Jeta familjare në Islam (I)

Qasja Islame ndaj Jetës: Themelet

Ne po jetojmë në një periudhë të krizës kulturore. Duket sikur shumë themele të shoqërisë bashkëkohore janë duke u kërcënuar nga brenda dhe nga jashtë. Familja, si institucioni bazë dhe më i ndjeshëm i kulturës, është duke u minuar nga forca të fuqishme dhe destruktive.(1)
Të gjitha simptomat sugjerojnë që kriza në përgjithësi është duke u thelluar dhe institucioni i familjes, në veçanti, është duke u dobësuar, madje duke u dezintegruar në Evropë dhe Amerikë.(2)

Është koha të ndalemi për pak dhe të rishqyrtojmë themelet mbi të cilat është ngritur jeta familjare në Perëndim, dhe gjithashtu të studiojmë themelet e strukturat alternative në traditat e tjera kulturore. Kjo do të përfshijë njeriun bashkëkohor për të identifikuar natyrën e krizës që i kundërvihet atij sot, dhe gjithashtu do të tre- gojë për disa nga mundësitë që janë ende të hapura për ta. Do të dëshiroja të diskutoja në faqet vijuese, konceptin e jetës familjare në Islam, themelet, strukturën dhe parimet e saj.
Për të kuptuar institucionin e familjes në Islam, do të jemi në një pozitë më të mirë nëse fillojmë me një hyrje të shkurtër për qasjen islame ndaj jetës, fesë dhe kulturës.

1. Tevhidi: Uniteti i Zotit

Islami pohon Unitetin e Zotit dhe sovranitetin e Tij të pandashëm mbi Universin. Allahu është Krijuesi, Zoti, Mbështetësi i gjithë asaj që ekziston. Çdo gjë vepron në bazë të planit të Tij. Ai ka shpallur, përmes profetëve të Tij, Rrugën e Drejtë për udhëzimin e njerëzimit. Të gjithë profetët (paqja e Zotit qoftë për ta) kanë predikuar të njëjtin mesazh, atë të pranimit të sovranitetit të Zotit. Ata u bën thirrje burrave e grave për një jetë të angazhuar për ndershmëri, drejtësi e paqe, dhe që të veprojnë sipas udhëzimeve që ka shpallur Ai. Të gjithë profetët, që nga Ademi, Nuhu dhe Ibrahimi e deri tek Musai, Isai dhe Muhamedi a.s., mësuan të njëjtën fe, të pranimit dhe nënshtrimit ndaj Zotit dhe angazhimit për paqe, që do të thotë Islamin.(3)
Dështimi i njeriut qëndron në mosmbrojtjen dhe mosruajtjen e mësimeve të profetëve të mëparshëm. Si i tillë, Muhamedi a.s. u ngrit për ta konfirmuar mesazhin origjinal, për ta paraqitur në formën e tij të përsosur dhe për ta ruajtur atë në mënyrë të tillë, që Fjala e Allahut xh.sh. të mos ngatërrohet me fjalën e njeriut.(4)

2. Mëkëmbësia e njeriut

Nëse Tevhidi (Uniteti i Zotit) përbën themelet ideologjike të Islamit, koncepti i mëkëmbësisë së njeriut siguron kornizën operative për skemën islame të jetës.
Historia e Ademit dhe Havës gjendet në traditat e pothuajse të gjitha feve dhe kulturave kryesore. Por, në këto transmetime, janë gjetur fakte dhe fantazi të përziera. Mënyra se si e transmeton kë- të ngjarje Kurani, është vendimtare për kuptimin e opinionit të Botës Islame.
Përshkrimi kryesor i transmetimit kuranor është si më poshtë:(5) Zoti deklaroi synimin e Tij për të dërguar një mëkëmbës (halife) në tokë. Ai krijoi Ademin dhe Havën nga substanca e njëjtë.
Ata ishin të destinuar për të luajtur këtë rol të mëkëmbësisë dhe u pajisën me “njohuri të gjërave” për ta bërë punën mirë. Pastaj, ata u sprovuan duke iu kërkuar që të mos i afroheshin një peme të caktuar. Ata ranë viktimë e përpjekjeve të këqija të shejtanit, dhe bënë mëkat. Por, menjëherë pasi bënë mëkat, u penduan, kërkuan faljen e Zotit dhe u falën. Kjo ndodhi pasi u falën dhe e shlyen mëkatin duke u dërguar në tokë për të luajtur rolin e tyre si mëkëmbës të Allahut xh.sh. Atyre u ishte premtuar Udhëzimi Hyjnor dhe u siguruan që ata që do të ndjekin udhëzimin, do të jenë të suksesshëm. Ademi ishte njeriu i parë që mori këtë udhëzim dhe e përcolli tek pasardhësit e tij.
Disa prej konkluzioneve më të rëndësishme, vijnë nga këto:
a) Islami nuk kontribuon në asnjë teori për “rënien e Ademit” duke simbolizuar rënien e njeriut. Nuk ka ekzistuar kurrë asnjë “rënie” në atë kuptim. Njeriu u krijua me qëllim që të veprojë si mëkëmbës në tokë, dhe ai erdhi në tokë për të përmbushur këtë mision. Kjo përfaqëson ngritjen e njeriut në një detyrë të re, vendtakim të tij me fatin dhe jo një rënie.
b) Roli dhe statusi i mëkëmbësisë është akorduar sipas qenies njerëzore, dhe është ndarë njëlloj si nga burri ashtu dhe nga gruaja. Kjo paraqet themelet e barazisë së tyre esenciale si qenie njerëzore, si mëkëmbës të Zotit në tokë, pavarësisht nga rolet e ndryshme të tyre në shoqëri.
c) Islami nuk pajtohet me mendimin që gruaja e udhëhoqi burrin (Hava udhëhoqi Ademin) për mëkatin dhe mosbindjen. Sipas Kuranit, “djalli bëri që ata të dy të largoheshin prej andej”. Të dy ishin përgjegjës për veprimin, të dy u penduan dhe të dy u falën. Ata hynë në botë pa asnjë njollë të mëkatit të parë në shpirtin e tyre.
d) Natyra e njeriut është e pastër dhe mirë. Njeriu është krijuar në formën më të përsosur.(6) Burri dhe gruaja janë krijuar nga substanca e njëjtë. Çdo njeri është krijuar në një gjendje të pastërtisë dhe pafajësisë. Suksesi dhe dështimi varet krejtësisht nga bindjet dhe sjelljet e veta.(7) Askush nuk do të jetë përgjegjës për mangësitë e të tjerëve.(8)
e) Njeriut i është dhënë liria e zgjedhjes. Ai është i lirë të pranojë ose refuzojë Realitetin. Ai është përgjegjës për veprimet e tij, por nuk duhet të privohet nga kjo liri, madje edhe nëse bën gabime dhe abuzon me të. Të qenët unik të gjendjes së njeriut qëndron në vullnetin e tij psiko-social. Ky është nxitësi i potencialit njerëzor, kjo është ajo që i mundëson atij të ngrihet në majën më të lartë, ose të bjerë në humnerën më të thellë.
f) Rreziqet e keqpërdorimit të lirisë vazhdojnë të shoqërojnë njeriun gjatë gjithë karrierës së tij në tokë. Sfida prej djallit është e pandërprerë. Për ta mbrojtur njeriun nga kjo sfidë, duhet të sigurohet Udhëzimi Njerëzor. Gjyqi i Ademit dhe Havës tregon, nga njëra anë, mirësinë esenciale të natyrës së tyre dhe, në anën tjetër, sensibilitetin e tyre ndaj gabimit. Kjo tregon nevojën e njeriut për Udhëzimin Hyjnor.
g) Njeriu nuk është i mbrojtur plotësisht përballë gabimit. Kjo do të përfshijë mohimin e lirisë së zgjedhjes. Ai mund të bëjë gabime; shpengimi i tij qëndron në kryerjen e atij gabimi, në kërkimin e pendimit dhe kthimin prapa në rrugën e drejtë.
Teoria e mëkëmbësisë pohon që krijimi i Perëndisë është në qendër të së qëllimshmes, e nuk është i rastësishëm. Njeriu është krijuar me një qëllim. Çdo gjë tjetër në krijim është vënë nën shërbimin e tij. Karriera e tij në tokë fillon me ndërgjegjen për një mision, e jo verbërisht në errësirë. Ideali ishte vendosur para tij, përmes Shpalljes Hyjnore. Kriteri për sukses është formuluar në terma të qartë. Shenjat e Rrugës së Drejtë janë bërë të dukshme.
Jeta e njeriut në tokë është në natyrën e një gjyqi. Është koha e keqe. Kjo jetë do të pasohet nga një jetë e përjetshme, në të cilën njeriu do të korrë shpërblimet për veprimet e tij në këtë jetë. Dhe në këtë gjykim të përjetshëm, burra e gra janë pjesëmarrës të barabartë dhe do të gjykohen si të tillë. Asnjëri nuk është thjesht hi- je e tjetrit, por që të dy janë partnerë aktivë. Kurani thotë në mënyrë eksplicite që burri e gruaja do të marrin atë për se janë përpjekur dhe se standardi i njëjtë është vendosur për të dy, si kriteri themelor për suksesin e tyre.
“Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë e ndalojnë nga e keqja, e falin namazin dhe japin zekatin, respektojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Të tillët do t'i mëshirojë Allahu. Allahu është ngadhënjyes, i urtë. Besimtarëve dhe besimtareve Allahu u premtoi xhenete nën të cilët rrjedhin lumenj, në to do të jenë përgjithmonë, dhe (u premtoi) vendbanime të bukura në xhenetin e Adnit, edhe një gjendje të këndshme nga Allahu, Që është mbi të gjitha. Ky, pra, është shpëtimi i madh”. (et-Tevbe: 71-72)
“Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t'i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t'u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre”. (en-Nahl: 97)
“Nuk ka dyshim se për muslimanët e muslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqertët e të sinqertat, durimtarët e durimtaret, të përvuajturit e të përvuajturat, sadakadhënësit e sadakadhënëset, agjëruesit e agjërueset, ruajtësit e nderit e ruajtëset e nderit, shumëpërmendësit e Allahut e shumëpërmendëset e Allahut, Allahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh”. (el-Ahzab: 35)
Kjo është mënyra se si përshkruan Kurani idealin dhe modelin për burrat e gratë dhe kriterin për Ditën e Gjykimit. Kjo përcakton se çfarë pritet nga ata si mëkëmbës të Allahut xh.sh. Kjo vë themelet e barazisë së tyre me rolin e njeriut në tokë.

3. Një mënyrë komplete e jetës

Islami konfirmon Sovranitetin e Zotit mbi gamën e tërë të jetës së njeriut. Ajo është kundër asketizmit, monasticizmit dhe besimeve të mohimit të jetës dhe asgjësimit. Kjo qëndron për afirmimin dhe përmbushjen e jetës. Ajo refuzon të ndajë jetën në ndarje uji të papërshkueshëm të shenjtë dhe laik, të shenjtë dhe jofetar. Ajo i bën thirrje njeriut për të hyrë tërësisht në vathën e Islamit dhe për të lidhur ndarjen e jetës në fetare dhe shekullare, si devijime nga Rruga e Drejtë.(9) Kjo jep një pikëpamje të integruar për jetën dhe realitetin. Mësimet e Islamit mbulojnë të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore, shpirtërore e materiale, individuale e shoqërore, arsimore e kulturore, ekonomike e politike, kombëtare e ndërkombëtare. Ato kujdesen për aspiratat e shpirtit, si dhe për kërkesat e ligjit dhe institucioneve shoqërore. Uniteti i Islamit qëndron në gjallërimin e gjithë matrisës së jetës. Çdo aktivitet, qoftë në lidhje me gjëra të tilla si namazi e agjërimi, apo me transaksione ekonomike, marrëdhënie seksuale, marrëdhënie diplomatike apo eksperimentime shkencore, - është fetare nëse është ndërmarrë me ndërgjegjen e Perëndisë dhe është në pajtim me vlerat dhe parimet e shpallura prej Tij, dhe është jofetare nëse është shkelje e tyre. Aktivitetet e lidhura me çështje të ekonomi- së, politikës dhe ligjit, apo të gjinisë dhe sjelljeve gjinore, janë një pjesë e sjelljes fetare të njeriut dhe nuk është jashtë sferës së saj. Jeta është një tërësi organike dhe të njëjtat parime duhet të udhëheqin e të drejtojnë në të gjitha degëzimet e saj. Sheriati është kodi islam, i cili jetën e vë në tërësinë e saj. Shembulli i Muhamedit a.s. është modeli që një mysliman përpiqet për ta ndjekur, dhe në jetën e tij shembullore mund të kërkojë udhëzim në të gjitha aspektet e jetës njerëzore, që nga personaliteti i lartë e deri tek modeli i pastër shoqëror, si një njeri, djalë, bashkëshort, baba, predikues, mësues, tregtar, burrështetas, komandant, negociator paqeje, gjykatës apo kryetar shteti. Pikëpamja islame për jetën është revolucionare, sepse i jep një dinamizëm të ri asaj që tradicionalisht është konsideruar si fetare. Ajo çfarë një aktivitet e bën fetar, është qëndrimi që është ndërmarrë dhe është në pajtim me të ose me vlerat e shpallura nga Allahu xh.sh. dhe Profeti i Tij. Me këtë pikëpamje revolucionare, e gjithë fusha e jetës është fituar për Zotin dhe besimtarin. ‘Asgjë nuk është lënë për Cezarin’.

4. Besimi si bazë e shoqërisë

Islami besimin dhe fenë i bën bazë të gjithë shoqërisë njerëzore dhe nxitës për rrjetin e marrëdhënieve të saj. Grupet sociale dhe komunitetet janë themeluar në bazë të racës, gjakut, fisit, gjeografisë etj., por në Islam të gjitha këto dallime vareshin nga një formë e re e organizimit që buronte nga besimi. Angazhimi në Islam njeriun e integron jo vetëm me Zotin, por gjithashtu edhe me komunitetin e besimtarëve. Këto dy marrëdhënie zgjerohen nga akti i vetëm i besimit. Koncepti islam i ekzistencës kombëtare nuk është i bazuar mbi racën, gjuhën, ngjyrën, territorin apo prirjet politiko-ekonomike. Komuniteti islam është një miqësi besimi - kushdo që beson në fenë dhe ideologjinë islame, është një pjesë e patjetërsueshme e këtij komuniteti - pavarësisht nga raca, ngjyra, gjuha a vendlindja e tij.
Ky është një parim i ri i organizimit të njerëzimit. Është një komunitet racional dhe ideologjik për nga natyra dhe është në gjendje të përqafojë gjithë racën njerëzore.
Ky koncept i një komuniteti ideologjik nuk është thjesht një normë morale. Ai ka dimensionet e tij shoqërore, politike dhe li- gjore. Kjo jep një infrastrukturë të re për marrëdhëniet njerëzore.
Besimi është forca vendimtare në këtë sistem. Ai lind institucionet sociale, që nga familja e deri tek shteti. Kultura islame rritet nga ky besim në të njëjtën mënyrë sikur rritet një pemë nga një farë. Në njëfarë mase, kjo është e prekur nga forcat e jashtme, por në fund të fundit është potenciali i farës, që është përmbushur. Ky është një parim unik i organizimit. Shoqëria dhe kultura islame janë ideologjike dhe universale në origjinë dhe në orientimin e tyre.
Këto paraqitje, besoj, do të na ndihmojnë për të kuptuar natyrën e sistemit islam të jetës. Kultura islame nuk mund të kuptohet nëse disa nga pjesët e saj janë studiuar veçan, apo në perspektivën e kulturave bazuar në themele diametralisht të ndryshme nga themelet e saj. Institucioni islamik i familjes duhet të studiohet dhe të shqyrtohet gjithashtu nga perspektiva islame mbi jetën dhe karakterin e kulturës islame.

Familja në Islam: Parimet themelore

Tashti jemi në kushte që të theksojmë shkurtimisht këto parime, të cilat përcaktojnë natyrën e institucionit të familjes në Islam dhe gjithashtu definojnë vendin e familjes në strukturën e përgjithshme të shoqërisë islame.

Institucioni i frymëzuar-hyjnor

Familja është një institucion i frymëzuar dhe i urdhëruar hyjnisht. Kjo nuk ishte zhvilluar nëpërmjet eksperimentimit njerëzor, që përfshin një proces të gjyqit dhe përhapjes së gabimit me kali- min e kohës. Ajo ishte një institucion që erdhi në ekzistencë me krijimin e njeriut. Raca njerëzore është një produkt i këtij institucioni dhe jo i ndonjë rruge tjetër. Kurani thotë: “O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj Që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi çiftin (shoqen) e saj, e prej atyre të dyve u shtuan burra e shumë gra. Dhe kini frikë Allahun me Emrin e të Cilit përbetoheni, ruajeni farefisin, se Allahu është mbikëqyrës mbi ju”. (en-Nisaë, 1)
Në një vend tjetër, krijimi i burrit e gruas dhe marrëdhëniet martesore përshkruhen me qetësi, dashuri dhe mëshirë dhe janë cilësuar si “shenjë e Zotit”.(10)
Institucionet e martesës dhe familjes janë lavdëruar si “rrugë e profetëve”.(11)
Gjithashtu, Muhamedi a.s. thotë: “Martesa është pjesë e Synetit tim. Kushdo që largohet nga rruga ime, nuk është prej nesh”. (Ibn Maxhe)

Kontratë shoqërore

Megjithëse martesa është një institucion i urdhëruar hyjnisht, çdo martesë si e tillë ka natyrën e një kontrate. Fjala Nikah e përdorur për martesën në Kuran dhe synet, do të thotë akd, që është kontratë. Në Kuran, martesa është përcaktuar në mënyrë specifike si një marrëveshje e fortë.(12) Praktika paraislame e trashëgimit të gruas është ndaluar.(13) Pëlqimi i të dy bashkëshortëve është një kusht i qartë për një martesë të vlefshme në Islam.(14)
Kjo do të thotë se martesa është një kontratë shoqërore, një kontratë fisnike dhe e shenjtë, po, megjithatë, një kontratë. Ajo që shpie në një numër marrëdhëniesh dhe sjell një sërë të drejtash dhe detyrimesh reciproke. Çdo kontratë, megjithatë, nuk është një gjë e shenjtë, por nuk është e parevokueshme. Divorci është i lejuar në rastet kur martesa ka dështuar. Martesa e sërishme është e lejuar, madje edhe inkurajohet. Nuk ka turp për një martesë të sërishme apo për martesën e një gruaje të ndarë ose të ve.

Besimi dhe familja

Besimi përbën themelin e institucionit të familjes. Një myslimaneje nuk i lejohet të martohet me një jomysliman.(15) Martesa duhet të jetë në mes partnerëve të cilët kanë pikëpamje të përbashkëta për jetën e moralin, dhe të cilët marrin pjesë në këtë marrëdhënie për të përmbushur fatin e tyre si mëkëmbës të Zotit. Në fakt, është theksuar që një parim udhëzues në martesë duhet të jetë ai që “të këqijat janë për të këqijtë edhe të këqijtë janë të për të këqijat; ndërsa të ndershmet janë për të ndershmit edhe të ndershmit janë për të ndershmet”,(16) dhe që “laviri nuk do të duhej të martohej me tjetërkënd përveçse me ndonjë lavire”.(17)
Besimi vazhdon të luajë rol vendimtar në gjithë sistemin e marrëdhënieve familjare. Babait apo djalit nuk i lejohet të trashëgojë apo t'i lërë trashëgim djalit a babait të tij jomysliman. Njësoj, nëse njëri nga bashkëshortët ndryshon besimin e tij a të saj, - prishet kontrata martesore.(18)
Kështu, martesa nuk është thjesht një formë marrëdhëniesh seksuale, po është një institucion themelor fetar dhe shoqëror.

Martesa

Islami urdhëron martesën.(19) Ai ndalon të gjitha format e marrëdhënieve seksuale jashtë martesës (d.m.th. para ose jashtë marrëdhënieve martesore). Ai urdhëron që kjo marrëdhënie të mos idhet thjesht në ndjekje të kënaqësisë së çastit dhe kalimtare, “vetëm për të kaluar një kohë të mirë”, por duhet të jetë përmes martesës dhe të vazhdojë në një mënyrë përgjegjësish, të planifikuar mirë dhe të qëndrueshme. Ajo duhet të institucionalizohet, në formë të martesës dhe jetës familjare të qëndrueshme. Kjo marrëdhënie nuk është një marrëdhënie e përkohshme, veçse është e përhershme dhe e përjetshme dhe nga çdo partner pritet të bëjë përpjekje serioze e të qëndrueshme për të jetuar së bashku dhe për të luajtur rolin e tyre në shoqëri.
Institucioni i familjes luan një rol shumë të rëndësishëm në shoqërinë myslimane. Kjo është njësia bazë e asaj shoqërie dhe organizohet në mënyrë të tillë që të veprojë si shoqëri në miniaturë. Rreth 1/3 e ahkameve (urdhrave ligjore të Kuranit) kanë të bëjnë me familjen dhe rregullimin e saj në mënyrë të duhur. Rrjeti i të drejtave dhe detyrimeve që ofron baza e jetës familjare, ka për qëllim krijimin e këtyre qëndrimeve dhe mënyrave të sjelljes, që i dëshiron Islami për individin dhe shoqërinë. Është ngritur një balancë e re në rolet dhe marrëdhëniet që ekzistojnë në mes burrave e grave, në mes të rinjve e të moshuarve, në mes fisit të afërm e të largët, në mes shfrenimit e disiplinës, në mes gjykimit individual e kontrollit shoqëror.
Familja myslimane është një familje e zgjeruar, dhe marrë- dhënie të ndryshme aty zënë pozicione të ndryshme. Ajo nuk është një bërthamë, familje që përbëhet vetëm nga prindërit e fëmijët. Normalisht, ajo ka tri a katër gjenerata nën ombrellën e saj.
Një vështrim i kujdesshëm në ligjin islam të trashëgimisë, tregon që të gjitha këto marrëdhënie janë pjesë integrale e strukturës bazë të familjes dhe jo vetëm pjesë periferike e saj.(20)

Barazia e gjinive

Islami pohon barazinë e burrit dhe gruas si qenie njerëzore. Kjo, megjithatë, nuk prodhon mosdiferencimin e roleve dhe funksioneve të tyre respektive në shoqëri. Islami kundërshton përzierjen e lirë të gjinive dhe këtë e konsideron në kundërshtim me rolin që ka familja në shoqëri. Përgjegjësia kryesore e gruas është të veprojë në shtëpi e familje, dhe gjithçka që është e nevojshme të veprohet për t’u zhvilluar këto institucione. Ajo, gjithashtu, ka përgjegjësi, të drejta e detyrime të caktuara shoqërore, por shqetësimi i saj kryesor është familja. Kjo është një ndarje funksionale e roleve e aktiviteteve dhe është konsideruar si esenciale për funksionimin e duhur të institucioneve të ndryshme të shoqërisë dhe për shëndetin e saj moral e për mirëqenien. Edhe përgjegjësia për të fituar mbështetje te bashkëshorti, kurse arsimimi, trajnimi dhe edukimi i duhur i fëmijëve dhe funksionimi optimal i shtëpisë e marrëdhënieve të gjera familjare mbështeten te bashkëshortja.(21) ... vijon


______________________
1. Daniel Bell, The Coming of Post-Industrial Society (London: Heinemann, 1974); Rovert L. Heilbroner, “The Human Prospect”, The New York Review of Books, January24, 1974; and Pitrim A. Sorokin, Social Philosophies of an Age of Crisis, (London; Adam & Charles Black, 1950)
2. Dominian, 'The Marriage Relationship Today”, (London: The Mothers' Uni- on, 1974); Vance Packard, The Sexual Wilderness, (New York: David Mc- Kay Co., 1968); Majorie Rittwagen, Sins of Their Fathers, (Boston, Houghton
Mifflin, 1958)
3. Kur'ani 3:2; 3:84; 42:13. Shih gjithashtu Khurshid Ahmad, Islam: Basicprinciples and characteristics, (Leicester: The Islamic Foundation, 1974).
4. Në qoftë se ky fakt merret parasysh, shumë shkrimtarë do të kishin kursyer veten nga mundimi i teorizmit për “plagjiaturën fetare” dhe “huazimet” nga ky apo ai burim, një temë e preferuar nga disa orientalistë.
5. Ngjarja është treguar në Kur'an në shtatë vende: 2-122-123; 7:11; 24:15; 26-42; 17:61-65; 18: 50-53; 20:122-123; 38:71-83. Shih gjithashtu Muhammad lqbal, The Reconstruction of Religious thought in Islam, (Lahore: Shaikh Muhammad Ashraf, 1971) fq.82.88 and Abdul A'la Mawdudi, Tafhim al-Qur'an (Lahore, Maktaba Ta'mir-e-lnsaniyyat, 1973), Vol.1, fq.61-70 and Vol.11, fq.10-20.
6. Kur'ani 95: 4.
7. Kur'ani: 95: 5-6; 103: 2-3.
8. Kur'ani 6: 165.
9. Kjo mënyrë e jetesës është përmbledhur shumë bukur në lutjen që është mësuar në Kur'ani dhe është një prej lutjeve më të shumta të përdorura. “Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira edhe në botën tjetër, dhe na ruaj prej dënimit me zjarr”. (el-Bekare: 201).
10. Kur'ani 30: 21.
11. Kur'ani 13: 38.
12. Kur'ani 4: 21.
13. Kur'ani 4: 19 “O ju që besuat, nuk është e lejuar për ju të trashëgoni gratë (e të vdekurve) në mënyrë të dhunshme…”.
14. Buhariu, Libri i Nikahit. Shih gjithashtu Kur'anin 2: 232.
15. Shih Kur'anin 2: 221. Përjashtimi i vetëm është që muslimani mund të martojë të krishteren apo çifuten, mbi bazën e asaj që muslimanët, të krishterët dhe çifutët besojnë në librat e shpallur dhe si pjesë e tillë, në një masë të caktuar, ndajnë opinion të përbashkët mbi jetën. Kjo leje është vetëm në rastet kur bashkëshorti, si udhëheqësi i familjes, është musliman. Muslimanes nuk i lejohet të martojë me burrin e krishteri apo çifut, përveç kur ai pranon Islamin.
16. Kur'ani 24: 26. Shih Mishkat aI-Masahib, (Tr. J. Robson, Lahore: S.M. Ashraf 1963) Vol. II, p.658.
17. Kur'ani 24:3.
18. Këto raste nuk do të thotë se Sheriati nuk përshkruan të drejtat dhe obligimet madje edhe në raste të tilla. Babai jomusliman ka të drejta të caktuara, ashtu si gruaja që e ndërron besimin. Por kjo është një çështje tjetër. Këtu jemi vetëm duke u përpjekur të tregojmë rolin vendimtar të besimin në institucionin e familjes.
19. Kur'ani 24: 3.
20. Syed Amir Ali. Mohammedan law Lahore. All Pakistan Legal Decisions. 1965 Vol. II pp44-48.
21. Kur'ani 33: 33.



Përktheu: Fuad Morina
Marrë nga www.iiu.edu.my

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.