Liria, një e drejtë hyjnore apo ligjore?!

Njeriu pavarësisht gjithçkaje mbetet një qenie disi komplekse, por gjithnjë e lidhur në thelb me diçka shumë të lartë dhe sublime që është pikënisja dhe përfundimi i gjithçkaje për njeriun!

Një pyetje e tillë si kjo: "Liria, një e drejtë hyjnore apo ligjore?" të intrigon së tepërmi dhe të fut në një labirint mendimesh dhe supozimesh!

Shumë njerëz thonë se është një e drejtë ligjore dhe shumë të tjerë thonë se është një e drejtë hyjnore. Nuk ia vlen të kapesh pas njërit mendim apo tjetrit thjesht për inerci, për t’iu bashkuar një turme, pasi kjo pyetje kërkon shumë reflektim dhe, mbi të gjitha, meditim!

Ti mund të thuash se liria është një e drejtë ligjore, por mbi ç’fakte e bazon ti këtë? A nuk ishte njeriu i lirë edhe atëherë kur ligji nuk ishte dhe nuk ekzistonte një kushtetute e mirëfilltë? A nuk ishte njeriu i lirë edhe atëherë kur ligjet e cungonin së tepërmi veprimtarinë e tij në të gjitha drejtimet, sepse jetonte në një shtet totalitar komunist apo fashist, nazist, etj?

Vërtet, veprimtaria e tij ishte e kufizuar në shumë drejtime, por ama ai shëtiste nëpër rrugë tokësore, shikonte bukuri, dëgjonte me mijëra tinguj dhe pikërisht kjo është liria e vërtetë.

Ndoshta sot njeriu me këmbët e tij ra në një gropë që e ka hapur për dekada dhe shekuj me radhë, pasi sot lirisë i ka dhënë një përkufizim aq të skajshëm dhe gjithëpërfshirës, duke harruar se ai jeton në një shoqëri ku përveç të drejtave ka edhe detyra, ku përveç lirive ka edhe privime!

Në një shtet demokratik, kushtetuta më garanton mua lirinë e fjalës, lirinë e besimit, e arsimimit etj., etj., por të jetë kjo vallë liria e vërtetë? Kjo është thjesht liria që më garanton jurisprudenca e një shteti demokratik, kurse liria ime individuale shkon edhe më tej, shkon atje afër me hyjnoren, nis nga dalja ime mbi faqe t'dheut, e mbaron në kozmosin e pasjetës, apo nuk mbaron dot...

Qenia ime është e lirë, atëherë kur në çdo qelizë të saj ndihet lumturia, kur në çdo damar rrjedh harmonia, kur në çdo neuron përshkon dashuria, kur ajo ndihet pa komplekse dhe e pakufizuar drejt Krijuesit të saj!

Kurrsesi liria ime s’mund të jetë ligjore pa qenë fillimisht hyjnore, kurrsesi s’mund të ketë 2 pa pasur një 1.

Dostojevski ka thënë: "Nga hiçi nuk mund të krijohet dhe as nuk mund të lind asgjë, nga hiçi vetëm Zoti krijon"


Artikulli i kaluar
Po, stimulimit për dituri
Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dedikime për Muhamedin a.s. në muajin e Mevludit - lindjes së tij.