Besimi dhe veprimi

“Besimi nuk është me shprehje të dëshirës apo me manifestim të jashtëm, por ajo që vendoset në zemër dhe vërtetohet me vepër!” (hadith)


Besimi i vërtetë nuk është thjesht njohje me mendje ose besim me zemër që nuk ndiqet me ndikim praktik në jetë. Kurrsesi, (besimi) është bindje, veprim dhe sinqeritet.
Pa marrë parasysh se sa dallojnë ndërmjet vete dijetarët e kelamit, në diskutimet e tyre akaidore, në lidhje me konceptin e besimit dhe raportin e tij me veprimin, se a është ai pjesë e konceptit të tij, kusht i tij apo fryt nga frytet e tij, ata janë të pajtimit se veprimi është pjesë integrale e besimit të plotë.
Është transmetuar një hadith, i cili e pasqyron të vërtetën e besimit, ku thuhet: “Besimi nuk është me shprehje të dëshirës apo me manifestim të jashtëm, por ajo që vendoset në zemër dhe vërtetohet me vepër!”1
Kurani famëmadh e ka përmendur besimin të shoqëruar me veprim, në më shumë se 70 ajete, dhe nuk është mjaftuar vetëm me veprim, por ai kërkon kryerjen e “veprave të mira”, që është një fjalë përmbledhëse në Kuran, e cila i përfshinë të gjitha gjërat e përshtatshme të kësaj bote dhe të fesë, të përshtatshme për individin dhe shoqërinë, dhe të përshtatshme për jetën shpirtërore dhe materiale bashkë.

Motivimi i besimtarit për të vepruar vepra të mira buron nga vetja e tij

Besimtari i fesë në përgjithësi, e besimtari islam në veçanti, nuk tërhiqet për të punuar për këtë botë sikurse tërhiqet bagëtia. Atë nuk e shtynë për të punuar shtypja e qeverisë, apo presioni i jashtëm, apo kontrolli i autoritetit ekzekutiv, të cilët e kërcënojnë me uri, me privim apo ndëshkim, siç është e ditur në regjimet socialiste.
Por besimtari nxitet për punë me nxitje nga vetvetja, me motiv nga vetvetja, me frymëzim që buron nga brendia, dhe jo me ndonjë rrëmbim që e tërheq nga jashtë. Ky motivim nga vetvetja është besimi në Allahun, besimi në shpalljen hyjnore dhe në detyrën e tij në ndërtimin e Tokës dhe qeverisjen e Universit.
Besimtari është i bindur se lumturia në botën tjetër dhe suksesi në këtë botë, janë të varur nga veprimi (puna). Xheneti në botën tjetër nuk është shpërblim për njerëzit e papunë, për përtacët dhe për ata që rrinë kot, por për njerëzit që përpiqen, punojnë dhe kontribuojnë: “Ja, ky është Xheneti që u është dhënë në trashëgim për atë që keni punuar.” (Ez-Zuhruf, 72); “Askush nuk di se çfarë gëzime të fshehta janë për ta – shpërblimi për atë që kanë punuar.” (Es-Sexhde, 17)

Fitimi në botën tjetër arrihet me punë, jo me dëshira

Doktrina e Islamit e ka prishur lakminë koprrace dhe aspiratat boshe, të cilat kanë bërë që një lloj i njerëzve të besojnë se Xheneti është monopol i tyre, ose pronë të cilën do ta trashëgojnë nga prindërit dhe gjyshërit, se e meritojnë atë vetëm pse i përkasin një feje të caktuar ose pse i përkasin një gjeografie të caktuar.
Islami i ka zhvleftësuar këto pretendime të mëdha, dhe krejt çështjen ia ka kthyer besimit të sinqertë dhe veprës së mirë: “(Hebrenjtë dhe të krishterët) thoshin: askush nuk do të hyjë në Xhenet përveç hebrenjve ose të krishterëve. - Këto janë dëshirat e tyre boshe! - Thuaju ti (O Muhamed): “Nëse ju jini të drejtë, sillni argumentin (për atë që po thoni). Jo! – Po! Ai që i përulet Allahut dhe punon vepra të mira, për atë ka shpërblim te Zoti i tij, për ta nuk ka frikë as pikëllim.” (El-Bekare, 111-112). Kështu u trasua rruga për xhenet, me përulje ndaj Allahut dhe me vepra të mira.
Ky pozicion nuk ishte vetëm i hebrenjve dhe të krishterëve, por këtë pozicion e kishin edhe koprracët nga radhët e myslimanëve, ata budallenj të cilët i ndjekin dëshirat e veta, kurse prej Zotit i aspirojnë dëshirat. Ata mendojnë se duke e shqiptuar fjalën islam, ose duke u emërtuar me emra myslimanë, do t’iu mjaftojë që t’ju hapen portat e Xhenetit dhe do të hyjnë aty në paqe e të sigurt. Mirëpo, Kurani ua sqaroi atyre në mënyrë të qartë, se ligji i Allahut për shpërblimin e robërve është i përbashkët për të gjithë robërit e Tij, ai nuk bën favorizime, si dhe nuk bën dallime ndërmjet një grupi dhe grupit tjetër.
Komentuesit e Kuranit transmetojnë se njëherë ishte takuar një grup njerëzish, i përbërë nga hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët. Dhe secila palë prej tyre pretendonte se ata janë njerëzit e parë që do të hyjnë në Xhenet.
- Hebrenjtë thanë: “Ne jemi pasues të Musait, të cilin e zgjodhi Zoti për t’ia dërguar shpalljen dhe për të biseduar me të.”
- Të krishterët thanë: “Ne jemi pasuesit e Isait, Shpirtit të Zotit dhe Fjalës së Tij.”
- Myslimanët thanë: “Ne jemi pasuesit e Muhamedit, vula e pejgamberëve dhe populli (ymeti) më i mirë që i ka ardhë njerëzimit.”
Kurani nuk e apostrofoi asnjërën palë për pretendimet dhe mosmarrëveshjet e tyre. Por ajetet e tij zbritën me vendim të prerë, me gjykim të drejtë, duke iu drejtuar myslimanëve hapur dhe pa ekuivokë: “Puna nuk qëndron ashtu, as sipas dëshirës suaj e as sipas dëshirës së ithtarëve të Librit. Por është, se kushdo që të bëjë një të keqe, do të ndëshkohet për atë dhe nuk do të gjejë as mbrojtës as ndihmëtar përveç Allahut; Kushdo që të punojë vepra të mira, qoftë ai mashkull ose femër, duke qenë ai besimtar, do të hyjë në Xhenet dhe nuk do t’i bëhet dëm as sa grimca.” (En-Nisa, 123-124)


________________
1 Këtë hadith e transmeton Ibën Nexhari dhe Dejlemiu në “Senedul-
Firdevs” nga hadithi i Enesit, kurse Sujutiu në “El-Xhami”, e ka sinjalizuar me shenjën e dobësisë.



Përktheu nga gjuha arabe: Miftar Ajdini
Nga libri i autorit Dr. Jusuf el-Kardavi me titull “Besimi dhe jeta - El-Iman vel-hajat” https://www.al-qaradawi.net/content//


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur me rastin e festës së Fitër Bajramit (video)