Sistemi bankar islam

Islami është feja e Allahut fuqiplotë, e shpallur tërë njerëzimit përmes të Dërguarit të fundit Muhamedit a.s. Islami përbëhet prej tre elementeve kryesore.

Elementi i parë është akideja islame, që nënkupton besimin me të gjitha format e tij. Elementi i dytë është Sheriati që nënkupton të gjitha format e veprimeve praktike të një myslimani duke manifestuar besimin e tij. Elementi i tretë është ahlaku që nënkupton sjelljen, pikëpamjen dhe etikën e punës me të cilën një mysliman kryen veprimet praktike. Ndër degët kryesore të sheriatit islam është dega muamelat e cila merret me praktikimin e jetës së përditshme në kontekst të një numri formash të raportit njeri-njeri. Një segment i rëndësishëm i kësaj dege të Sheriatit (muamelat) është aktiviteti ekonomik i një myslimani brenda sistemit të tij ekonomik, ndërsa në formë të përgjithshme brenda këtij sistemi ekonomik është edhe sistemi bankar dhe financiar, ku njeriu kryen aktivitetet e veta bankare dhe financiare. Kjo është rrënja islame e sistemit bankar dhe financave.
Islami posedon një sistem ekonomik të plotë, të përkryer, progresiv dhe dinamik, të përbërë nga aktivitete dhe rregulla të prodhimit ekonomik dhe të rritjes ekonomike, edhe pse ai detyron një përgjegjësi konkurruese ndaj mirëqenies shoqërore të popullatës.
Organizimi i aktiviteteve ekonomike të një shoqërie është gjë unike për Islamin. Në frymën e organizimit të sistemit ekonomik islam sektori tregtar është qendra kryesore e aktiviteteve ekonomike. Këtu prodhohet vlera e shtuar dhe krijohet pasuria. Në sektorin tregtar operojnë subjektet e bankave islame dhe institucionet financiare.
Sistemi bankar dhe financiar është krijuar për të plotësuar nevojat njerëzore për financim nga pjesa e kapitalit të të tjerëve.
Sistemet bankare dhe financiare në Islam mund të shikohen si mjete të shoqërive për kryerjen e së paku dy urdhrave të Sheriatit Islam:
Ndihma reciproke dhe bashkëpunimi në mesin e anëtarëve të shoqërisë si dhe
Mos mbyllja e fondit të pasurisë të dikujt në gjendje jofunksionale dhe jo në qarkullim për të mirën e përgjithshme të shoqërisë.
Bankat islame funksionojnë në bazë të shumë parimeve ekonomike legale islame, ndër të cilat dallojmë:
- El Musharekeh - projekte të përbashkëta me ndarje fitimi. Në këtë projekt secila palë ka hise për kontributin e saj ose sipas marrëveshjes paraprake. Legjitimiteti i kësaj kontrate ka dalë nga Kurani famëlartë dhe nga hadithi i pejgamberit a.s i cili thotë se Allahu xh.ah. ka thënë: “Unë jam partneri i tretë në partneritetin e dy palëve, (në ruajtjen e kapitalit të tyre dhe në bërjen e tregtisë së tyre dobiprurëse e të bereqetshme) për aq kohë sa ata nuk e tradhtojnë njeri-tjetrin. Taberaniu dhe Darekutniu
- El Mudarebeh - ndarjet e fitimit të mirëbesimit, legjitimiteti i kësaj kontrate ka dalë nga suneti i Pejgamberit a.s nga hadithi i Ibn Abasit i cili thotë: “Kur Abas bin Abdulmutalibi jepte fonde në kushte të El mudarebeh, vinte kusht që partneri i tij të mos udhëtonte në det me fondet e tij, të mos ndalej tërë natën në një luginë dhe të mos gjuante gjallesa. Nëse dilte kundër kushteve ai duhej të garantonte fondet. Për kushtet e tij dëgjoi i Dërguari a.s dhe i lejoi.” Taberaniu në el Eusat.
- El Beju bi themelin aaxhil - financimi i përvetësimit të aseteve
- El Ixhareh - financimi i përdorimit të shërbimeve
- Bejut-texhir - financimi i përdorimit të shërbimeve dhe përvetësimi pasues i aseteve
- El kardul hasen - heqja e përgjegjësisë shoqërore etj.

Qëndrimi i islamit ndaj interesit bankar

Nga karakteristikat pozitive të Islamit që ka për qëllim t’ua lehtësojë jetën njerëzve, është fakti se çdo haram e ka zëvendësuar me diçka më të mirë. E ndaloi kamatën por e lejoi tregtinë fitimprurëse. Ashtu siç i ndalon format e dukshme që shpijnë në haram, ngjashëm ndalon edhe paraqitjen e haramit si hallall nëpërmjet formave të padukshme dhe intrigave djallëzore. Edhe pse njerëzit përdorin forma të ndryshme për të lejuar kamatën e keqe me qëllim që ta lejojnë, mëkati përsëri mbetet vazhdimisht në kamatë.
Është i qartë dallimi në mes të kamatës dhe fitimit të mirë. Të gjitha llojet e kamatës janë të ndaluara fetarisht, pavarësisht emërtimit, qoftë kamata e huas, kamata në shitje, kamata e huas së konsumit etj. Ky interes është i ndaluar, çfarëdo qofshin emrat e tyre.
Lidhur me kamatën të gjithë dijetarët Islam pajtohen se në esencë ajo është vepër e ndaluar nga Krijuesi Absolut, mirëpo sa i takon interesit bankar në vende dhe kushte të caktuara dijetarët Islam nuk janë të një mendimi, sipas disa dijetarëve mendimet e të cilëve kanë arritur reputacion botërorë ajo më së paku në dy raste duhet që të lejohet edhe ate:
1. Ajo lejohet nën kushtet e interesit publik dhe
2. Ajo lejohet nën maksimumin ligjor, p.sh domosdoshmëritë që e bëjnë të ligjshme atë që është e paligjshme. Të këtij mendimi janë: Muhamed Abduhu, Reshid Rida, Muhamed Sheltut, Abdulvehab el Hal-laf, Ibrahim Zekijjuddin el Bedevi etj.
Sipas Muhamed Muteveli Sharavit, interesi shkatërron shoqërinë, sepse kapitali duhet shtuar përmes angazhimit, investimit të kapitalit i cili tërheq rrezik. Jemi dëshmitarë të kohës ku në aspekt global shohim se si vendet e varfra bëhen edhe më të varfra kurse të pasurat mbeten statike - të pasura, si rezultat i grumbullimit të interesit të kredive të mbledhura nga vendet e varfra që duhet dhënë vendeve të pasura.
Është e vërtetë se shkencëtarët Islam janë të ndarë dhe debatojnë në lidhje me këtë çështje dhe janë në proporcion të barabartë në mes lejes dhe ndalesës, mirëpo, ne e dimë se cili është qëndrimi i Islamit në lidhje me çështjet e dyshimta të cilat qëndrojnë në mes hallallit dhe haramit.
Sipas Sharavit, nevojtari i cili ballafaqohet me çështjen në fjalë ai vetë duhet të gjykojë. I shtrënguari dhe jo i shtrënguari sipas tij bartin mbi supet e veta përgjegjësinë e saj.
Për atë i cili jeton në shtet jo islam dhe obligohet që të merr para me kamatë dr. Jusuf el Kardavi do të shprehet: “Në qoftë se ndokush është i obliguar të marrë hua me kamatë, atëherë mëkatarë është vetëm ai që huazon me kamatë: këtu kushtëzohet nevoja e vërtetë, e jo vetëm qëllimi për diçka më luksoze, nevoja duhet të jetë aq e domosdoshme sa që pa të mund të shkatërrohet. Lejimi vlen aq sa ka nevojë, p.sh. Nëse mjaftojnë njëqind dinarë, nuk lejohet të merren një mijë dinarë hua. Njeriu duhet të orvatet maksimalisht që të largohet nga kriza materiale nëpërmjet metodave tjera, e vëllezërit muslimanë obligohen që t’i ndihmojnë. Nëse nuk ka kurrfarë mundësie tjetër, atëherë të marrë pa e kapërcyer nevojën. Zoti mëshiron dhe falë! Nëse vepron kështu atëherë le (të mos kënaqet) por ta urrej (mënyrën e tillë) derisa Zoti t’i siguroj ndonjë rrugëdalje”.

Qëndrimi i islamit ndaj shitjes me këste

Sipas mendimeve të “Akademisë së Fik’hut Islamik” të mbajtur në seancën e shtatë të konferencës në Xhiddeh në Arabinë Saudite më: 07.12.1412, që korrespondon me 09-14 maj1992, pas dëgjimit të diskutimeve që u zhvillua rreth tij, u vendos:
Shitja me këste është e lejueshme fetarisht, edhe në qoftë se rritet çmimi nga e shtyra (zgjatja) për dallim nga e përshpejtuara.
Argument në lidhje me këtë është rasti kur Berire, njëri nga sahabet e Pejgamberit a.s. i kishin shitë atij me këste, duke e ndarë atë me nëntë këste. Për një veprim të tillë e informuan të Dërguarin e Zotit, kurse ai nuk e mohoi.
Atëherë shtrohet pyetja: A është e lejuar për një person për të blerë ushqim ose veshje apo diç tjetër me rritje të çmimeve për shkak të afatit, për dallim nëse e blente atë me të holla.
Pyetja iu drejtua Imamit të madh, Sheikh AlAz’har, Hassan Mem’un, më 13 qershor të vitit 1959.
Në lidhje me këtë pyetje Sheihk Al Az’har do të përgjigjet: “Një shitje e tillë- ligjërisht është korrekte qoftë me para kesh apo për një periudhë të caktuar. Në qoftë se afati i pagesës është i njohur, atëherë kjo shitje është korrekte dhe pa kurrfarë dyshimi, për shkak se ajo është mënyrë e fitimit (el-murabaha), është prej llojeve të shitjes që fetarisht është e lejuar, në të lejohet kushtëzimi i rritjes së çmimit për hir të afatit, sepse afati edhe pse realisht nuk është para, për faktin se luan rol dhe në këtë rast lejohet rritja e çmimit për hir të afatit të dhënë. Për dallim nëse nuk dihet afati, atëherë është e ndaluar për arsye të mosmarrëveshjes e cila mund të paraqitet”.
I këtij konstatimi është edhe Imam Muhamed Muteveli Esh-Sha’ravi, edhe pse një pjesë e dijetarëve islam këtë shitje e konsiderojnë të ndaluar, sepse në shikim të parë i ka tiparet e kamatës. Për të elaboruar tezën e tij Sharavi thotë:“Shitja është dy llojesh: me para të gatshme dhe e zgjatur në kohë. Ligjdhënësi i ka lejuar njeriut të drejtën e shitjes së artikullit në afat të caktuar, me këste por me rritjen e çmimit (çmim të veçantë) të artikullit, ku koha ndikon në çmim. Është e njohur mirë se çmimi i sendit kur blihet me para të gatshme ndryshon nga çmimi me këste, ku koha ka pjesë në çmim. Për të ruajtur interesin e shitësit dhe blerësit, Islami e ka lejuar shitjen me shtyrje-prolongim (El-muexh-xhel) me kusht që shitësi mos e rritë çmimin e mallrave dhe të mos përfitojë nga nevoja e blerësit, përndryshe, kjo do të ishte ngrënie e pasurisë së njerëzve në mënyrë të paligjshme”.
Për sa i përket kamatës, ajo nuk është shitje por është hua, ku huamarrësit i garantohet huaja dhe interesi. Ky interes rritet dhe shumëzohet me kohë, kështu që kamata nuk është shitje dhe nuk ka asnjë ide të produktit, por është rrjedhojë e parasë së dhënë hua. Ndërkaq, shitja me këste është për të shitur mallrat që janë në kontratë dhe njëri nga palët e posedon mallin, mirëpo rritja e çmimit nuk ka të bëjë me afatin kohorë, por për hir të mallit që ai ia afron blerësit dhe kështu i jepet fund idesë së kamatës. Për këtë arsye, shitja me këste nuk është kamatë.
Muhamed Muteveli Sharavi për një interpretim të tillë afron argument dhe atë, kur të pafetë e kanë pyetur Pejgamberin a.s: “Përse o Muhamed e ndalon kamatën dhe e lejon shitblerjen me tepricë? Cili është dallimi në mes atyre që shesin delmen e cila arrin 10 dërhem me 12 dërhem, në vend që të shitet me 10 dërhem. I thanë: O Muhamed, fajdeja është më e mirë se të shiturit”. Zoti fuqiplotë iu përgjigj në Librin e Tij të shenjtë:
“Ata që e hanë kamatën, ata nuk ngrihen ndryshe vetëm se si ngrihet ai çmenduri nga të prekurit e djallit. (bëjnë) kështu ngase thanë: “Edhe shitblerja nuk është tjetër, por njësoj sikurse edhe kamata”! (El Bekare, 275).
Është për të përmendur këtu se, për një mysliman është e lejueshme për të blerë dhe të paguaj në çmimin e blerjes me para të gatshme, por mund edhe të shtyjë me pëlqim të dyanshëm. Pejgamberi a.s ka blerë ushqim nga një hebre për shpenzimet e familjes së tij me afat të shtyrë, dhe la në hipotekë një mburojë hekuri. Buhariu
Në qoftë se shitësi ka rritur çmimin për këtë vonesë, siç bëjnë shumica e tregtarëve që shesin me këste, disa dijetarë janë privuar nga ky lloj i shitjes duke e konsideruar si haram, duke u bazuar në atë se shtimi i të hollave kundrejt kohës është kamatë.
Por, shumica e shkencëtarëve e kanë lejuar një kontratë të tillë, sepse ajo në thelb është e lejuar, nuk ekziston tekst që do ta ndalonte dhe nuk është e ngjashme me kamatën në asnjë mënyrë. Shitësi ka të drejtë të rris çmimin duke marrë në konsideratë interesin e tij, përveç nëse ngritja është shumë e madhe dhe padrejtësia është e qartë, atëherë bëhet e ndaluar. Këtë qëndrim sipas Shavkanit e përkrahin shumica e dijetarëve si: Shafitët, Hanefitët, për shkak se shumica e argumenteve tradicionale dhe logjike e lejojnë një veprim të tillë. Allahu është njohësi më i mirë i të gjitha çështjeve!


Rexhep Ziberi

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.