Format e shumta të mjeteve në komunikimin e daves

Vetë mjeti në shumicën e rasteve nuk ka ndikim në realizimin e pikësynimit, as në përmbajtjen e predikimit që paraqitet, as në mënyrën e adhurimit dhe as në thelbin e thirrjes. Ndikimi i tij është te zhvillimi, procesi që ndodh, në shtimin e qartësisë, në memorizimin e informacionit, në zgjerimin e hapësirës së thirrjes, në lehtësimin e kryerjes së tij.

Në fushën e thirrjes islame (dave) mjetet që shfrytëzohen në komunikimin e mësimeve hyjnore janë të shumta, aq më shumë ku bota ka shënuar revolucion teknologjik në aspektin e komunikimin ndërnjerëzor. Mjete (el-vesile) nga ana etimologjike ka kuptimin:
1.Vegël, send, makinë, tërësi pajisjesh etj., që shërben për të bërë një punë, për të kryer një veprim a veprimtari, për të udhëtuar etj.; çdo gjë që përdoret për të bërë një punë. Mjet i thjeshtë. Mjete shkollore. Mjete mbrojtëse. Mjete tokësore (detare, ajrore). Mjetet luftarake (e motorizuara). Mjetet e punës. Mjetet e transportit (e komunikacionit). Mjetet e lundrimit (e udhëtimit). Mjetet e mësimit. Mjetet e peshimit (e matjes).
2. Mënyrë veprimi a udha që ndiqet për t’ia arritur një qëllimi; rrugë. Mjet i fuqishëm (i rëndësishëm). Mjet i sigurt. I vetmi mjet shpëtimi. Teatri është një mjet edukimi dhe çlodhjeje. Përdori gjithfarë mjetesh për t’ia dalë mbanë. E gjeti mjetin për ta zgjidhur çështjen. Me të gjitha mjetet me çdo kusht, me çdo mënyrë. S’ka mjet tjetër.
3. Kryes. Sende (para, ushqime etj.) të nevojshme për të jetuar; fin. fonde, para. Mjetet financiare (buxhetore, monetare, xhiruese). Mjetet e lira. Mjetet e jetesës. Mjetet e pagesave.
4. Pjesë përbërëse e diçkaje, element që hyn në përbërjen e një tërësie ose që kryen një funksion të caktuar. Mjetet letrare (artistike). Mjete gramatikore (sintaksore, leksikore, fjalëformuese). Mjet stilistik (shprehës). Mjetet e kompozimit. Mjetet e prodhimit ek. tërësia e veglave dhe e objekteve të punës që përdorin njerëzit në procesin e punës për të përvetësuar lëndët natyrore dhe për të prodhuar të mirat materiale.(1)
Pra, mjeti është instrument apo shkak që të shpie drejt qëllimit ose të ndihmon për të arritur këtë qëllim. Fetarisht mjet quhen instrumentet, shkaqet ose rrugët, të cilat përdoren për të komunikuar thirrjen islame (dave). Mjetet ndahen në dy lloje: Materiale, si makina, hekuri, letra, altoparlanti, minberi, ku hipet për të mbajtur hytben, kasetat, CD-të, e mjetet e tjera. Vepruese, që janë mënyrat që ndiqen në veçanti për të formën e ligjërimit, mësimdhënies dhe komunikimit, siç janë: mësimet, bashkëbisedimet, debatet, sesionet shkencore, simpoziumet, konferencat etj. Mjeti me këtë rast shëmbëllen me stilin dhe mënyrën, sipas këtij kuptimi, por shembujt që përmendëm e qartësojnë se stili është diçka tjetër. Vetë mjeti në shumicën e rasteve nuk ka ndikim në realizimin e pikësynimit, as në përmbajtjen e predikimit që paraqitet, as në mënyrën e adhurimit dhe as në thelbin e thirrjes. Ndikimi i tij është te zhvillimi, procesi që ndodh, në shtimin e qartësisë, në memorizimin e informacionit, në zgjerimin e hapësirës së thirrjes, në lehtësimin e kryerjes së tij etj.(2)

Ato mund të paraqiten si në vijim:

1. Mjetet audio, siç janë: radio, seminare, hytbe, debate, ligjërata etj.;
2. Mjetet e leximit, siç janë: gazetat, revistat, librat, fletushkat etj.;
3. Mjetet vizive, siç janë: televizioni, kinemaja, teatri, video etj.;
4. Mjetet individuale, siç janë: intervistat, thirrja individuale, bisedat, komplimentet etj.

Qëllimet ndahen në: esenciale konstante (të pandryshueshme) dhe qëllime sekondare të përkohshme. Kurse metodat duhet të jenë të përziera, të ndryshueshme dhe zhvilluese. Metodat doemos të pësojnë ndryshim, llojlloj- shmëri dhe zhvillim në vazhdimësi, huazim të përvojave të myslimanëve dhe jomyslimanëve, sepse urtësia është gjë e munguar e besimtarëve. Kudo që e gjen atë, e merr. Secila metodë e punës davetore vlerësohet sipas dy kritereve, e para do të vlerësohej pas nevojës reale për atë, kurse e dyta që dobitë e saj të jenë më shumë se dëmet, përndryshe nuk do të merrej parasysh.(3)

Influenca - ndikimi

Secili individ i cili ka hyrë në fushën e predikimit islam duhet ta dijë se e ka rolin e dërguesit, kurse në anën tjetër ka dëgjues (pranues) të mesazhit. Sigurisht që mesazhi i tij duhet të jetë me ndikim mbi mendjen e atyre që ndjekin ligjëratën, ngase nëse ideja që arrin në mendjen e pranuesit (xhematit) do ta ketë fuqinë e ndikimit sipas fuqisë së dërguesit, kualitetit dhe ndikimit, varësisht gjendjes së pranuesit.

a. Kurani ka marrë në konsideratë psikologjinë e masave

Shoqëritë e ndryshme, si dhe individët, kanë identitete tipologjike dhe psikologjike specifike. Në lidhje me këtë Allahu xh. sh. thotë: “Përqendrohu në vetveten tënde sinqerisht në fenë, i liruar prej çdo të kote, (e ajo fe), feja e Allahut në të cilën i krijoi njerëzit, s’ka ndryshim (mos ndryshoni) të asaj natyrshmërie të krijuar nga Allahu, ajo është feja e drejtë por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Err-Rrum, 30)

b. Kurani po ashtu ka marrë në konsideratë zakonin/traditën shoqërore.

Ajetet e mëposhtme tregojnë se Kurani u ka kushtuar rëndësi identiteteve psikologjike të shoqërive të ndryshme dhe prej besimtarëve ka kërkuar që ata të sillen në kontekst të traditave të vendit ku jetojnë, madje, disa herë janë përdorur edhe trajta urdhëruese, obligative për ndjekjen e tyre: “Nga ju le të jetë grup që thërret në atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja. Të tillët janë ata të shpëtuarit.” (Ali Imran, 104); “I besojnë Allahut dhe së ditës, këshillojnë për të mirë dhe largojnë nga të dobishme, edhe ata janë prej të mirëve.” (Ali Imran, 114); “(Të Xhenetit janë) Edhe ata që pendohen, ata që sinqerisht adhurojnë, ata që falënderojnë, ata që agjërojnë, ata që bëjnë ruku, që bëjnë sexhde, që urdhërojnë për të mira e ndalojnë nga të këqijat, edhe përmbushin dispozitat e Allahut. Pra, përgëzoj besimtarët.” (Et -Tevbe,112).
Në këto ajete, Kurani i pranon si të mira, madje disa edhe si obligime fetare, çështjet e traditës dhe ato që janë pozitive, duke i kategorizuar si ma’ruf (vepra të mira të bukura, që janë të pranuara për shoqërinë dhe fenë). Zakonet ndryshojnë prej popullit në popull. Andaj mund të themi se ndihmat sociale, komplimentet, manifestimet, bamirësitë etj., të cilat janë të veçanta për popuj të caktuar, ka mundësi të konsiderohet nën termin e ma’rufit të lartcekur në Kuran, dhe konkludojmë se mësimet kuranore kanë pasur në konsideratë psikologjinë shoqërore në lidhje me përcaktimin e normave të sjelljes. Andaj edhe thirrësi në islam (imami) duhet të ndjek modelin e Kuranit sa i përket respektimit të veçorive të secilës shoqëri që mos të bie ndesh dhe të has në vështirësi e pengesa në misionin e tij. Ai vazhdimisht kujton tregimin e Kuranit për kodet e traditës së popujve dhe për identitetin tipologjik të tyre, dhe kjo ka ndikuar që juristët myslimanë të thonë: “Ajo që është e thuktë me traditë është edhe me tekst.” Dhe së këtejmi të ndërtojnë qëndrim juridik në lidhje me konsideratën ndaj traditës. Mos marrja në konsideratë e zakoneve që e përbëjnë identitetin dhe tipologjinë e karakterit të një shoqërie, sipas Gustav Le Bon-it, është injorim i shoqërisë. Meqë edhe psikologët çdo shoqëri e analizojnë si organizëm të krijuar gjatë historisë, nuk e shohin të mundshëm asnjë qytetërim pa traditë dhe pa shpirt kombëtar. Sipas tyre, nuk ka qytetërim pa traditë të rrënjosur.(4)

Natyra e shoqërive

Bazuar në konfirmimet kuranore, si bazë duhet të merret psikologjia, tradita, zakonet dhe botëkuptimi për estetikën i çdo shoqërie dhe në korrelacion me të, aplikohen mendimet e ndryshme fetare. Vetëm me këtë mendësi, në botën e konstruktuar nga Kurani ka mundësi që duke marrë në konsideratë gjendjet shpirtërore të njerëzve dhe mozaikët kulturore të ndryshme, të jetohet bashkë dhe pa kundërshtime. Kurani assesi nuk është për krijimin e një tipi individi ose të një shoqërie të shabllonizuar, ku nuk do të merren parasysh animet e përgjithshme, dukuritë shpirtërore dhe realitetet psikologjike. Disa mendimtarë (muxhtehidë) të ndritur e kanë perceptuar mirë shpirtin kuranor dhe duke pasur elementin njeri dhe gjendjen socio-kulturore dhe shpirtërore të njeriut kanë dhënë mendime adekuate për jetësimin e Islamit në shoqëritë e ndryshme, por pa i dhunuar kufijtë e shpalljes dhe duke qenë të ndjeshëm për mënyrën e jetesës së shoqërisë gjegjëse, të estetikës, zakoneve dhe mentalitetit të saj. Madje, disa herë udhëheqësit myslimanë për shkak të ndryshimit të kushteve kohore dhe hapësinore kanë vepruar ndryshe nga mënyra e veprimit në kohën e Pejgamberit a.s.
Predikuesi i mësimeve fetare (dave) po ashtu i kushton kujdes të veçantë edhe gjuhës si mjet thirrjeje, e cila ka rëndësi të madhe për unitetin dhe afrimin mes njerëzve. Kurani përpiqet që në ligjërimin e tij t’iu drejtohet dhe t’i bindë njerëzit duke marrë në konsideratë gradën kulturore, mjedisin shoqërorë dhe faktorët e tjerë pozitivë ose negativë të asaj shoqërie. Kjo ngase Kurani dhe Muhamedi i kanë kushtuar kujdes psikologjisë së individëve dhe shoqërive që më pas ka bërë që një numër tepër i madh i njerëzve të përqafojnë vlerat islame.(5)
Këtu duam të shkoqisim pesë çështje: Predikuesi patjetër që duhet të di mjedisin që e rrethon pranuesin apo dëgjuesin, ngase secili individ apo shoqëri ka specifikat e saj.
Duhet njohur veçantitë, mendimin dhe aspiratat e traditat e targetit (xhematit) të synuar. Këtu është me rëndësi të theksohet se te disa popuj apo individë më shumë kanë ndikim çështjet emocionale se sa ato të mendimit, që rrjedhimisht pastaj i dërgojnë apo fitojnë kulturë sjelljeje apo të kuptuar. Në këtë ambient social ekziston mundësia t’i pranojë këto mesazhe apo edhe t’i refuzojë.
Çdo popull ka besimin e tij, fraksionet dhe shijet e veçanta. Kjo mund të gjendet në kuadër të thirrjes për jomyslimanët apo edhe shkëputja e gjatë nga jeta dhe frymini islam, që si pasojë kanë qenë në ndikimin e sistemeve si ateiste, komuniste socialiste, etj.
Po ashtu çdo popull ka kulturën, arsimin dhe trashëgiminë e tij, dhe çdo botëkuptim e ndërton mbi këto bazamente, pa mos hyrë në thellësinë e gjykimit se çfarë niveli apo ndikimi kanë ato qoftë në rrafshin kombëtar apo ndërkombëtar.
Çdo komunitet ka synimet, qëllimet dhe shpresat, qofshin ato të natyrës materialiste apo metafizike. Në këtë rast thirrësi në islam duhet të ketë para vetës këtë pikë dhe t’i kushtojë rëndësi dhe të ketë një ide të përgjithshme për këta individë, familje, kabile, popuj e assesi nuk guxon të rrezojë, të bëhet i verbër në këtë fushë, sepse do të ndeshet me realitetin e hidhur që do t’i kushtojë shumë atij personalisht, por edhe vetë misionit, konkretisht mesazhit islam.
Kurani në këtë aspekt i ka ligjëruar natyrës së shëndosh dhe ka ofruar shtegdalje duke e konsideruar si premtim fitimin e Xhenetit, sikurse po ashtu i ka folur edhe natyrës jo të shëndoshë duke e paralajmëruar për vështirësitë, ndëshkimet që e presin qoftë në rrafshin e kësaj bote, ligjore si dhe ndëshkimi në botën tjetër.

Ftesa e Kuranit, reflektim drejt arsyes dhe besimit të drejtë

Ligjërata e Kuranit është e drejtuar edhe për hebrenjtë dhe të krishterët duke polemizuar me ta dhe duke ua treguar gabimet si dhe ftesën për të reflektuar drejt arsyes dhe besimit të drejtë.
Kështu tejet qenësore është fakti se sa ka rëndësi vetë thirrja, po aq me rëndësi është edhe metoda, mjeti e stili që do ta ndjekin gjatë thirrjes. Gabimet në stil të sjellin në nivel të pamundësisë për të zgjedhur të vërtetën. Për këtë arsye, duhet të jemi në gjendje që fjalimet t’i zhvillojmë duke i zgjedhur, duke i matur mirë dhe duke i mbajtur llogari për ato që i themi. Ngel që çdo fjalë është duke u regjistruar. Duhet zgjedhur mjediset e tolerancës dhe të përmirësimit. Koha e përplasjes, e tensionimit dhe e kaosit është momenti më i vështirë për të shtrirë zërin dhe për ta bërë të kuptueshme fjalën që duhet thënë.(6)
Mësimet kuranore po ashtu iu janë drejtuar edhe pasuesve apo adhuruesve të yjeve, planetëve dhe idhujve të tjerë që të drejtohen kah Krijuesi i këtyre krijesave.
Në këtë vazhdë gjejmë që ajete të Kuranit iu flasin natyrës së frikësuar të qenies njerëzore të Beni Israilve, siç thotë ajeti kuranor: “Ata (populli i Musait) thanë: “O Musa, aty është një popull i fuqishëm (dhunues), prandaj ne nuk do të hyjmë aty kurrë derisa ata të mos dalin nga ajo (të na e lirojnë pa luftë), nëse dalin ata nga ajo, ne nuk hyjmë.” (El Maide, 22).
Ndërsa, duke ju folur të frikësuarve dhe të ngjashmëve sikur ata të cilët mendojnë vetëm për këtë ajet thuhet: “Thuaj: “Edhe sikur të ishit në shtëpitë tuaja, atyre që është caktuar mbytja (vdekja), do të dilnin në vendin e flijimit të tyre!” Në mënyrë që Allahu të provojë atë që është në zemrat e tuaja (sinqeritetin ose hipokrizinë) dhe që të pastrojë atë që është në zemrat tuaja. Allahu i di shumë mirë të fshehtat në zemrat.” (Ali Imran, 154).
Kurse në një vend tjetër po ashtu thotë: “O besimtarë, mos u bëni si ata që nuk besuan dhe për vëllezërit e tyre që kishin dalë në udhëtim (tregtie e gjallërimi) ose që kishin shkuar në luftë thoshin: “Sikur të kishin qëndruar pranë nesh (e të mos dilnin), atë (bindje), Allahu ua bëri një dëshpërim në zemrat e tyre. Pse Allahu është Ai që jep jetë dhe jep vdekje dhe Allahu sheh atë që ju punoni. E sikur të ishit mbytur në rrugën e Allahut, ose t’u kishte zënë vdekja, do të gëzonit falje e mëshirë prej Allahut që është shumë më e dobishme se ajo çka ata grumbullojnë.” (Ali Imran, 156-157).
Kurani me këtë rast i ka kushtuar theks të veçantë trajtimit të materializmit despotik, sikurse po ashtu ka ndaluar teprimin në spiritualitet dhe vetë izolim duke hequr dorë nga kjo botë dhe duke paralajmëruar për sëmundje që mund të rrjedhin nga këto ekstreme, dhe njëkohësisht ka ofruar edhe recetën e shërimi nga këto sëmundje. Kjo çështje po ashtu ka gjetur trajtim teorik dhe praktik në vetë jetën e Muhamedit a.s., e më vonë edhe te gjeneratat vijuese.
Gjykimi për mjetet e thirrjes ndërmjet njerëzve është i skajshëm dhe i mesëm. Një pjesë thonë se çdo mjet në origjinë është i lejuar në mënyrë absolute. Kështu që për këtë grup lejohet përdorimi i çdo lloj mjeti që ka mundësi të përdoret, pa marrë parasysh kriteret apo dëmet fetare që sjell. Ndërsa një pjesë tjetër e shtrëngon çështjen duke e konsideruar që në origjinë dhe të pandryshueshme. Ky grup nuk i lejon mjetet e thirrjes veçse për ato që ka tekste fetare, ajet apo hadith. Që të dyja këto skaje duket qartë se e kanë gabim. Ata që lejojnë çdo gjë, bien edhe në ndalesat e Zotit, ndërsa ata që ndalojnë dhe shtrëngojnë, privojnë përfitimet e dobive që vijnë nga këto mjete dhe bëhen pengesë për ecurinë e thirrjes islame. Është e ditur se thirrja për tek Allahu xh.sh., nuk mund të bëhet me gjëra të ndaluara, ndryshe do të ishim makiavelistë dhe jo ndjekës të fesë së Zotit, ashtu siç edhe në fe nuk ka çdo gjë fikse, sidomos nga ato me të cilat i vihet në ndihmë diçkaje të ligjëruar nga feja. Ata që i ndalojnë, praktikisht janë nga të parët që praktikojnë të kundërtën e kësaj në aktivitetin e tyre thirrës. E mesmja e drejtë është se mjetet – të dyja llojet – në origjinë janë të lejuara, përveç atyre që ka argument se janë të ndaluara. Mjetet e thirrjes i përkasin fushës së opinionit dhe mendimit individual. Përdorimi i tyre u nënshtrohet rregullave të dëmeve dhe dobive. Xhamia mund të ndërtohet prej muri balte, guri, hekuri, betoni, si dhe t’i përshtatet kohës, vendit dhe njerëzve.(7)


_________________________________
1. Jani Thomai, Miço Samara, Pavli Haxhillazi, Hajri Shehu, Thanas Feka, Valter Memisha, Artan Goga, Fjalori i Gjuhës shqipe, Akademia e shkencave e Shqipërisë, Instituti i gjuhësisë dhe letërsisë, Tiranë 2006, f. 639.
2. Adnan al-Araur, Menhexhu eddaveti fi dav’til kitab ve essune, f.156.
3. Hisham Talib, Besëlidhja e thirrjes islame, Logos-A, Shkup, 2017, f. 32-33.
4. Gustave Le Bone, Psikologjia e popujve dhe e turmave, Fan Noli, Tiranë, pa vit botimi, f. 74.
5. Hayati Haydin, Metodat kuranore të bindjes psikologjike, Logos-A, Shkup, 2013, f. 48.
6. Ramazan Kayan, Thirrja islame akt profetik, Fleta, Prizren, 2017, f. 102.
7. Adnan al-Araur, Menhexhu eddaveti fi dav’til kitab ve essune, f. 232.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur me rastin e festës së Fitër Bajramit (video)