A është zemra vend i dashurisë, urrejtjes dhe devotshmërisë?

Zemra është përmendur në shumë ajete të Kur’anit fisnik dhe hadithe të Pejgamberit a.s. se ajo është vendi i imanit (besimit).

Prej atyre ajeteve, fjala e Allahut të madhërishëm: “Ata janë që në zemrat e tyre (Ai) ka skalitur besimin”, (el-Muxhadele: 22).
Po ashtu edhe në ajetin: “E besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të cilëve kur përmendet Allahu u rrëqethen zemrat e tyre”, (el-Enfalë: 2). Po ashtu ajeti tjetër: “E kush madhëron dispozitat e Allahut, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave”. (el-Haxh-xh: 32).
Definicioni i besimit në shumë hadithe të Pejgamberit a.s. ishte: “Besimi (imani) është ajo që qëndron në zemër dhe vërtetohet me veprim”.
Në një hadith tjetër thuhet: “Dine se në trup është një copë mishi, nëse ajo është e mirë, atëherë është mirë i tërë trupi, nëse ajo prishet, atëherë prishet i tërë trupi, ajo është zemra. Pejgamberi a.s. dha shenjë në drejtim të zemrës dhe tha: Besimi (imani) është këtu apo devotshmëria është këtu”.
Të gjitha ajetet e Kur’anit zemrën e bënë vend të dashurisë, urrejtjes, devotshmërisë, besimit, të kuptuarit dhe të mençurisë, siç është ajeti i madhërishëm: “Ata që besuan dhe me të përmendur Allahun, zemrat e tyre qetësohen; pra ta dini se me të përmendur Allahun zemrat stabilizohen”. (Er rra’d: 28).
Në një ajet tjetër shohim se Allahu i madhërishëm thotë: “Ata kanë zemra që me to nuk kuptojnë, ata kanë sy që me ta nuk shohin, dhe ata kanë veshë që me ta nuk dëgjojnë”. (el-A’rafë: 179).
Ashtu siç përmendet në Kur’an fjala “fuad” (zemër) që është sinonim i zemrës, siç është ajeti i Kur’anit fisnik: “Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjuarit, të pamurit, dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi”. (el-Isra: 36).
Meqenëse besimi nuk është tjetër përveç për të padukshmen, dhe mu për këtë thuhet, ata të cilët besojnë në të padukshmen.
Kështu shohim ajetin kur’anor, i cili thotë: “Ti ia tërheq vërejtjen vetëm atij që pason Kur’anin dhe i frikësohet Mëshiruesit edhe kur është vetëm (i papashëm prej njerëzve).” (Jasinë: 11).
Prej tërë kësaj kuptojmë se besimi është kuptim racional në radhë të parë dhe nuk duhet të mbështet në ndonjë shqisë prej shqisave, apo në ndonjë mrekulli lëndore, siç është rasti me pemën e pandehur, në rrugë për në Egjipt- Ismailije, e cila tregon për primitivizmin tanë dhe sipërfaqësinë tanë në të kuptuarit e fesë dhe veprimin me të, siç ishte rasti me popullin e Musait a.s., për të cilët Kur’ani thotë: “Dhe kur i thatë: “O Musa, ne nuk të besojmë ty derisa ta shohim Allahun haptazi, e atëherë juve u rrëmbeu rrufeja dhe ju e shihnit”. (el-Bekare: 55).
Meqenëse zemra nga aspekti i anatomisë dhe i mjekësisë nuk është tjetër përveç një pompë dhe se të kuptuarit, vetëdija, besimi dhe emocionet etj., janë prej detyrave të mendjes, që besojmë se në aspektin anatomisë vendi i tij është truri me të gjitha fshehtësitë e tij. Andaj është e logjikshme që truri të jetë qëllim me të gjitha ato shenja për të cilat thuhet se vendi i tyre është zemra. Mirëpo, ky është mendim i kufizuar, sepse ai anulon diçka që është shumë me rëndësi në brendinë tonë e ai është shpirti. Ekzistenca e diçkahit është një pjesë dhe të kuptuarit të tij është diçka tjetër. Në Kur’anin famëlartë kemi vende tjera në të cilat Allahu i madhërishëm u drejtohet mendjeve dhe atyre që mendojnë, si për shembull: “Me të vërtetë në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt”. (Ali-Imran:190).
Fjala “zemra” në këtë kuptim përsëritet njëzetenjë herë. Kjo përsëritje nuk mund të jetë alegorike, por moskuptimi i duhur duhet të jetë e metë e paaftësisë së njohurive tona për të kuptuar natyrën e funksionimit të gjërave të ndryshme brenda nesh. Nëse truri është mjet nëpërmes të cilit praktikojmë përdorimin e të menduarit me anë të cilit, Allahu e dalloi njeriun prej qenieve tjera, kjo nuk do të thotë se truri është mendja. Mendja është prej veçorive të shpirtit, kurse truri është mjet për t’u shprehur për mendjen, ashtu sikurse që është ora mjet për t’u shprehur për kohën, por kjo nuk do të thotë se ora është vet koha.
Në librin “Pas vdekjes fillon jeta në një botë të padukshme”, të autorit dr. Semir esh-Shenavi, në të cilin shohim se autori thotë se me fjalën zemër në Kur’an, përveç aspektit material, ka për qëllim atë krijesë hyjnore që është shpirti, natyrisht se nuk mund të pranojmë se zemra dhe shpirti janë një, sepse shpirti braktis trupin, në ndërkohë që zemra mbetet në vendin e vet e heshtur edhe pas vdekjes. Andaj është më mirë të thuhet se zemra është qendra e shpirtit, por nuk është vet shpirti. Kjo është në përputhje të plotë me mendimin se zemra është vend i mendjes dhe të menduarit, ashtu siç thuhet në shumë ajete, sepse mendja është veçori prej veçorive të shpirtit, për të cilin mendohet se vendi i tij është kraharori apo zemra, për të cilin Krijuesi flet si një depo e qëllimeve dhe të dhënave (njohurive): “Thuaj: edhe nëse e fshihni atë që keni në zemrat tuaja ose e publikoni. Allahu e di atë”. (Ali Imran: 29).
Meqenëse besimi si fe dhe vërtetim tek njeriu arrin nëpërmes mendjes dhe mendja është prej veçorive të shpirtit, për këtë Krijuesi i krijesave e ai është Allahu i gjithëfuqishëm kur këtë e legalizon me vepro dhe mos vepro, Ai merr parasysh trupin dhe shpirtin në të njëjtën kohë dhe secilit prej tyre ia jep atë që ka nevojë, që njeriu të mbetet në formën më të mirë ashtu siç e dëshiroi atë Krijuesi: “Vërtetë, Ne krijuam njeriun në formën më të bukur”. (Et-Tinë: 4).
Në realitet ekzistojnë mendime të ndryshme rreth definicionit të ruhut-shpirtit dhe “nefsit”, si dhe a janë ata dy një apo dy gjëra të ndryshme. Fjala “Err-rruh” (shpirt) është përmendur vetëm në tri ve- nde në Kur’anin fisnik dhe ato janë: pajisjen me shpirt Ademit a.s., po ashtu pajisjen me shpirt Isait a.s., pastaj kur zbriti përgjigja në pyetjen e çifutëve rreth çështjes se çka është shpirti, në ajetin kur’anor: “Të pyesin ty për shpirtin: Thuaj: “shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, e juve ju është dhënë fort pak dije”. (el-Isra: 85).
Në vende tjera, përveç këtyre që përmendëm, vendi dhe qendra e tij është përmendur zemra apo kraharori.
Disa dijetarë mendojnë se fjala “En-nefs” është e njëjta që përfshin trupin dhe shpirtin dhe këtë e argumentojnë me ajetin kur’anor: “Po edhe në veten tuaj. A nuk jeni kah e shihni?”. (Edh-dharrijat:21).
Po ashtu edhe : “Dhe, a nuk menduan ata me vetën e tyre“. (Er rrum: 8).
Pastaj ajeti: “Ditën, kur çdo njeri do të vijë duke mbrojtur veten dhe, kur çdo shpirt do të shpërblehet plotësisht për atë që ka bërë, atyre nuk do t’u bëhet padrejtësi!” (En-nahl: 111)
Po ashtu edhe ajeti tjetër: “Kur të hyni në shtëpi, të përshëndetni njëri tjetrin me përshëndetje të mirë.” (En-nurë:61).
Prej të gjitha ajeteve që përmendëm vërejmë se fjala “En-nefs” përfshin edhe trupin, andaj është më gjithëpërfshirëse se fjala “Err-rruh” (shpirt).
Disa dijetarë mendojnë se fjala “En-nefs” nga një herë përdoret edhe për fjalën “Err-rruh”, siç është ajeti kur’anor: “O ti shpirt i bindur plotësisht! Kthehu te Zoti yt, i vetëkënaqur e i pranuar!” (el-Fexhr: 27-28).
Mendimi i tretë i dijetarëve thotë se ekzistojnë ndryshime në mes fjalës “Ennefs” dhe “Erruh”, duke u mbështetur në atë se Allahu xh.sh. na urdhëron që të mendojmë , të studiojmë në vetveten tonë: “Po edhe në veten tuaj. A nuk jeni kah e shihni?” (Edh-dharrijat: 21).
Në ndërkohë që çështjen e shpirtit e konsideroi që ka të bëjë vetëm me Te: “Thuaj shpirti është çështje e Zotit tim”. Përgjigja në këtë është se Allahu pabesimtarët do t’i dënojë me një dënim të përgjithshëm, atëherë si mundet që shpirtat e tyre mund ta bartin të mirën e përgjithshme dhe ta meritojnë dënimin?
Ibnu Abbasi e komenton ajetin: “Allahu i merr shpirtrat kur është momenti i vdekjes së tyre”. (Ez-zumer: 42)., se Allahu i madhërishëm krijoi ke bijtë e Ademit “En-nefs” dhe “Erruh” (shpirtin) dhe në mes tyre diçka që është sikur drita e diellit. “En-nefs” është mendja dhe ajo që bënë dallimin, kurse shpirti është ai që krijon jetën. Kur flenë njeriu del “ vetëm nefsi” kurse “shpirti” mbetet dhe ata nuk dalin së bashku përveç me rastin e vdekjes. Me këtë koment pajtohen shumë dijetarë të Perëndimit, të cilët shohin se shpirti është i krijuar prej tri elementeve, ato janë prej një trupi që shkëlqen, ky trup bart dritën e shenjtë, e cila dhuron jetë. Po ashtu ai bart mendjen, të cilën e quajnë “nefs”, që përfaqëson forcën e ndjenjës dhe të kuptuarit në qenien e gjallë.
Të tjerët e shikojnë “shpirtin” si një trup madhështor, që nuk shihet, i cili ka fuqi shpirtërore dhe mendore dhe se krijimi i “shpirtit” është krijimi i “nefsit”, por dallimi në mes tyre është se shpirtin me të cilin meleku e pajis foshnjën është en-”nefs”- me kusht që ai t’i bashkëngjitet trupit, me këtë bashkëngjitje përfiton atributet e të lavdëruarit apo të qortuarit. Ai ose do të jetë “nefs i prirur për të keq”, apo “nefs qortues”, apo “nefs i bindur”: “Pasha nefsin (shpirtin) dhe për atë që e ka përsosur, duke ia bërë të njohur atij të keqën dhe të mirën! Pra, ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten. E ka dështuar ai që e poshtëroi vetveten.”. (Esh-shems: 7-10).
Vendi i shpirtit do të jetë vazhdimisht në botën e shkëlqimit. Kurse en-nefs nuk quhet kështu, vetëm kur ai është brenda në trup. Shpirti po ashtu është i lirë vazhdimisht dhe përdor aftësitë e tij në mënyrë të drejtpërdrejt në botën e shkëlqimit. Shpirtat janë si ushtarë, ata që njihen mes veti bashkohen e ata që nuk njihen nuk pajtohen, për dallim të “nefsit”, i cili është i lidhur me botën materiale dhe nuk vepron përveç nëpërmes trupit në të cilin jeton dhe në kuadër të fuqisë së tij. Kurse Pejgamberi a.s. thoshte:
”Pasha Atë në duart e të cilit është shpirti i Muhamedit“. Në rast vdekje del “nefsi” prej trupit për t’u kthyer te Krijuesi i vet në botën e eterit, atëherë quhet “Erruh” (shpirt) përsëri.



Marrë nga gazeta “El-Ahram” e Kajros, 25 shkurt 2007
Dr. Abdul Hadi Misbah
Përktheu nga arabishtja: Fuad Morina
Edukata Islame 84


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Ka filluar mësim-besimi fetarë në rreth 20 xhami të qytetit dhe të fshatrave të Gjakovës