Literatura islame në gjuhën shqipe - rezultat i vizionit të prijësve dhe ulemasë tonë

(Fjala e myftiut të Kosovës Naim ef. Tërnava në hapej të Tryezës shkencore “60-vjet të Literaturës islame në gjuhën shqipe në Kosovë" (1957-2017)

Të nderuar të pranishëm!
Allahu xh.sh., bëri thirrje të vazhdueshme për njerëzit në kërkim të diturisë duke e ruajtur korrespodencën mes qiellit, tokës, njeriut e lapsit, ndaj edhe në shpalljen e fundit dedikuar njerëzimit mbarë edhe pse mes Isait a.s. dhe Muhamedit a.s. ishin afër gjashtë shekuj, Allahu xh.sh., në fjalën apo ajetin e parë të zbritjes nuk kërkojë që Ai të adhurohet dhe falënderohet, por kërkojë që të lexohet, mësohet e studiohet.
Allahu xh.sh. thotë:
“Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo! Se Zoti yt është më bujari!”.
Pastaj ajeti:
“Nun, betohem në pendën dhe në atë çka shkruajnë!
Muhamedi a.s. thotë:”Kërko dijen nga djepi deri në varrë”.
Ndaj në emër të kësaj më lejoni që fillimisht t’ju shpreh mirëseardhje dhe t’ju përshëndes në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saj dhe në emrin tim personal!
Kam nderin që marrë pjesë në këtë aktivitet me të cilin shënohet 60-vjetori i veprimtarisë së literaturës islame në gjuhën shqipe në Kosovë.
Këtu e gjashtë dekada më parë, udhëheqja e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe ulemaja e vendit tonë, megjithëqë në kushte jo të favorshme, por të vetëdijshëm e të përgjegjshëm për rëndësinë që ka fjala e shkruar, të vetëdijshëm për rëndësinë që i ka dhënë Allahu në Kuran - kërkimit të diturisë, të vetëdijshëm për rëndësinë dhe peshën që arsimit, dijes e fjalës së shkuar i kishte dhënë pejgamberi Muhamedi a.s., si dhe duke parë domosdoshmërinë dhe nevojën e besimtarëve myslimanë për të marrë njohurit themelore për fenë e tyre në gjuhën e tyre, në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës, pas një sërë vendimesh të mëdha që i kishin marrë më herët, ndër më të rëndësishmet s’ka dyshim se është edhe vendimi për të filluar edhe me veprimtarinë botuese, pra për të botuar literaturë islame në gjuhën shqipe. Kështu në vitin 1957 Bashkësia Islame e Kosovës arriti që të botonte doracakun “Ilmihali i vogël” në gjuhën shqipe. Ky doracak ndonëse i vogël në vëllim dhe pa ndonjë titull të zmadhuar, për shumë arsye hyri në histori.
E para sepse përmbajtja e tij ishte shumë domethënëse, sepse ai bënte fjalë për shartet e fesë islame që tani e tutje do të lexoheshin e mësoheshin edhe në gjuhën shqipe dhe për një shtresë të madhe të lexuesve.
E dyta sepse ky Ilmihal u bë ai guri themeltar i literaturës islame në gjuhën shqipe tek ne dhe e treta sepse ky botim përligji edhe një herë konstatimin se veprat e mëdha lindin nga gjëra të vogla.
Dhe vërtetë kështu ndodhi, sepse vargu i literaturës islame e cila nisi me këtë Ilmihal u plotësua ndër vite e dekada me shumë tituj e botime të tjera, shumë të ndryshme për nga përmbajtja, vëllimi e rëndësia.
Ky varg vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe shpresojmë që të vazhdoj për aq sa do të vazhdoj fjala e shkruar islame tek ne.

Të nderuar të pranishëm,

Më lejoni të theksoj se veprimtaria botuese islame në gjuhën shqipe në Kosovë është produkt dhe rezultat i dy periudhave të rëndësishme që i kanë paraprirë asaj. E para, ulematë tonë kishte shekuj që kishin filluar të shkruanin në gjuhën shqipe, por me shkronja arabe. Nga kjo kohë njohim shumë autorë dhe shumë vepra të kësaj natyre. Nuk është e tepërt të përmendim këtu Hasan Zyko Kamberin, Tahir ef. Gjakovën, Muhamet Kyqyk Çamin, Mulla Dervish Pejën, Rexhep ef. Vokën, hafiz Ali Riza Ulqinakun dhe shumë të tjerë.
Dhe e dyta është ndikimi që pati tek ulemaja e Kosovës dhe më gjerë veprimtaria botuese islame në gjuhën shqipe që kishte dalë në Shqipëri në periudhën pas pavarësisë së saj, kur ishin botuar nga KMSh-ja dhjetëra vepra nga personalietet tona të shquara si hfz. Abullah Semlaku, Hfz. Ibrahim Dalliu, Hfz. Ali Korça etj, përfshirë këtu edhe revistat “Zani i Naltë”, “Njeriu”, “Kultura islame”, dhe sidomos përkthimi i Kuranit në gjuhën shqipe(i pa botuar deri në ramjen e sistemit komunist). Përhapja e kësaj literature ka njohur një shtrirje më të madhe në hapësirat gjithë shqiptare sidomos në periudhën 1941-1944 që njihet si periudha e “Shqipërisë së Madhe” kur edhe administrativisht Bashkësia Islame e Kosovës ishte pjesë e Komunitetit Mysliman Shqiptar me qendër në Tiranë.
Mirëpo, kjo gjendje ndryshoi pas Luftës së Dytë Botërore, kur Kosova sërish okupohet me një okupim klasik nga Serbia-Ish Jugoslavia, ndaj Bashkësia Islame e Kosovës u detyrua që të riorganizohej në përputhje me rrethanat e reja të krijuara në vend. Në këtë rrafsh, pas riorganizimit të BI (1948), pas hapjes së Medresesë (1951), themelimit të Bibliotekës së Vakfit (1951), BIK më 1957 konkretizoi edhe një nismë të rëndësishme edhe pse në rrethana tejet të vështira dhe aspak të favorshme, pra fillimin e botimit të literaturës në gjuhën shqipe.

Të nderuar të pranishëm

Që nga “Ilmihali” i vitit 1957, i cili më pas u pasua nga “Buletini”, “Takvimi”, “Edukata islame”, “Dituria Islame”, tekstet shkollore të Medresesë – Alaudin dhe ato të F.S.I., më vonë, e deri tek veprat kapitale siç është botimi i përkthimeve të Kuranit në gjuhën shqipe dhe e gjithë literatura tjetër e botuar deri më sot fushash dhe disiplinash të ndryshme, është rezultat i punës, angazhimit dhe gatishmërisë së botuesit, autorëve, bashkëpunëtorëve, por edhe e lexuesve në përgjithësi. Që të gjithë këta meritojnë respektin dhe mirënjohjen tonë më të thellë.
Tani pas gjashtë dekadash literatura islame te ne ka njohur një shtrirje të gjerë, si në sasi ashtu edhe në cilësi, kështu që sot në gjuhën shqipe kemi të botuar vepra nga fusha e disiplina të ndryshme, duke u nisur nga ato themelore e bazike fetare e doktrinare e deri tek veprat kapitale nga fusha e hadithit, fikhut, tefsirit, akadidit, ahklakut etj. Një ndër prioritet kryesore të veprimtarisë botuese të Bashkësisë Islame të Kosovës mbetët botimi i veprave nga trashëgimia, kultura dhe qytetërimi shqiptarë islam, dhe në këtë drejtim janë botuar vepra të cilat kujtojmë se ndriçojnë aspekte dhe dimensione të ndryshme të kësaj pasurie.
Literatura Islame e shkruar te ne s’ka dyshim se është rezultat edhe i vizionit, i punës dhe angazhimit të vazhdueshëm të prijësve dhe ulemasë tonë. Me lejoni që më këtë rast në shenjë mirënjohje e falënderimi për punën e tyre t’i përmendi me emër disa nga ata, pa i harruar edhe shumë të tjerë që kanë hisen e tyre në këtë veprimtari, si Hfz. Bajram Agani, hfz. Ismailhaki Ustaibo, H.Jetish Bajrami, H. Sherif Ahmeti,Hasan ef.Nahi, Hfz. Avni Aliu, H. Muhamet Islami, H. Adem Ternava, H. Rashid Osmani,H. Sadri Perstreshi, Hajrullah ef. Hoxha, haxhi Jashar Jashari, Ibrahim Spahiu, Safet Basha, Bajrush ef. Ahmeti, Qazim Qazimi, Feti Mehdiu, Qemajl Morina, Resul Rexhepi, Nexhat Ibrahimi, Miftar Ajdini, Sabri Bajgora, Mujdini Ahmeti, Mehdi Polisi, Abdullah Hamiti, dhe një plejadë e tërë e autorëve dhe bashkëpunëtorëve, përmendja e të cilëve do të shkonte shumë gjatë.

Të nderuar të pranishëm!

Literatura islame te ne tashmë ka historikun e saj të begatshëm, por në këtë përvjetor, përveç të arriturave, në këtë tryezë shkencore, me kontributet e juaja, synojmë që t’i vëmë në spikamë jo vetëm sukseset, por edhe mangësitë, edhe sfidat e problemet, po edhe perspektivën e literaturës islame në epokën e teknologjisë digjitale. Gjithashtu duhet vënë në dukje se gjatë rrugëtimit të saj, literatura islame në gjuhën shqipe, sidomos në dy dekadat e fundit kur vendi ynë u gjend në rrethana të reja, kur tashmë Kosova është shtet i pavarur, ajo është përballuar me probleme e me sfida nga më të ndryshmet, që kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë pasoja tek lexuesi shqiptarë mysliman dhe jo vetëm.
Sepse, përderisa literatura islame te ne në tri dekadat e parë të zhvillimit të saj është realizuar vetëm në institucionet zyrtare të BIK (Shoqata Ulemave, Medreseja dhe Këshillat e BIK), pas viteve të ’90-ta, e posaçërisht pas luftës së fundit të vitit 1998/99 e këndej, me literaturën islame, pa kompetencë, pa përgatitje të duhur, për qëllime perfide e përçarëse, filluan të merren organizata e individ jashtë Bashkësisë Islame, duke botuar libra e revista për të cilat nuk kishim dhe nuk kemi nevojë. Ky fakt duhet të na bëjë neve si institucion edhe më të përgjegjshëm, më vigjilentë dhe më në hapë me kohën dhe me kërkesat e besimtarëve tanë. Një pjesë e kësaj literature e botuar nga individ dhe shoqata të ndryshme nëpër vendet shqiptare, pa kurrfarë kriteri edhe ndikojë në indoktrinimin e disa të rinjve edhe në Kosovë të cilët edhe morën rrugën e gabuar duke u thirrur në ato libra e revista e kjo ndikojë në një masë edhe deri tek radikalizimi dhe marrja pjesë aktive nëpër disa vatra të luftës nëpër vende Islame.
Për të ruajtur pastërtinë e fesë dhe burimeve tona, në kuadër të Kryesisë së BIK që nga viti 1993 është themeluar Shtëpia Botuese “Dituria Islame”, e cila me redaksitë e saja kompetente është përgjegjëse për botimin e literaturës islame tek ne dhe deri sot kjo shtëpi botuese e ka arsyetuar vetveten dhe ka shënuar rezultate të mira. Urojmë që edhe më tutje të vazhdoj kështu dhe për këtë jemi të bindur. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës do të përkrah në vazhdimësi botimin e literaturës islame në gjuhën shqipe konform politikave të saj dhe kërkesave të kohës dhe për këtë kemi edhe përkrahjen e studiuesve dhe njerëzve të penës.
Në fund, dua të shpreh edhe një herë gatishmërinë e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, se do të përkrah, do të ndihmoj dhe do ta mbështes çdo punë dhe nismë që ka të bëjë me literaturën dhe për literaturën islame te ne, s’paku për këtë jeni bindur edhe me mbajtjen e shumë konferencave, tryezave, simpoziumeve shkencore kushtuar fjalës së shkruar,tw shtyrw gjithherë nga porosit e Allahut xh.sh., ku Ai thotë:
“Thuaj: "A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?" Po, vetëm të zotët e mendjes marrin mësim”.
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka qenë, është dhe do të mbetet në shërbim të fjalës së shkruar.
Duke ju dëshiruar sukses dhe punë të mbarë në këtë Tryezë shkencore, ju falënderoj dhe lus Allahun xh.sh. që t’ju shpërblejë dhe t’ju begatojë për kontributin tuaj!

Prishtinë, 27 dhjetor 2017

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.