30 këshilla për edukimin e familjes në Ramazan

Ramazani është një rast i mirë për ngritjen e imanit, dhe shpresoj që një pjesë e kësaj mirësie të gjejë edhe familjen tuaj...
A e dëshiron mirësi për familjen tënde?!

Ramazani është një rast i mirë për ngritjen e imanit, dhe shpresoj që një pjesë e kësaj mirësie të gjejë edhe familjen tuaj, mirësi e cila nuk përfundon me përfundimin e këtij muaji të agjërimit, por do të zgjasë edhe në jetën në vazhdim si një program i jetës.
Me shpresë që nuk do të ndihet dhimbja e kalimit të muajit të Ramazanit tek familjarët tuaj, prindërit, vëllezërit apo motrat, e sidomos tek ti, këtu po japim disa ide pune dhe edukimi me të cilat ti mund të veprosh varësisht nga pozita jote në familje, si prind, bashkëshort, fëmijë apo vëlla a motër.
Nëse ti lexues i nderuar ke edhe ide të tjera për ta begatuar këtë muaj të mirësisë, mos hezito të shkruash në komentet poshtë artikullit, në mënyrë që bashkërisht të fitojmë nga këshillimi i ndërsjellë.

1 – Para së gjithash: Vendosni qëllime për ju dhe familjen tuaj, duke i varur ato në një vend të dukshëm për të qëndruar gjatë tërë muajit, gjë që tërheq vëmendjen e të gjithëve për obligimet dhe detyrat më të rëndësishme në këtë muaj. P.sh: Të lexojmë tërë Kur’anin gjatë këtij muaji. Të mësojmë (disa) ajete përmendësh. Të komentojmë familjarisht një libër të caktuar etj.

2 – Duke vazhduar nxitjen e anëtarëve për vlerën e aktiviteti të caktuar dhe shpërblimin në to, mos harro të stimuloni punët më të arrira gjatë këtij muaji me dhurata përkatëse. Vlen të ceken dhe të publikohen shpërblimet e pritura për ata që i realizojnë programet e parapara dhe detyrat e marrura me sukses.

3 – Para hyrjes në këtë muaj, të pajiseni me mjetet të cilat ju doni t’i përdorni gjatë muajit, si: DVD me filma, ligjërata, kaseta, broshura, libra, pllakate, postera, softuer kompjuterik islam, e të ngjashme, në mënyrë që mos të vie Ramazani e ju pastaj të filloni përgatitjen. Vizitoni gjatë këtyre ditëve libraritë islame dhe kërkoni edhe ndihmën e tyre në zgjedhjen e materialit sa më të përshtatshëm për moshën e familjarëve tuaj.

4 – Përgatit emocionalisht anëtarët e familjes për ardhjen e Ramazanit duke ua përkujtuar momentet më të zgjedhura nga vitet e kaluara në këtë muaj, si ligjëratat, tribunat, aktivitetet e ndryshme për nderë të këtij muaji, iftaret e përbashkëta, faljen e namazit të teravisë etj.

5 – Vendos në një kënd programin ditor familjar për këtë muaj, duke qenë i kujdesshëm që të jetë i përshtatshëm e jo i pa arritshëm për anëtarët. Në kuadër të këtij programi vendos datat e iftareve që do të organizoni në familjen tuaj për miqtë, fqinjët dhe shokët tuaj. Gjithsesi ky program duhet të jetë i përpiluar bashkërisht me të gjithë anëtarët, në mënyrë që të jetë fleksibil për të gjithë.

6 – Në letrën e varur në mur që tregojnë aktivitetet, shkruaj emrat e anëtarëve të familjes dhe arritjet e secilit gjatë ditës, në mënyrë që të vihet në pah konkurrenca.

7 – Mos harro të marrësh në konsideratë dallimet individuale në mesin e anëtarëve të familjes. Domosdoshmërisht obligimet dallojnë nga një moshë në tjetrën.

8 – Gjithsesi në këtë aktivitet të jetë e angazhuar edhe nëna e shtëpisë, të cilën duhet kursyer nga kërkesat e shumta rreth kuzhinës, por që do të ndihmonte shumë që gjatë punëve të shtëpisë të ketë të kyçur ndonjë audio nga Kur’ani qoftë CD apo radio online.

9 – Është e domosdoshme që në namazin e teravisë të ju shoqërojnë edhe anëtarët tjerë të familjes, duke zgjedhur kohë pas kohe xhamitë ku këndohet Kur’ani me zë më të bukur në mënyrë që të përjetohet bukuria e këtyre momenteve të adhurimi. (Nëse ka xhami ku mund të falen edhe femrat, atëherë le të ju shoqërojnë edhe ato në falje të teravisë).

10 – Angazhoni anëtarët tuaj për ta mbajtur kohë pas kohë një fjalë rasti në shtëpi, qoftë këshillë, përkujtim apo citim i një ajeti apo hadithi me qëllim të caktuar. Ajo mund të përgatitet në formë të shkruar po përmendësh, në mënyrë që të mësohen të gjithë për të dhënë këshillën publike. Kjo njëkohësisht do të krijonte atmosferën e një shtëpie ku dhënia e këshillës dhe përkujtimit janë pjesë e rëndësishme e secilit anëtarë.

11 – Një pjesë e aktivitetit të ketë natyrë humanitare, pasi që ky muaj edhe karakterizohet me të, duke përgatitur ushqime iftari për të varfrit e lagjes apo edhe më gjerë, duke marrë pjesë në organizimet humanitare të shportës së Ramazanit për të varfrit dhe jetimët, apo duke bërë iftare të përbashkëta me fqinjët. Dhënia e vitrave dhe kontributeve material nuk është e kufizuar dhe limitura. Veproni me aq sa keni mundësi.

12 - Çfarë do të ishte më e mirë se të mblidheni bashkë me fëmijët në xhami për të qëndruar në I’tikaf së paku një ditë gjatë Ramazanit duke pushuar nga përditshmëria dhe duke iu përkushtuar ibadetit të plotë.

13 – Ndalimi nga e keqja dhe urdhërimi për të mirë duhet të jenë preokupimi juaj, dhe kjo përmes këshillës së urtë drejtpërdrejtë, apo përmes shpërndarjes së broshurave të tjerëve. Kjo do të mbjellë në zemrat e fëmijëve tuaj kuptime të thella nga ky aspekt.

14 – Prej propozimeve të zgjedhura do të ishte edhe dhënia e mësimeve edukative në shtëpi rreth tefsirit të Kur’anit çdo ditë pas namazit të sabahut apo ndonjë kohë tjetër që përshtatet me aktivitetin tuaj ditor. Kjo me qëllim të aktivizimit në kuptimin e ajteve kur’anore, apo nxitja në hulumtim rreth temës, ose angazhim rreth meditimit në ajetet të cilat komentohen.

15 – Do të ishte shumë e bukur që të propozohej nga secili anëtar i familjes angazhim për të ndryshuar ndonjë sjellje të caktuar, qoftë duke u shmangur nga një shprehi e dobët, apo duke u fokusuar në një shprehi të mirë ose duke shtuar diçka nga ibadetet, për të qenë më tutje i rregullt në të.

16 – Organizimi i kuizeve të dobishme në familje nga lëmi të ndryshëm me qëllim të angazhimit të potencialeve pozitive dhe largimit nga koha e lirë dhe e pa dobishme, sidomos nga TV dhe interneti i pa qëllimtë.

17 – Shkrimi apo printimi i disa ajeteve dhe haditheve të caktuara me shkrim dhe ngjyra të bukura dhe vendosja e tyre në mur, duke veçuar fjalët më domethënëse të tyre, në mënyrë që të mbahen në kujtesë.

18 – Mundohu që ti dhurosh motrës apo vëllait një befasi të këndshme si kartolinë me urimin për Ramazan duke ia bashkangjitur ndonjë broshurë lutjesh apo libërth me këshilla.

19– Të vegjlit duhet të angazhohen dhe të kërkojnë nga më të mëdhenjtë që t’u shërbejnë në mësimin e ajeteve apo sureve të Kur’anit, ose ndonjë ngjarje nga jeta e gjeneratave të para Islame, në mënyrë që përfitimi të jetë i dyanshëm; dhënie dhe marrje e mësimit.

20 – Do të ishte shumë e rëndësishme që një mikut tuaj i cili ende ka luhatje në praktikimin e ritualeve fetare, gjatë këtyre ditëve t’i dhurosh ndonjë sexhade, tespihe apo libër rreth namazit, me të cilin do të ndjehej i respektuar dhe më afër adhurimit.

21 – Nëse keni punëtor shtëpie apo biznesi, mundësoju shkuarjen në xhami për të ndjekur ligjëratat të cilat mbahen enkas për këtë muaj.

22 – Që të jeni vazhdimisht i kujdesshëm dhe në kontakt me ibadetin, merrni me vete Kur’anin dhe një bllok shënimi për gjërat që keni hasur gjatë leximit dhe dëshironi ti mbani në mend.

23 - Provoni një mbrëmje përkujtimi të historisë me anëtarët e familjes, duke lexuar apo treguar ngjarje të prekshme nga historia e art islame apo momente përshkrimi të Ditës së Gjykimit, pastaj komentoni ato që të bëhen njohuri të qëndrueshme tek anëtarët e familjes.

24 – Bëni gara në leximin e librave mes anëtarëve të familjes duke i shpërblyer ata që lexojnë më shumë dhe komentojnë më bukur atë që kanë lexuar. Ju preferoj librin “Fragmente nga jeta e sahabëve”.

25 – Pyeti anëtarët e familjes për lexuesin e tyre më të preferuar të Kur’anit dhe pastaj vendos në veturë kasetat apo CD-të e tij në mënyrë që t’i dëgjoni ato së bashku gjatë udhëtimit.

26 – Do të ishte befasi e këndshme dhe e një rëndësie të veçantë nëse do të zgjidhje të bëje iftar në një shtëpi të ndonjë të varfëri duke i ndihmuar me pako ushqimore, por edhe duke përjetuar thjeshtësinë e jetës modeste, me qëllim të largimit të mendjemadhësisë dhe inferioritetit.

27 – Ndërmerr aksione humanitare brenda vet anëtarëve të familjes, ku secili do të ndante nga kursimet e veta dhe rrobat e preferuara, për ti dhënë në dobi të njerëzve nevojtar. Kjo do të ngjallte vetëdijen e familjarëve për bamirësi dhe do të zbuste zemrat e tyre.

28 – Ofroju fëmijëve të vegjël vizatime islame për ti ngjyrosur dhe komentuar më pastaj, për këtë qëllim shërbehu me internetin ku mund të gjesh vizatime mjaft interesante dhe domethënëse.

29 – Nxit anëtarët që të shkruajnë mbresat e çdo dite nga ditët e Ramazanit, përjetimet e tyre dhe ndodhitë më të këndshme e më prekëse të këtij muaji, në mënyrë që të mbesin në kujtesë në formë ditari.

30 – Të jetë dhjetëditëshi i fundit koha kur së bashku me anëtarët e familjes do ta llogarisni pasurinë tuaj vjetore për nxjerrjen e zekatit, duke ua bërë me dije anëtarëve të familjes këtë obligim islam dhe rëndësinë që ka në pastrimin e pasurisë dhe ruajtjen e familjes nga të ligat.



Përktheu dhe përshtati: Bashkim Mehani


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Intervistë në Tv Syri Vision: Kryetari i KBI Gjakovë, Dr. Valon ef. Myrta