Përse fëmijët e parë janë më të ndjeshëm

Nënat dhe baballarët në përgjithësi ankohen se fëmijët e tyre të parë janë më të mbyllur në vetvete në krahasim me fëmijët e tjerë dhe se ata nuk mund të shprehen aq shumë sa fëmijët pas tyre.

Prindërit, të cilët nuk janë të kënaqur me gjendjen e fëmijëve të tyre, dëshirojnë të kenë një fëmijë që i kupton ata ende pa folur, një fëmijë që nuk është i mërzitshëm, që mund ta shpjegojë shqetësimin e tij dhe më kryesorja, një fëmijë që mund ta shprehë veten e tij. Fëmijët e parë janë më të ndjeshëm dhe më të turpshëm në krahasim më fëmijët tjerë që mund të vijnë pas tyre. Edhe në lojë dhe karakter janë të ndryshëm nga vëllezërit dhe motrat e tyre. Fëmijët tjerë në krahasim me fëmijët e parë janë më aktivë dhe përshtaten më shumë me mjedisin që i rrethon. Përveç të tjerash, më shumë se të ndjeshëm, ata janë më racionalistë, i besojnë vetes aq sa të përballen me rrezikun dhe përshtaten shpejt me mjedisin e shoqërisë.
Prindërit që shprehin shqetësimet në lidhje me fëmijët e parë i ftoj që të mendojnë rreth periudhave të shtatzënisë dhe metodës që i kanë rritur fëmijët. Sapo jeni martuar dhe akoma pa e kuptuar se çfarë është martesa vini re se njerëzit që ju rrethojnë presin një fëmijë prej jush. Pastaj filloni të shikoni se ata presin fëmijë prej jush në emër të lajmit të mirë dhe se kur vonohet ky lajm i mirë, bëhet shkak për komente të ndryshme. Këto shpresa apo pritje, dashje apo pa dashje ndikojnë negativisht te ju. Ju keni shkuar si nuse në një mjedis të ri. Ndërkohë që përpiqeni të përshtateni me njerëzit dhe mjedisin, papritur vini re se keni ngelur shtatzënë. Krahas përshtatjes me mjedisin social, për herë të parë po përjetoni edhe periudhën e shtatzënisë. Krahas vështirësisë së shtatzënisë, presioni psikologjik nën emrin e këshillës, sugjerimit, shqetësimit dhe ankesës që fillon me: "Kur ishim shtatzënë në kohën tonë..." - ndikon negativisht në gjendjen shpirtërore të kandidates për nënë. Krahas këtyre, vetmia dhe ndjeshmëria psikologjike e kandidates për nënë, pritjet në lidhje me gjininë e fëmijës, mendimet e tilla: "A do të bëhem dot një nënë e mirë për fëmijën tim dhe a do të përkujdesem dot mirë për të?" - e fusin atë në stres. Këto lloje shqetësimesh që janë rezultat i atyre që thamë më sipër, dashje apo pa dashje, ndikojnë te fëmija në bark aq sa ndikojnë edhe te nëna. Në lidhje me këtë, nënës i bëj veçanërisht këtë pyetje: "A është e njëjtë periudha e shtatzënisë së fëmijës së parë me periudhat e shtatzënisë së fëmijëve të tjerë?" Përgjigja e nënës në përgjithësi është kjo:
"Atë kohë kam qenë pa përvojë dhe nuk kam ditur shumë gjëra."
Sidoqoftë vazhdojmë të mendojmë. Ndërkohë që fëmija lindi dhe ju përpiqeni për ta rritur atë, fillojnë ndërhyrjet edhe nga njerëzit rreth e rrotull. Krahas shqetësimeve dhe informacionit të paktë në çështjen e rritjes dhe edukimit të fëmijës që keni, vini re se nuk jeni vetëm në edukimin e fëmijës dhe se nuk mund ta rrisni atë sipas dëshirave tuaja pa ndërhyrë te fëmija edhe të mëdhenjtë e shtëpisë. Për shkak të këtyre, në emër të të qenit një nënë sa më e mirë, filloni të interesoheni më shumë seç duhet për fëmijën. Pra, ia jepni ushqimin para se ai të ketë uri, e vishni shumë trashë që të mos ftohet, nuk i jepni leje të vrapojë, duke u shqetësuar se mund të rrëzohet dhe e mbushni me lodra ngaqë nuk ka vëlla, motër apo shok për të luajtur. Shkurtimisht, gjërat që duhet t'i bëjë fëmija, fillon t'i bëjë nëna.
Prindërit i pyes: "A i keni rritur vallë edhe fëmijët e tjerë me këtë mjedis dhe psikologji?" Përgjigja që marr është kjo: "Jo, për fëmijët pasardhës nuk kanë ndërhyrë të tjerët. Mbi të gjitha, edhe unë kam pasur përvojë."
Fëmijëve që rriten pa vëllezër, motra dhe shokë nuk u jepet mundësia ta përjetojnë sa më shumë fëmijërinë e tyre. Normalisht, ndërkohë që fëmijët mësojnë me anë të lojës, me anë të provës dhe të gabuarit dhe në një ambient me shokë e shoqe, shumica e prindërve i privojnë fëmijët e tyre të parë nga kjo mundësi.
Prindërit e këtyre fëmijëve, të cilët mësojnë me anë të lojës dhe duke u argëtuar bashkë me fëmijët e tjerë, nuk u japin leje fëmijëve që të bashkohen me grupin e fëmijëve të tjerë, ngaqë janë të dhënë më shumë se ç'duhet pas tyre. Po, edukimi i këtyre fëmijëve që nuk gjejnë dot moshatarë për të luajtur me ta, fiton një dimension shumë të ndryshëm kur në këtë punë ndërhyn edhe gjyshja me gjyshin. Për këtë arsye, këta fëmijë në shumicën e rasteve shfaqin sjellje kontradiktore.
Një fëmijë që nuk i jepet leje për të dalë jashtë dhe që nuk gjen ndonjë moshatar për të luajtur me të, më së shumti mbytet te lodrat që ia blen familja. Fëmijët që lozin vetëm me lodrat e tyre, në të ardhmen përjetojnë vështirësi në të shprehurit e vetes dhe në fitimin e besimit ndaj vetes së tyre. Këtyre fëmijëve, të cilët rriten pa iu dhënë leje për t'iu bashkangjitur shumë mjediseve me fëmijë të tjerë dhe pa vëllezër e motra, u blihet çdo gjë që dëshirojnë, ngaqë janë fëmijët e parë dhe që të mos mërziten.
Ne përpiqemi të jemi prindër të shkëlqyer, duke i bërë në emër të fëmijës aktivitetet që duhet t'i bëjë vetë fëmija, si të shprehurit e vetes, përdorimi i
aftësive dhe marrja e përgjegjësisë. Domethënë, e sjellim fëmijën në një gjendje saqë të gjitha punët e tij i bëjmë ne. Pastaj kur të rritet, therni: "Përse është bërë kështu ky fëmijë?" Në këtë situatë, prindërit nuk ia kanë idenë se po u bëjnë keq fëmijëve të tyre ndërkohë që mundohen t'u bëjnë mirë. Për këtë arsye, është e kotë që të presësh një sjellje si "të bëjnë detyrat apo të mësojnë mësimet" nga këta fëmijë që e presin çdo gjë nga prindërit e tyre. Ndërsa anët që duken pozitive te këta fëmijë janë këto: Ata janë më të pjekur, më seriozë dhe më të heshtur se moshatarët e tyre. Nëse kjo gjendje e fëmijës i kalon përgjegjësitë që ai duhet të marrë përsipër, është e dëmshme, sepse çdo fëmijë duhet të sillet dhe të veprojë në përputhshmëri me moshën dhe strukturën e personalitetit që ka.

Çfarë duhet të bëhet për fëmijët e parë?

1. Fëmijëve të parë duhet t'u krijohet mundësia për të luajtur me moshatarët e tyre dhe duhet të inkurajohen në këtë çështje.
2. Prindërit nuk duhet të presin prej fëmijëve gjëra që janë të pamundura për moshën dhe aftësitë e atyre. Përkundrazi, fëmijëve duhet t'u japin përgjegjësi në përputhje me moshën e tyre. Prandaj, prindërit nuk duhet të presin prej fëmijëve pjekuri më të madhe se mosha e tyre duke u thënë: "Ti je motra e madhe apo ti je vëllai i madh."
3. Kur fëmijët të shfaqin sjellje pozitive në përputhje me moshën dhe aftësitë e tyre, duhet t'i ndihmojmë ata që t'i përforcojnë edhe më shumë ato sjellje.
4. Ne duhet t'ua mundësojmë që t'i mendojnë vetë punët dhe nuk duhet t'i bëjmë ato pupë në emër të tyre.
5. Ne duhet t'ua mundësojmë fëmijëve që ta shprehin veten e tyre. Për këtë arsye, atyre nuk duhet t'u japim ndonjë gjë pa e kërkuar dhe duhet t'i presim derisa t'i plotësojnë fjalitë.
6. Gabimet e fëmijëve nuk duhet t'i ekzagjerojmë duke marrë parasysh se fëmijët mund të gabojnë.

Nisur nga këto që thamë më lart, fëmijëve duhet t'u jepen përgjegjësi, në mënyrë që ta zhvillojnë besimin ndaj vetes. Ndërsa për përgjegjësitë që i kryejnë me sukses, prindërit duhet të shfaqin reagime inkurajuese. Ata fëmijë, të cilëve u rrihet gati në çdo aspekt, do të përjetojnë probleme në çështjen e marrjes përsipër të përgjegjësive. Te fëmijët që lozin me prindërit apo me lodrat e tyre në shtëpi në vend të mjedisit me bashkëmoshatarët, do të ketë ndryshime nga aspekti i socializimit prej fëmijëve që lozin me bashkëmoshatarët. Fëmijët që i formojnë sjelljet e tyre në ambient normal jo me metodën e provës dhe gabimit, por me këshillat dhe sugjerimet e prindërve, do të mendojnë si fëmijët më të rritur në moshë, por kurrë nuk do të sillen si moshatarët e tyre.



M. Emin Karabaxhak
Revista "Etika"

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Familly Kost Elite e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.