Përveç antidepresantëve të rekomanduar nga mjekësia bashkëkohore kundër kësaj sëmundjeje, Islami si mësim holistik mbi jetën ofron terapi efektive kundër pikëllimit, ankthit, depresionit…
Depresioni dhe gjendja e tij, si dhe faktorët që e shkaktojnë atë janë të pranishëm në përditshmërinë tonë. Nuk mjafton të vërtetohet ky realitet, ashtu siç nuk mjaftojnë edhe ilaçet që përdorin njerëzit për ta lehtësuar atë. Prandaj, në rreshtat e mëposhtëm do të paraqesim pikëpamjen islame, preventiven dhe ilaçet kur bëhet fjalë për pikëllimin, depresionin, ankthin, shpërqendrimin, nervozizmin, humbjen e vullnetit për të jetuar, mungesën e shpresës - me një fjalë: depresioni.
Para se të paraqesim pikëpamjen islame për depresionin, është e rëndësishme të përmendim faktorët që e shkaktojnë atë. Depresioni zakonisht nuk është rezultat i veprimit të një faktori, por disa prej tyre si: rrethanat ekonomike të një individi që mund të jenë të përshtatshme apo të papërshtatshme.
Në fakt, disa hulumtime tregojnë se si njerëzit e varfër ashtu edhe të pasurit janë të prirur ndaj depresionit sepse të dy shoqërohen me shqetësime për pasurinë e tyre. Të parët shqetësohen për ta pasur, të dytët për ta humbur ose për ta rritur pasurinë; më pas, faktorët që shkaktojnë depresion përfshijnë ndërtimin e karrierës, marrëdhëniet familjare, stilin e jetesës, faktorët e trashëgimisë e të tjerë.
Kur'ani dhe Hadithi si dy burime kryesore të Islamit japin udhëzime të bollshme dhe të ndryshme për të gjithë njerëzit, e veçanërisht për besimtarët, se si ta organizojnë dhe përmirësojnë jetën e tyre në këtë bote.
Kur bëhet fjalë për gjendjet depresive ndaj të cilave janë të ekspozuar njerëzit e kohës moderne, këto dy burime japin udhëzime të dobishme. Kurani në disa ajete u përkujton besimtarëve se jeta e tyre në këtë botë nuk do të kalojë pa lloje të ndryshme të sprovave: frika, humbja e pasurisë, jetës, mungesës së ushqimit… çdo gjë që në botën moderne tek njerëzit shkakton depresion, ose një nga format e depresionit. Ndër të tjera, Kurani thotë: “Po ju menduat se do të hyni në Xhennet, pa u provuar edhe ju me shembullin e atyre që ishin para jush, të cilët i patën goditur skamjet e vuajtjet dhe qenë tronditur, saqë i dërguari thoshte, e me te edhe ata që kishin besuar: "Kur do të jetë ndihma e Allahut"?! Ja (u erdhi ndihma) vërtet ndihma e Allahut është afër"!.” (Bekare: 214).
Ilaçe falas kundër depresionit
Arsyet pse Allahu xh.sh i vë në sprovë njerëzit është testimi i fuqisë së bindjes dhe besimit, forcimit, faljes së mëkateve dhe ngritjes së tyre në Xhenet. Në këtë kontest, Muhamedi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, thotë se asnjë shqetësim që i ndodh besimtarit në këtë botë, qoftë edhe një thumbim i thjeshtë gjembi, e ai bën durim, nuk do të kalojë pa faljen e mëkateve. Mësimet nga Kurani dhe hadithet që në fillim na tregojnë se sprovat në jetën e besimtarit janë të pashmangshme, dhe si të tilla ne duhet t’i pranojmë (edhe pse ato mund të shkaktojnë depresion). Lidhur me këtë tregon hadithi i Muhamedit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, drejtuar njërit prej sahabëve të tij: "Ajo që të ka ndodhur assesi nuk ka mund të mos ndodhë, ndërsa ajo që nuk të ka ndodhur assesi nuk mund të të ndodhte". Kjo gjithsesi ka rëndësi në jetën e përditshme të një besimtari. Vetëm pranimi i faktit që jeta jonë (e një besimtari) do të mbushet me sprova të ndryshme nuk do të thotë se besimtari nuk mund të bjerë në një gjendje depresive nëse disa nga këto sprova i përjeton në jetën e tij personale si: humbjen e punës, pasurisë, shëndetit, një personi të dashur ... Pikërisht në këtë fazë, njeriu modern i referohet llojeve të ndryshme të ilaçeve kundër depresionit: medikamenteve, cigareve, alkoolit, etj. Edhe pse ilaçet e tilla kundër depresionit do të lehtësojnë (ose largojnë) vetëm për një moment gjendjen e depresionit, ato nuk mund ta shërojnë plotësisht. Për më tepër, përdorimi i tepërt dhe i vazhdueshëm i tyre mund të çojë në varësi apo edhe në disa sëmundje fizike. Prandaj, është detyrë e çdo besimtari që t'u drejtohet trajtimeve që burojnë nga Kur'ani dhe Hadithi, e që do të kenë një efekt të dobishëm në shëndetin e tij/saj psikofizik.
Disa nga këto trajtime janë:
Durimi dhe falja e namazit - sepse namazi është ushqim shpirtëror, lidhja më e fortë me Allahun dhe lidhja më e fortë e shpirtit me origjinën e tij. Me shkëputjen e kësaj lidhjeje, shpirti humbet qetësinë e tij, e cila nuk mund të zëvendësohet me asgjë materiale apo fizike;
Leximi apo dëgjimi i Kuranit – sepse në Kuran është shpallur ajo çfarë është ilaç për zemrat, respektivisht shpirtrat e besimtarëve;
Leximi i disa sureve nga Kurani, siç janë dy suret e fundit, El-Felek dhe En-Nas;
Dhikri i mëngjesit dhe i mbrëmjes - sepse Allahu i Madhëruar përmes Kuranit e rekomandoi të Dërguarin e Tij, që në situatat dhe sprovat e ndryshme që është përballur ai, e në veçanti për shkak të shqetësimeve që pësoi nga njerëzit, të madhëroj Allahun "para lindjes dhe para perëndimit të diellit";
Dërgimi i salavateve për Muhamedin, paqja dhe më shira e Allahut qoftë mbi të;
Lutjeve, e në veçanti lutjet e mësuara nga Muhamedi, paqja dhe më shira e Allahut qoftë mbi të, kundër brengave dhe pikëllimit: Allahumme inni eudhu bike mine-l-hemmi ve-l-huzni… (Allahu im, kërkoj mbrojtjen Tënde nga brengat dhe pikëllim…);
Kërkimi i mbrojtjes nga shejtani i mallkuar - sepse ai me pëshpëritjet e tij fut frikë në zemrat (shpirtrat) e njerëzve, mendimeve të zeza që sjellin shqetësim, mërzi, pikëllim... me një fjalë nxit depresionin.
Edhe pse për secilin tretman të lartpërmendur mund të shkruhen me dhjetëra faqe, duke shpjeguar përfitimet që sjellin për ata që i “praktikojnë”, besojmë se vetëm përmendja e tyre mjafton për ata që dëgjojnë dhe binden. Vetëm në këtë mënyrë njerëzit mund ta lehtësojnë, madje edhe ta eliminojnë depresionin nga vetja, pa qenë pjesë e shifrave shqetësuese të atyre që harxhojnë për ilaçe të ndryshme.