Trajtesë rreth abdesit dhe manikyrit të thonjve (llakut)


Përdorimi i emrit “manikyr islamik” dhe licenca “hallall” nuk nënkuptojnë patjetër që ato janë ashtu siç paraqiten, ngase në kohën moderne emërtimi “produkt islamik” mund të jetë më tepër për apetite biznesore sesa realisht për përmbajtje të pastër islame.


Hyrje


Në këtë trajtesë do të flasim për një çështje aktuale, që ka të bëjë me marrjen e abdesit nga femrat me manikyrin që e vendosin mbi thonjtë e tyre, në mënyrë që të kuptohet drejtë se abdesi i tillë a është i vlefshëm, apo duhet patjetër të largohet manikyri së pari e pastaj të merret abdes. Kjo çështje vjen pasi në treg janë plasuar disa produkte me emërtime islame dhe me licencën “hallall” që pandehin se kanë sjellë në treg një manikyr krejt tjetër, që uji të depërtojë deri te thonjët, pra, sipas tyre, nuk ka nevojë të largohet ai manikyr para abdesit. Normalisht një produkt i tillë tashmë gjendet edhe në vendin tonë dhe interesimi për të njohur këtë çështje është shumë i madh. Andaj, një trajtesë për këtë çështje, kur femrat përdorin një produkt të tillë dhe më pas marrin abdes për namaz, është më së e nevojshme, në mënyrë që të kuptohet drejt e qartë.

Problematika e kësaj çështjeje

Abdesi ka kondita të caktuara që, nëse njëra prej tyre nuk plotësohet, atëherë ai nuk është valid. Nëse ndonjëri prej farzeve të abdesit nuk përmbushet, abdesi konsiderohet i pavlefshëm. Si rrjedhojë e kësaj, larja e duarve është njëri nga farzet e abdesit, Allahu i Lartësuar e përmendi atë së bashku me farzet e tjera të abdesit: “O ju që besuat! Kur doni të ngriheni për të falur namazin, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryla; fërkoni kokat tuaja e këmbët lani deri në dy zogjtë...”1
Ky farz përcakton se larja e duarve fillon nga majat e gishtërinjve e mbaron deri te bërrylat (përfshirë këtu edhe bërrylat).2
Në lidhje me thonjtë që janë pjesë e farzit të abdesit, dijetarët e hershëm kanë trajtuar çështje të ndryshme që i kanë takuar kohës së tyre (disa prej tyre janë ende aktuale, me disa ndryshime të vogla). Shembull konkret kanë përmendur bukëpjekësin, të cilit, gjatë përgatitjes së bukës, brumi ose balta ia mbulon thonjtë, andaj ai, para se të marrë abdes, duhet të largojë nga thonjtë e tij qoftë brumin apo baltën, ndryshe abdesi i është i pavlefshëm.3
Dijetarët e trajtojnë edhe çështjen kur thonjtë janë të mëdhenj, një pjesë bukur e madhe e dijetarëve parashohin që uji të përshkojë plotësisht nën thonjtë. Në këtë kontekst e kanë trajtuar edhe çështjen e unazës, nëse ajo është shumë shtrëngueshëm në gisht, më së paku ajo që duhet të bëhet është lëvizja e saj nga vendi gjatë marrjes së abdesit e, në rastin tjetër, edhe të hiqet tërësisht nga gishti.4
Nga këto çështje (mesele) të trajtuara nga dijetarët e hershëm dhe çështje të tjera relevante që nuk i kam përmendur, bëhet e qartë se duart gjatë abdesit duhet të pastrohen mirë dhe uji duhet të përshkojë që nga majat e gishtërinjve (përfshirë edhe thonjtë) e deri mbi bërryl dhe se ky veprim paraqet vetëm njërin ndër katër farzet e abdesit, nëse mungon cilido nga këto katër farze, abdesi është i pavlefshëm. Nëse kjo kuptohet drejt, atëherë e kuptojmë më së miri edhe tematikën e manikyrit modern që përdorin femrat mbi thonjtë e tyre. Duke mbajtur manikyrin e zakonshëm, i cili është përdorur tash e sa vite, ka qenë pamundur të depërtojë uji në thonjtë.

Kronologjia e manikyreve modern

Deri në vitet e fundit, kryesisht ka qenë një lloj manikyri apo disa lloje, thuajse me përmbajtje të përafërt, nga ai llak është formuar një shtresë sikur plastikë, gjë që ka bërë të pamundur depërtimin e ujit në thonj. Ai produkt është larguar me substancën “aceton” apo të ngjashme me të.Në vitet e fundit është bërë një revolucion në kozmetikë, ndaj edhe kompani të ndryshme kanë hedhur në treg manikyre të ndryshme, disa kanë marrë edhe licencën “hallall”, siç është një kompani e madhe duke lëshuar produktin “Amanda O2” apo “O2M”, i cili është bërë nga një material polimer që lejon të kalojnë oksigjenin dhe avullin e ujit deri në thonj.
Kjo kompani e prodhimit të kozmetikës ka lëshuar një produkt të ri për llakun e thonjve –sipas tyre- në përputhje me mësimet islame. Kompania “Inglot” për kozmetikë ka arritur të prodhojë një diçka të ngjashme me llakun e përdorur nga femrat, por me një material tjetër, që dallon shumë nga llaku i zakonshëm. Kompania e quajti “O2M” produktin e ri, i cili është bërë nga “polimer”, që përdoret për prodhimin e lenteve të kontaktit me sy dhe lejon që oksigjeni dhe avulli i ujit të arrijnë deri tek thonjtë.
Diçka ngjashëm kishte ndodhur edhe në Malajzi kur një kompani tjetër aplikoi për produktin e tyre të manikyrit për t’u pajisur me licencën “hallall”, mirëpo “Jakim-i”, që është Autoriteti i Certifikimit Hallall në Malajzi, kishte lëshuar certifikata “Hallall” për disa produkte në kozmetikë që kryesisht ndërlidhen me kujdesin e lëkurës, nuk pranoi të lëshonte një certifikatë të tillë për produktin e llakut të thonjve. Sipas “Jakim-it”, e cila është një referencë për licencat “Hallall”, nuk do t’i jepet asnjë “produkti ose ushqimi që do të ndikonte negativisht në fe”. Arsyeja e moslicencimit të saj qëndron në faktin se nuk është dëshmuar që plotësisht uji i vendosur mbi atë produkt ka depërtuar në thonj.
Disa produkte të kësaj natyre që janë bërë në kohët e fundit zbehen automatikisht gjatë aktiviteteve të përditshme, por jo tërësisht nga përdorimi i ujit. Ajo që është fakt tashmë, është çështja se manikyri që përdoret në thonj ka pësuar ndryshime të mëdha në kohët e fundit, duke eliminuar manikyrin e vjetër në formë të ngjyrës apo plastikës së fuqishme, me të cilin i pamundësohej ujit të depërtonte brenda, si dhe duke sjellë në treg manikyr të ri me të cilin realisht uji depërton brenda, por mbetet të shqyrtohet detajisht nga institucionet përkatëse se a e ka përshkuar të tërin apo vetëm një pjesë. Në kuadër të kësaj, një kompani kineze kohët e fundit prodhoi një lloj të ri të llakut të thonjve që është lehtësisht e heqshme pa qenë e nevojshme të përdoret “aceton”, pasi ky produkt ishte shumë i popullarizuar te gratë në Egjipt, veçanërisht pasi mbante emrin “manikyr islamik”.
Përdorimi i emrit “manikyr islamik” dhe licenca “hallall” nuk nënkuptojnë patjetër që ato janë ashtu siç paraqiten, ngase në kohën moderne emërtimi “produkt islamik” mund të jetë më tepër për apetite biznesore sesa realisht për përmbajtje të pastër islame. Së fundmi, një sallon bukurie për femra në Dubai, ka lansuar një produkt manikyri për thonjtë duke pandehur se uji depërton lirshëm në thonj, fare pa u larguar manikyri. Mirëpo autoriteti përgjegjës në Dubai ka lëshuar një dekret (fetva) në lidhje me këtë produkt dhe ka konstatuar se e tëra është një pretendim biznesi e asgjë më tepër.E, me gjithë servimin e këtyre produkteve të prezantuara si krejtësisht hallall, autoritetet përgjegjëse myslimane kanë qenë shumë të matura, tejet të rezervuara dhe nuk kanë rënë pre e disa produkteve që në treg kanë depërtuar me emra “islam” e me logo “hallall” të vendosura për qëllime (për)fitimi dhe biznesi. Në këtë kontekst duhet pasur kujdes sidomos nga tregu elektronik që ka një rritje të jashtëzakonshme dhe ku mashtrimet nuk janë të pakta.

Llojet e manikyreve dhe gjërave që vendosen mbi thonj

E tëra që mund të thuhet sa i përket përdorimit të manikyrit të thonjve është fakti se, nëse uji nuk depërton në brendësi dhe nëse nuk i përshkon thonjtë, çfarëdo qoftë ai manikyr, konsiderohet i pavlefshëm dhe abdesi me të është i pavlefshëm, ngase kusht i vlefshmërisë së abdesit është përshkimi i ujit në pjesë të caktuara, pa ndonjë pengesë, përfshirë këtu edhe gishtërinjtë.
Sa i përket manikyrit apo atë çfarë zakonisht femrat vendosin mbi thonjët e tyre, mund ta ndajmë në kategori apo grupe të ndryshme:

E para: Manikyri më i përdorur deri tani është ai në formë të plastikës, gjegjësisht llaku i cili formon një shtresë (trup) mbi thonjtë

Realisht ky lloj produkti pamundëson depërtimin e ujit nën atë shtresë dhe, si rrjedhojë e kësaj, përdorimi i tij para abdesit apo para pastrimit (guslit) e bën të pavlefshëm si abdesin ashtu edhe namazin, mirëpo, nëse përdoret pas abdesit apo pas pastrimit, atëherë çdo gjë është në rregull, me kusht që në abdesin e radhës, duhet të largohet nga thonjtë

E dyta: Vendosja e thonjve artificialë është në të njëjtën kategori me atë të llakut që e përmendëm në grupin e pare

Abdesi me thonj artificialë është i pavlefshëm, sepse e pamundëson depërtimin e ujit. Thonjtë artificialë duhet të largohen kur femrat dëshirojnë të marrin abdes, ndryshe abdesi me to është plotësisht i pavlefshëm.

E treta: Vendosja e kënasë apo ngjyrave të ngjashme me kënanë

Kjo realisht nuk e pengon depërtimin e ujit në thonj dhe abdesi me të është i vlefshëm, ngase uji përshkon tërësisht thonjtë dhe këna apo ngjyra e ngjashme me të nuk e pengon depërtimin e ujit mbi thonj!

E katërta: Manikyret moderne me substanca apo materiale të ndryshme

Këto materiale me substanca të ndryshme nuk i takojnë grupit të parë, te i cili uji nuk depërton assesi në thonj, por nuk i takojnë as grupit të tretë, te i cili uji përshkon lehtë thonjtë. Pra, kemi të bëjmë me një material tjetër që ende realisht nuk është dëshmuar në praktikë se uji përshkon tërësisht thonjtë mbi atë substancë. Përderisa kompanitë që prodhojnë dhe shesin atë produkt, pandehin se uji përshkon plotësisht thonjtë, autoritetet fetare ende mbesin të rezervuara në lidhje me këtë, duke pretenduar se ende nuk është dëshmuar plotësisht se uji përshkon thonjtë e, sipas tyre, qëndron depërtimi i oksigjenit dhe kalimi i avullit të ujit deri në thonjë.
Nëse uji i hedhur mbi këtë produkt lëshon vetëm lagështi nën të (mbi thonj), atëherë kjo është e pamjaftueshme për abdes dhe realisht abdesi në atë mënyrë është i pavlefshëm, sepse nevojitet që uji të përshkojë atë pjesë e jo vetëm lagështia. Kjo bazohet në hadithin e përcjellë nga sahabët, njërit nga sahabët i kishte mbetur një pjesë shumë e vogël e këmbës pa e përshkuar uji e i Dërguari i Allahut e urdhëroi atë të merrte abdes dhe të falej përsëri: Na ka treguar Hajvetu ibën Shurejh, na ka treguar Bekijjeh nga Behiri (ibën Sa’di), ky nga Halidi, e ky nga disa sahabë se i Dërguari i Allahut e pa një njeri që falej e në pjesën e prapme të këmbës së tij kishte mbetur një pjesë e vogël që nuk e kishte përshkuar (depërtuar) uji, andaj i Dërguari i Allahut e urdhëroi që ta përsëriste abdesin dhe namazin.”5
Nisur nga kjo, pjesa dërrmuese e dijetarëve dhe studiuesve myslimanë kanë konsideruar se llaku i thonjve nuk është i përshtatshëm për gratë myslimane, sepse krijon një pengesë që parandalon ujin të arrijë te thonjtë gjatë abdesit. Prandaj, gratë myslimane që dëshirojnë të zbukurohen me manikyrin e thonjve, e heqin atë para çdo namazi, gjegjësisht para se të marrin abdes, në mënyrë që të bëjnë abdesin e tyre krahas kushteve të caktuara. Kozmetika dhe manikyri formojnë një barrierë për ujë dhe realisht nëse uji gjatë abdesit nuk depërton në pjesët e caktuara, praktikisht abdesi është i pavlefshëm e, kur të jetë abdesi i pavlefshëm, edhe namazi është i tillë!
Megjithëkëtë, janë disa teologë, si në Egjipt dhe gjetiu, të cilët pandehin se (disa nga) produktet e reja të manikyrit e lëshojnë ujin të depërtojë në thonj dhe se, sipas tyre, përdorimi i produkteve të tilla është plotësisht në pajtim me mësimet e Islamit. Megjithatë, mendime të tilla mbesin opinione të tyre dhe janë objekt diskutimi, mirëpo përderisa nuk është dëshmuar ende se produktet e tilla lëshojnë tërësisht ujin në thonj, atëherë vlen mendimi tjetër i pjesës dërrmuese.
Me gjithë avancimin e madh në botën e kozmetikës, prapëseprapë manikyri në fjalë, nuk është vërtetuar 100% se lëshon ujin mbi thonj, me gjithë pretendimet e disa prodhuesve se uji përshkon tërësisht dhe se, përderisa nuk është siguruar një gjë e tillë, mbetet me plot dyshime marrja e abdesit mbi atë produkt. Si rrjedhojë e kësaj, mendoj se është bërë një revolucion i madh në këtë fushë dhe ka mbetur një punë e vogël deri te një produkt më efikas, i cili ta lëshojë ujin pa ndonjë pengesë në mënyrë që përdorimi i manikyrit të tillë të jetë lehtësim për femrat, me theks të veçantë për ato që përdorin manikyr të tillë dhe marrin abdes për t’u falur.


_______________
1. Kur’ani, el-Maide: 6.
2. Samerkandij, Ebu Bekër Alaudin, Tuhfetu-l fukaha, bot.II-të, daru-l kutub el-ilmijeh, Bejrut-Liban, 1994, v.I, f.36; ebu-l Mealij, Mahmud ibën Ahmed ibën Mazeh el-Buharij, El-Muhitu-l Burhanij fi-l Fikhi-n Nu’manij, bot. I-rë,Dar Ihjau-t Turath el-Arabij, Bejrut-Liban, 1424h-2003m, v.I, f.35.
3. Ebu-l Mealij, El-Muhitu-l Burhanij fi-l Fikhi-n Nu’manij, v.I, f.35-36.
4. Rrazi, Zejnudin, Ebu Abdullah Muhamed ibën ebi Bekër ibën Abdul-Kadir, Tuhfetu-l muluk, bot.I-rë, daru-l beshair el-Islamijeh, Bejrut-Liban, 1417h; f.27; Bedrudin el-Ajni, Ebu Muhamed Mahmud ibën Ahmed ibën Musa, El-Benajetu Sherhi-l Hidajeh, bot.I-rë, daru-l kutub el-ilmijeh, Bejrut-Liban, 1420h-2000m, v.I, f.164; ebu-l Mealij, El-Muhitu-l Burhanij fi-l Fikhi-n Nu’manij, v.I, f.36; Samerkandij, Ebu Lejth, Ujunu-l Mesail, me recenzim nga: Salahudin En-Nahi, Matbeatu Es’ad, Bagdad, 1386h, f.6.
5. Ebu Davudi në Sunen, nr. v.I, f.45, nr. i hadithit 175; Ahmedi në Musned, nr. 15495; Bejhekiu në Sunen el-Kubra, nr. 392. Dijetarët kanë dhënë vlerësime të ndryshme sa i përket kategorisë së këtij hadithi, disa kanë thënë se hadithi është sahih (Hakimi), përderisa disa tjerë kanë thënë se në senedin e tij ka dobësi, disa të tjerë mendojnë se hadithi është mursel (Ahmedi dhe të tjerët).



Dr. Ejup Haziri


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dedikime për Muhamedin a.s. në muajin e Mevludit - lindjes së tij.