon se e ka dëgjuar Pejgamberin a.s. të ketë thënë: “Vërtet do të ketë mosmarrëveshje (pas meje). Unë i thashë ku është rrugëdalja o i dërguari i Zotit? Ai u përgjigj: Në Librin e Allahut (Kur’anin), në të janë tregimet për atë ç‘ka ndodhur para jush e për atë ç‘do të vijë pas jush dhe ai është Ligj (gjykues) mes jush. Ai është sqarues (i së vërtetës nga e pavërteta) e nuk është mahi, kush e braktisë atë nga mendjemadhësia, Allahu atë e shkatërron, e kush kërkon udhëzim pos Kur’anit, Allahu atë e shpie në humbje. Kur’ani është litar i fortë i Allahut, këshillë e urtë, rrugë e drejtë. Ai është i tillë që me të nuk devijojnë epshet dhe nuk ngatërrohen me të gjuhët. Dijetarët nuk ngopen me Kur’an, as nuk kanë fund mrekullitë e tij. Kush flet me Kur’an, flet drejt; kush vepron sipas tij, shpërblehet; kush gjykon sipas Kur’anit, gjykon drejt; ndërsa kush thërret tek ai, udhëzon në rrugë të drejtë”.
Kur’ani është mrekullia e përsosur, si për nga stili gjuhësor, ashtu edhe për nga përmbajtja shkencore e tij. Arabët, edhe pse kishin arritur ta zhvillonin në kulm letërsinë (gojore dhe të shkruar), kur i dëgjuan për herë të parë fjalët e bukura të Kur’anit, me një stil të lartë e me përmbajtje të prekshme, edhe poetët më të njohur të tyre, patën mbetur të habitur. Poeti me famë, Lubejdi, poezitë e të cilit ishin shpallur ndër më të mirat në festivalin letrar në “Ukadh”, nga fjalët e mrekullueshme të Kur’anit, mbeti i mahnitur, dhe e pranoi Islamin duke u shprehur se ato fjalë mund të ishin të shpallura vetëm nga Zoti i Madhërishëm. Ndërsa Velid ibni Mugire, i cili ka qenë njëri ndër poetët dhe oratorët më të shquar të Mekës, pasi kishte dëgjuar disa ajete uranore nga Muhamedi a.s., me admirim pati thënë se ato kishin përmbajtje të ëmbël, ishin si hurma – me rrënjët të thella, ndërsa me degët plot fruta. Ato ishin dominuese dhe nuk kishte mundësi të dominoheshin nga të tjerë. Më vonë për shkak të akuzave të ndryshme të parisë së Mekës, të cilës i takonte edhe ai, këtë vlerësim të lartë për Kur’anin u detyrua ta ndryshonte për të thënë se fjalët e tij nuk janë tjetër përveçse fjalë magjike që ndikojnë.
Paria e fisit Kurejsh, duke u frikësuar nga ndikimi gjithnjë e më i madh i fjalëve të Kur’anit tek njerëzit, filluan të propagandonin se Muhamedi ishte magjistar ose vjershëtar, andaj ato i hartonte vetë. Zoti i Madhërishëm akuzat e tilla të tyre i demantoi duke kërkuar prej tyre që të përpilonin një libër si Kur’ani, dhjetë kaptina, ose më në fund vetëm një kaptinë, si ato të tij: “Dhe, nëse dyshoni në atë që i kemi shpallur robit tonë (Muhamedit), atëherë sillni një kaptinë të ngjashme me të, dhe thirrni dëshmitarë (ndihmësit) tuaj nëse jeni të sinqertë. Po, nëse nuk e bëni, dhe nuk do të mund ta bëni (kurrë), atëherë ruajuni zjarrit, lëndë djegëse e të cilit do të jenë njerëzit dhe gurët, që është përgatitur për jobesimtarët”. (Bekare, 23-24).
Zoti i Madhërishëm i ftoi në konkurrencë dhe i sfidoi të gjithë ata që mendonin se Kur’ani ishte produkt i mendjes njerëzore duke kërkuar prej tyre që, në bashkëpunim, të hartonin qoftë edhe vetëm një kaptinë (sure) si ato të Kur’anit, për t’i vërtetuar pretendimet e tyre. Në anën tjetër, duke njohur paaftësinë e mendjes njerëzore për t’u bërë konkurrencë fjalëve hyjnore të Kur’anit, Ai i paralajmëroi se një gjë të tillë nuk do të mund ta bënin kurrë dhe i kërcënoi me ndëshkimin me zjarr. Megjithatë, disa poetë arabë, nga urrejtja dhe xhelozia, u munduan për t’i imituar disa ajete kuranore, por pa sukses, sepse përmbajtja e tyre jo vetëm që nuk pati fuqi frymëzuese shpirtërore fetare në krahasim me atë të Kur’anit, por nuk pati as vlera poetiko-letrare. Nga ky veprim i tyre, përkundrazi, doli në shesh dobësia e paaftësia e tyre dhe u vërtetua prejardhja hyjnore e Kur’anit.
Kjo mrekulli kuranore u vërtetua, ngase jo vetëm poetët e njohur të kohës së shpalljes së tij, por as filozofët dhe shkencëtarët me famë botërore deri më sot, nuk kanë mundur t’u bëjnë konkurrencë fjalëve të Kur’anit ose t’i demantojnë ato dhe me siguri nuk do të kenë mundësi as pas sot.
Nga frika e ndikimit të madh të fjalëve tërheqëse të Kur’anit dhe e kalimit të njerëzve në fenë islame, paria e Mekës ua tërhiqte vërejtjen njerëzve që të mos e dëgjonin leximin e Kur’anit ose së paku të bënin zhurmë që të mos kuptohej leximi i tij. Mirëpo, ata vetë, nga kureshtja e madhe, fshehtazi dhe pa dijen e njëri-tjetrit, shkonin natën për ta dëgjuar rreth shtëpisë së Zejd ibni Erkamit, ku mblidheshin shokët me Muhamedin a.s.. Një natë kishin shkuar veç e veç Ebu Xhehli, Ebu Sufjani dhe Ahmed bin Shureki (që të tre kundërshtarë të përbetuar të fesë islame), dhe secili ishte fshehur në një vend të errët. Secili mendonte se vetëm ai kishte shkuar për ta dëgjuar leximin e Kur’anit nga Muhamedi a.s., mirëpo ndodhi e papritura: kur po shpërndaheshin për në shtëpitë e tyre, u takuan të tre. Çdonjëri e ndiente veten të turpëruar para tjetrit dhe u munduan të arsyetoheshin, dhe më në fund i dhanë besën njëri-tjetrit se një veprim të tillë nuk do ta përsërisnin kurrë më. Erdhi nata tjetër dhe secili prej tyre duke qenë i bindur se dy të tjerët nuk do të shkonin, të nxitur nga ndjenjat dhe dëshira e madhe për t’i dëgjuar fjalët e bukura të Kur’anit, shkuan prapë.
Derisa po kërkonin vende të errëta rreth shtëpisë së Erkamit për t’u fshehur, për fat të keq u takuan prapë që të tre. Kjo i bëri t’u shtohej dyshimi në mos kishte rënë ndonjëri nën ndikimin e Kur’anit dhe do të kalonte në fenë islame. Zunë e kritikonin ashpër njëri-tjetrin dhe më në fund, me qëllim që të përcillnin njëri-tjetrin, vendosën të bashkohen për të ndenjur çdo natë në shtëpinë e njërit prej tyre. Në anën tjetër, disa nga idhujtarët e Mekës, kur
lexohej Kur’ani, i futnin gishtat tregues në veshë për të mos e dëgjuar, nga frika se do të ndikonte në zemrën e tyre që të bëheshin myslimanë.
Në fillim të shpalljes së Islamit, Ymeri r.a. ishte ndër armiqtë e përbetuar të tij. Ai ka qenë një trim i patrembur, saqë në marrëveshje me parinë e Mekës, pati marrë mbi veti likuidimin e Muhamedit a.s. Një ditë u armatos deri në dhëmbë dhe u nis për të përmbushur këtë premtim, mirëpo, pasi rrugës u njoftua se dhëndri dhe motra e tij kishin pranuar fenë islame, e theu rrugën dhe u kthye tek ata. Para se të hynte në shtëpinë e tyre, dëgjoi se aty po lexohej Kur’an me zë, dhe, kur e kuptoi se ata kishin pranuar fenë islame, i qortoi ashpër, dhe nga hidhërimi i madh, i sulmoi edhe fizikisht. Më vonë pasi u qetësua me këmbëngulje kërkoi të mësonte se ç’po lexonin ata. E motra ia solli një fletë të Kur’anit, ku ishte shkruar fillimi i sures “Taha”: “Taha. Ne nuk ta shpallëm Kur’anin për të munduar. Por, vetëm këshillë për atë që ka frikë (Allahun). Shpallje nga Ai që krijoi Tokën dhe qiejt e lartë”. (Taha, 1-4).
Pasi i dëgjoi me vëmendje këto fjalë me një përmbajtje kaq të mrekullueshme, Ymeri r.a. mbet i mahnitur dhe në vend se të shkonte për të vrarë Muhamedin a.s., ai shkoi dhe pranoi fenë islame. Kjo ishte një fitore e madhe për myslimanët dhe për Islamin, ngase ai ishte një njeri trim, i vendosur dhe i drejtë. Andaj, në shenjë gëzimi me atë rast, nga të gjithë të pranishmit jehoi tekbiri me zë. Kur i dëgjuan fjalët e Kur’anit nga Muhamedi a.s. ose nga shokët e tij e disa nga të krishterët dhe klerikët e tyre, të cilët ishin të devotshëm e nuk vuanin nga fanatizmi, nga ngashërimi me lot për fytyre u përkulën dhe i pranuan për të vërteta. Kjo ishte më tepër për shkak se përmbajtja e tyre përputhej me mësimet e vërteta të Biblës, në mesin e të cilave ishin edhe paralajmërimet rreth dërgimit të Muhamedit a.s. për pejgamber. Në fillim të shpalljes së Islamit, për shkak të torturave nga idhujtarët e Mekës, një grup myslimanësh u detyruan të emigronin në Abisini–Etiopi, dhe te mbreti i këtij vendi Nexhashiu gjetën strehim të sigurt. Pyetjes së Nexhashiut (i cili ishte i krishterë): Ç’thotë feja e tyre për Isain a.s.?, udhëheqësi i këtij grupi, Xhafer bin Ebi Talibi r.a., i qe përgjigjur duke lexuar disa ajete nga surja “Merjem”, që flasin gjerësisht për Isain a.s. dhe nënën e ndershme të tij. Nga përmbajtja e këtyre ajeteve kuranore, Nexhashiu dhe klerikët që e shoqëronin, u mahnitën aq shumë, saqë derdhën lot rrëke dhe, më në fund, pohoi se burimi i këtyre fjalëve është i njëjtë me atë të fjalëve që i ka folur Mesihu – Isai a.s.
Nexhashiu u bind për vërtetësinë e fjalëve të Kur’anit dhe pejgamberinë e Muhamedit a.s., ndërsa më vonë pranoi edhe Islamin mirëpo thuhet se, për shkak të rrethanave të brendshme, nuk u deklarua publikisht. Kur ai vdiq, Muhamedi a.s. u pati thënë shokëve për të se ka vdekur një njeri i mirë, pra ejani t’ia falim xhenazen (dhe ia falën xhenazen nga Medina).
Ibni Abbasi r.a. tregon se, kur qe kthyer Xhafer bin Ebi Talibi nga Etiopia, me të kishte ardhur një grup njerëzish (rreth 70 sish) bashkë me disa priftërinj të tyre. Kur Pejgamberi a.s. u lexoi disa ajete nga Kur’ani, u rrodhën lotët prej syve dhe pranuan Islamin.
Raste të tilla janë cekur në disa ajete kuranore: “Atyre që u kemi dhënë më parë librin ata i besojnë atij. Kur u lexohet (Kur’ani), thonë ne i besojmë atij, pa dyshim ai është i vërtetë nga Zoti ynë…” (Kasas, 52-53)
“Kur e dëgjojnë atë që i është shpallur pejgamberit, i sheh sytë e tyre duke derdhur lot, ngase e kuptojnë se ajo është e vërtetë, thonë o Zoti ynë, ne besuam, pra na shëno me ata që dëshmojnë. E pse ne të mos i besojmë Zotit dhe asaj nga e vërteta që na ka ardhur dhe të dëshirojmë që Zoti ynë të na shpjerë (në Xhennet) me njerëzit e mirë”. (El-Maide, 82-83).


_________________
Literatura e konsultuar:
- Dr. Abdul-Mexhid Zendani: Mrekullitë shkencore në Kur’an dhe Sunnet.
- Prof. H. Shaban Hoxhiq: Kur’an je najveca Muhamedova a.s. Mu’xhiza.
- Glasnik VIS u SFRJ, Sarajevë, br. 11-12/1966.



Hajrullah Hoxha

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.