“O ju që keni besuar, pendohuni tek All-llahu me një pendim të sinqertë, në mënyrë që Zoti juaj t’i largojë prej jush të këqijat, t’ju shpjerë në xhenete nën të cilët rrjedhin lumenj ditën kur All-llahu nuk e turpëron Pejgamberin, e së bashku me të as ata që kanë besuar. Drita e tyre ndriçon para tyre dhe në të djathtë të tyre, e ata thonë: “Zoti ynë, vazhdona dritën tonë, falna ne. Vërtet, Ti je i Plotfuqishëm për çdo send”. (Et-tahrim, 8)
Thirrje e bekuar për secilin mëkatar nga Gafurri Rrahim (Falësi, Mëshiruesi), që t’i drejtohen Atij me sinqeritet, dhe të kërkojnë nga i Gjithëmëshirshmi faljen e mëkateve dhe pastrim prej tyre. Këtë thirrje Allahu ua drejtoi robërve të Vet që i besuan, me fjalën: “O ju që keni besuar, pendohuni tek Allahu me një pendim të sinqertë”, një thirrje në të cilën demonstrohet dëshira e Tij për t’i falë robit çdo mëkat e gabim që ka bërë, me qëllim a pa qëllim, nëse vetë robi përgatitet për një falje të tillë. Ai është i gatshëm për një gjë të tillë. Por, shtrohet pyetja: Si përgatitet robi për një falje të tillë?
Pa dyshim që falja bëhet me anë të pendimit të sinqertë
Por si arrihet, vallë, pendimi i sinqertë që u përmend në ajetin e sipërm? Ai arrihet në saje të këtyre kushteve, vijuese:
1. Çrrënjosja nga mëkati, për të cilin tashmë ke vendosur të pendohesh me plot sinqeritet, pendim të cilin e bën vetëm për hir të Allahut.
2. Moskthimi kurrë më në mëkatin nga i cili je penduar (1)
3. Të ndiesh keqardhje për mëkatin e bërë në të kaluarën.
Imam Neveviu thotë: “Pendimi, përpos tri kushteve të lartpërmendura, posedon edhe një kusht, i cili ka të bëjë me ndonjë të drejtë (hak) të njerëzve, atëherë duhet patjetër t’ia kthejë atij të drejtën e vet apo trashëguesve të tij”(2)
Nëse besimtari bën një pendim të sinqertë, duke përmbushur kushtet e lartpërmendura, s’ka dyshin që Allahu do t’ia pranojë pendimin e tij. Më pas, besimtari që bën një pendim të tillë për mëkatet çfarëdo qofshin ato, duhet të lirohet nga kompleksi i tyre dhe të jetë i bindur se tashmë është një person i ri tek Allahu.
Pendimi është rruga e pejgamberëve a.s.; nuk ka njëri që nuk gabon, e as besimtar, qoftë ai edhe në gradën e pejgamberëve. I pari që ka bërë pendesë (teube), ishte Ademi a.s., edhe bashkëshortja e tij, Hava a.s.. Kjo ndodhi menjëherë pas mëkatit që kishin bërë duke ngrënë nga pema e ndaluar. Shih se ç’thotë Kur’ani për ketë: “E Ademi prej Zotit të vet pranoi disa fjalë (lutje), prandaj Ai ia fali (gabimin), Ai është Mëshirues dhe pranues i pendimit”. (Bekare, 37).
Ndërsa fjalët që i mori nga Allahu, ishin: “Ata të dy thanë: “Zoti ynë, ne i bëmë të padrejtë ( dëm) vetvetes sonë, në qoftë se nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne me siguri do të jemi prej të shkatërruarve!” (El-earaf, 23). Shih mëshirën dhe butësinë e Tij ndaj robërve, që nuk mjafton me falje të mëkateve, po edhe u dikton se si të pendohen!! Kjo është një kurajë dhe mbështetje shumë e madhe për besimtarët, që të mos turpërohen të bëjnë pendim (teube) për mëkatet e bëra dhe ende i vazhdojnë. Meqë e dimë fort mirë se pejgamberët a.s. kanë bërë gabime, po, pa u vonuar fare, kanë bërë pendesë, gjegjësisht tevbe, pra, ne si njerëz të rëndomtë, nuk duhet të ngushtohemi nga kjo, sepse nuk ka njeri pa gabime. Thotë i Dërguari i Allahut: “Sikur të mos bëni mëkate, Allahu do të krijonte njerëz që bëjnë mëkate, dhe më pas t’ua falë atyre mëkatet”.(3) “Çdo njeri është gabimtar, më të mirët nga ata janë penduesit e mëdhenj”.
Pa dyshim që, për pendimin që bën robi, Allahu gëzohet shumë, madje këtë gëzim të Allahut, Pejgamberi a.s., na i krahason, për ta kuptuar sa më qartë, me gëzimin e të zotit të devesë së humbur në shkretëtirë, mbi të cilën kishte të ngarkuara ushqimin dhe pijen, pra, nga e cila varej edhe jeta e tij, e që humbja e saj zakonisht do të sillte vdekjen, e ai, në çastin kur e gjeti, nga emocionet e tepërta prej gëzimit, s’mundi ta kontrollojë veten e tij dhe tha: O Allah! Ti je robi im dhe un jam zoti yt!"
Ajo që dëshmon atë që u tha, është se prej emrave të bukur të Allahut është edhe emri (Et-Tevab) – Falës i shpeshtë i mëkateve të njeriut. Le të dëgjojmë disa shembuj nga Kur’ani famëlartë, që dëshmojnë për këtë proces. I Lartmadhërishmi, për Ejupin a.s. thotë: “Sa rob shumë i mirë ishte ai dhe i kthyer te Zoti”. (Sad, 44). Po ashtu edhe për Davudin a.s. thotë: “Dhe kujto robin Tonë Davudin, të fuqishmin (në fé e trup), vërtet ai gjithnjë i drejtohej All-llahut”. (Sad, 17). Gjithashtu për Sulejmanin a.s. thotë: “Ne Davudit i falëm Sulejmanin, rob shumë i mirë dhe shumë i kthyer nga Zoti”. (Sad, 30). Të kthyerit tek Zoti, për t’u pastruar nga mëkatet, është rrugë e pejgamberëve a.s., siç na bëjnë me dije ajetet fisnike, kështu që besimtari nuk ka pse të hezitojë nga kjo rrugë e bekuar.
Cilat janë mëkatet për të cilat mund të
pendohemi?
I Lartmadhërishmi në Kur’an thotë: “Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, sepse vërtet All-llahu i fal të gjitha mëkatet, Ai është që fal shumë dhe është mëshirues”! (Zummer, 53).
Ndërsa ajeti kur’anor: “Është e vërtetë se All-llahu nuk fal (mëkatin) t’i bëhet Atij shok, e përveç këtij (mëkati), të tjerat ia fal atij që dëshiron. (Nisa, 116). Tregon se Allahu xh.sh., ia fal mëkatet atij që dëshiron, nëse vdes pa u penduar, nëse mëkati i tij është diçka tjetër përveç shirkut - politeizmit. I Lartësuar është mëshirën të Cilit nuk mund t’ia kufizojë asgjë!! Ky ajet nuk ka të bëjë me ata që janë penduar para vdekjes, se përndryshe nga gjenerata e parë e Islamit masa dërrmuese ishin paganë kur kaluan në Islam.
Pas një pendimi të sinqertë, do të jemi prej atyre xhenetlinjve të ngritur në nivele të larta. Dëgjoni se ç’thotë Pronari i Xhenetit:“Ndërsa besimtarëve të ruajtur xhenneti u afrohet krejt afër. Kjo është ajo që u premtohej për secilin që pendohet dhe që ruan besën e dhënë. Për secilin që i është frikësuar Zotit pa e parë, dhe ka qenë i kthyer tek Ai me zemër të sinqertë. (U thuhet) Hyni në të shpëtuar, se kjo është dita e përjetshme. Ata aty kanë çka të dëshirojnë, e te Ne ka edhe më shumë”.(Kaaf, 31-35).
Gjithashtu thotë: “Dhe ngutuni (me punë që meritoni) për falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe për një xhenet, gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiejve dhe e Tokës, i përgatitur për të devotshmit. Të cilët japin kur janë shlirë edhe kur janë në vështirësi, dhe që frenojnë mllefin, që ua falin (të keqen) njerëzve, e Allahu i do bamirësit.
Edhe ata të cilët, kur bëjnë ndonjë (mëkat) të shëmtuar ose i bëjnë zullum vetvetes, E përmendin Allahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre - e kush i fal mëkatet përveç Allahut? - dhe që duke ditur, nuk vazhdojnë në atë që kanë punuar (në të keqen). Shpërblimi i të tillëve është falja nga Zoti i tyre dhe xhenetet nëpër të cilët rrjedhin lumenj, e aty do të rrinë përgjithmonë. Sa i mirë është shpërblimi i atyre që punojnë”. (Ali Imran, 133-136).
Këta ishin të devotshmit; edhe pse kishin bërë mëkate të shëmtuara, ose, sikur i quan Kur’ani, fahishe, dhe në to radhiten mëkatet më të mëdha, si imoraliteti etj., ata prapë ishin prej të devotshmëve. Krejt ç’kërkohet, është një kthesë e sinqertë nga Mëshirëploti. Por ka diçka edhe më tepër për ata që bëjnë pendim të vërtetë: “Përveç atij që është penduar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve All-llahu të këqijat ua shndërron në të mira. All-llahu është mëshirues, prandaj Ai fal shumë”. (Furkan, 70).
Pra, veprat e këqija ua shndërron në të mira!!.. Ky ajet ka ardhur pas numërimit të mëkateve më të mëdha: “Edhe ata që pos Allahut, nuk lusin zot tjetër dhe nuk e mbysin njeriun që e ka ndaluar All-llahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë kurvëri, ndërsa kush i punon këto, ai gjen ndëshkimin. Atij i dyfishohet dënimi ditën e kiametit dhe aty mbetet i përbuzur përgjithmonë. Përveç atij që është penduar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve All-llahu të këqijat ua shndërron në të mira. All-llahu është mëshirues, prandaj Ai fal shumë”. (Furkan, 68-70). E tërë kjo ndodh, sepse Allahu i do të penduarit dhe ata që pastrohen, siç njofton në Kur’ani Kerim: “All-llahu i do ata që pendohen dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme”. (Bekare, 222)
Allahu di të dukshmen dhe të padukshmen
Sepse gjërat nuk maten me peshoren e kilogramëve, por me vullnetin e zemrës e të shpirtit, dhe qartësinë e pozicionimit të robit, ndaj së mirës ose të keqes . Në momentin që njeriu, ose thënë më mirë, robi i Allahut. vendos ta përkrahë të mirën dhe të votojë për të kundër së keqes, atëherë nuk kërkohet diçka tjetër përveç një pastrimi të shpirtit e të zemrës me anë të pendimit të sinqertë. Ndërkaq, mëkatet e mëparshme, sado të kishin qenë të mëdha, nuk çojnë peshë tek i Gjithëmëshirshmi. Sepse tek Ai peshë ka vetëm sinqeriteti dhe vendosmëria e brendshme e robit. Se cilën po e zgjedh: Atë që ka zgjedhur Allahu xh.sh., apo atë që ka urryer Ai? Ndërsa vepra është vetëm një dëshmi për atë që fshihet brenda robit. Ajo që është më thellë në shpirt dhe në zemrën e njeriut, është më me peshë sesa puna e dukshme, tek Allahu xh.sh., i Cili e di të dukshmen dhe të fshehtën. Sepse aty fshihet realiteti i njeriut, aty fshihet vlera e tij, aty fshihet pesha e tij, aty qëndron personaliteti i njeriut, aty, po ashtu, qëndron shfaqja e sinqertë e robërisë së vërtetë ndaj Allahut, prandaj Ai vlerëson brendinë e njeriut më shumë sesa punën e dukshme, e cila mund të bëhet edhe vetëm sa për sy e faqe. Pra, mu këtu qëndron arsyeja se pse Allahu i do të penduarit dhe ata që pastrojnë thellësinë e shpirtit të tyre dhe brendësinë e zemrës. Kjo është arsyeja pse veprat e dukshme nuk janë rezistuese ndaj vlerave të brendshme. Dhe, posa të rregullohet brendësia e robit, dhe kur e mira dhe ajo që pëlqen Allahu xh.sh., gjen vend dhe mbështetje në thellësinë e shpirtit të tij, - atëherë shndërrimi i veprave të këqija në të mira është një proces fare i natyrshëm nga ana e Krijuesit Fuqiplotë. Kjo është bërë më se e ditur përmes porosive të shumta nga Pejgamberi i mëshirës, a.s., se: punët vlerësohen sipas nijetit.(4) Allahu nuk shikon fytyrat tuaja, po shikon zemrat tuaja.(5) Apo ndoshta e keni harruar personin që mbyti 99+1 prej beni-Israilëve, dhe, megjithëkëtë, hyri në Xhenet!!
Transmeton Ebu Said el-Hudri r.a. nga Resulullahu a.s., që thotë: Kishte qenë një njeri nga mesi i ben- Israilëve, i cili kishte mbytur 99 njerëz, pastaj doli për të pyetur dhe arriti tek një prift dhe e pyeti: A ka pendim (teube)
për mua? I thotë: Jo. E mbyt edhe priftin. Pastaj takoi një njeri, i cili e udhëzoi që të shkonte në një fshat tjetër dhe ta braktiste fshatin ku kishte bërë krimin. Përderisa vazhdoi rrugën për fshatin tjetër, e zuri vdekja në mes të rrugës! Pastaj lindi mosmarrëveshje në mes Melaqeve të mëshirës dhe Melaqeve të dënimit! Allahu i urdhëroi Melaqet që ta masnin largësinë në mes dy fshatrave, se cilin e kishte më afër. Pas llogaritjes, doli se ishte një pëllëmbë më afër fshatit që i kishte mësyrë për pendim, dhe iu fal mëkati!(6)
Për t’u njohur sa më bindshëm me sinqeritetin e temës në fjalë, duhet t’ju njoftojmë se thirrja që u bëhet besimtarëve nga i Gjithëmëshirshmi, për pendim të sinqertë, vjen pas thirrjes kërcënuese, e cila i paraprin kësaj thirrjeje dy ajete më përpara: “O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët..”.(Et-tahrim), (6). Më pas vjen ajeti për pendim të sinqertë, me numrin 8 të kësaj sureje!
Në fund, e përmbyllim këtë temë duke bërë thirrje që pendimi i sinqertë të ndodhë sa më shpejt, pa u vonuar fare, dhe pendimi të bëhet për çdo mëkat, qoftë ai i madh a i vogël, - ky është vendim unanim i dijetarëve.(7)
(1) Et-Taberi,-tefsir-Xhamiul Bejan, vëll: 23, f. 107.
(2) El-Alusi,-tefsir-Ruhul Meani, vëll: 28, f: 158.
(3) Ibn Dakik el-Iid, v, 702h, Sherah Elerbain Ennevavijeh, botimi: I-rë, 2004, sh.b: Muesseseturr rrisale, Bejrut, f.122. Muslim:2748.
(4) Sahihul Buhari, kitabu: bed’ul vajhi, babu: bed’ul vajhi, nr. had. 1.
(5) Sahihul Muslim, kitabu: el birru ve siletul adabi, babu: terhimudh-dhulmil muslim, nr. had. 4651.
(6) Sahihul Buhari, kitabu: ehadithul enbija’ë, babu: hadithul gar, nr. had. 3211.
(7) El-Alusi, -tefsir-Ruhul Meani, vëll: 28, f. 159
Dr. Lulzim Esati