Sadakatul fitri është një obligim fetar vjetor, një ibadet-adhurim material, i cili praktikohet vetëm në muajin Ramazan dhe është i lidhur ekskluzivisht me të. Atë, sipas shumicës së dijetarëve islamë, e kanë detyrim-vaxhib ta zbatojnë myslimanët që posedojnë pasuri përtej nevojave ditore familjare. 


NORMA-DISPOZITA E SADAKATUL FITRIT 


Sipas së drejtës së sheriatit, sadakatul fitri bën pjesë apo hynë në kategorinë e atyre normave dhe dispozitave të cilat llogariten vaxhib-obligative për t'u zbatuar. Sadakatul fitri si i tillë është bërë obligim në vitin e dytë të hixhretit, në të njëjtën kohë kur është bërë obligim edhe agjërimi i muajit Ramazan.(1)
Abdullah ibën Umeri transmeton dhe thotë se: "Pejgamberi a.s. e ka caktuar detyrë obliguese sadakatulfitrin për Ramazan një sa'a hurma ose një sa'a elb për çdo person të lirë ose skllav, mashkull ose femër nga myslimanët.”(2)
Po ashtu, Ibën Abasi transmeton dhe thotë: "Pejgamberi a.s. e ka bërë obligim zekatul fitrin (sadakatulfitrin) pastrim për agjëruesin për fjalët e kota e të ndyta, dhe ushqim për të varfrit, andaj kush e jep atë para namazit të Bajramit, ajo është sadaka e pranuar, e kush e jep pas namazit të Bajramit, konsiderohet vetëm një sadaka e rëndomtë."(3) 
Mbi bazën e këtyre haditheve kuptohet qartazi se ligjësimi i sadakatul fitrit është bërë për ta pastruar agjëruesin nga ajo që mund të ketë bërë nga mëkatet gjatë agjërimit të tij, qoftë me fjalë apo me vepra, e po ashtu edhe ushqim dhe ndihmë për të varfrit dhe nevojtarët në mënyrë që të mos kenë nevojë për shtrirjen e dorës në ditën e Bajramit. 
Kur e shikojmë urtësinë e synuar prej ligjësimit të sadakatul fitrit, vërejmë se ajo përmban dy gjëra të rëndësishme: njëra ndërlidhet me individin e tjetra me shoqërinë. E para ka të bëjë me individin që agjëron muajin Ramazanit, prandaj ky agjërues duhet ta bëj agjërimin e tij të plotë dhe kjo arrihet duke e ruajtur gjuhën dhe gjymtyrët e tij nga ajo që Allahu dhe i Dërguari i Tij e ndaluan të thotë apo të veprojë. Ai nuk duhet të flas në mënyrë të turpshme ose të kotë, por duhet të thotë dhe të flas vetëm atë që është e mirë dhe e dobishme, ashtu siç ka ardhur në hadith: "... le të flas mirë ose le të heshtë"(4), sepse agjërimi nuk nënkupton vetëm abstenim nga dëshirat e stomakut dhe të epshit, përkundrazi ai duhet të bëhet i plotë me të gjitha gjymtyrët në mënyrë që të arrihen synimet e tij dhe agjëruesi të jetë fitimtar në këtë botë dhe në botën tjetër. Mirëpo, meqenëse mundësia për lëshime është gjithherë evidente, plotësimin dhe pastrimin e agjërimit dhe të agjëruesit më së miri e bën dhënia e sadakatul fitrit. 
Gjithashtu synimet e sadakatul fitrit shtrihen përtej rrafshit individual, ato nuk mbesin vetëm në këtë dimension, por kanë një rëndësi të madhe dhe luajnë një rol të rëndësishëm edhe në aspektin shoqëror. Përmes sadakatul fitrit krijohet afërsi ndërmjet njerëzve, forcohen lidhjet shoqërore e po ashtu është një lloj solidariteti social, i cili manifestohet në festa të veçanta. 


SASIA E SADAKATUL FITRIT 


Sasinë e sadakatul fitrit, sikurse e përmendëm, e caktoi vetë Pejgamberi a.s. kur e obligoi atë, një sa’a ushqim nga hurmat, rrushi i thatë, gruri apo elbi. Një sa'a është e barabartë përafërsisht me 3.800 gr.(5) Nga llojet e përmendura të ushqimeve, sasia e sadakatul-itrit është përafërsisht sa ushqimi njëditor i një të varfëri, prandaj me sadakatul fitr është synuar të plotësohet ushqimi njëditor i një të varfri, sipas rrethanave dhe standardeve të shoqërisë ku ai ka jetuar. 


DHËNIA E SADAKATUL FITRIT ME VLERËN E TË HOLLAVE 


Dhënia e sadakatul fitrit me artikujt e lartpërmendur, në ditët dhe rrethanat tona pothuajse është e pa aplikuar dhe jo shumë efektive, prandaj ajo lejohet dhe mund të jepet edhe me kundërvlerën e tyre. Madje, disa dijetarë bashkëkohorë, dhënien e kundërvlerës së tyre në të holla, në kohën dhe rrethanat e sotme, e konsiderojnë më të dobishme dhe shumë më efektive. Imami Ebu Hanife (Allahu e mëshiroftë!), ka lejuar që myslimani ta japë sadakatul fitrin e sasisë së vlerës së ushqimit me vlerën e të hollave.(6)
Transmetohet se Omer ibën Abdulazizi, kalifi i drejtë, (Allahu e mëshiroftë!) i shkroi guvernatorit të tij në Basra, Adijj ibën Urtah, të cilin e urdhëronte për ta marrë sadakatul fitrin nga banorët, për çdonjërin nga gjysmë dërhemi. Në atë kohë, gjysmë dërhemi kishte vlerën e një sa'i të ushqimit. Të këtij mendimi janë edhe Thevriu, Hasan el Basriu e të tjerë. Sigurisht se kjo mund të jetë më e dobishme, dhe sidomos kur i varfëri ka nevojë për të. Sepse, nëse të varfrit i grumbullohen ushqimet, ai nuk do të ketë shumë dobi prej tyre, dhe ndoshta do të detyrohet edhe t’i shesë me çmim më të ulët. Ndërkaq, prej të hollave mund të ketë dobi, sepse me to mund të blejë atë për të cilën ka nevojë si, rroba, ushqim, ëmbëlsira për fëmijët e vet, ose edhe diçka tjetër të dobishme për familjen e tij. Caktimin e vlerës se sadakatul fitrit e bëjnë institucionet kompetente, të cilat sipas standardit jetësor në vendet ku jetojnë e përcaktojnë vlerën e sasisë. Në rastin tonë është Bashkësia Islame i vetmi institucion kompetent për të caktuar vlerën e sadakatul fitrit, gjë të cilën e bënë me autoritet dhe në kohë të duhur. 


KUSH OBLIGOHET TA JAPË SADAKATUL FITRIN? 


Sadakatul fitrin, sipas shumicës së dijetarëve islamë, është i obliguar ta japë secili person që posedon vlerën e tij, që i mbetet tepricë nga nevojat familjare të tij. Ai e ka obligim për vete dhe për ata që janë të varur dhe janë nën kujdestarinë e tij, pavarësisht nëse janë të rritur ose të vegjël, meshkuj ose femra, të shëndoshë ose jo. 


KOHA E DHËNIES SË SADAKATUL FITRIT 


Në kuptimin e lejueshmërisë, sadakatul fitri mund të jepet në secilën kohë gjatë muajit Ramazanit, edhe po të nxirrej në fillim në ditën e parë apo të mesit të Ramazanit është i ligjshëm dhe është krejtësisht në rregull, mirëpo preferenca e dhënies së tij ndërlidhet me pjesën e fundit të Ramazanit, gjegjësisht prej natës së Kadrit deri në natën e Bajramit. Koha e fundit për ta dhënë sadakatul fitrin është para faljes së namazit të Bajramit, e nëse vonohet pas kësaj kohe, obligimi nuk bie, mirëpo vlera e tij mbetet e një sadakaje të rëndomtë.(7) 
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ai që e jep sadakatul fitrin para namazit (të Bajramit), i konsiderohet sadaka e pranuar, kurse ai që e jep pas namazit (të Bajramit), i konsiderohet sadaka (lëmoshë) e rëndomtë."(8)
 
KUJT I TAKON SADAKATUL FITRI 


Personave ose institucioneve që u takon dhe kanë të drejtë ta pranojnë zekatin, mund ta marrin edhe sadakatul fitrin. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu e caktoi obligim, që lëmosha (zekati etj.) t'ju takojë vetëm të varfërve (nevojtarëve), të ngratëve (që s'kanë fare), punonjësve (që e tubojnë), atyre që duhet përfituar zemrat (të dobëtve në besim), e duhet dhënë edhe për lirimin nga robëria, të mbyturve në borxhe, (luftëtarëve) në rrugën e Allahut dhe atij që ka mbetur në rrugë..." (Et Tevbeh, 60). Në këtë ajet kuranor flitet për tetë kategori të cilat sigurisht se nuk janë të gjitha përherë aktuale. Ndonjëherë është aktuale njëra e ndonjëherë një tjetër kategori, e gjithherë i jepet përparësi asaj që është më e rëndësishmja. Kështu veproi Muhamedi a.s. në kohën e tij. Ai përcaktonte përparësitë në varësi nga nevojat dhe rrethanat që ishin prezentë. Kjo praktikë është ndjekur edhe nga pasardhësit e tij, kalifët dhe dijetarët myslimanë deri në ditët e sotme. Hanefitë, e po ashtu edhe shumë dijetarë të kohës sonë, kategorisë "fi sebililah” të angazhuarit në rrugën të Allahut, i kanë dhënë një kuptim të gjerë duke i përfshirë: kërkuesit e diturisë, shkollimin dhe aftësimin e brezave që ta kuptojnë dhe ta shpjegojnë islamin, rrugët e mirësisë apo nevojat e përgjithshme. Andaj, pa dyshim, institucioni më i denjë në vendosjen e prioriteteve se kush është më primar në pranimin e sadakatul fitrit është institucioni fetar i vendit.
Në vendin tonë, në përputhje me fetvanë e nxjerrë nga njerëzit kompetent për çështje të fikhut, por edhe në vendet përreth, organizimin e tubimit dhe shpërndarjes së sadakatul fitrit e bëjnë institucionet e Bashkësisë Islame. 
Mjetet e tubuara nga sadakatul fitri, zekati dhe ndihmat e tjera, kryesisht janë të destinuara për mirëmbajtjen e institucioneve fetaro-arsimore, siç janë medresetë dhe Fakulteti i Studimeve Islame me qëllim të nxjerrjes së kuadrove fetarë, të cilët do të shërbejnë dhe punojnë në ngritjen e vlerave edukativo-arsimore, por edhe për qëllime humanitare, nëpërmes organeve e institucioneve të veta nëpër terren.
Andaj, shpresojmë se besimtarët tanë në Kosovë, por edhe ata në diasporë, traditën e tubimit të sadakatul fitrit, sipas kësaj fetvaje, do ta vazhdojnë ta bëjnë në fondet e Bashkësisë Islame. Duke kryer këto detyrime fetare në këtë mënyrë, kontribuojmë në ruajtjen e Islamit në vendin tonë.
E lusim Allahun e Madhërishëm që sadakatul fitrin, zekatin dhe të gjitha ndihmat e tjera të na i pranojë dhe të na shpërblejë me mirësitë e Tij!


 


____________________
1. Prof. dr. Vehbet ez Zuhejli, "El Fikh el-Islami ve ediletuhu", (Damask, Darul Fikr, 2002), fq. 2035-2037.
2. Buhariu, 1504; Muslimi, 984.
3. Ebu Davudi, 1609; Ibën Maxheh, 1827.
4. Buhariu, 6138; Muslimi 47.
5. Prof. dr. Vehbet ez Zuhejli, "El Fikh el Islami ve ediletuhu", fq. 2035.
6. Shih Abdurrahman bin Muhamed el Xheziri, "Kitabul Fikh alel' medhahib el-erbeatu", Bejrut, Dar ibën Hazem, bot 1, 2001, fq. 353, dhe prof. dr. Vehbet ez Zuhejli, "El Fikh el Islami ve ediletuhu", fq. 2044.
7. Shih prof. dr. Vehbet ez Zuhejli, "El Fikh el Islami ve ediletuhu", fq. 2041-2043.
8. Hadithi është shënuar më herët.


Artikulli i kaluar
Fidja e Ramazanit 

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi