Metoda e edukimit me anë të tregimeve
Një nga metodat e edukimit që ka përdorur Kurani për të edukuar njerëzit dhe për t'i udhëzuar ata, është metoda e edukimit me tregime. Meqenëse ekzistojnë ligje të pandryshueshme që dominojnë shoqëritë, ngjarjet e përjetuara nga shoqëritë e kaluara janë çështjet që duhet të zbatohen në edukimin e shoqërive të ardhshme. Me këtë mënyrë u drejtua edhe Kurani, në të cilin këto ngjarje kanë zënë vend të veçantë.(1)
Në këtë kaptinë përshkruhen tri tregime të bukura të Kuranit, përmes të cilave fitohet përshtypje e madhe në fuqinë e pakufishme të Zotit Krijues. Në tregimin e parë, flitet për "As'habul Kehf", për banorët e shpellës, të cilët flijuan rininë, familjet dhe gjithçka që kishin për hir të besimit të drejtë. Ata ishin disa djelmosha të rinj besimtarë, të cilët u larguan prej vendlindjes së tyre, me qëllim që ta ruajnë besimin dhe u strehuan në një shpellë, ku ndenjën në gjumë treqind e nëntë vjet, e pastaj Allahu i zgjoi prej atij gjumi aq të gjatë.(2)
Tregimi i dytë përshkruan takimin e Musait me njeriun e dijshëm, me Hidrin dhe ngjarjet që e habitën Musain, sepse nuk ishte në gjendje t'i kuptojë fshehtësitë e tyre, prandaj edhe kundërshtonte. Përmendet rasti i prishjes së një anijeje, i mbytjes së një djali të ri dhe i ndreqjes së një muri të shtrembëruar. Ai njeri i dijshëm, që ishte pejgamber, i tregoi Musait për fshehtësinë e atyre ngjarjeve.(3) Edhe pse ky tregim është një histori më vete, ai ka një lidhje me tregimet e banorëve të shpellës dhe i mbështet ato. Në tregimin e tretë përshkruhet sundimi i Dhulkarnejnit, një sundimtar i drejtë dhe i devotshëm, të cilit Zoti i kishte dhënë pushtet të gjerë në Lindje e Perëndim dhe i cili e kishte ndërtuar një pendë të madhe.(4) Nga këto tregime nënkuptohet që Kurani duke i përgjithësuar ngjarjet si një tabelë mësimi, nuk sjell detaje si, vendin dhe kohën, gjatë përshkrimit të tyre, ngase janë mesazhi dhe perceptimi i saktë i tyre ajo që duhet dhënë rëndësi, dhe jo hollësitë e tjera. Këto tregime të cilat janë përshkruar si ngjarje nga të cilat merret mësim, fillimisht përshkruhen në një formë të përmbledhjes, pastaj shtjellohen në skena, lihen boshllëqe mes skenave dhe nga ajetet vijuese kuptohet se si duhet të ndërlidhen këto zbrazëtira në mes tyre.(5)
Pra, qëllimi i tregimeve të Kuranit nuk është thjesht për të treguar disa ndodhi historike, por të japin mësime dhe mesazhe nga të cilat mund të përfitohet. Nga këto tregime nxirren disa parime morale të cilat paraqiten në një stil përfaqësues dhe konciz.
Metoda e rikujtimit
Një metodë të rëndësishme të edukimit që hasim në kaptinën Kehf është metoda e rikujtimit. Këtë metodë të cilën mund ta përshkruajmë si evokimi i njohurisë paraekzistuese në mendje, dhe ndërtimi i informacioneve të reja mbi të, është një metodë trajnimi që haset shpesh në edukim, veçanërisht në edukimin kuranor. Në edukim, kjo metodë përdoret më së shumti në trajnimin e emocioneve, sepse kujtimi i një personi për një çështje që ai e njeh më parë ndikon thellë në shpirtin e tij. Në lidhje me këtë, në kaptinën Kehf thuhet: "Ato qytete Ne i shkatërruam kur banorët e tyre bënë të këqija dhe, për shkatërrimin e tyre, Ne kishim caktuar një afat."(6) Në ajetet që u paraprinë këtyre, përmendet se gjëja që i pengon njerëzit nga besimi është se ata presin që t'u vijnë fatkeqësitë që u kanë ndodhur popujve të kaluar ose t'u vijë dënimi. Në këtë mënyrë, Allahu i Plotfuqishëm TI kujton njerëzve atë që ndodhi me kombet e kaluara dhe siguron që njerëzit të marrin një mësim dhe të mos bëjnë të njëjtin gabim.
Metoda e mësimdhënies me proverba (darb-i methel)
Metodë kjo, që përdoret në edukim, veçanërisht në shpjegimin e çështjeve të paqarta ose në krahasimin e së mirës me të keqen. Kjo metodë ka shumë përfitime për sa i përket edukimit dhe trajnimit, e po ashtu edhe në sqarimin e ideve dhe mendimeve abstrakte apo konkrete, të cilat i sjell në një mënyrë që të mund të kuptohen lehtësisht nga të gjithë. Gjithashtu kjo metodë është një ndër metodat e rëndësishme që Kurani përdor në stërvitjen e mendjes njerëzore. Kurani ia paraqet gjendjet shpirtërore mendjes njerëzore duke i krahasuar ato me gjërat materiale. Teksa Kurani përdor këtë metodë, ai i kushton vëmendje ndjesive në mendjen e njeriut. Shembuj të kësaj metode hasim edhe në kaptinën Kehf, në të cilën paraqiten tri figura. Së pari, shembulli i një pasaniku rebel, i cili është krenar dhe arrogant me pasurinë e tij, dhe një të varfëri të bindur që ndihej i nderuar me besimin tij.(7)
Së dyti, jeta e kësaj bote e përshkruar si e përkohshme dhe kalimtare, kurse në anën tjetër rëndësia e Ahiretit dhe skenat e tmerrshme nga dita e kiametit.(8) Sejid Kutbi, thotë që në këto histori përfaqësuese, tregohet shembulli i vlerave të përkohshme dhe vlerave të përhershme. Në tregimin e parë zbulohen dy lloje njerëzish, njëri prej të cilëve krenohet me të mirat që posedon nga kjo botë, kurse tjetri ndjehet i nderuar të jetë në rrugën e Zotit, e që të dy janë shembuj konkret për njerëzit.(9) Së treti, Iblisi, i cili është një shembull i "krenarisë dhe arrogancës" në kundërshtim të urdhrit të Zotit xh.sh. në mos bërjen sexhde ndaj Ademit, dhe si rrjedhojë dëbimi dhe privimi i tij nga mëshira e Zotit xh.sh..(10) Siç shihet, këtu është shpjeguar me shembuj konkret se jeta e kësaj bote dhe begatitë e saj janë kalimtare, prandaj njerëzit nuk duhet të mbështeten në to. Po ashtu përmendet edhe fakti që rebelimi ndaj Zotit nuk sjell asgjë tjetër përveç humbjes dhe dëshpërimit.
Metoda e mësimdhënies me pyetje-përgjigje
Metoda pyetje-përgjigje, e cila është më e përdorura pas metodës së leksionit në historinë e edukimit, përdoret për qëllime të tilla si aktivizimi i mendjes së dëgjuesit dhe tërheqja e vëmendjes së tij në një pikë të caktuar. Edhe në kaptinën Kehf, kjo metodë është përdorur në disa vende dhe në disa mënyra. Në ajetin: "Ky populli ynë ka zgjedhur në vend të Tij zota të tjerë, ndonëse ata nuk u sjellin dot asnjë provë të qartë. E kush është keqbërës më i madh, se ai që trillon gënjeshtra për Allahun?"(11), sillet një pyetje mohuese me të cilën vëmendja e njerëzve tërhiqet në një pikë të caktuar. Stili i pyetjeve është ai që e mban gjithmonë të gjallë vëmendjen. Kështu, Kurani duke përdorur këtë metodë edukuese, bëri që mesazhet e tij të jenë më efektive dhe të qëndrueshme. Po ashtu në ajetet: "Vallë, a mendojnë mohuesit, se do të mund t'i zgjedhin robërit e Mi si mbrojtës, në vendin Tim?!"(12), hasim një stil pyetësor me të cilin Zoti xh.sh. shpreh padrejtësinë e atyre të cilët i bënë shokë Atij duke shprehur faktin që veprat e mohueseve, si: zemra e ngurtë, psikologjia e mohimit, zbukurimi i djallit, parja e veprave të tyre të këqija si të mira dhe të shërntuarave si të bukura, janë të kota dhe të padobishme në Ahiret. Të gjitha këto fakte janë shprehur në stilin pyetje-përgjigje për të qenë më të përhershme në mendjet e njerëzve.
Përfundimi
Edukimi ka ekzistuar gjithmonë gjatë historisë së njerëzimit. Njerëzit, për ta ruajtur ekzistencën e tyre si shoqëri dhe për të rritur breza të dobishëm, kanë qenë të lidhur me edukim në një mënyrë ose në një tjetër. Kurani, qëllimi kryesor i të cilit është udhëzimi i njerëzve, njëherësh është edhe baza e edukimit islam. Për të kuptuar se si realizohet ky efekt i pamohueshëm i Kuranit, është shumë e rëndësishme të kuptohet aspekti edukativ i tij. Prandaj, është e. nevojshme të shqyrtohet Kurani për të kuptuar strukturën, metodat dhe qëllimet e edukimit islam.
Kaptina Kehf, e cila në thelb është një sure që u shpall për të mbjellë njëshrnërinë e Zotit te njerëzit, për të tërhequr vëmendjen ndaj natyrës së përkohshme të jetës së kësaj bote dhe për të vënë në dukje se jeta e vërtetë dhe e përjetshme është bota e pastajme, paralelisht përfshin aspektin edukativ të Kuranit në përgjithësi, i cili është i përshtatshëm me natyrshmërinë e njeriut në tërësi. Kriteri në metodën e edukimit i përfshirë në këtë kaptinë është në përputhshmëri me karakterin e qenies njerëzore. Ajo parashtron parimet e metodës së edukimit në kuadër të sjelljes së njerëzve. Për këtë arsye, kjo metodë e edukimit është e përshtatshme për natyrën e tij. Atij nuk i imponohet asgjë dhe çdo metodë edukative e shprehur në Kuran është e përshtatshme me natyrshmërinë e tij.
1. Sait Shimshek, "Gunumuz Tefsir Problemleri", Stamboll, Shtëpia Botuese
"Kitap Dunyasi", f. 367.
2 Kehf, 18/9-26.
3 Kehi: 18/60-82.
4 Kehf: 18/84-88.
5 Sejjid Kutub, "El- Tasviru 'l-Fenni fi’l-Kur'an", Kajro, Daru'sh-Shuruk, f.
180-181
6 Kehf18/59.
7 Kehf 18/32-44.
8 Kehf 18/45-49.
9 Sejjid Kutub, "Fi Dhilali'l-Kur'an", v. Vll, f. 409.
10 Kehf 18/50-53.
11. Kehf, 18/9,15,shiko:57.
12 Kehf, 18/102, poashtu: "Thuaj: "A doni t'ju lajmëroj për ata që më së shumti, humbasin nga punët e veta, për ata, përpjekja e të cilëve ka qenë e kotë në jetën e kësaj bote; ndërkohë që mendonin se po bënin vepra të mira?" Kehf, 18/1 03-04.
Dr. Valmire Batatina – Krasniqi