Ilir Hoxholli: Bamirësia është shkollë edukimi

“Për të bërë bamirësi, ka nevojë për dashuri”. Me këto fjalë e nis rrëfimin e tij Ilir Hoxholli, drejtuesi i nismës humanitare “Dhuro Dashuri” për bashkëpunëtorin e revistës “Drita islame”, gazetarin Qani Sulku, ku gjatë intervistës, ai tregon për prioritetet e tij në punën vullnetare dhe humanitare, për kënaqësitë që i fal dhe që i dhuron kjo eksperiencë, për motivacionet dhe synimet që e shtyjnë për të ndihmuar të vobektët dhe nevojtarët. Ai flet, gjithashtu, edhe për nivelin e varfërisë në vendin tonë dhe rastet ekstreme, ku për disa prej tyre është bërë shkak për shpëtimin e jetës.

Nismës që nisi përpara një viti e gjysmë, i dha emrin “Dhuro Dashuri” dhe kur e pyet se pse ky emër?, të përgjigjet: Sepse jo çdokush ka mundësi të bëjë bamirësi në vlera materiale, por ka mundësi që t’i bashkëngjitet nismës në mënyrë vullnetare; ka mundësi ta thotë një fjalë të mirë; ka mundësi të të buzëqeshë; ka mundësi të të bëjë një koment pozitiv, qoftë edhe në rrjetet sociale; ka mundësi të të japë një ide, dhe e gjithë kjo ka bazë dashurinë. Djalli vepron me të gjithë njerëzit, për t’ua ngatërruar qëllimet dhe punët, ndërsa te dashuria ai nuk gjen vend, pasi ka punë me urrejtjen, ndërsa ne duhet ta largojmë urrejtjen nga vetja.
Më shumë se sa për t’i ndihmuar nevojtarët, Iliri dëshiron që të zgjojë te njerëzit ndjenjën e të dhënit, sepse kur njerëzit japin, krijojnë një shoqëri të mirë dhe pozitive; fillojnë e marrin nga pozitiviteti i njëri-tjetrit. Bamirësia është shkollë edukimi; shkollë që të bën të ndihesh mirë; shkollë që të bën falënderues. Në një kohë kur vlerat njerëzore po vijnë duke u zbehur, ne duhet të jemi të gatshëm çdo ditë për të ndihmuar dikë. Varfëria nuk mund të luftohet për një ditë të vetme. Nëse do ta ndiejmë praninë e Zotit dhe nëse porositë e Tij do t’i marrim si një sistem jetese, ne gjithmonë do të bëjmë mirë dhe nuk do të ketë nevojë për ditë ndërkombëtare sensibilizimi për zhdukjen e varfërisë.
Ajo që e motivon skuadrën e kësaj nisme humanitare i kalon kufijtë e tokësores të kësaj bote. Prioriteti i tyre është të fitojnë pjesën e botës tjetër që është Parajsa, kështu që çdo lloj lavdërimi apo një vetëkënaqësi e brendshme për ta është dëmtuese, ndërsa të qëndruarit pranë atyre më në nevojë, për ta është një çlirim goxha i madh shpirtëror, pasi jo kudo ku bën bamirësi, mund të marrësh mirënjohje nga njerëzit, e nëse për ty kjo është prioritare, atëherë ti mund ta lësh këtë bamirësi, pasi nuk e ke marrë atë që pret, por nëse prioriteti yt është të arrish kënaqësinë e Zotit, nuk të intereson se çfarë thonë njerëzit, sepse mund të ketë prej tyre që hedhin baltë mbi ty; mund të vijnë fjalë që nuk i përkasin as edukatës e as mirënjohjes; mund të të japin kënaqësi, por edhe pakënaqësi që ty të bën të tërhiqesh nga gjërat e bukura që bën.
Iliri, kur përshkruan përjetimet dhe mbresat gjatë vullnetarizmit të tij në bamirësi, thotë se ky angazhim të jep një kënaqësi të veçantë, që mbase edhe po t’i kalosh pushimet në vendet më të bukura, nuk merr më shumë kënaqësi sesa nga lutja e një nëne që mund t’i shkosh në shtëpi; nga fëmijë me sy të përlotur dhe që të shikojnë nga duart se çfarë do t’u çosh; nga një hall që mund t’ia heqësh dikujt. Ka pasur dhe raste kur “Dhuro dashuri” është bërë shkak për shpëtimin e jetës së personave me sëmundje të rënda dhe kënaqësia kur shpëton dikë shoqërohet me shpërblimin e publikuar nëpërmjet një ajeti kuranor që thotë: “Kush shpëton një jetë, sikur ka shpëtuar gjithë njerëzimin”. E çfarë dua unë më shumë nga kjo jetë? Pyet veten Ilir Hoxholli në mënyrë retorike, duke e shprehur gëzimin e madh me shpërblimin e ofruar nga Zoti i Lartësuar, për të Cilin thotë: “Kemi të bëjmë me një Zot të Mëshirshëm, që bamirësinë e ka prioritet, madje në ditën kur njerëzit dalin para Tij dhe thonë: O Zot! Na kthe edhe një herë në dynja të bëhemi prej bamirësve dhe punëmirëve. Dijetarët kanë thënë se është përmendur bamirësia, sepse ata, atë ditë kanë parë shpërblimet që ka ajo. Ne e dimë që nuk ka Bamirës dhe Dhurues më të madh sesa Zoti, dhe kushdo që mundohet të bëjë diçka për të arritur kënaqësinë e Tij. Zoti thotë: Unë jam më bamirës se filani dhe do ta fus atë në Parajsë.
Zoti këshillon që të ndihmohen ata njerëz, shenjat e të cilëve duken qartë në veshjen e tyre, në pamundësinë e tyre fizike, e megjithatë varfëria nuk mund të zhduket plotësisht, sepse ajo është edhe një sprovë e Zotit, për të treguar se si do ta menaxhojë njeriu në nevojë varfërinë, dhe se si do ta menaxhojë i pasuri pasurinë. Varfëria në Shqipëri është therëse, kështu që, nuk ka rëndësi se ku je; nuk ka rëndësi se çfarë bën, në qoftë se ke dashuri për Zotin, për njerëzit, për jetën, për gjithçka, ty të është dhënë dashuri e madhe, pasi zemra nuk njeh shifra. Ne shohim sot njerëz të profesioneve të ndryshme që kanë miliona e miliarda e duan prapë, e këtyre iu përshtatet shprehja: “Nuk është problem se nuk po ngopim dot të varfrit, por s’po ngopim dot të pasurit”, pra problemi është lakmia.
Ajo që synon Iliri me nismën e tij dhe jo vetëm, është që të lërë gjurmë të mira që njerëzit t’i vazhdojnë, në mënyrë që edhe pas vdekjes të vazhdojë të marrë sevape, pasi nuk ka vepër më të dashur te Zoti sesa bamirësia, e cila e shuan zemërimin e Tij sikur uji zjarrin. Nismëtari Hoxholli thotë se, nëse nuk e ndihmon vetë një rast të caktuar, nuk e publikon atë në rrjetet sociale për të ftuar të tjerët t’i bashkëngjiten, sepse i referohet ajetit kuranor: “A po i këshilloni të tjerët për gjëra të cilat ju vetë nuk i bëni.” Kur e pyesim se çfarë mësimesh të përcjell bamirësia, ai përgjigjet: Kur shikoj ashpërsinë e njerëzve, them: mësova nga butësia e Zotit; kur shikoj padrejtësinë e njerëzve, them: mësova prej drejtësisë së Zotit; kur shikoj dashurinë e Zotit ndaj njerëzve, edhe mua më shtohet dashuria ndaj tyre; kur shikoj që mëshira e Tij e ka kapluar zemërimin, edhe unë nuk ushqej urrejtje për të tjerët. Ky ishte në pak fjalë rrëfimi modest i Ilir Hoxhollit me një kontribut të çmuar e për t’u përgëzuar dhe një shembull frymëzues për shoqërinë shqiptare.
/Revista ‘Drita islame’ – nëntor 2017/

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.