Meditimi - llojet dhe teknika

Njeriu mund të jetojë edhe pa ndonjë përsiatje serioze, meqenëse mbijetimi fizik as që imponon dhe as kërkon përsiatje, meditim serioz e të njëmendtë.
Zakonisht kjo mbijetesë kërkon nga njeriu të pajtohet me rrethin ku jeton, dhe të ecë rrugës së tyre, gjurmëve të tyre dhe zakonisht njeriu i tillë përfundon si humbës. Pikërisht sikurse njeriu që dëshiron të luajë futboll, por nuk është aftësuar për asnjë taktikë a kombinacion në lojën e futbollit.(1)
Mirëpo, ekzistojnë mundësi të mëdha mendore nën shkathtësinë e pakalueshme të të menduarit, të cilat ruhen e kultivohen me xhelozi në qarqe të caktuara dhe përcillen brez pas brezi, deri tek ata që e meritojnë. Është i kuptueshëm kujdesi dhe vetjakësia e transmetuesve, sikurse është i kuptueshëm kujdesi në shpërndarjen e trashëgimisë tek trashëgimtarët. Për dallim prej pasanikëve që bëhen të tillë vetëm e vetëm pse kanë pasuri, po kanë varfëri në mendje, njerëzit e urtë u instalojnë të tjerëve urtësinë, programet dhe sistemet, të cilat do t’i drejtojnë për shumë kohë e për shumë vende, pa frikë se do të lëkunden përballë furtunave, cunameve apo nxehtësive përcëlluese.

Meditimi eksperimental

“Kur ra nata, ai pa një yll dhe tha: “Ky është Zoti im!” Por, kur perëndoi ylli, ai tha: “Nuk i dua ata që perëndojnë”. Kur pa Hënën duke lindur, tha: “Ky është Zoti im!” Por, pasi ajo perëndoi, ai tha: “Nëse Zoti im nuk më udhëzon në rrugën e mbarë, me siguri do të bëhem njëri nga të humburit”. Kur vërejti Diellin duke lindur, ai thërriti: “Ky është Zoti im, ky është më i madhi!” Por, pasi dielli perëndoi, ai tha: “O populli im, unë jam larg nga idhujt që ju i shoqëroni Allahut në adhurim! Unë e kthej fytyrën time nga Ai që i ka krijuar qiejt dhe Tokën, duke qenë besimtar i vërtetë, dhe nuk jam nga idhujtarët”! (El-En’am, 76- 79).
Krijuesi na cek si shembull në Kuran njeriun, Ibrahimin a.s., i cili, duke jetuar brenda ambientit të adhuruesve të tru pave qiellorë dhe autoriteteve të tjera të rrejshme, kishte vendosur t’i detyronte të mendonin bashkëqytetarët e vet, dhe në këtë angazhim përdori një vister metodash interesante me të afërmit, kundrejt forcës, me ndërdijen e tyre etj.
Në citatin e sipërm, Ibrahimi a.s. mediton qartë, kundron me vëmendje qiejt dhe veçon trupa të caktuar, duke cekur se kanë vlerë relative, sepse ata shfaqen e zhduken. Pikërisht kjo e shtyri Ibrahimin a.s. të meditonte se këta trupa që shfaqen e zhduken, do të kenë një projektor që i drejton me përpikëri dhe me synim të caktuar. Gjatë meditimit të tij, Ibrahimi a.s. bëri disa aktivitete mendore:
- E përkufizoi problemin (politeizmin);
- I vëzhgoi aktivisht (trupat qiellorë);
- Bëri krahasimin (ndërmjet objekteve të adhurimit);
- Bëri monolog gjatë eksperimentimit (me trupat qiellorë);
- Nxori përfundime etj. etj..
Metoda e tij ishte e tërthortë por mbresëlënëse, joimponuese, logjike, edukuese, praktike dhe e aplikueshme në shumë raste.
Meditimi revolucionar “(Musai) tha: “O Zoti im, zgjeroma kraharorin tim, lehtësoma punën time, dhe zgjidhma nyjën e gjuhës sime“. (Ta Ha, 25-27).
Në Kuran kemi disa lloj lutjesh. Ato shprehin dëshirën e nevojën e individit dhe pasqyrojnë sistemin e meditimit të pranishëm nga këto figura. Në këtë rast kemi lutjen e Musait a.s., i cili kishte për detyrë t’i kundërvihej Faraonit, fuqisë dhe së keqes së madhe të asaj bote. Të shohim si veproi ai, si u përgatit ai për këtë detyrë?
Meditimi i tij ishte sistematik, i liruar nga interesi i ngushtë personal; ai kishte kuptuar prioritetin, kishte bërë punë sistematike me masën. Shembulli i tij shërben edhe për brezat e ardhshëm deri në Ditën e Fundit.

Meditimi analitik

“Dhe kështu, u nisën. Kur hipën në një anije, ai (Hidri) hapi një vrimë poshtë. ...”. (El-Kehf: 71).
Citati flet për dy bashkudhëtarë (të Musait a.s. dhe Hidrit) dhe perceptimet e tyre të disa ngjarjeve. Musai a.s. përfaqësonte të dërguarin e Zotit dhe njeriun normal, i cili dëshironte të mësonte nga tjetri(2), kurse Hidri njeriun e mirë dhe analitik, i cili nuk e mësonte Musain me sheriat, por me dije praktike, për t’ia hapur horizontet e vështrimit dhe të kundrimit.(3)
“Musai i tha atij: “A mund të të pasoj ty, që të më mësosh edhe mua diçka prej diturisë së drejtë që të është dhënë ty?” (El-Kehf: 66).
Pas analizave konstatojmë se Hidri, për dallim prej Musait a.s., njihte mirë sistemin ekonomiko-politik dhe rrethanat jo të mira politike për shtresën e varfër; njihte mirë ligjin e shtetit dhe vakuumet e tij për t’i mbrojtur të varfrit; Hidri njihte parimin e njohur të së drejtës, duke zgjedhur të keqen më të vogël kundrejt dëmit më të madh.(4)
Kjo komentohet kështu: Musai a.s., si shembull i një juristi mysliman, reagon me emocione kur nuk sheh përtej vrimës në barkë, dhe Hidri, i cili nuk nxiton, por analizon profilin politik të qeverisë dhe sunduesit(5) dhe i njohur me gjendjen e popullit, vrimën në barkë e sheh si “vrimë” shpëtuese për në një sistem të padrejtë ekonomiko-politik.(6)
Mësimet e Hidrit për Musain a.s. dhe për ne janë:
- Analizimi i ndodhive ekonomike-politike;
- Kundrimi i gjithanshëm i ngjarjeve lokale është i mundshëm vetëm në kuadër të ndodhive globale;
- Asgjë nuk mund të jetë ashtu si duket në shikim të parë;
- Nevoja e gjetjes së vrimave në sistemet juridike e politike për nevoja pozitive;
- Dallimi me kohë i dobive dhe shanseve;
- Gjakftohtësia në çdo gjendje dhe çdo kohë.(7)

Meditimi hipotetik

Shumë raste socio-psikologjike kanë ekuivalentin e tyre në Kuran:
“Dhe që të dy vazhduan të ecin, derisa takuan një djalosh, të cilin ai (Hidri) e vrau. ...”. (El-Kehf: 74).
Shohim se si Musai a.s., në mënyrë emotive dhe të gjallë, reagon duke vështruar tërë ngjarjen (Hidri në cilësinë e fëmijëvrasësve) jashtëzakonisht në mënyrë tragjike:
“Tha (Musai): “Përse vrave një njeri të pafajshëm, që nuk ka vrarë askënd?! Vërtet që ke bërë një punë të tmerrshme!” (El-Kehf, 74).
Musai a.s. sërish është tepër sipërfaqësor, dhe kjo për arsye se veten e kishte ndërlidhur si tepër me rastin, duke e shikuar rastin nga një distancë e shkurtër.(8)
Hidri, pas një kohe të caktuar – krejt i qetë - shpjegon ndodhinë duke thënë:
“Sa për djaloshin, prindërit e tij ishin besimtarë. Ne e dinim se (dashuria për të) do t’i çonte ata në të keqe dhe mohim, dhe dëshiruam që Zoti i tyre, në vend të atij t’u jepte një më të mirë, më të pastër dhe më të mëshirshëm.” (El- Kehf, 80 dhe 81).
Sërish e shohim Hidrin, sikurse edhe në rastin e barkës më herët, se si tërhiqet pas, e kundron gjendjen në tërësi.
Mësimet që mori Musai a.s., nëpërmjet Hidrit janë:
Të gjithë njerëzit, të mirë a të këqij, në një periudhë kanë qenë fëmijë;
- Fëmijët nuk i edukojmë vetëm ne, sado të mirë dhe të edukuar qofshim, por edhe mjedisi;
- Duke marrë parasysh se jetët tona tashmë kanë ndodhur në dijen e Krijuesit, Ai paraprakisht e di çfarë njeriu do të bëhet fëmija dhe çfarë impakti do të ketë veprimi i tij/saj në mjedis. Vdekja e hershme e fëmijës ndonjëherë do të jetë mëshirë për prindërit, mjedisin, po edhe për vetë fëmijët;
- Edhe pse fëmija është nga familja e mirë, atë mund ta bëjë të keq mjedisi, të cilin nuk kemi arritur ta ndryshojmë;
- Me mosreagimin tonë ndaj të këqijave rreth nesh dhe me qëndrimin tonë indiferent, me qëndrimin joreformist, ne shkaktojmë shfaqjen e veprimeve negative në mjedisin tonë, të cilat pastaj do t’i formësojnë qëndrimet dhe karakterin e brezave të ardhshëm;
- Çdo gjë që ndodh, e mirë a e keqe, është vepër e duarve tona ...

Meditimi afatgjatë

“... derisa arritën në një fshat dhe u kërkuan banorëve të tij, që t’u jepnin për të ngrënë, por ata nuk i pranuan mysafirë. Aty ndeshën një mur që ishte duke u rrëzuar dhe ai (Hidri) e drejtoi....”. (El-Kehf: 77)
Me këtë citat ne arrijmë deri te rasti i tretë, përfundimtar në këtë rrugëtim të shkëlqyeshëm, në të cilin kanë marrë pjesë Musai a.s. dhe Hidri. Me këtë rast, dy bashkudhëtarë vijnë, të lodhur e të uritur nga rruga e gjatë, në një fshat, ku kërkuan ushqim dhe pije. Por, atyre nuk iu bë mikpritje. Pavarësisht nga mikëpritja e keqe të vendësve, Hidri në fshatin e tyre gjeti një mur gati të rrënuar, të cilin me vetiniciativë e ndërtoi, duke mos shpresuar dhe as kërkuar kurrfarë përfitimi financiar. Musai, sërish i hutuar, me nxitim reagon:
“... (Musai) tha: “Sikur të kishe dashur ti, mund të kërkoje shpërblim për këtë.” (El-Kehf : 77) .
Musai a.s. u habit nga veprimi i Hidrit për dy arsye:
1) Hidri e riparoi rrënojën e fshatit për vendësit që u sollën mjaft keq me ta;
2) Hidri nuk kërkoi pagesë nga vendësit për veprën e tij.
Hidri në fund shpjegon gjërat nga perspektiva e tij:
“E, për sa i përket murit, ai u takonte dy djelmoshave jetimë në qytet dhe, nën të, gjendej një thesar i tyre. Babai i tyre kishte qenë njeri i mirë, prandaj Zoti yt dëshiroi që ata të arrinin moshën e pjekurisë e ta nxirrnin thesarin e tyre,...!” (El-Kehf: 82).
Hidri e theksoi rëndësinë e informatës në kohë adekuate, duke theksuar se është i njohur edhe me të mirën edhe me të keqen në atë fshat, dhe sjellja e keqe e disa njerëzve të fshatit nuk do ta pengo nte të bënte mirë. Ai sidomos ndihmon kategoritë e rrezikuara të shoqërisë dhe thekson kujdesin për dy jetimët dhe, me veprimin e vet, dëshiron t’i mbrojë dhe t’u sigurojë një të ardhme të mirë.
Allahu xh. sh., nëpërmjet Musait a.s. dhe Hidrit, dëshiron:
a) Të shmanget përgjithësimi, sepse ai është i dëmshëm;
b) Nevoja e hetimit të së mirës dhe pozitives në çdo gjë dhe kudo;
c) Domosdoshmëria e planifikimit afatgjatë;
ç) Sigurimi i ndihmave financiare për brezat në zhvillim;
d) Mbrojtja e interesit të të rinjve nëpërmjet veprimit mendjeprehtë; etj..
Mund të shtrojmë pyetjen - Pse Hidri gjatë gjithë kohës insistonte që Musai a.s. të mos e pyeste për vendimet e tij, edhe pse vendimet dhe veprimet e tij do të ishin shokante dhe pak të besueshme që të mos shtroheshin pyetje për to.
Ku qëndron poenta? Mbase poenta është në metodën edukative që nëpërmjet shokut, pasigurisë dhe misteriozitetit, ai aktivizon me sukses shqisat e maksimumin e angazhimit mendor të nxënësit, duke i lënë hapësirë që të përpiqet mëvetësisht t’i zgjidhë motivet e fshehta dhe rrethanat e gjera në jetën e përditshme.
Mbase duke mos ia rrëfyer që në fillim të gjitha hollësitë, ai kishte mbajtur përqendrimin e plotë të nxënësit të tij dhe kishte hetuar reaksionet e sinqerta të tij, duke i mundësuar që nxënësi të vlerësonte veten dhe perceptimin e tij.(9)

Meditimi oportunist

“Me të vërtetë, ata që shpifën, janë një skotë prej jush. Mos e quani atë si të keqe për ju. Përkundrazi, kjo është mirë për ju.....”. (En-Nur, 11).
Shkaku i shpalljes së ajetit të sipërm është shpifja ndaj Aishes r.anha, nga ana e një grupi munafikësh, të cilët filluan të përhapnin zëra të pamoralshëm kundër saj. Zërat u rritën saqë qe nevoja të intervenonte Allahu i Madhërishëm, për të provuar pafajësinë e saj. Patjetër, edhe ajo, edhe babai i saj, Ebu Bekri r.a., dhe e tërë familja ndiheshin të shqetësuar për këtë ofendim, ndienin dhembje emocionale dhe presion psikologjik. Por, Allahu i mësoi si të vepronin: “...Mos e quani atë si të keqe për ju. Përkundrazi, kjo është mirë për ju.....”.
Do ta kuptojmë dobinë e Aishes r.a. nga ky ajet, sepse pati respektin që Kurani t’ia provonte pafajësinë, por ku qëndron porosia për ne njerëzit e thjeshtë?
a) Shpifja dhe burimet e informacionit duhet të verifikohen në çdo periudhë kohore dhe në çdo vend.
b) Duke bërë shpifje, hipokritët dolën në sipërfaqe dhe u identifikuan si ngatërrestarë potencialë për të ardhmen e shoqërisë myslimane.
Shih edhe ajetet vijuese të Kuranit: “... Por mund të urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund të doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. ...”. (El-Bekare: 216);
ose
“...sepse është e mundur që juve të mos ju pëlqejë diçka, por që Allahu në atë do t’ju sjellë shumë të mira.”. (En- Nisa’: 19).
Është e qartë se nga ajo që na ndodh, asgjë nuk është e mirë apo e keqe vetvetiu. E mirë a e keqe, ajo bëhet me interpretimin tonë. Kështu ndodh edhe me të keqen, dhembjen dhe vuajtjen. Njerëzit më me dëshirë do të eliminonin të keqen dhe dhembjen për të gjitha kohët. Mirëpo, është fakt se edhe dhembja ka përparësitë e veta:
a) Gjatë gjendjes së dhembjes dhe vuajtjes, shqisat janë më aktive, më receptive dhe më lehtë vërejnë ndryshimet rreth vetes;
b) Me mendjemprehtësi dhe kthjelltësi më të madhe, njeriu është më i gatshëm të depërtojë në thelbin e vetë problemit dhe të sfidave që e presin;
c) Gjatë kohës së dhembjes, koha kalon më ngadalë krahasuar me periudhat e hareshme etj..

Nga ana tjetër, është thelbësore të dallohen iluzionet e shumicës së popullsisë dhe të kihet qëndrim më i ekuilibruar ndaj asaj që njerëzit e duan pafundësisht:
“... Por mund të urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju ...”. (El- Bekare, 216).
Njerëzit në vazhdimësi kërkojnë lumturinë, megjithëse edhe kjo gjendje ka dobësitë e veta:
a) Gjatë gjendjes së lumturisë, shqisat janë sipërfaqësore e të topitura dhe pjesëmarrja e njeriut është sipërfaqësore dhe jo e thelllë;
b) Gjatë kohës së lumturisë, koha kalon shumë shpejt;
c) Shqisat në funksion të dobësuar dhe mungesa e kohës, - janë dy gjërat më të dobëta që njeriu mund t’ia dëshirojë vetvetes ...
Duke marrë parasysh faktin se myslimanët anekënd planetit, sikurse Aisheja r.a., janë përballë shpifjeve të mëdha nga ana e disa qendrave botërore, ata këtë gjendje duhet ta marrin për të mirë e jo për të keqe.

Si?

Komploti i orientuar kundër grupit të caktuar rregullisht ka si rezultat:
a) Forcimin e vetëdijes kolektive tek grupi i caktuar;(10)
b) Pjekjen e shpejtuar nën ndikimin e presionit të mjedisit;
c) Shpërfilljen e konflikteve triviale në mesin e anëtarëve të tij;
ç) Fokusimin në prioritete;
d) Veprimin e organizuar ndaj synimeve të vendosura afatgjata.

Meditimi ambicioz

”(Jusufi) i tha: “Më cakto përgjegjës të depove të vendit, sepse unë jam ruajtës dhe njohës (i mirë i këtyre punëve)”. (Jusuf: 55).
Sentencën e lartë e theksoi i dashuri dhe pejgamberi i Allahut, Jusufi a.s., pasi doli nga burgu. Ajo pasqyron një mënyrë meditimi rreth vetes dhe rrethit ku jeton, dhe hedh poshtë shumë metoda edukuese të prindërve, se fëmija i tyre duhet të kënaqet me pak, koncept ky i mbrapshtë, i kamufluar me frymën e modestisë, mungesës së ambicies, madje edhe të devotshmërisë dhe të durimit.
Jusufi a.s. na mëson ndryshe, pikërisht në frymën kuranore. Duke shfrytëzuar aftësitë e tij të komentimit të ëndrrave që nga rinia, ai del nga burgu dhe shfaq personalitetin e tij me kërkesën hiç më të vogël se për ministër shteti.
Porositë që mund të rezultojnë nga rrëfimi i sipërm, mund të jenë:
a) Të zhvillohen aktivisht shkathtësitë dhe aftësitë që janë të nevojshme për shoqërinë;
b) Të njihet vetvetja dhe afinitetet e vetes;
c) Synimi drejt pozitave të larta me qëllim të ndikimit më të madh;
ç) Të krijohen gjasat në vend që të pritet, sepse pritja është luks i patolerueshëm në kohën e dinamikës së veprimeve.

Meditimi ofensiv

“Nëse ata thonë: “Ai e ka trilluar atë!” Thuaju (o Muhamed!): “Sillni dhjetë sure të ngjashme (për nga bukuria dhe elokuenca) të trilluara dhe thirrni në ndihmë kë të mundni, përveç Allahut, nëse thoni të vërtetën!” (Hud, 13).
Në ajetin e sipërm kemi polemikën e rreptë ndërmjet Muhammedit a.s. dhe kundërshtarëve të tij, të cilët nuk pranonin hyjninë e fjalëve të Kuranit, që i shpalleshin Muhammedit a.s.. Mirëpo, Allahu e mësoi Muhammedin a.s. si ta zhvillonte polemikën:
“Thuaju (o Muhamed!): “Sillni dhjetë sure të ngjashme…”
Me këtë përgjigje, Muhammedi a.s., (kjo vlen edhe për ne pasardhësit e fesë islame), tregoi se duhet pasur qëndrim ofensiv në prezantimin e fesë e jo defensiv dhe inferior, i cili është shumë sigurt, do të na shpjerë në humbje. Përdorimi i vetëmohimit dhe metodës ofensive, sulmuesin e shpie në pozitë mbrojtëse dhe të pashpresë.
Nëse ata vazhdojnë të sulmojnë, edhe pse pa argumente, atëherë shtroni para tyre kërkesën vijuese, më përçmuese për ta, që të sjellin qoftë një sure:
“Nëse ju dyshoni në atë që ia kemi zbritur robit Tonë, atëherë hartoni një sure të ngjashme me atë që ia kemi shpallutr atij. Thirrni në ndihmë edhe dëshmitarët tuaj në vend të Allahut, nëse jeni të sinqertë.”(El-Bekare: 23).
Mësimet nga kjo metodë janë të shumta:
a) Të mos i lejojmë askujt të na ulë në bankën e të akuzuarve, sepse retorika defensive është karakteristikë e humbësit;
b) Të kultivohet fryma e gatshme për sfida dhe ecje përpara - pa marrë parasysh profesionin - sepse sfidimi nxit për përgatitje dhe përsosje të vazhdueshme;
c) Vetëdija për forcën vetjake lind vetërespektin dhe vetëmohimin....


Përmbyllja

Gjëja më e mirë që prindrit mund t’i lënë trashëgim fëmijës së tij, është edukata. Me edukatë nuk kuptojmë vetëm mirësjelljen e fëmijës në një tubim të njerëzve, respektimin e më të vjetërve apo ecjen pedante të fëmijës. Me edukatë të mirë kuptojmë aftësimin e fëmijës që të sillet mirë me vetveten, me familjen, me më të moshuar, me mësuesit, me të rinjtë, me injorantët, me miqtë e armiqtë, të sillet drejtë edhe kur është fjala për të, po edhe për tjetrin. Edukimi i drejtë është aftësimi i fëmijës për të kuptuar rrethanat ekonomiko-politike, socialkul-turore të kohës dhe të bëhet pjesëmarrës në hartimin e politikës frytdhënëse e pozitive në botë. Përkthyer me një gjuhë më të kuptueshme, edukimi i drejtë është aftësimi i fëmijës me sistemet e drejta të meditimit. Në të kundërtën, prindi do të jetë përgjegjës për rritjen e varfërisë mendore dhe materiale, për rritjen e paaftësisë dhe të të gjymtëve; për dominimin e despotëve dhe kriminelëve.


__________________

Fusnotat:

1. Ky shkrim është interpolim i shkrimit: E.&A.Tule, sipas: http://www.abg. ba/html/tekstovi/nauka/tehnika_razmisljanja.html.
2. Shembulli kuranor na mëson se, pa marrë parasysh pozitën shoqërore, dijen personale, moshën etj., nuk duhen shpërfillur burimet alternative të dijes. Kjo është rruga e përsosjes së vazhdueshme.
3. Duhet theksuar se dija sheriatike pa dijen praktike, është e mangët. Gabojnë ata që mendojnë se mosnjohja e rrethanave ekonomiko-politike të një vendi nuk përbën faktor për suksesin e një norme sheriatike.
4. Parimin e dëmit të vogël ndaj vetes kundrejt përfitimit më të madh, e njeh edhe e drejta moderne. Rasti i Serbisë, duke inskenuar vrasje e dëme të tjera për të përfituar dobi më të mëdha: politike, ekonomike, ushtarake etj.; Rasti i Afganistanit, Irakut etj. janë gjithashtu aktuale dhe mjaft simptomatike.
5. Qeveri apo qeveritarë të caktuar planifikojnë eksploatimin e popullit në mënyra të ndryshme, me tatime të rënda, konfiskim të pasurisë etj..
6. Është interesante të theksohet se, pavarësisht nga theksimet kuranore, pavarësisht nga nevojat gjithnjë aktuale, as Bashkësia Islame apo asociacionet alternative islame në viset shqiptare e në rajon, nuk kanë prodhuar ekspertë elitarë ekonomiko-politikë. Ky është një nga shkaqet kryesore të gjenocidit të vazhdueshëm ndaj popujve myslimanë në Ballkan e më gjerë.
7. Hafiz Ibn Kesir, Price iz Kur’ana, Buzim, 2007, fq. 45 e tutje.
8. Personat që gjërat i shohin nga distanca e shkurtër dhe i shoqorëjnë me shumë emocion, do ta kenë jetën shumë më të vështirë sesa ata që jetën dhe problemet i shohin nga distanca dhe logjika më e madhe.
9. Hidri është personalitet interesant dhe me aftësi të jashtëzakonshme të vrojtimit dhe të tërheqjes.
10. Japonia dhe Gjermania gjatë Luftës së Dytë Botërore janë gjykuar dhe etiketuar si shtete fashiste, dhe ky presion psikologjik e politik ndikoi në mënyrë të efektshme në nevojën e dëshmimit të vashdueshëm të tyre dhe të ngritjes së ndërgjegjes kolektive. Kështu nuk ndodhi me Serbinë. Ndonëse shtet agresor ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve, Serbia nuk mori ndëshkimin e merituar nga faktori ndërkombëtar, madje ajo gëzon privilegje.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme