Agjërimi një shkollë hyjnore

Vështirë që ndonjëherë pasioni dhe dëshirat e pakontrolluara të kenë pasur lirinë sikurse e kanë sot. Sa më shumë që njeriu prosperon në planin material, aq më shumë ai molepset dhe asfiksohet shpirtërisht, duke u bërë skllav i prodhimit dhe konsumit. Nën cytjet e djallit egoizmi, urrejtja dhe pangopësia po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë jetën. Për rrjedhojë në shumë shpirtra njerëzorë sundon boshllëku dhe zbrazëtia.
Agjërimi, pa dyshim, është i dobishëm për trupin dhe shëndetin e besimtarit, dhe motivon të falënderuarit e Allahut. Dispozitat islame synojnë që njeriu të shkojë drejt vullnetit, mëshirës dhe kënaqësisë së Zotit. Pejgamberi a.s. thotë: “Es-sijamu xhunnetun” (Agjërimi është mbulesë, pengesë), që do të thotë se është mburojë nga zjarri i Xhehenemit dhe pengesë nga gjynahu e gabimi.
Prandaj, me të drejtë muaji Ramazan konsiderohet muaji i devotshmërisë, i ngritjes shpirtërore dhe afrimit me Zotin, në të cilin çdo vepër shpërblehet shumëfish, e veçanërisht agjërimi që bëhet vetëm në emër të Zotit. Në një hadith kudsi Allahu xh.sh. ka thënë: “Për çdo vepër të mirë do të jepet shpërblimi dhjetëfish e më shumë, kurse agjërimi është i Imi dhe Unë do të shpërblejë për të (në mënyrë të veçantë).”
Fillimi i tij është mëshirë, mesi i tij falje prej gjynaheve, dhe fundi lirim nga dënimi i zjarrit.
Në këtë muaj Allahu ofron favore dhe shpërblime të shumta për agjëruesit.
Secili individ duhet të përgatitet që ta shtojë intensitetin e ibadetit të tij, dhe t’i pakësojë sa më shumë shprehjet dhe veset e këqija. Gjatë Ramazanit kalitet shpirti dhe trupi, prandaj ai konsiderohet një shkollë hyjnore ku individi dhe shoqëria pajisen me mësimet e tij të vlefshme, sikurse janë: bindja, vullneti, këmbëngulja, qëllimi fisnik, pastrimi i vetes dhe sinqeriteti. Ai është lartësim i shpirtit dhe ngritje drejt dëlirësisë.
Agjërimi është një gjendje e veçantë dhe përmbajtje jo vetëm nga ushqimi e pija, duhani, marrëdhëniet intime, por edhe nga shpifja, gënjeshtra, shikimi i ndaluar, si dhe nga çdo gjynah. Prandaj, agjërimi më shumë duhet të ndihet me zemër dhe shpirt, sesa të njihet dhe kuptohet me logjikë e arsye.
Vlera dhe rëndësia e Ramazanit ngërthen jo vetëm aspektin fetar dhe moral, por edhe atë social.
Agjërimi i kuptuar drejt si një institucion social zhvillon altruizmin dhe dashurinë te njeriu, dhe edukon ndjenjën e vetëmohimit dhe sakrifikimit. Islami dëshiron të ndërtojë një njeri që sakrifikon të mirat materiale dhe jetën e tij për të mirën e shoqërisë.
Në kohën tonë vlerat morale janë degraduar, kurse pasurimi me çdo kusht, pavarësisht nga përzgjedhja e mjeteve, është bërë qëllimi kryesor i jetës. Nga urtësitë e agjërimit është që i pasuri të ndiejë urinë me të varfrin dhe të kuptojë vlerën e mirësive dhe pasurisë që i është dhuruar, dhe të tregohet mirënjohës ndaj Allahut duke i ndihmuar njerëzit që janë të nevojshëm.
Muhamedi a.s. ka thënë: “Nuk është mysliman i vërtetë ai që ka barkun plot, kurse fqinji përkrah tij është i uritur.” Shoqëria që nuk i respekton këto vlera digjet në flakën e ndasive të saj klasore si rezultat i korrupsionit, padrejtësisë dhe amoralitetit.
Të gjithë myslimanët gjatë këtij muaji janë më të devotshëm, më dorëlirë dhe më modestë.
Prandaj, është e nevojshme që jeta e njeriut t’i nënshtrohet ligjit moral dhe të zgjojë ndjenjën sociale te njerëzit, që të zbutet varfëria dhe uria. Shoqëria islame nuk guxon të ketë mjerim social dhe dallime klasore.
Pejgamberi a.s., edhe pse gjatë gjithë kohës ka qenë njeriu më bujar, megjithatë gjatë Ramazanit bujaria dhe fisnikëria e tij manifestohej edhe më shumë. Sahabët, për mirësinë e tij gjatë muajit Ramazan, kanë thënë se ka qenë “më me bollëk se mirësia e erës që sjell shiun e begatshëm”.
Shoqëria jonë sot ballafaqohet jo vetëm me varfëri ekonomike, por po përjeton edhe mjerim të madh moral. Kultura dhe tradita fetare që e kanë mbajtur familjen të shëndetshme dhe e kanë mbrojtur nga ndikimi i kulturave të huaja dhe nga infektimi i dukurive negative kanë filluar të zbehen, dhe sot asaj i kanoset rreziku i shthurjes dhe zvetënimit. Ramazani është rast i volitshëm që të evitojmë çdo gjë që është në kundërshtim me mësimet islame dhe që zbeh vlerat e mirëfillta në familjet tona.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?