Kur’ani famëlartë është mrekulli e përhershme (II)

Mrekullitë shkencore të Kur’anit famëlartë

Mrekullitë e Kur’anit në aspektin shkencor janë të shumta, sepse më tepër se 850 ajete të tij flasin për çështjet që kanë të bëjnë me lëmenj të ndryshëm shkencorë. Në shumicën prej këtyre ajeteve bëhet fjalë rreth krijimit të qiellit dhe Tokës, Diellit dhe trupave tjerë qiellorë, bimëve dhe pemëve, shtazëve e shpezëve dhe rreth krijimit të njeriut si krijesa më e përsosur dhe sundues në faqen e tokës. Zoti i Madhërishëm përmes këtyre ajeteve, i njohu njerëzit me krijimin dhe ligjshmërinë që mbretëron në krijesat e lartpërmendura dhe për dobitë e tyre për ta. Ai gjithashtu porositi që të vështrojnë me vëmendje dhe t’i studionin ato, për t’u bindur me fakte për ekzistimin e Krijuesit të tyre, për t’i shfrytëzuar sa më racionalisht të mirat e këtyre krijesave dhe për ta falënderuar Atë për këto begati, përkatësisht për t’u ngritur në pikëpamje shpirtërore e materiale. Ndërsa atyre që dyshojnë ose janë të pakujdesshëm, ua tërheq vërejtjen dhe i qorton: “Me të vërtetë në krijimin e qiejve dhe Tokës, e në ndërrimin e natës e ditës ka argumente (bindëse) për të mençurit”. (Ali-Imran, 190).
“Thuaj shikoni ç’ka në qiej dhe në Tokë, por nuk i bëjnë dobi argumentet as vërejtjet atij populli që nuk beson”. (Junus, 101).
“Me të vërtetë në krijimin e qiejve dhe të Tokës, në ndërrimin e natës e të ditës, në anijen që lundron në det me atë që u sjell dobi njerëzve, në shiun që e zbret Allahu nga qielli e me të ngjall tokën pas vdekjes së saj (nga thatësia) dhe që përhap në të çdo lloj gjallese, dhe në qarkullimin e erërave e reve të nënshtruara mes qiellit e Tokës (në të gjitha këto) ka argumente për një popull që mendon”. (Bekare, 164).
“Le të shikojë njeriu prej çkaje është krijuar”. (Tarik, 4)
“A nuk i shikojnë devetë se si janë krijuar. Dhe qiellin se si është lartësuar. Dhe bjeshkët se si janë vendosur. Edhe tokën se si është zgjeruar”. (El-Gashije, 17-20) “A nuk po e shikojnë tokën se sa lloj bimësh kemi krijuar në të… “ (Shuara, 7).
“A nuk i shohin ata shpendët (fluturues) përmbi veti krahëhapur…” (Mulk, 19)
Myslimanët e parë, duke studiuar hollësisht përmbajtjen e ajeteve kuranore që flasin për krijimin dhe lëvizjen e trupave qiellorë, për krijimin dhe zhvillimin e botës bimore dhe shtazore, dhe për ligjet e fenomenet e ndryshme natyrore dhe duke i konsultuar edhe veprat filozofike greko-persiane i vunë themelet e filozofisë dhe shkencave të ndryshme matematiko-natyrore.
Pra, urtësia e mrekullueshme e fjalëve hyjnore të Kur’anit famëlartë, ishte shkaktari i vërtetë që njerëzit analfabetë dhe primitivë, siç ishin arabët dhe të tjerët, kur i lexuan dhe i studiuan ato, të bëheshin njerëz të arsimuar e të qytetëruar, nga mesi i të cilëve dolën një numër i konsiderueshëm i filozofëve dhe shkencëtarëve me famë botërore.
Në fushën e filozofisë, përveç El-Kindisë, që jetoi në shekullin IX në Bagdad e që u mor edhe me studimin e veprave të filozofëve të lashtë grekë, më i njohuri ka qenë Ibni Rushdi (Averros), i lindur në Kordovë-Spanjë në vitin 1162. Ai ishte një mendimtar i shquar mysliman i cili u përpoq të bënte një afrim mes teologjisë dhe filozofisë. Ibni Rushdi komentoi veprat filozofike të Aristotelit dhe Evropa përmes tij u njoh me to. Në fushën e mjekësisë ndër më të njohurit ka qenë Ibni Sina (Avicena), i cili në veprën e tij “El-Kanun”, përveç diagnozave të sëmundjeve të ndryshme, ka zbuluar 760 lloje barnash shëruese. Në fushën e astronomisë El-Havarizmiu (780-850) ka qenë përpiluesi i tabelave më të lashta astronomike. El-Bettaniu (877-918) dhe pasardhësi i tij El-Biruniu, në veprat e tyre bënë llogaritjen e saktë të meridianëve dhe paraleleve të Tokës dhe konstatuan shkencërisht se ajo ka formë të rrumbullakët. Ndërsa gjeografi Idris (1100-1166) ka përpiluar hartën e botës dhe ka shpikur globin. Në fushën e historisë dhe sociologjisë është i njohur Ibn Halduni (1332-1406), i cili në veprën e tij “El-Mukaddime” ngjarjet politiko-shoqërore dhe problemet sociale i shpjegon në mënyrë dialektike. Ai në këtë pikëpamje u parapriu Dkartit, Hegëlit dhe Kantit, për 3-4 shekuj.
Edhe në fusha tjera shkencore, si zoologjia, botanika, fizika, muzika, etj., shkencëtarët myslimanë kanë dhënë kontribut të çmueshëm.
Është fakt i pamohueshëm se nga veprat e tyre filozofike, shkencore dhe kulturore u frymëzuan poetët, filozofët dhe shkencëtarët e parë evropianë, siç ishin Aligieri, Bekoni, Koperniku, Galileu, Njutni, Luteri etj., të cilët i vunë bazat e Renesancës, si dhe të shkencave moderne në Evropë. Këto konstatime i kanë pohuar shumë filozofë dhe shkencëtarë të sinqertë perëndimorë, ndër të cilët kanë qenë:
Harvig Hirschfeld, duke çmuar lart përmbajtjen e gjithanshme të Kur’anit, ka thënë: “Nuk duhet të habitemi dhe as të çuditemi nëse konstatojmë se Kur’ani ka qenë pikënisja e një vargu shkencash, çdo çështje përkitazi me Tokën e qiellin, me jetën e njeriut, tregtinë ose punët e ndryshme, nga një rast tek tjetri, kanë qenë shqyrtuar në Kur’an… Në shpalljet e tij, Muhamedi ka përsëritur thirrjen ku tërhiqet vëmendja e dëgjuesve për lëvizjen e trupave qiellorë, si shembull i mrekullive të Zotit, të cilat janë për t’u shërbyer njerëzve, e kurrsesi nuk duhet të bëhen objekt adhurimi. Se me sa sukses popujt myslimanë nga të gjitha racat e kanë zbatuar studimin në fushën e astronomisë, - më së miri dëshmon fakti se ata gjatë shekujve kanë qenë bartës të shkencave astronomike. Pra, shumë emra arabë të yjeve dhe terma teknikë, edhe sot janë në përdorim.
Astronomët evropianë të mesjetës kanë qenë nxënësit e arabëve”; H. G. Vels, në veprën e tij “Historia e botës”, pos të tjerash, thotë: “Evropianët që janë marrë me vëzhgimet dhe hollësitë e Kur’anit, janë fare te paktë. Nga kjo mosdituri, ata i mveshin atij shumë gjëra të kota të paqena… Ato ngadhënjime që i shtynë myslimanët për zbulimin e lëndëve dhe metaleve të tjera nën tokë, për inxhinieri, astronomi, arkitekturë, arte të bukura dhe për filozofi, - janë vetëm fryt i Kur’anit, i cili bashkoi njerëzimin dhe i bëri që ta fusin në dorë pasurinë e diturisë e të shkencës”; Basver Smith, në librin e tij “Jeta e Muhamedit” thotë: “Sado që Muhamedi nuk ka ditur shkrim-lexim, ai botës i komunikoi një libër të shenjtë, që është çdo gjë. Ky libër me drejtësi, pastërti, shkencë, letërsi dhe me dituri të lartë, - fiton respektin e mbarë myslimanëve. Muhamedi thotë se ky libër është një mrekulli e vazhdueshme, e cila është gjithnjë e njomë dhe e freskët. Në realitet, e vërteta përmblidhet dhe qëndron në këtë pikë”.
Vërtetimi i dijetarëve se Kur’ani është Libër me karakter mbi- njerëzor, dhe se ai ishte burim i nxitjes së myslimanëve në zhvillimin e fushave të ndryshme shkencore, të cilat shërbyen si bazë për zhvillimin e shkencave moderne në botë, gjithashtu është një nga mrekullitë e tij, ngase Allahu xh.sh. i ka thënë Muhamedit a.s.:
Mrekullitë, argumentet dhe urtësitë e Kur’anit famëlartë, me përparimin e shkencës dhe teknologjisë gjatë shekujve të fundit, gjithnjë e më tepër janë duke u dëshmuar dhe duke dalë në shesh. Me zbulimet bashkëkohore në fushën e astronomisë dhe mjekësisë, është vërtetuar shkencërisht një numër i konsiderueshëm i të dhënave që janë cekur në Kur’an. Autorët e zbulimeve në fjalë, kur e kanë kuptuar se ato fakte Kur’ani i ka përmendur para katërmbëdhjetë shekujve, kanë mbetur të mahnitur. Disa prej tyre me admirim kanë shprehur fjalë respekti ndaj Kur’anit dhe Muhamedit a.s., kurse disa të tjerë, duke u bindur për vërtetësinë e tij hyjnore, madje kanë pranuar fenë islame. Në vazhdim do t’i për- mendim disa ajete kuranore, me kuptimet e të cilave janë në përputhje të plotë zbulimet e reja shkencore si dhe disa deklarata e përshtypje të disa shkencëtarëve të mëparshëm e të tanishëm me rastin e zbulimeve të tyre, për Kur’anin dhe Muhamedin a.s.
Në Kur’an thuhet se krijimi i Tokës e i qiejve dhe krijesave të
tjera nga Allahu xh.sh. ka zgjatur gjashtë ditë: “Me të vërtetë Zoti juaj është Allahu, i Cili krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë…” (Fussilet, 54).
Me fjalën ditë, zakonisht nënkuptojmë intervalin kohor nga lindja e diellit deri në perëndimin e tij, ose kohën prej njëzet e katër orëve. Në një ajet kuranor dita ndaj Zotit xh.sh. është më e gjatë: “Një ditë tek Zoti yt është sa një mijë vjet, siç i llogaritni ju…” Ndërsa për Ditën e Gjykimit në të cilën do të japin llogari njerëzit për veprat e tyre Kur’ani thotë: “Në një ditë gjatësia e së cilës është pesëdhjetë mijë vjet”. (El-Mearixh, 4).
Se çfarë kanë qenë ato gjashtë ditë gjatë të cilave ka krijuar Allahu gjithësinë, në Kur’an nuk është saktësuar. Mirëpo dihet me siguri se ato nuk kanë qenë sikur ditët tona, që filluan pas krijimit të Tokës e Diellit dhe të natës e ditës. Andaj me fjalën për gjashtë ditë mund të aludohet për gjashtë periudha apo cikle kohe.
Në lidhje me këtë, edhe shkencëtarët janë të mendimit se gjithësia është krijuar brenda gjashtë periudhave të gjata kohore, të cilat quhen: 1. Periudha arkaike; 2. Prepaleozoike; 3. Eozoike (në të cilën shfaqet jeta e parë); 4. Paleozoike; 5. Neozoike dhe 6. Kenozoike.
Parimisht, edhe në Bibël thuhet se Zoti gjithësinë e krijoi për gjashtë ditë, kurse në ditën e shtatë, Ai pushoi. Kjo ditë pushimi, sipas jehudinjve, ka qenë dita e shtunë, kurse sipas të krishterëve e diel, dhe këtu është fjala për ditët që i llogarisim ne sot. Pohimet e tilla nuk mund të qëndrojnë as në pikëpamje shkencore dhe as fetare, ngase këto ditë, siç u cek më lart, atëherë nuk ekzistonin dhe fjala pushim simbolizon dobësinë dhe lodhjen, cilësi të cilat nuk mund t’i mvishen Zotit Fuqiplotë. Lidhur me këtë Allahu xh.sh. në këtë ajet kuranor thotë: “Ne kemi krijuar qiejt e Tokën dhe gjithçka ekziston ndërmjet tyre, për gjashtë ditë dhe nuk na ka goditur (aspak) lodhja.“ (Kaf, 38).
Sa i përket gjendjes së gjithësisë në fillim, Kur’ani thotë: “A nuk e mendojnë të pabesimtarët se qiejt dhe Toka kanë qenë një tërësi dhe Ne i kemi ndarë mes veti, kurse prej ujit kemi krijuar çdo gjë të gjallë…” (El-Enbija, 30).
“Pastaj (Allahu) iu drejtua qiellit (për ta rregulluar) derisa ai ishte tym (mjegullinë), dhe i tha atij dhe Tokës ejani me vullnet ose me detyrim. Ato të dyja thanë po vijmë me vullnet (të bindur)”. (Fussilet, 11).
Nga përmbajtja e këtyre ajeteve kuranore nënkuptohet se në fillim të krijimit gjithësia ka qenë një tërësi e përbashkët, e mandej Allahu xh.sh. ka bërë ndarjen e saj në planetë e galaktika dhe se çdo gjë e gjallë e ka zanafillën prej ujit. Ndërsa nga përmbajtja e ajetit të fundit nënkuptohet se gjithësia në etapën e parë të krijimit ishte në gjendje të gaztë dhe se pas rregullimit të Tokës dhe qiellit, Allahu i madhëruar iu drejtua atyre me ftesë që t’i nënshtroheshin vullnetit dhe ligjshmërisë së Tij me vullnet ose me detyrim, dhe ato iu nënshtruan me vullnet.
Këto mrekulli të Kur’anit shkenca bashkëkohore i ka vërtetuar tërësisht. Sipas teorisë së Kant-Laplasit, gjithësia në fillim ka qenë mjegullnajë, mirëpo kjo teori kohët e fundit ka pësuar disa ndryshime. Në lidhje me këtë profesori i njohur Kozan ka thënë: “Deri para pak vitesh mendonim se qielli ka qenë mjegullnajë, mirëpo pas përparimit të madh teknologjiko-shkencor, e kuptuam se qielli nuk ka qenë mjegullnajë po tym, sepse mjegulla në esencë është e ftohtë dhe e qetë, kurse tymi është i nxehtë dhe lëviz, andaj tërë kjo argumenton se qielli ka qenë tym. Vërtet, unë jam tejet i impresionuar nga fakti se kjo e vërtetë shkencore është cekur në Kur’an para katërmbëdhjetë shekujve”. Ndërsa fizikani i njohur Poincare ka thënë: “Këto nuk janë gjëra për të cilat mund të thuhet se kanë ekzistuar rastësisht (mendon në krijesat në gjithësi). Mbështes se fuqia e cila nuk ka as skaj as fund (Zoti) ka vendosur këtë rregull të përsosur në një kohë dhe se gjithësia i është përgjigjur atij vullneti të përkryer”.
Sipas parimeve kuranore, secila krijesë në gjithësi në kuadër të natyrës së saj me vetëdije, në mënyrë instinktive apo mekanike, u është nënshtruar ligjeve e rregullave që ka krijuar Allahu xh.sh. në gjithësi dhe secila në mënyrën e vet e madhëron Atë: “E madhërojnë Atë (Allahun) shtatë qiejt e Toka dhe çdo gjë që ekziston në to. Nuk ka asnjë send që nuk e madhëron Atë me falënderim, por ju nuk i kuptoni madhërimet e tyre…” (Isra, 44).
Shkencëtari dhe astronomi me famë botërore, Isak Njutn (1642-1727) përkitazi me rregullin dhe harmoninë që mbretëron në gjithësi, ka thënë: “Rregulli jashtëzakonisht i mrekullueshëm i Diellit, planetëve dhe meteorëve ka mundur të ekzistojë vetëm për shkak se Zoti i Gjithëfuqishëm ka dashur dhe e ka krijuar”.
Tregohet se ky shkencëtar i shquar, për çdo natë, pas vëzhgimit të lëvizjeve të trupave qiellorë, i përulej me respekt të thellë Krijuesit të Gjithësisë, sepse i dukej se tërë gjithësia madhëronte Krijuesin e vet.
Gjithashtu, me një ajet tjetër kuranor, Zoti i Madhërueshëm njofton se Ai është krijues dhe zgjërues i qiellit – Gjithësisë.
“Ne me fuqinë Tonë e kemi ngritur qiellin dhe Ne jemi zgjerues të tij”. (Dharijat, 47).
Këtë fenomen natyror e ka zbuluar astronomi Hubble në vitin 1922, kurse matematikani Lëmeter ka konstatuar se gjithësia është në procesin e zgjerimit të vazhdueshëm.
Ndër mrekullitë e rëndësishme të Kur’anit, që ka vërtetuar shkenca më vonë, është pohimi i tij se të gjithë trupat qiellorë, përfshirë edhe Tokën, e cila ka formë të rrumbullakët, sillen-ecin rrugëve të tyre në hapësirën e gjithësisë.
“Edhe Dielli lundron në orbitën e tij, ky është caktim i të Gjithëfuqishmit e Gjithëdijshmit. Edhe Hënës i kemi caktuar fazat derisa ajo bëhet si thupër e thatë. Diellit nuk i takon ta arrijë Hënën, as natës ta kapërcejë ditën, dhe të gjitha notojnë (sillen) në orbitë”. (Jasin, 38-40).
“Ai e mbështjell natën mbi ditën dhe e mbështjell ditën mbi natën…”. (Zumer, 4).
Fjala “tekvir” në gjuhën arabe do të thotë mbështjellja e diçkaje rreth një trupi që ka formë të rrumbullakët, andaj dita dhe nata vazhdimisht zëvendësojnë njëra-tjetrën duke u mbështjellë rreth rruzullit tokësor. Bazuar në ajetet e lartpërmendura dhe hulumtimet e tyre astronomike, shkencëtarët myslimanë qysh në shekullin X konstatuan se Toka ka formë të rrumbullakët.
Teoria e sistemit gjeocentrik, sipas së cilës toka është konsideruar e rrafshtë dhe qendër rreth së cilës sillen Dielli dhe planetët e tjerë ka dominuar në botë për shumë shekuj. Në shekullin XVI astronomi i njohur Nikola Kopernik konstatoi se Dielli është qendër dhe rreth tij sillen Toka dhe planetët e tjerë, ai themeloi sistemin heliocentrik. Shkenca bashkëkohore këtë mendim të Kopernikut e përmirësoi duke konstatuar se edhe Dielli sillet në orbitën e tij. Një zbulim i tillë përputhet plotësisht me faktet e lartpërmendura kuranore. Në atë kohë, siç dihet, kisha katolike i qëndroi besnike sistemit gjeocentrik të bazuar në filozofinë e vjetër greke, dhe në gjyqet e inkuizicionit dënoi mizorisht çdo shkencëtar që pohonte se sillet Toka.
Deri në vitin 1941 kur fizikani i famshëm Ajnshtajn bëri thërmimin e atomit, shkenca e konsideronte atë pjesën më të imtë të materies, ndërsa Kur’ani në shekullin e shtatë ka thënë se ka gjëra edhe më të imta se atomi: “Zotit tënd nuk mund t’i fshihet as sasia e një atomi, në tokë as në qiell, dhe as më e vogël se ajo e as më e madhe, që nuk është në librin e qartë (në Kur’an)”. (Junus, 67).
Nga mrekullitë shkencore të Kur’anit është edhe njoftimi i tij se çdo lloj krijese është dygjinore-mashkull e femër. Ky fenomen, sipas tij, është i pranishëm edhe tek bimët, pemët, lulet etj., dhe se shtimi i tyre bëhet përmes fekondimit me anë të erërave: “Qoftë madhëruar Ai Që ka krijuar të gjithë qift (mashkull e femër) prej asaj që mbinë toka nga vetë ata (njerëzit) dhe nga ajo që ata nuk e dinë”. (Jasin, 36).
“Ne i dërgojmë erërat që mbarsojnë- fekondojnë“ (El-Hixhr, 22)
Shkenca e zoologjisë dhe botanikës, ka konstatuar se, përveç njerëzve, shtazëve, shpezëve dhe insekteve, edhe mikrobet, pemët, bimët, lulet, etj. janë dygjinore dhe shumëzimi i tyre bëhet përmes erërave dhe insekteve.
Nga mrekullitë shkencore të Kur’anit është edhe përmbajtja e ajeteve që flasin mbi etapat e krijimit të njeriut-fëmijë: “Vërtet Ne e krijuam njeriun nga ajka e baltës, mandej atë e bëmë pikë fare (spermë) në vend të sigurt. Pastaj spermën e bëmë gjak të ngjizur, ndërsa gjakun e ngjizur e bëm copë mishi, dhe nga copa e mishit i bëm eshtrat, e mandej eshtrat i veshëm me mish, pastaj atë e krijuam krijesë tjetër – të veçantë (duke i dhënë shpirtin), pra qoftë lavdëruar Allahu, më i miri krijues”. (Mu’minun, 12-14).
“Ai ju krijon ju në barqet e nënave tuaja krijim pas krijimi (etapë pas etape) në tri errësira”. (Zumer, 6).
Në ajetet e lartpërmendura janë përshkruar fazat e krijimit të fëmijës në mënyrë precize, duke filluar nga përbërja e farës-spermës, e cila formohet nga ushqimet që prodhohen nga toka, e deri tek formimi i tij fizik dhe shpirtëror. Këto të dhëna kuranore shkenca e embrionologjisë para disa vitesh i ka vërtetuar dhe ka konstatuar se embrioni gjatë zhvillimit të tij është i mbështjellë me tri pëlhura, të cilat e mbrojnë nga depërtimi i ujit, ajrit, dritës dhe temperaturës. Këto tri mbështjellëse të embrionit janë: muri i jashtëm i barkut të nënës, muri i mitrës dhe pëlhura që mbështjell embrionin.
Kur i dëgjoi ajetet e lartpërmendura dhe disa hadithe të Muhamedit a.s., që kanë të bëjnë me etapat e zhvillimit të embrionit për herë të parë, nga dijetarët mysliman, njëri nga shkencëtarët më të njohur bashkëkohorë në anatomi dhe embriologji Keeth Moore (Këth Mur) u habit shumë dhe tha: “Si është e mundur që Muhamedi para 1400 vjetësh t’i përshkruante kaq saktësisht fazat e zhvillimit të embrionit në mitrën e nënës, gjë që u zbulua nga shkenca bashkëkohore vetëm para tridhjetë vjetësh?! Më vonë, pas një studimi të gjithanshëm, në një simpozium shkencor me temën “Mrekullitë Shkencore në Kur’an dhe Synnet” ai tha: “Jam i bindur se këto fakte Muhamedit i kanë ardhur nga Zoti, sepse të gjitha këto të dhëna janë zbuluar vetëm tani, pas disa shekujsh, dhe kjo mua më bind se Muhamedi është i Dërguari i Zotit”. Kur iu shtrua pyetja: “Si beson në Muhamedin derisa ti i beson Mesihut – Isait?” Ai u përgjigj: “Besoj se që të dy ata janë nga e njëjta shkollë”.
Ndërsa dekani i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Shajng Maj të Tajlandës, në përfundim të simpoziumit, deklaroi: “Vërtet, unë besoj se çdo gjë që është përmendur në Kur’an para katërmbëdhjetë shekujve, gjithsesi është e vërtetë dhe ka mundësi të vërtetohet me metoda shkencore. Meqë Muhamedi nuk ka mundur të lexojë e të shkruajë, atëherë gjithsesi ai ka qenë i dërguar i Zotit, që i ka sjellë këto të vërteta. Atij iu dërguan këto të vërteta përmes Shpalljes nga Krijuesi i Gjithëdijshëm, Ai Krijues pa dyshim është Allahu. Prandaj, unë besoj se erdhi koha që të dëshmoj se nuk ka zot përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij”. Me këtë rast ai edhe publikisht e pranoi Islamin.
Zoti i Madhërishëm në Kur’an thotë se është në gjendje për t’ua bërë njerëzve në botën tjetër edhe majat e gishtave identikë, ashtu siç i kanë pasur në dynja.
“Gjithsesi Ne jemi në gjendje për t’ua barazuar edhe majat e gishtave të tyre”. (Kijameh, 4).
Në lidhje me këtë, në mënyrë shkencore është vërtetuar se vijat në majat e gishtave janë të ndryshme tek secili njeri, kjo do të thotë se çdo njeri, ka vulën apo shifrën personale në majat e gishtave të vet. Andaj çdo dokument identifikimi ose me rëndësi të veçantë, është rregull zyrtar, të vuloset me majën e gishtit tregues të personit përkatës.
Një ndër shkencëtarët më të njohur bashkëkohorë në fushën e gjeologjisë në Sh.B.A. Prof. Balmar në lidhje me faktet shkencore në Kur’an, dhe në hadithe të Pejgamberit të dëgjuara në simpoziumin e përmendur thotë: “Kam bërë një hulumtim (të posaçëm) rreth historisë së qytetërimit të hershëm në Lindjen e Mesme që të mësoja nëse ka pasur të dhëna serioze sikur këto në Kur’an.
Përderisa nuk kishte të dhëna të tilla, atëherë ky fakt më përforcon bindjen se Zoti, ka dërguar përmes Muhamedit një sasi të vogël nga dija e Tij që ne po e zbulojmë vetëm në kohët e fundit”.
Këto ishin vetëm disa nga mrekullitë e shumta të Kur’anit që ka zbuluar shkenca deri më sot dhe vlerësimet e larta të disa shkencëtarëve të shquar. Faktet shkencore të lartëpërmendura kanë qenë të panjohura për Muhamedin a.s., popullin e tij dhe mbarë popujt e botës, jo vetëm në atë kohë, por pë shumë shekuj.
Andaj nga e tërë kjo vërtetohet qartë se autor i Kur’anit është Allahu Krijuesi i Gjithësisë, i Cili është i Gjithëdijshëm për të fshehtat, ngjarjet e vërteta të së kaluarës dhe për ato që do të ndodhin në të ardhmen.
Në fund po cekim fjalët kuranore, me të cilat Allahu xh.sh. ka paralajmëruar për zbulimet dhe dëshmitë e lartpërmendura: “Dhe atyre që u është dhënë dituri, e dinë se ajo që të është shpallur nga Zoti yt është e vërtetë dhe udhëzon në rrugën e të Gjithëfuqishmit dhe të Lavdishmit”. (Sebeë, 6)
“Dhe, thuaj: “Falënderimi i qoftë Allahut, Ai do t’ju tregojë argumentet e Veta dhe ju do t’i njihni (kuptoni) ato”. (En-Neml, 93).


Literatura e konsultuar:
- Dr. Abdul-Mexhid Zendani: Mrekullitë shkencore në Kur’an dhe Sunnet.
- Prof. H. Shaban Hoxhiq: Kur’an je najveca Muhamedova a.s. Mu’xhiza.
- Glasnik VIS u SFRJ, Sarajevë, br. 11-12/1966.



Hajrullah Hoxha

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.