Durimi është adhurim


Durimi, në raport me veprën (adhurimin), është sikur koka me trupin. Ai, si cilësi e mirë, apo qëndrim pozitiv psikologjik (siç e cilësojnë disa) është nga dhuratat më të çmuara që i jepet myslimanit

Prej veçorive të besimtarit të zellshëm është vazhdueshmëria në adhurim ashtu që të mos e shkëpusë as edhe një herë lidhjen me Zotin. Kjo, ngase ai pranon se qëllimi kryesor i krijimit të njeriut është njohja e Zotit dhe adhurimi i Tij.
Lidhur me këtë Zoti në Kuran thotë: "Nuk i krijova xhinët dhe as njerëzit për tjetër veçse që të më adhurojnë."(1) Po ashtu thotë: "Dhe adhuro Zotin tënd derisa të të vijë vdekja."(2)
Prandaj, thirrja qendrore e të gjithë profetëve të Zotit ishte e fokusuar te ky qëllim. Kurani citon thirrjen e Nuhit a.s. drejtuar popullit të tij: "O populli im, adhurojeni Allahun, sepse ju nuk keni zot tjetër pos Tij ... "(3) Dhe, kësisoji dëshmon se vepruan të gjithë profetët tjerë të Zotit kur thotë: "Ne patëm dërguar tek çdo popull të dërguar, (të cilët thirren) që të adhurohet Allahu dhe të shmanget adhurimi i çdokujt tjetër pos Tij ... “(4)
Mirëpo, duke qenë se adhurimi jodomosdoshmërisht i jep frytet në mënyrë të menjëhershme, shumë lehtë ndodh që adhuruesi ndonjëherë të tregohet neglizhent dhe i padurueshëm në adhurimin e Zotit. Njeriu, me gjithë avancimin dhe superioritetin e tij, megjithatë si krijesë me nevoja dhe varësi, është i dobët, dhe nga dobësia ai preferon pushimin ndaj angazhimit, përtacinë ndaj punës ..., kështu që durimi në adhurim si vepërmirësi është nga virtytet më të nevojshme që i nevojitet atij. Durimi, në raport me veprën (adhurimin), është sikur koka me trupin. Ai, si cilësi e mirë, apo qëndrim pozitiv psikologjik (siç e cilësojnë disa) është nga dhuratat më të çmuara që i jepet myslimanit.
I Dërguari, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, thotë: “Dhe kush përpiqet për durim, Zoti atij ia jep atë (durimin), dhe nuk i është dhënë dikujt diçka më e mirë dhe më e gjerë sesa durimi.”(5)
Andaj, ai është një virtyt i cili mësohet dhe përfitohet, ashtu siç përfitohen cilësi dhe virtyte të tjera, me të cilat nuk lind njeriu.

Definimi i durimit

Durimi arabisht quhet sabër, që në etimologji do të thotë frenim, ndalje apo përmbajtje.(6) Ndërsa, në terminologji nënkupton: "ndalja e vetes nga dëshpërimi dhe paniku; e gjuhës nga ankimi dhe fyerja, e gjymtyrëve nga goditja dhe protestimi.”(7), siç është goditja e fytyrës dhe shqyerja e rrobave në raste të dëshpërimit apo pikëllimit. Disa e kanë definuar si "qëndrim korrekt ndaj Zotit duke pranuar qetësisht sprovat që Ai i dërgon, pa u ankuar.”(8)
Ky kuptim tregon se durimi është një cilësi sublime, edukatë, mirësjellje dhe etikë e lartë, me anë të së cilës besimtari qëndrueshëm i tejkalon vështirësitë në punë dhe fatkeqësitë e jetës. Ai është përmbajtje nga veprimet e ngutshme dhe të padëshiruara, shprehja e pakënaqësisë dhe mallkimi i gjendjes. Ai është fryt i besimit, apo është vetë besimi, pasi që rrjedhimisht buron nga ai.
Një herë kur i Dërguari i Zotit u pyet për besimin, tha: “Ai është durimi.”(9)
I Dërguari i Zotit po ashtu thotë: "Është habi me besimtarin, pasi që e tërë çështja e tij është mirësi. Nëse atij i ndodh diçka e mirë, ai bëhet falënderues, dhe kjo (pa dyshim se) është mirë për të. Por, nëse atë e godet ndonjë fatkeqësi, ai bën durim, dhe kjo (prapë) është mirë për të, dhe, nuk ndodh kjo veçse me besimtarin.”(10)

Llojet e durimit

Dijetarët islamë përmendin disa lloje të durimit:

- Durimi në adhurimin e Zotit.

Meqë jeta është sfidues e dhe rrugëtimi për te Zoti përmban pengesa e vështirësi të shumta, ndërkaq njeriu preferon një jetë të lirë dhe pa detyrime, paraqitet nevoja për durim në vepërmirësi. Kurani citon dhe thotë: "(Ai, është) Zoti i qiejve dhe tokës dhe ç'ka në mes tyre, andaj Atë adhuro dhe ji i durueshëm në adhurimin ndaj Tij ... "(11)
Ky durim përveçse e bën adhurimin të lehtë dhe të këndshëm i njëjti është adhurim në vete, pasi që rruga për te adhurimi është adhurim, ashtu siç është mëkat edhe vetë rruga për te mëkati.
Durimi ndaj mëkatit. Kjo i bie të frenohet epshi dhe egoja nga rënia në mëkat. Kjo, ngase kënaqësitë e kësaj bote nganjëherë janë tërheqëse edhe kur ato janë me pasoja të kobshme, ndërsa njeriun e ligështon lakmia nëse nuk është i pajisur me durim, dhe lehtë bie në grackën e errët të mëkatit. Lidhur me këtë, duke iu referuar ngjarjes se Jusufit (alejhi sselam), Kurani citon dhe thotë: "Dhe atë e ftoi ajo që ishte (Jusufi) në shtëpinë e saj, ia ofroi vetveten e saj, ia mbylli dyert dhe i tha: "Eja!" (jam gati për ty), ai i tha: Allahu na ruajtë! (Ai) Zotëria im (e burri yt) më bëri mirë dhe më vendosi (në shtëpinë e tij, andaj si ta tradhtoj?!). S'ka dyshim se tradhtarët nuk kanë sukses."(12)
Durimi ndaj pabesisë është tipari që e ruajti Jusufin (alejhi selam) nga rënia në mëkat.
Durimi në fatkeqësi. Në jetë askush nuk u shpëton fatkeqësive që e lëndojnë. Ndaj ngjarjeve të dhimbshme dhe tunduese nuk ishin imunë as të dërguarit e Zotit. I miri apo i ligi, besimtari dhe jobesimtari, i pasuri dhe i varfri, i ngrituri dhe i ulti, të gjithë u ekspozohen sprovave të kësaj bote. Shpëtim dhe lehtësim gjen, dhe me më pak dëme e vështirësi e tejkalon, vetëm ai që është i pajisur me durim. Kurani lidhur me k' te thotë: "Ne do t’ju sprovojmë juve me diçka nga frika, uria, me mangësi në pasuri, jetë (vdekje) dhe fryte, (ndërsa) ti përgëzoi durimtarët. Të cilët kur i godet diçka nga fatkeqësirë thonë: Ne jemi te Zotit dhe te Ai kemi për t'u kthyer."(13) Andaj, përgëzimi u takon durimtarëve, sepse ata trajtojnë rastet me përmbajtje dhe maturi.
Kurani na jep mesime nga jeta e të dashurve të Zotit, të cilët u sprovuan dhe i tejkaluan me durim situatat pikëlluese. Kështu Ejupi (alejhi selam), përballoi sëmundjen vite me radhë me durim. Jakubi (alejhi selam) u përmbajt bukur kur mori lajmin se ka humbur djalin e mirë. Jusufi (alejhi selam), burgosjen pa faj e përballoi me durim, për të dalë në fund fitimtar, dhe Muhamedi (salAllahu alejhi ve selem) me vetëpërmbajtje e urtësi armiqësinë fatkeqe mes fiseve e shndërroi në vëllazëri ...

- Durimi në raportet ndërnjerëzore.

Njeriu nga natyra e tij është krijesë sociale dhe politike, e meqë nuk mund të jetojë i vetëm, me durim dhe përmbajtje duhet të menaxhojë konfliktin e interesave me të tjerët. Prandaj, njerëzit në raste të tilla janë sprovë për njëri tjetrin. Në rrethin e ngushtë, bashkëshorti është sprovë për bashkëshorten dhe anasjelltas, prindi është sprovë për fëmijët dhe anasjelltas, fqinji për fqinjin e kështu me radhë. Në rrethin më të gjerë, shoqëritë janë sprovë për shoqëritë, fisi për fisin, shteti për shtetin, etnitë dhe racat për njëra tjetrën ... Andaj, në të tilla rrethana të shumëllojllojshmërisë dhe të konfliktit mes interesave, durimi i njëri tjetrit është hapi i parë për t'u dhënë shans harmonisë dhe bashkëjetesës. Lidhur me këtë Kurani thotë: "Ne ju kemi bërë sprovë për njëri tjetrin, (për të pa) a po duroni?"(14)

Shpërblimi i durimit

Kur besimtari bëhet i durueshëm në punë të mira, i përmbajtur larg mëkatit e krimit, i qëndrueshëm në sprova e fatkeqësi, zemra i gjen prehjen dhe Zoti e do, Kurani i Madhërishëm thotë: "Vërtet, Zoti i do durimtarët."(15) Dhe se "Me të vërtetë durimtarët do ta marrin shpërblimin e tyre pa kufi."(16), dhe “...ata në Ditën e Llogarisë do tëjenë fitimtarët.”(17)
Në hadith qëndron: "Nuk e godet besimtarin lodhje, dhimbje, sëmundje dhe pikëllim, apo të shqetësohet për diçka, saqë edhe t'i futet ndonjë gjemb, veçse Zoti me to do t'ia fshijë mëkatet."(18)
Kështu i Dërguari i Zotit kur pa familjen e Jaserit që sprovohej dhe keqtrajtohej, në pamundësi për ta ndihmuar, ai u tha: "Duroni o familja e Jaserit, sepse (për këtë) do ta fitoni xhenetin."(19) Ndërsa, se fatkeqësitë dhe sprovat janë natyrë e kësaj bote dhe pjesë e pandashme e saj, e sqaron më së miri ky hadith:
"Do të vazhdojë besimtari dhe besimtarja të sprovohen, në vetveten e tyre, fomiljen dhe pasurinë, derisa ta takojnë Zotin dhe të mos u ketë mbetur asnjë mëkat".(20)
Durimi është mësimi dhe mekanizmi më i mirë se si duhen tejkaluar sprovat dhe vështirësitë, ngase ai e kalit njeriun, e bënë atë të fortë, kurse njeriu i fortë dhe me karakter të ndërtuar mirë, është ai i cili sjell mirëqenien dhe realizon drejtësinë në shoqëri. Prandaj, nuk duhet pasur frikë nga sprovat, vështirësitë dhe sfidat, sepse me durim dhe mirëmenaxhim ato sjellin suksesin, përkundër komoditetit të vazhdueshëm, rehati së dhe qetësisë absolute, të cilat mund ta mashtrojnë njeriun, ta habisin atë dhe ta dërgojnë në humnerë. I Dërguari me një rast tha: "Nuk është varfëria për ju ajo që më frikëson, por kam frikë se do ju hapen dyert e dynjasë, ashtu siç ndodhi me ata që ishin para jush, pastaj të garoni pas saj (dynjasë ashtu siç garuan, dhe të ju shkatërrojnë ashtu siç u shkatërruan"(21)

Përfudim

Disa nga rezultatet kryesore të cilat i veçoj në këtë punim:
Durimi është nga virtytet më të larta dhe sublime në Islam, me anë të të cilit besimtari qëndrueshëm dhe i paluhatur tejkalon vështirësitë, sprovat dhe fatkeqësitë e jetës. Ai konsiderohet si një nga gjërat e domosdoshme në jetë. Është virtyt që përfitoher dhe arrihet përmes përpjekjes dhe edukimit. I Dërguari thotë: "Dhe kush përpiqet për durim, Zoti atij ia jep atë (durimin) ... "(22)
Në ndarjen që dijetarët i bënë durimit vërejmë se ai është përmbajtje dhe qëndrueshmëri në veprim (durimi në adhurim dhe vepërmirësi), frenim e mosveprim (durimi ndaj mëkatit dhe ndaj së ligës), si dhe durimi në raportet e ndërsjella ndërnjerëzore e që i përfshin të dyja këto (durimin në veprim dhe në frenim).
Pas mbledhjes së (disa prej) argumenteve dhe studimit të tyre, konsiderojmë se çdo problem dhe vështirësi, sfidë apo fatkeqësi, vuajtje dhe pikëllim, sëmundje apo dëshpërim, janë adhurim, nëse ato tejkalohen me vetëpërmbajtje dhe durim.


____________
1. Edh Dharijat 56.
2. El Hixhr 99.
3. El Araf 59.
4. En Nahl 36.
5. Buhariu, Sahihu i Buhariut, libri i zekatit, kapitulli: të përmbajturit nga kërkimi i lëmoshës 2/122, nr 1469. Muslimi, Sahihu i Muslimit, libri i zekatit, kapitulli: mirësia e përmbajtjes dhe durimit 2/729, nr 124 (1053).
6. Shih: El Muxhem el Vesit, boton Dar ed Dave, 1/505.
7 Shih: Fejruz Abadi, Mexhdudin Muhamed Fejruz Abadi, Besair dhevi et Temjiz fi Letaif el Kitab el Aziz, boton El Mexhlis el ala li Shuunil Islamije, Kairo, 1996. 3/371.
8. Shih: Kurtubiu, Muhamed ibën Ahmed Shemsudin el Kurtubi, El Xhami li Ahkami el Kuran, b2, boton Daru el Kutub el Misrije, Kairon, 1964. 18/284.
9. Shih: Kardavi, Jusuf Kardavi, Durimi në Kuran, b2, shtëpia botuese Vehbe, Kairo 1999, faqe 9.
10. Musimi, Sahihu i Muslimit, kapitulli: çështja e besimtarit e tëra është mirësi, 4/2295, nr 64. Taberani, el Muxhem el Evsat, 4/153, nr 3849.
11. Merjem 65.
12. Jusuf 23.
13. El Bekare 155-156.
14. El Furkan 20.
15. Ali Imran 146.
16. Ez Zumer 10.
17. El Muminunë 111.
18. Bubariu, Sahihu i Buhariut, kapitulli: transmetimet rreth shpagimit të sëmundjes, 7/114, nr 5641.
19. Taberani, el Muxhem el Evsat, boton Dar el Haramejn-Kairo, 2/141, nr 1508. E transmeton edhe në El Muxhem el Kebir, b2, boton Mekteb ibën Tejmije-Kairo, 24/303, nr 769.
20. El Bejheki, Ebu Beker, Shuabul Iman, kapitulli i dhimbjeve dhe sëmundjeve, b1, boton Mekteb er Rrushd 2003, 12/265, nr 9377. Po ashtu e transmeton në Es Sunen el Kubra, kapitulli: si duhet çdo musliman të bëjë durim, b2, boton Dar el Kutub el Ilmije-Bejrut 2003, 3/524, nr 6543.
21. Buhariu, kapitulli i haraçit dhe marrëveshjes me armikun (në kohë lufte), 4/96. nr 3158.
22. Buhariu, libri i zekatit, kapitulli: të përmbajturit nga kërkimi lëmoshë, 2/122. Muslimi, libri i zekatit, kapitulli: mirësia e përmbajtjes dhe durimit, 2/729, nr 124 (1053).



Dr. Selatin Mehani


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë