All-llahu i madhërishëm në Kur’anin fisnik urdhëron e thotë:

“Pra, falënderimi i qoftë vetëm All-llahut, Zotit të qiejve, Zotit të tokës, Zotit të gjithësisë.” (El Xhathije, 36)
“I punonin atij çka ai dëshironte: pallate të fortifikuara, skulptura, pjata (të drunjëta) sikurse rezervuare, enë (kazana) të palëvizshme. Veproni duke falënderuar, o familje e Davudit, e nga robërit e Mi, pak janë mirënjohës.” (Sebe’ë, 13)
“Dhe (përkujtoni) kur Zoti juaj njoftoi bindshëm: “Nëse falënderoni, do t’ua shtojë të mirat, e nëse përbuzni, s’ka dyshim, dënimi Im është i vështirë!” (Ibrahim, 7)
“Pra ju më kujtoni Mua (me adhurime), Unë ju kujtoj juvem (me shprëblim). Më falënderoni e mos Më mohoni.” (El Bekare, 152)
“Muhammedi nuk është tjetër vetëm se i dërguar. Edhe përpara tij pati të dërguar (që vdiqën ose u vranë). E nëse ai vdes ose mbytet, a do të ktheheshit ju prapa (nga feja ose lufta)? E kushdo që kthehet prapa, ai nuk i bën dëm All-llahut aspak, kurse All-llahu do t’i shpërblejë mirënjohësit.” (Ali Imran, 144)
“Çfarë ka All-llahu me dënimin tuaj? E falënderuat dhe i besuat? (e para nuk i pakëson sundimin e as e dyta nuk ishton) All-llahu është mirënjohës i dijshëm.” (En Nisaë, 147)

Pejgamberi s.a.v.s. thotë: “Ai i cili është falënderues dhe nuk agjëron nafile, ka shpërblim te All-llahu si ai që agjëron nafile (agjërim vullnetar) dhe është i durueshëm”.
Pejgamberi s.a.v.s. qante në namazin e natës dhe Aishja r.a. e kishte pyetur: Për çfarë po qanë? All-llahu ti ka falur të gjitha mëkatet e kaluara dhe të ardhshme? Ai iu përgjigj: “A nuk jam unë falënderues?”
Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Në ditën e Gjykimit do të thirren: “Le të ngrihen ata që kanë qenë falënderues!” Do të ngrihet një grup i shënuar dhe do të hyjnë në xhennet”.
Është pyetur Pejgamberi s.a.v.s. “Kush janë falënderuesit (hamidun)? Ai u përgjigj “ Ata që falënderojnë All-llahun në çdo moment”
Po ashtu Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Falënderimi (hamdi) është mbulesë e të Mëshirshmit”
Kupto se falënderimi është prej shkallëve të larta dhe është më i lartë se durimi (sabri) se frika dhe asketizmi (zuhdi). Me durim dëshirohet të nënshtrohen epshet, frika është kamxhik e cila shpie në shkallë të falënderimit, asketizmi (zuhdi) është mënyrë që ofron te All-llahu, ndërsa falënderimi nuk ndërpritet as në xhennet, sepse në xhennet nuk ka pendim (teube), as frikë, as durim, as asketizëm, por falënderimi (shukr) është i përhershëm në xhennet. Për këtë All-llahu i madhërishëm në Kur’an thotë:
“Lutja e tyre aty është: “I lartë je o All-llah!”, e përshëndetja e tyre është: Selam! dhe lutja e fundit e tyre: “Falënderimi i qoftë All-llahut, Zotit të botëve!” (Junus, 10)
Këtë do ta kuptosh nëse do të njohësh realitetin e falënderimit dhe ai është bazuar në dituri, gjendje dhe veprim.
Sa i përket diturisë duhet të dish se të gjitha begatitë janë vetëm të All-llahut dhe vetëm Ai i dhuron.
Shkalla e parë e njohurive fetare është lartëmadhërimi (takdis) duke ditur se nuk meriton askush të lavdërohet përveç All-llahut të Vetëm dhe ky është teuhidi (shprehje e Njësisë së Tij).
Më pastaj duke ditur se çdo gjë në botë është krijuar nga Ai dhe të gjitha mirësitë dhe begatitë janë të Tija, ky është falënderim (hamd). Në këtë renditje tregojmë edhe fjalët e Pejgamberi s.a.v.s.: Kush thotë: “SUBHANALL-LLAH” (qoftë i lavdëruar All-llahu) ka dhjetë vepra të mira (hasenat). Kush thotë “LA ILAHE IL-LALL-LLAH” (nuk ka zot tjetër pos All-llahut) ka njëzet vepra të mira, ndërsa kush thotë “ELHAMDULIL-LAH” (falënderoj All-llahun) ka tridhjetë vepra të mira.
E kjo është për shkak se lavdërimi dhe teuhidi janë pjesë përbërëse të falënderimit.
Sa i përket falënderimit me gjuhë vlera varet nga bindja në zemër. Gjuha është vetëm një aparat me të cilin mënjanohet indiferenca.
Kupto dhe dije se nëse mendon se begatitë që të arrijë, janë nga tjetër kush përveç All-llahut njohja yte dhe falënderim i yt nuk është i kompletuar.
Nëse mbreti jep urdhër me shkrim arkëtarit për të shpërblyer, nuk i jepet rëndësi arkëtarit sepse ai është i urdhëruar që ta kryej detyrën, dhe se ai nuk ka efekt në dhënien e shpërblimit.
Po ashtu ai i cili ka mendje të ndriçuar e dinë se Dielli, Hëna, dhe yjet janë të nënshtruar urdhrit të All-llahut, mu sikurse lapsi, letra dhe ngjyra gjatë nënshkrimit.
Zemrat e njerëzve janë depot e All-llahut ndërsa çelësat e tyre janë në fuqinë e All-llahut dhe i hapë ashtu që ajo ngjallet dhe bindet p.sh. në gjymerti. Atëherë njeriu nuk është në gjendje që ta ndalë dorën e gjymertisë.
Themeli i dytë është gjendja e arritur pas njohjes, e kjo është gëzim ndaj Atij që jep begatitë, duke qenë i përulur dhe me frikërespekt ndaj Atij.
Nëse dikujt mbreti ia sjellë si dhuratë një kalë, ky do të gëzohej për tri gjëra:
1. Do të shërbehej me kalë, se do të konkludonte se mbreti ka kujdes ndaj tij dhe do ta shpërblej me diç edhe më të vlefshëm se kali do ti shërbej si mjet për të arritur te mbreti. Në rastin e parë nga falënderimi s’ka asgjë sepse u gëzua nga dhurata e jo kush ia dërgoi.
2. Së dyti ka diç nga falënderimi por më pak se në rastin e tretë. Kulminacioni i falënderimit është gëzimi që All-llahu e ka dhuruar nga begatitë e Tij dhe që kjo dhuratë do t’i shërbej si mjet afrimi tek Ai. Ky është falënderimi (shukr) komplet, ndërsa në rastin e parë kur i gëzohet dhuratës e jo dhuruesit, këtu nga falënderimi s’ka asgjë.
3. Themeli i tretë është vepra e kjo është që me begatitë e All-llahut shërbehet për t’u bërë i dashur tek Ai, e jo për të bërë mëkate.
Pra, duhet të dish se syri është një begati e All-llahut që duhet ta përdorësh për ta studiuar Librin e Tij, librat e dijetarëve, të shohësh qiejt dhe tokën, duke marrë përvojë dhe duke përjetuar madhështinë e Krijuesit të tyre si dhe duke mbuluar çdo turp që sheh te muslimani. Veshin ta përdorësh në dëgjimin e Kur’anit, dhikrit dhe asaj që shërben në Ahiret dhe të largohesh nga dëgjimi i gjërave pa vlerë.
Gjuhën ta përdorësh në përmendjen e All-llahut duke e falënderuar pa kursye fare. Ai i cili pyetet se si është dhe ankohet është mëkatar, sepse është ankuar në Sunduesin, te robi i cili s’mund të bëjë asgjë, por nëse falënderon All-llahun, atëherë është prej të bindurve. Falënderimi me zemër është në meditim, dhikr dhe njohuri, si dhe t’i dëshirosh të mira të gjitha krijesave të All-llahut. E njëjta gjë vlen për duart, këmbët, organet e tjera që nuk mund të numërohen.
“Dhe ai ju dha gjithë atë që e kërkuat (që kërkoi nevoja juaj) dhe, edhe në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e All-llahut nuk do të mundë të arrini t’i përkufizoni (në numër). Vërtet, njeriu është i padrejtë dhe shumë përbuzës.” (Ibrahim, 34)


Falënderimi i të udhëzuarve


Dije se aftësi falënderimi ka ai të cilit All-llahu ia ka hapur gjoksin për Islam dhe është i ndriçuar me dritën e Zotit të vet, dhe në çdo gjë sheh urtësinë dhe dashurinë e Tij. Kujt nuk i është zbuluar, ai duhet pasuar sunetin dhe dispozitat e Sheriatit, se këtu është fshehtësia e falënderimit. Andaj nëse shikon në gjëra jo të lejuara atëherë ke mohuar dhuntinë e syrit. Shikimi realizohet nëpërmjet diellit dhe syrit, dhe dielli është në qiell, kështu që ti duke shikuar në gjëra të ndaluara nga ana e Sheriatit, ke mohuar begatitë e All-llahut në qiej dhe në tokë. Në këtë mënyrë po shihet mëkati dhe do të shohësh nëse rezonon në këtë mënyrë mëkati ka diapazon të gjerë.
Në këtë shembull ka mësim të madh.
All-llahu e ka krijuar dirhemin dhe dinarin që janë vendimtar në çdo gjë, dhe në bazë të tyre vlerësohet dhe mos me qenë paraja do të ishte vështirë bashkëpunimi i ndërsjellë, sepse nuk do të dinim si të blejmë rrobat, kalin, ushqimin. Të gjitha këto kanë një cilësi të përbashkët që paraqet kapitalin (pasurinë), ndërsa masë e përcaktimit të tij është paraja dhe kush e posedon është sikurse me robërua një mbretë mysliman. Por, kush nga ari ose argjendi bënë një enë, është sikurse me e përdorë mbretin si rrobaqepës, bujk, punë të cilën mund ta bëjë çdokush, e kjo që është më e rëndë se burgu. Por, kush mbledh arin (paranë) për qëllim të tregtisë, duke ndarë të mirën nga e keqja, është si ai që e ka marrë mbretin nga froni dhe e përdorë si mjet përqeshje dhe si rob të tij. E gjithë kjo është padrejtësi (zullum) dhe ndryshim i rendit të All-llahut në qeniet dhe armiqësi ndaj Tij. Nëse këto gjëra nuk të janë të zbuluara më dritën e njohurisë, do ti kuptosh duke lexuar versetin e Kur’anit fisnik:
“O ju që besuat, vërtet një shumicë e parisë fetare e jehudive dhe e të krishterëve, në mënyrë të paligjshme e hanë pasurinë e njerëzve dhe pengojnë të tjerët nga rruga e All-llahut. Ata të cilët e ruajnë arin e argjendin e nuk e japin për rrugën e All-llahut, lajmëroji për një dënim të dhëmbshëm. Atë ditë kur ajo (pasuri e deponuar) fërgohet në prushin e xhehennemit, e me të (ashtu zharavë) lyhen ballët, anët dhe shpinat e tyre (do t’u thuhet): “Kjo është ajo që e dispozituat për veten tuaj, pra shijoni atë që e depozitonit!” (Teube, 34,35)
Dhe thuhet “Kush hanë nga ena e arit dhe argjendit është sikur me futë në barkun e tij zjarr të xhehenemit”
Në Kur’anin fisnik thuhet:
“Ata që e hanë kamatën, ata nuk ngrehen ndryshe pos siç ngrehet i çmenduri nga të prekurit e djallit. (Bëjnë) kështu ngase thanë: “Edhe shitblerja nuk është tjetër, por njësoj edhe kamata!” e All-llahu ka lejuar shitblerjen, ndërsa ka ndaluar kamatën. Atij që i ka aritur këshillë (udhëzim) prej Zotit të tij dhe është ndalë (prej kamatës) atij i ka takuar e kaluara dhe çështja e saj mbetet te All-llahu, e kush e përsërit (pas ndalimit), ata janë banues të zjarrit, ku do të mbesin përgjithmonë.” (El Bekare, 275)
Të mirët qëndrojnë në kufijtë duke ruajtur Dispozitat e All-llahut dhe kur zbulohen të fshehtat dhe binden me dëshmi në panoramat e Ligjdhënësit absolute, drita e imanit rritet në zemrat e tyre.
Të verbërve u cungohet njohja e fshehtësive, dhe ngecin si robër jot ë nderuar, siç konfirmon Kur’ani fisnik:
“A është i njëjtë ai që e di se ajo që t’u shpall ty nga Zoti yt është e vërtetë, si ai që është i verbër? Vetëm njerëzit e arsyeshëm që kanë mendje të shëndoshë e kuptojnë të vërtetën.” (Er Rra’d, 19)
“E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kijametit do ta ringjall të verbër.Ai (që nuk besoi) do të thotë: “Zoti im, prse më ngrite të verbër, kur unë isha me sy?”Ai (All-llahu) thotë: “Ashtu si harrove ti argumentet Tona që t’i ofruam, ashtu je ti i harruar sot”. (Ta Ha, 124-126)
Shenjat e All-llahut janë urtësia e Tij e krijimit të treguar njerëzve nëpërmjet Pejgamberit s.a.v.s. dhe janë të shpjeguara me precizitet, prej fillimit deri në fund, në Sheriat. Nuk ka asnjë obligim nga Sheriati e që në të nuk ekziston fshehtësi, urtësi e veçantë, të cilën e njohin ata që janë të ndriçuar me dritën e All-llahut, ndërsa këtë e mohojnë të paditurit.
Falënderimi kuptohet është tek ai I cili është i bindur tërësisht vetëm All-llahut të madhërishëm, është I sinqertë pa asnjë dëshirë ndaj dikujt tjetër përveç Atij.
All-llahu i madhërishëm na mëson në Kur’anin fisnik mënyrën e lutjes për falënderimin ndaj Tij me sa vijon:
“E ai (Sulejmani) buzëqeshi i gëzuar prej fjalës së tij dhe tha: “Zoti im, më mudnëso që të falënderoj të mirat Tuaja që m’i dhurove mua dhe prindërve të mi dhe që të bëj vepra të mira që Ti i pëlqen, e me mëshirën Tënde më shtie në mesin e robërve Tuaj të mirë!” (El Neml, 19)
“Ne e urdhëruam njeriun t’u bëjë mirë prindërve të vet, ngase nëna e vet me mundim e barti dhe me vështirësi e lindi, e bartja e tij dhe gjidhënia e tij zgjat tridhjetë muaj (e ai vazhdon të jetojë) derisa të arrijë pjekurinë e vet dhe kur t’i mbush dyzet vjet ai thotë: “Zoti im, më inspiro mua që të falënderoj për të mirën tënde që ma dhurove mua dhe prindërve të mij, që të bëj vepra të mira që i pëlqen Ti dhe m’i bën të mirë pasardhësit e mij, unë pendohem te Ti dhe unë jam me myslimanët.” (El Ahkaf, 15)



Përgatiti: Dr. Ali Iljazi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë