Përvetësimi i virtyteve të moralit

 


Çështje e përvetësimit të tipareve dhe virtyteve nuk debatohet vetëm në rrethe e ambiente filozofike por edhe në ato fetare. Shkollarët myslimanë, duke iu referuar teksteve të ndryshme fetare, nga Kurani dhe Suneti, kanë ardhur në përfundim se nga tiparet dhe virtytet, ka të atilla me të cilat lind njeriu, por edhe të tjera, që përfitohen e përvetësohen. Pejgamberi a.s., i kishte thënë Eshexh Abdul Kajsit: “Vërtet, ti dallohesh për dy tipare të cilat i do Allahu: vetëpërmbajtjen (gjatë hidhërimit) dhe maturinë.” “A i kam tipare të përvetësuar apo Allahu më ka krijuar me to?” – e pyeti Eshexhi. “Jo, Allahu të ka formësuar (krijuar) me ato....” – iu përgjigj Pejgamberi a.s..(1) 
Siç mund të vërehet në këtë hadith, njeriu lind edhe me tipare e virtyte.(2) Por kjo nuk nënkupton pamundësinë e përvetësimit të tyre, veçmas nëse merret parasysh roli dhe misioni fetar në formësimin e tipareve dhe gdhendjen e tyre. Kjo ka shtyrë Imam Gazaliun që të konstatojë se “sikur të mos parashihej ndryshimi i moralit, këshillat, porositë dhe disiplinimi do të ishin pa ndonjë efekt...”(3) Pra, thirrjet fetare për edukim dhe masat e ndërmarra disiplinore, në rast se morali nuk do të ndryshohej, nuk do të kishin pasur asnjë kuptim. Tutje, shton Imam Gazaliu, “si mund të mohohet kjo në raport me njeriun kur është dëshmuar në raport me kafshët...”(4), pra, si nuk mund të ndryshojë sjellje njeriu, kjo qenie e dalluar për intelekt e arsye, ndërsa te krijesat e tjera, kafshët, që nuk janë në nivelin e njeriut, është dëshmuar ndryshimi i sjelljeve?! Në fakt, edhe tekstualisht, është konfirmuar mundësia e përvetësimit. Pejgamberi a.s., ka thënë: “Dituria është me të mësuar, mençuria (në reagime ndaj provokimeve)(5) me vetëpërmbajtje...”(6) , pra nëse mëson e përvetëson diturinë, nëse vetëpërmbahesh gjatë hidhërimit, e fiton butësinë. 
Në vazhdim do të përmendim disa rrugë dhe mënyra(7) që dijetarë e shkollarë myslimanë i kanë përmendur si të suksesshme në ndryshimin pozitiv të moralit dhe sjelljeve.


Korrigjimi i konceptit për besimin 


Bindjet dhe besimi kanë ndikim të pakrahasueshëm në sjelljet dhe veprimet e njeriut. Në fakt, sjellja, është komplet produkt i bindjeve të njeriut. Nëse një besimtar ndreq konceptin e besimit, respektivisht thellohet në besimin në Zotin, në besimin në engjëjt, në ditën e fundit, në llogarinë, në Xhenet e Xhehenem, ai duhet të ketë moral të mirë. Këtu mbase qëndron arsyeja se pse Pejgamberi a.s., moralin e shihte si tregues të besimit kur thoshte: “Besimtari me imanin më të kompletuar është ai me moralin më të mirë.”(8) 


Funksionalizimi i rolit të adhurimeve 


Adhurimet në Islam nuk janë rituale enigmatike të cilat njeriu nuk mund t’i deshifrojë. Adhurimet kanë synime e objektiva edukative. P.sh., namazi të cilin e falim pesë herë në ditë ka mision të përsosjes morale. Kështu e përshkuan Allahu në Kuran: “...Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar...” (El Ankebut, 45). Kështu, namazi i vërtetë reflekton në sjelljet dhe veprimet e besimtarit duke e bërë të largohet nga çdo gjë e shëmtuar. Kështu qëndron puna edhe për zekatin, qëllim i të cilit, sipas Kuranit, është dëlirësia shpirtërore.(9) Me këtë efekt edukativ janë përshkruar edhe agjërimi(10) dhe haxhillëku.(11) 


Lidhja serioze me Kuranin 


Kurani është libri të cilin Allahu i Madhëruar ia shpalli njerëzimit që të jetë libër udhëzues e orientues. Nga kjo perspektivë, ai paraqet udhëzimin më të mirë të mundshëm, atë që vetëm dituria e paskajshme e Zotit mund ta përshkruajë. Allahu i Madhëruar, duke na folur për këtë thotë: “Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh.”(El Isra, 9). Po kështu ka thënë: “...Ne ta zbritëm ty Librin, si shpjegim për çdo çështje, si udhërrëfyes, si mëshirë dhe si lajm të mirë për myslimanët.”(En Nahl, 89); “O njerëz, ju ka ardhur këshillë (Kurani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.” (Junus, 57). Ibën Kethiri vetinë këshilluese të Kuranit e shpjegon si frenuese dhe zmbrapse nga të këqijat.(12) 


Angazhimi dhe ushtrimi praktik për vlera dhe virtyte 


Përvetësimi i moralit të mirë ndodhë edhe nëpërmjet angazhimit konkret. Që ta fitosh një tipar të çmuar duhet një lloj përpjekje dhe angazhimi. Këtë mësim e nxjerrim edhe nga hadithi i Pejgamberit a.s., në të cilin qëndron: “...kush tregohet i virtytshëm, Allahu do ta bëjë të virtytshëm; kush nuk ua shtron dorën njerëzve, Allahu do ta pasurojë; kush mbahet për durimtar, Allahu do t’i jep durim...”(13) 


Meditimi rreth mirësive të moralit të mirë dhe pasojave të moralit të keq 


Një nga mënyrat se si një besimtar mund të përvetësojë virtytet është edhe duke medituar rreth mirësive të tyre dhe shpërblimit të paraparë për to. Po përmendim sa për ilustrim dy hadithe të Pejgamberit a.s.: “Gjëja që peshon më së rëndi në peshore (në Ditën e Llogarisë) është morali i mirë.”(14); “Besimtari me imanin më të kompletuar është ai me moralin më të mirë. Vërtet, morali i mirë do të arrijë gradat e agjërimit dhe namazit (vullnetar).”(15)
Nëse meditimi rreth mirësive të virtyteve na nxit që të fisnikërohemi me to, atëherë efekt të ngjashëm ka edhe meditimi rreth pasojave të moralit të keq. Pejgamberi a.s., për gruan që falej, agjëronte e jepte lëmoshë por që kishte fjalor të pahijshëm e që bartte fjalë tha se do të përfundojë në zjarrin e xhehenemit.(16) 


Durimi dhe përpjekja 


Përvetësimi i virtyteve kërkon angazhim dhe durim të madh. Ibën Kajimi, konsideronte se nuk mund të paramendohet godina e moralit të mirë vetëm se e mbështetur në katër shtylla: durim, ndershmëri, guxim dhe drejtësi.(17) Maverdi po kështu konsideronte se durimi i paktë privon njeriun nga ndreqja dhe përmirësimi i vetvetes.(18) Për këtë shkak, Allahu i Madhëruar, ka premtuar shpërblim të madh për ata që durojnë në rrugën e Tij: “...Vërtet, Ne do t’i shpërblejmë ata që kanë duruar sipas veprave më të mira që kanë bërë.” (En Nahl, 96). 


Shoqërimi me njerëz të mirë dhe qëndrimi në ambiente të mira 


Njeriu ka fenë dhe moralin e atij që e shoqëron.(19) Kështu na ka mësuar Pejgamberi a.s.. Kjo nënkupton se morali bartet nga njëri në tjetrin, prandaj, nëse shokët janë të mirë, morali gdhendet e ndreqet, nëse shokët janë të këqij, morali prishet. Sa bukur e ka përshkruar Pejgamberi a.s., në mënyrë figurative këtë ndikim, ka thënë se shembulli i shokut të mirë është sikur i shitësit të parfumeve që, edhe po nuk bleve, fiton aromë të mirë, ndërsa ai i shokut të keq si shembulli i farkëtarit që, nëse nuk të djeg rrobat, të paktën erë të keq të jep.(20) 
Këtu qëndron arsyeja pse Allahu i Madhëruar na urdhëron të përzgjedhim shokë të mirë: “O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe në vepra)!” (Et Teube, 119). 


Shëmbëlltyra e mirë dhe përfitimi nga modeli më i përsosur i njerëzimit 


Mënyrë tjetër e suksesshme se si përvetësohen vlerat është dhe duke marrë për model ndonjë personalitet të caktuar. E kë mund ta kemi ne myslimanët model më të mirë se Pejgamberin Muhamed, të cilin Allahu i Madhëruar e cilësoi të këtillë, shembull të përkryer: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” (El Ahzab, 21). Sa bukur ka folur Ibën Hazmi kur atij që kërkon të mirën e ahiretit dhe urtësinë e dynjasë; që kërkon biografi të pastër e të drejtë, vlera e virtytet të rralla, ia propozoi ndjekjen e shembullit dhe modelit të Pejgamberit Muhamed a.s..(21) Njohja me tiparet e tij, besimtarit ia ndihmon të përvetësojë virtytet, e nxit dhe stimulon për to.
Lexues të nderuar! Siç mund të shohim, virtytet janë të arritshme. Ky fakt sa është motivues, është edhe kundër argumentues. Pra, askush nga ne nuk do të mund të justifikohemi para Allahut për pamundësi të përvetësimit të virtyteve. Të nxitojmë e të stolisemi me moral të mirë që të shpëtojmë në këtë dhe botën tjetër! 


 


_________________________ 
1. Sunen Ebi Davudi, nr. 5225. Shuajb Arnauti në “Tahrixhu Rijadi es salihine”, 1/217, konsiderojnë se hadithi ka varg të saktë transmetuesish. Version të shkurtuar të hadithit ka sjellë edhe Imam Muslimi në Sahihun e tij, nr. 18. 
2. Këtë hadith e ka marrë si argument për ndarjen e moralit në të natyrshëm dhe të përvetësuar edhe autori i enciklopedisë së moralit, Halid Harrazi. Shih: Halid bin Xhumuah bin Uthman Harraz, “Meusuatu el ahlak”, (Kuvajt: Mektebetu Ehli el ether li en neshri ve et teuzië, 2009), f. 47-48. 
3. Imam Gazaliu, “Ihjau ulumi ed din”, (Bejrut: Dar el ma’rifeh), 3/55-56. 
4. Po aty. 
5. Në hadith është përdorur shprehja hilm, e cila, siç kanë shpjeguar dijetarët ka kuptimin e mençurisë dhe moskthimin e një të keqeje me të keqe, ose faljen e të keqes. Shih: Munavi, “Fejdu el Kadir sherhu Xhami es sagir”, (Egjipt: El mektebetu et tixharijetu el kubra, 1356 h.), 2/473. 
6. Hadith hasen. Shih: “Sahih el Xhami”, nr. 2328. 
7. Për mënyrat dhe metodat e përvetësimit të tipareve të çmuara të moralit jemi mbështetur në: Halid Harrazi. Shih: Halid bin Xhumuah bin Uthman Harraz, “Meusuatu el ahlak”, vep. cit., f. 58- 91 & versioni elektronik i Enciklopedisë së moralit https://dorar. net/alakhlaq/23/. 
8. Suneni i Ebu Davudit, nr. 4682; Suneni i Tirmidhiut, nr. 1162; Musnedi i Ahmedit, nr. 7402, etj. Hadithi është i saktë. Shih: Sahihu Suneni Ebi Davud, nr. 4682 & Sahih el Xhami, nr. 1230. 
9. Teube, 103. 
10. Bekare, 183. 
11. Haxh, 197. 
12. Shih: Ibën Kethiri, “Tefsiru el Kur’ani el adhim”, (Rijad: Dar Tajjibe li en neshr, ed. 2, 1999), 4/247. 
13. Sahihu i Buhariut, nr. 1427; Sahihu i Muslimit, nr. 1053. 
14. Hadith i saktë. Shih: Sahihu Suneni Ebi Davud, nr. 4799. 
15. Hadith i saktë. Shih: Sahihu Suneni et Tirmidhij, nr. 2003. 
16. Hadith i saktë. Shih: Sahihu et Tergib, nr. 2560. 
17. Shih: “Medarixh es salikine”, 2/294. 
18. Shih: Edebu ed dunja ve eddin, f. 454. 
19. Hadith hasen. Shih: Sahihu Suneni Ebi Davud, nr. 4833. 
20. Shih: Sahihu i Buhariut, nr. 2101. 
21. Shih: Ibën Hazmi, “El ahlak ve essijer”, f. 91.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme