Statusi i lartësuar i zotërisë sonë Muhamedit a.s.

Prejardhja fisnike e pejgamberit Muhamed a.s.(1)

Buhariu ka transmetuar, nga Ebu Hurejre r.a., se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: "Unë kam rrjedhur nga brezat më të mirë të bijve të Ademit, brez pas brezi, derisa erdha nga brezi nga i cili erdha." Transmetimi i Ibën Sa'dit, nga Ebu Xhafer el Bakir(2) (r.a.), shton: "Pastaj Ai zgjodhi bijtë e Hashimit nga mesi i kurejshëve dhe pastaj zgjodhi bijtë e Abdul Muttalibit nga bijtë e Hashimit."
Kështu ai a.s. ishte i zgjedhuri i Allahut dhe i pëlqyeri i Tij nga të gjithë brezat e njerëzve.
Vathile ibën el Eska r.a. ka transmetuar se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: "Allahu e zgjodhi Ismailin nga bijtë e Ibrahimit, nga bijtë e Ismailit zgjodhi bijtë e Kinanes, nga bijtë e Kinanes zgjodhi Kurejshët, nga bijtë e Kurejshëve zgjodhi bijtë e Hashimit dhe nga mesi i bijve të Hashimit më zgjodhi mua."(3)
Abasi r.a. ka transmetuar se Pejgamberi u ngjit në minber dhe tha: "Kush jam unë?" Njerëzit u përgjigjën: "Ti je i Dërguari i Allahut." Ai a.s. pastaj tha: "Unë jam Muhamedi, i biri i Abdullahut, i biri i Abdul Muttalibit. Allahu i krijoi të gjitha krijesat dhe më nxori nga krijesat më të mira të Tij; Ai i bëri ato në dy degë dhe më bëri nga dega më e mirë; Ai i krijoi fiset dhe më nxori nga fisi më i mirë; Ai i ndau ato në shtëpi dhe më nxori nga shtëpia më e mirë, kështu që unë jam nga shtëpia më e mirë në mesin e tyre dhe jam më i miri në mesin e tyre."(4)
Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka transmetuar se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: "Xhibrili më tha: "E kontrollova tokën nga lindja në perëndim dhe nuk gjeta asnjë njeri më të mirë sesa Muhamedi a.s.; dhe e kontrollova tokën nga lindja në perëndim dhe nuk gjeta asnjë farefis më të mirë sesa bijtë e Hashimit."(5)
Arsyeja e vetme që Pejgamberi a.s. i përmendi paraardhësit e tij fisnikë dhe prejardhjen e tyre të pastër ishte që të përmendte mirësinë e Allahut, që ta falënderonte Atë, që të njoftonte statusin e tyre dhe të tregonte madhështinë e tyre; kjo nuk konsiderohet aspak si mburrje apo mendjemadhësi.
Hafidh ibën Haxheri ka thënë: "Ndalimi i shfaqjes së krenarisë së njeriut me paraardhësit e tij vlen për mburrjen që çon drejt arrogancës dhe denigrimit të myslimanëve të tjerë."

Pastërtia e prejardhjes së tij fisnike

Abd el Rezaku ka transmetuar, me një zinxhir transmetimi që kthehet tek Imam Xhafer el Sadiku, se Muhamed el Bakiri r.a. ka thënë për fjalët e Allahut: "Juve ju erdhi i dërguar nga lloji juaj"(6) "Kjo do të thotë se dega e tij familjare nuk përmbante asnjë lindje të paligjshme. Vetë i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: "Unë vij nga lidhjet e martesës, jo nga kurvëria."(7)
Edhe Bejhekiu ka transmetuar, me një zinxhir transmetimi që kthehet tek Imam Xhafer el Sadiku, se Muhamed el Bakiri r.a. ka njoftuar se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: "Allahu më ka sjellë nga lidhjet e martesës dhe nuk më ka sjellë nga lidhjet e kurvërisë." Gjithashtu Bejhekiu ka transmetuar se Pejgamberi a.s. ka mbajtur një predikim, ku ka thënë: "Unë jam Muhamedi, i biri i Abdullahut, i biri i Abd el Mutalibit, i biri i Hashimit, i biri i Abd Menafit, i biri i Kusejit, i biri i Kilabit, i biri i Murrasë, i biri i Ka'bit, i bir i Lu'ejit, i biri i Galibit, i biri i Fihrit, i biri i Malikut, i biri i Nedrit, i biri i Kinanes, i biri i Huzejmes, i biri i Mudrikes, i biri i Iljasit, i biri i Mudarit, i biri i Nizarit. Njerëzit kurrë nuk janë ndarë në degë e që Allahu të mos më ketë vendosur mua në degën më të mirë; mbasi unë kam lindur nga prindërit e mi dhe asnjë gjurmë e kurvërisë së ditëve të injorancës nuk më ka prekur mua; unë kam dalë nga lidhjet e martesës dhe jo nga lidhjet e kurvërisë, që nga Ademi e deri te babai dhe nëna ime. Unë jam më i miri nga ju si person dhe më i miri nga ju për nga prejardhja."

Lindja e tij e lavdishme

Lindja e Pejgamberit a.s. u bekua me nderimin hyjnor dhe u mbikëqyr nga Provania e Shenjtë. Pas lindjes së tij a.s., Allahu xh. sh. shfaqi shumë çudira dhe mrekulli, si paralajmërim për pejgamberinë e tij, si një përgatitje për mesazhin e tij, si një shenjë për rangun e tij të jashtëzakonshëm dhe si një tregues se ai a.s. mbante një status të lartësuar.
Një manifestim i kësaj ishte drita që shkëlqeu në momentin e lindjes së tij.
Shfaqja e kësaj drite në momentin e lindjes së tij ishte një shenjë e asaj që do të vinte më vonë; drita që do të udhëhiqte botën dhe do t'i jepte fund errësirës së mosbesimit. Allahu xh. sh. ka thënë: "Juve ju erdhi nga Allahu dritë dhe libër i qartë, me të cilin (me Kuranin) Allahu e vë në rrugët e shpëtimit atë që ndjek kënaqësinë e Tij dhe me ndihmën e Tij i nxjerr ata prej errësirave në dritë."(8) Dhe me këtë dritë të cilën e solli nga Allahu, ai i ndriçoi mendjet, iu dha jetë zemrave të vdekura dhe hapi sytë e verbër dhe veshët e shurdhër.
Hafidh ibën Kethiri i ka kushtuar një pjesë të veçantë të veprës së tij Bidaje shenjave dhe mrekullive që u shfaqën natën e lindjes së Pejgamberit a.s., duke përmendur në mesin e tyre: shfaqjen e dritës pasi ai lindi, rënien e tij në tokë, gjunjëzimin, ngritjen e kokës së tij drejt qiellit, dritën që është parë në shtëpinë në të cilën ai lindi dhe mënyrën se si u afruan yjet, çarjen e pallatit të Kisraut, shembjen e shtyllave të tij, shuarjen e zjarreve, si dhe vizionin e kryepriftit të zoroastrianëve.

Data e lindjes së tij

Ai a.s. ka lindur në Vitin e Elefantit, pesëdhjetë ditë pasi ndodhi incidenti, në ditën e dymbëdhjetë të Rebiul-Evvelit në agim. Ahmedi ka transmetuar në Musnedin e tij se Ibën Abbasi ka thënë: "I Dërguari i Allahut ka lindur të hënën; e ka marrë shpalljen të hënën; është larguar nga Meka për të emigruar në Medinë të hënën; ka hyrë në Medinë të hënën; dhe e ka ngritur Gurin e Zi dhe e ka vendosur atë në vendin e tij të hënën."

Festimi dhe përkujtimi i ditëlindjes së tij

Është detyrë e çdo personi inteligjent që të gëzohet ditën që ai a.s. lindi dhe që ta festojë ditën kur e gjithë bota u mbush me dritë, udhëzim dhe dituri; sepse atë ditë lindi i Dërguari i mëshirës për botët, Pejgamberi i udhëzimit dhe i dritës për të gjithë njerëzimin, udhëheqësi i Pejgamberëve dhe i të Dërguarve. Pra, madhërojeni atë ditë dhe nderojeni atë; gëzohuni dhe ngazëllehuni për ardhjen e saj!
Tubimi për të lexuar historinë e lindjes së tij është një tubim që përfshin të gjitha llojet e mëshirës dhe të bekimeve, mirësinë dhe drejtësinë; leximin e shumë ajeteve të Kuranit Fisnik; kujtimin e nderimit dhe të mirësisë që Allahu i ka dhënë të dërguarit të Tij a.s., kujtimin e bukurisë fizike dhe morale të Zotërisë sonë Muhamedit a.s., lutjet për bekime dhe përshëndetjet e shumta mbi Pejgamberin a.s.; leximin e shumë poezive që shprehin falënderimin dhe dashurinë për Zotërinë tonë, të Dërguarin e Allahut a.s., dhe kërkesa dhe lutje të shumta drejtuar Allahut xh.sh. Secili prej këtyre komponentëve është i lejuar dhe i miratuar nga Ligji i Shenjtë dhe është një mjet i dashur për t'u afruar më afër Allahut; dhe Ligjvënësi i inkurajon të gjitha ato dhe thekson shpërblimin dhe vlerën e tyre të madhe; dhe kjo është rruga e dijetarëve të udhëzuar drejt dhe e njerëzve të devotshëm dhe të ndershëm.
Shejhu i lexuesve të Kuranit, Hafidh Ebu el Hejr ibën el Xhezeriu r.a. ka thënë: "Nëse Ebu Lehebi, jobesimtari të cilin vetë Kurani e ka dënuar, do të shpërblehet në xhehenem për gëzimin e tij në natën e lindjes së Muhamedit a.s., çfarë mund të themi për myslimanin monoteist nga umeti i Muhamedit a.s., i cili gëzohet për lindjen e tij dhe bën çdo gjë që mundet për të treguar dashurinë e tij për të? Pasha jetën time, shpërblimi i tij nga Allahu Bujar nuk do të jetë asgjë më pak sesa hyrja në xhenet me anë të mirësisë së Tij."


____________________
(1) Ky punim është marrë nga libri: Our Master Muhammad, The Messenger of Allah, His Sublime Character & Exalted Attnbutes, i autorit Imam Abdullah Siraxhuddin el-Husejni.
(2) Ky transmetim është mursel, pra sahabi që e ka transmetua~. nuk është përmendur me emër në zinxhirin e transmetimit.
(3) Është transmetuar nga Muslimi dhe nga Tirmidhiu (dhe ky është formulimi i Tirmidhiut).
(4) Është transmetuar nga Imam Ahmedi.
(5) Është transmetuar nga el-Bejhekiu, el-Hakimi, el-Taberaniu dhe Ibn Asakiri. Shami ka thënë: "Hafidhi ka deklaruar në Emali-n e tij se ky tekst mbart të gjitha veçoritë e autenticitetit." (Sireh, vëll. 1, f. 276).
(6) Kurani 9:128.
(7) Hafidh Ibn Kethiri ka thënë: "Ky është një transmetim i saktë, mursel."
(8) Kurani 5:15-16.



Abdullah Siraxhuddin el-Husejni
Përktheu nga anglishtja Mimoza Sinani
Dituraislame 320

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.