Fitër Bajrami festohet në Maqedoni nën hijen e KOVID-19

Pas 30 ditëve agjërim në muajin e shenjtë të Ramazanit, myslimanët në mbarë botën sot e festojnë Fitër Bajramin, një ndër festat më të mëdha islame. Për dallim nga vitet e tjera, për shkak të pandemisë KOVID-19, këtë vit Bajrami nuk po festohet sipas riteve tradicionale, pasi që autoritetet kanë ndërmarrë masa për parandalimin e virusit korona, njofton Portalb.mk.
Besimtarët sot në mëngjes në ora 5:46 e falën namazin e Fitër Bajramit. Portalb.mk ka vizituar një xhami dhe sipas asaj që mund të shihet dhe në fotografinë e mëposhtme, shumica e besimtarëve nuk i kanë respektuar rekomandimet e autoriteteve për mbajtjen e distancës prej së paku 1 metër dhe mbajtjen e maskave.
Pas faljes së namazi i Fitër Bajramit, myslimanët kanë uruar njëri tjetrin me mesazhe paqeje, mirësie respekti, dashurie dhe mëshire. Sipas traditës myslimanët e festojnë këtë Bajram 3 ditë.
Kreu i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, Sulejman Rexhepi, nëpërmjet një video-mesazhi, ka uruar besimtarët mysliman me rastin e festës së Fitër Bajramit. Ai tha se, besimtarët po dalin nga një Ramazan që sivjet ishte pak më ndryshe, por vetëm nga forma e jashtme e tij, brendia e Muajit të Bekuar, siç theksoi ai, përkundër pandemisë që imponoi masa të shumta, ishte e pandryshuar sikur në pesëmbëdhjetë shekujt e shkuar të Islamit.
“Në fakt, kam bindjen se Ramazani që po e përcjellim na bëri edhe më të fortë, rreziku që na sillej vërdallë ndikoi të mbështetemi edhe më shumë te Zoti ynë, të jemi më solidarë, të kujtojmë me tërë qenien se jeta, lumturia dhe ardhmëria jonë janë përcaktim i të madhëruarit Zot. Mbi atmosferën për plotë dilema e ankthe që e krijoi Covid 19, ngadhënjyen dashuria dhe besimi ynë ndaj Allahut. Duke madhëruar emrin e Krijuesit dhe duke ndier kënaqësinë e paqes dhe qetësisë që Ai i shpërndau në shpirtrat tanë, ne e ripërtrimë bindjen tonë duke forcuar cilësitë tona të mira dhe duke u menduar më thellë rreth të metave që mund t’i kemi. Të dashur Besimtarë urime të përzemërta Festa e Fitër Bajramit. E gëzofshi me të gjithë anëtarët e familjeve tuaja, me miq, shokë dhe dashamirë”, ka thënë Rexhepi.”, ka thënë Rexhepi.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut lejoi që të falet namazi i Fitër Bajramit në xhami, pasi që Bashkësia Fetare Islame kishte miratuar një vendim paraprak, që falja e namazit të Bajramit të bëhet nën masa të veçanta me qëllim të parandalimit të shpërndarjes së virusit korona. Megjithatë, pasi të falet namazi, prej orës 11:00 qytetarët e RMV-së do të jenë në izolim deri të martën në ora 05:00.

Riaseti i BFI-së, për shkak të virusit korona e ka anuluar organizimin e manifestimit qendror tradicional të faljes së Fitër Bajramit.
Redaksia e Portalb.mk të gjithë besimtarëve ua uron festën e madhe të Fitër Bajramit. Zoti ua pranoftë agjërimin dhe lutjet. Me shëndet dhe gjitha të mirat!


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Gara ndërkombëtare e Kuranit në Kosovë: Juria e vlerëson si ndër më të mirat e organizuara deri tani