Ndarja e objektivave të Legjislacionit Islam

 


Objektivat e sheriatit dijetarët i ndajnë në disa lloje. Këto lloje i vërejmë se dallojnë te disa dijetarë, kjo për shkak të qasjes dhe këndvështrimit të tyre në këta objektiva. Pra ndarja e tyre është bërë duke u bazuar në aspekte të ndryshme, të cilat do t’i përmendim.


Nëse shikohen objektivat në aspektin esencial-thelbësor atëherë ndahen në:
- Objektiva Bazikë dhe ata Ndihmës 
Nëse shikohen në aspektin përfshirës, ata ndahen në: 
- Objektiva të përgjithshëm dhe të pjesshëm 
Nëse shikohen në aspektin e qëllimit të tyre, ata ndahen në: 
- Objektiva qëllimi dhe objektiva mekanizmi 
Nëse shikohen në aspektin kohor, ata ndahen në: 
- Objektiva të përhershëm dhe të përkohshëm ose të menjëhershëm dhe të mëvonshëm. 
Nëse shikohen në aspektin e vërtetësisë, ata ndahen në: 
- Objektiva të vërtetuar qartë e në formë të prerë dhe objektiva të supozuar
Nëse shikohen në aspektin e kushtëzimit dhe renditjes së dobive, ata ndahen në: 
- Objektiva të domosdoshëm, objektiva të nevojshëm dhe objektiva përmirësues (1)


Objektivat bazikë dhe ata ndihmës 


Objektivat Bazikë(2): - Janë ata objektiva parësorë - bazikë të sheriatit qofshin në aspektin e përgjithshëm apo të pjesërishëm (3). 
Këta objektiva kanë të bëjnë me interesat e përgjithshme të njerëzve e që nuk veçohen vetëm për një kohë apo për një gjendje, ata përfaqësojnë qëllimin e parë dhe madhor të dispozitave ligjore. Këta objektiva janë të domosdoshëm në çdo shoqëri dhe ndahen në objektiva të obliguar individualë dhe të obliguar kolektivë. Sa i përket asaj personale çdo njeri është i obliguar dhe i thirrur për ta mbrojtur fenë e tij me përkushtim të plotë dhe praktikim të saj, të kujdeset për jetën e tij, ta ruajë mendjen e tij, ta ruajë nderin etj... obligime këto të kërkuara nga Allahu i Lartësuar. 
Ndërsa sa i përket asaj kolektivës, ajo është plotësim i asaj personales dhe ka të bëjë me ruajtjen e interesave të përgjithshme të njerëzve(4).


 
Objektivat Ndihmës: - Janë ata objektiva të cilët u shërbejnë objektivave bazikë(5). 
Këta objektiva kanë të bëjnë me nevojat e menjëhershme të njerëzve. Allahu xh.sh. ka bërë që ruajtja e jetës së njerëzve bëhet nëse u plotësohen nevojat për jetesë, për atë ka krijuar nevojën e ushqimit dhe pijes që ai të veprojë dhe të punojë deri në arritjen e saj kur ndien këtë nevojë, ka krijuar për të epshin që ta nxitë në kërkimin e asaj që ia shuan këtë nevojë, ka krijua për të dëmtimin nga të ftohtët dhe të nxehtët për ta nxitur atë në përdorim e veshmbathjeve dhe vendbanimeve (6). Të gjitha këto shërbejnë në objektivin bazik. 
Për të sqaruar këta objektiva sjellim shembullin: dihet se objektiv bazik konsiderohet ruajtja e jetës dhe vazhdimi i saj, sepse ajo është bazë dhe objektivat e tjerë që lidhen me të siç janë ushqimi, veshmbathja, martesa dhe dispozitat e tyre, në të vërtetë i shërbejnë këtij objektivi. 
Në këtë grup të objektivave bazikë bën pjesë ajo që njihet edhe si zemra e 'mekasidit', pra pesë objektivat e domosdoshëm thelbësorë që janë Feja, Jeta, Mendja, Pasardhësit dhe Pasuria(7). 


Objektivat e përgjithshme dhe ato të veçanta 


Objektiv i përgjithshëm quajmë të gjitha ato qëllime dhe urtësi të shprehura nga ligjvënësi (Allahu) në të gjitha dispozitat ose në shumicën e tyre, duke mos u veçuar shprehja e saj në një lloj dispozite sheriatike(8). Objektiv i veçantë quajmë ato qëllime të shprehura nga ligjvënësi në ndonjë dispozitë prej dispozitave të sheriatit ose në ndonjë seksion prej seksioneve të tij(9).
Objektivat e veçantë për dallim nga objektivat e përgjithshëm synohen të realizohen në një pjesë më të ngushtë të aktivitetit njerëzor, siç është arsimimi, jeta, familja, ekonomia, sistemi politik, ai ushtarak etj. Përderisa objektivat e përgjithshëm gjenden në konsideratë të të gjitha dispozitave, nëse një dispozitë konstatohet se ka për qëllim një objektiv të veçantë, ajo assesi nuk bie ndesh me objektivin e përgjithshëm, sepse në vete përmban edhe atë. 
Këta objektiva, sipas rëndësisë së dobive të tyre dhe sipas përparësisë së faktorëve që sigurojnë mirëqenien njerëzore, ndahen në tri kategori: 
- Të domosdoshëm 
- Të nevojshëm 
- Objektiva përmirësues 


1. Objektivat e domosdoshëm 


Objektiva të domosdoshëm janë nevojat e njerëzve që duhen plotësuar me çdo kusht, ato domosdoshmëri universale nga të cilat varet jeta e njeriut dhe pa të cilat jeta njerëzore nuk funksionon e mirëfilltë. Ata njihen edhe si zemra e 'mekasidit', pra pesë objektivat e domosdoshëm thelbësorë të theksuara më lartë. Këto konsiderohen si kërkesa absolute për mbijetesën dhe mirëqenien shpirtërore të individit, saqë shkatërrimi apo kolapsi i tyre do të sillte kaos dhe prishjen e rregullit normal të shoqërisë. Në tërësi sheriati kryesisht kërkon të mbrojë dhe të promovojë këto vlera thelbësore dhe parasheh të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen dhe zhvillimin e tyre.(10) 
Këto nevoja të domosdoshme, sipas rendit të përparësisë, janë: 
1. Feja ose sistemi natyral i besimit dhe mënyra islame e jetës. 
2. Jeta e individit dhe e gjinisë njerëzore. 
3. Mendja e individit. 
4. Pasardhësit. 
5. Pasuria apo prona. 
E rëndësishme të përmendet është fakti se disa dijetarë bashkëkohorë(11) radhitin edhe objektiva të tjerë të këtij rangu pos këtyre e ata janë: 
1. Shteti apo ruajtja e tij 
2. Siguria 
3. Ruajtja e dinjitetit njerëzor 
4. Drejtësia 
5. Solidariteti 
6. Mëshira 
7. Udhëzimi 
8. Uniteti i umetit (12). 
Por ajo çka është e njohur te studiuesit e kësaj lëmie është se këta pesë objektiva janë baza kryesore që kanë vendosur dijetarët më eminentë të Mekasidit(13). 
Ruajtja e secilës nga këto është e domosdoshme për mirëqenien e individëve dhe shoqërisë. Prandaj çdo gjë që garanton sigurimin dhe ruajtjen e këtyre parimeve, është e mirë dhe e dobishme, ndërsa çdo gjë që rrezikon këto, është e keqe dhe e dëmshme. Sheriati i mbron këto nevoja të domosdoshme për mirëqenien e jetës së njeriut, ashtu që përkitazi me to ka paraparë ligje të prera dhe për ata që shkelin këto ka përcaktuar masa, ndëshkime dhe sanksione. Ai parasheh ligje, dispozita dhe norma të cilat garantojnë këto nevoja jetike si dhe sistem me të cilin i mbron këto domosdoshmëri. Në vazhdim do t’i sqarojmë këta objektiva shkurtimisht: 


1. Me ruajtjen e fesë kuptohet tërësia e besimit, praktikave dhe ligjeve me të cilat Islami rregullon marrëdhëniet në mes të njeriut dhe Krijuesit të tij dhe në mes të njerëzve në mënyrë të ndërsjellë. Ruajtja e fesë gjithashtu nënkupton ruajtjen e saj nga devijimi dhe gabimi dhe thirrjen e të tjerëve që të pranohet dhe të jetohet në pajtim me të, dhe të mbrohen nga çdo gjë që e rrezikojnë atë(14). Allahu xh.sh. thotë: “Feja e pranueshme tek Allahu është Islami.” (Ali Imran, 19), “E kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshpruarit.”(Ali Imran, 85)


2. Me ruajtjen e jetës kuptojmë shenjtërinë që Allahu xh.sh. ia ka dhënë ekzistencës njerëzore duke vendosur dispozita të ndryshme që e sigurojnë këtë shenjtëri të krijuar në krijesën më të përsosur. Islami e ndalon çdo lloj armiqësie që i bën dëm njeriut e po qe se i bëhet dëm në çfarëdo aspekti, Islami ka paraparë edhe ndëshkimin(15). Allahu xh.sh. thotë: “Mos e mbytni njeriun, sepse mbytjen e tij e ndaloi Allahu.”(El Enam, 151), “Kjo masë e dënimit (kisasi) është jetë për ju.”(El Bekare, 179) 
Pra, për ruajtjen e jetës, Allahu vendosi dispozita të ndryshme siç janë: Ndalimi i vrasjeve, vendosja e kisasit, ndalimi i masakrave, luftimi i atyre që prishin rendin dhe që nuk respektojnë shenjtërinë e jetës. 


3. Ruajtja e mendjes, arsyes. Siç e dimë mendja ka një rëndësi të veçantë në legjislacionin islam. Allahu xh.sh. e ka dalluar njeriun nga të gjitha krijesat e Tij me mendje, intelekt, sepse njeriu nëpërmjet mendjes njeh Zotin e tij, i kupton urdhëresat dhe ndalesat e Tij, dallon të mirën nga e keqja. Pra, mendja është esenca e përgjegjësisë dhe obligimeve në Islam, po nuk e pati njeriu mendjen e shëndoshë, nuk është i obliguar fare. Allahu ka përmendur mendjen në shumë vende në Kuran, sepse ajo është mjet nëpërmjet të cilit kuptohen dispozitat e sheriatit dhe arrijmë te gjërat e dobishme dhe distancohemi nga gjërat e dëmshme.(16) “Thuaj: a janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?”(Ez Zumer, 9) 
Ruajtjes së mendjes Allahu xh.sh. i kushtoi rëndësi të madhe duke ndaluar çdo gjë që dëmton mendjen, si verën, drogën, të humburit e kohës, vazhdimin e injorancës, moskërkimin e diturisë, vazhdimin e analfabetizmit etj... Ndërkohë urdhëroi për dituri, për shpërndarjen e saj... 


4. Me ruajtjen e pasardhësve(17), kuptojmë që të ruhet vazhdimi i llojit njerëzor, që njeriu të jetë gjithnjë duke adhuruar Krijuesin e tij. Allahu vendosi dispozita të veçanta për të arritur këtë, si: Ligjësimi i martesës, zgjedhja e bashkëshortit, edukimi i fëmijëve, dhe ndaloi çdo lloj shkeljeje mbi nderin e tjetrit(18). “Ne dërguam edhe para teje të dërguar dhe atyre u mundësuam të kenë gra e fëmijë.” (Err Rrad, 38) 


5. Me ruajtjen e pasurisë, kuptojmë se Islami e konsideron pasurinë nevojë të domosdoshme të jetës njerëzore. E lejon pronën individuale, thërret në zhvillimin dhe shumimin e pasurisë, lavdëron angazhimin për të fituar. Parandalon mashtrimin, uzurpimin, vjedhjen, dhunimin, shpenzimin e pasurisë në gjëra të ndaluara, vendos dispozita të veçanta për ruajtjen dhe vazhdimësinë e pasurisë(19). “Mendjelehtëve (të papjekurve) mos u jepni pasurinë tuaj që Allahu e bëri për ju mëkëmbje.”(En Nisa, 5)


Nderi. Dijetarët nuk janë të një mendimi nëse ruajtja e nderit quhet prej domosdoshmërive apo prej nevojave të njeriut. Shumica e dijetarëve mendojnë se kjo nuk bën pjesë në domosdoshmëri, sepse të gjitha ato dispozita që Allahu xh.sh. i ka vendosur në ruajtjen e nderit si ligjin kundër shpifjes apo fyerjen mund të renditen në ruajtjen e pasardhësve. Vërtet shpifja dhe fyerja janë të ndaluara por jo që ato cenojnë një domosdoshmëri(20). 


2. Objektivat e nevojshëm 


Kategoria e dytë e dobive e njohur si 'haxhijah' apo benefitet plotësuese kanë të bëjnë me ligjet e sheriatit të cilat kanë për qëllim lehtësimin në raste vështirësie dhe të cilat largojnë apo zvogëlojnë vështirësitë në jetën e njerëzve. Fjala është për ato dispozita të cilat u mundësojnë njerëzve të kalojnë jetë sa më të lehtë dhe po qe se mungon njëra nga këto nuk prishet rregulli i jetës së tyre, por jeta dhe aktiviteti njerëzor vështirësohet21. 
Nga ilustrimi vijues vërehet dallimi në mes të domosdoshmërive dhe nevojave: të ngrënët dhe veshmbathja janë nga dispozitat që bëjnë pjesë në domosdoshmëritë, ndërsa ushqimet e mira e të shijshme dhe veshmbathja e mirë dhe e rehatshme bëjnë pjesë në nevojat. Kështu, nëse ushqimi nuk është kushedi sa i shijshëm apo rrobat nuk janë kushedi sa të mira, kjo nuk do të thotë se njeriu do të vdesë urie, mirëpo jeta e tij nuk është e lehtë dhe e rehatshme sikurse e atij që në bazë të mundësisë zgjedh ushqimet dhe rrobat më të mira. 


3. Objektivat përmirësues 


Këta plotësojnë interesat e domosdoshëm dhe të nevojshëm ashtu që të realizohen në formën më të përsosur. Në të vërtetë, nevojat janë plotësim i domosdoshmërive dhe përmirësueset janë plotësim i nevojave, prandaj, kur Allahu xh.sh. ndalon ndonjë gjë, Ai ndalon edhe gjërat që dërgojnë te ndalesa përkatëse. Në çështjet e zakonshme dhe marrëdhëniet ndërpersonale sheriati inkurajon në butësi, në sjellje të mirë me të tjerët etj. Qëllimi i gjithë kësaj është arritja e rendit dhe përsosjes në të gjitha fushat e sjelljes njerëzore(22).
Prej objektivave përmirësues konsiderohet çdo moral i mirë, mirësjellja në çdo vend, pastërtia, largimi nga koprracia etj. 
Të dy grupet e fundit si objektivat e nevojshëm, si ata përmirësues, kontribuojnë apo i shërbejnë objektivave të domosdoshëm përderisa ata janë baza e objektivave. 


Objektivat që tregojnë qëllimin dhe ata që tregojnë mjetin 


Objektivat që tregojnë qëllimin: - janë ata objektiva që tregojnë një cak përfundimtar, pas të cilit s’ka formulim tjetër, si njohja e Allahut xh.sh.. Ky është qëllimi i krijimit dhe njohjes së njëshmërise së Tij. Gjithashtu hyrja në xhenet, është qëllim që çdo besimtar e shpreson. 


Objektivat që tregojnë mjetin: - janë ato qëllime rreth një çështjeje dhe në të njëjtën kohë si mjet i një qëllimi tjetër. 
Me studimin e shkencave të sheriatit, qëllimi është njohja e dispozitave të legjislacionit islam dhe praktikimi i tyre. Në të njëjtën kohë ndërlidhet me një qëllim madhor që është arritja e kënaqësisë së Allahut të lartësuar, pra duke e njohur legjislacionin e Allahut dhe duke e praktikuar atë, robi është më afër Zotit të Tij dhe kënaqësisë së Tij(23). 
Duhet të kemi parasysh se qëllimi dhe mjeti nuk duhen kuptuar si dy entitete të pandara dhe as që njëri ta nënkuptojë doemos tjetrin. Kemi shumë çështje të dynjallëkut që parimisht nuk përmbajnë asnjë qëllim, për shembull shumë lëvizje të përditshme që njeriu i bën në jetën e tij. 
Por më e rëndësishme është që të moj bëjmë ngatërrimin në mes të mjetit dhe qëllimit, për shembull, ushqimi është mjet për ruajtjen e jetës së njeriut dhe jo qëllim kryesor në vete, sepse po të ishte ashtu, atëherë njeriu do të jetonte për të ngrënë në vend se të ushqehet për të jetuar. Vetë jeta e njeriut nuk është qëllim final, por njeriu duhet të jetojë ashtu siç është i urdhëruar të jetojë me një qëllim të vetëm e ai është adhurimi ndaj Allahut xh.sh.. 


Objektivat e përhershëm dhe ata të përkohshëm


Objektivat e menjëhershëm 
Legjislacioni islam ka garantur çdo dobi për njerëzit në këtë dunja, ka bërë që jeta e tij të jetë e kompletuar dhe ka larguar të gjitha dëmet e kësaj dunjaje. Ka plotësuar nevojat e tij të domosdoshme, të rëndësishme e deri te ato suplementare. 


Objektivat e mëvonshëm 
Legjislacioni islam përveç objektivave të menjhershëm, të cilët i përmendëm, ka vendosur edhe objektiva të tjerë, vlera e të cilëve ështe shumë më e madhe sesa e të parëve e që janë objektivat e mëvonshëm që Allahu i ruan për robërit e Tij në ahiret siç janë: shpërblimi i Allahu, shpëtimi nga zjarri i xhehnemit etj.(24). 


_______________________________
1. El-Muvafekat (v2. f 300), (v3 f. 134-135); Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti (f. 251, 415); El-Mekasidu el-A’meti lish-sheriati el-Islamijeti Bejnel Esaleti vel Muaseretij (f. 65-73); Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti ve alakatuha bil Edileti esh-Sher’ijeti (f. 351-415); Mekasidu esh-Sheriati Tesilen ve Tef’ilen (263-264); Ilmu El-Mekasidi Esh-sheriati (f. 71-75). 
2. El-Mekasidu el-A’meti lish-sheriati el-Islamijeti Bejnel Esaleti vel Muaseretij (f. 66-70); Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti ve alakatuha bil Edileti esh-Sher’ijeti (f. 353-383); Mekasidu esh-Sheriati Tesilen ve Tef’ilen (f. 292-295). 
3.El-Mekasidu el-A’meti lish-sheriati el-Islamijeti Bejnel Esaleti vel Muaseretij (f. 67). 
4. El-Muvafekat (v2 f 300-302). 
5. El-Muvafekat (v2 f 302- 303); El-Mekasidu el-A’meti lish-sheriati el-Islamijeti Bejnel Esaleti vel Muaseretij (f. 67), Mekasidu esh Sheriati Tesilen ve Tef’ilen (f. 295). 
6. El-Muvafekat (v2 f 302-303). 
7. El-Muvafekat (v2, f 300). 
8. Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti (f. 251). 
9. El-Mekasidu el-A’meti lish-sheriati el-Islamijeti Bejnel Esaleti vel Muasereti (f. 65); Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti (f. 415). 
10. El-Mustesfa min Ilmil Usul (v2, f 482-483); El-Muvafekat (v2, f 17-20); Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti (f. 300-307); Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti ve alakatuha bil Edileti esh-Sher’ijeti (f. 182-191). 
11. Xhemaludin Atijje, Nahve Tef’il Mekasidi esh-Sheriati, sh.b. Ma’had el A’lemi lil Fikril Islami - Aman dhe Dar el-Fikr – Damask, Botimi i parë 2001 (f. 91-105). Autori në këtë liber në lidhje me këtë qështje ka sjellë mendimet e të gjithë dijetarëve nga kohët e vjetra duke filluar nga imam Gazaliu e deri tek dijetarët e kohës bashkëkohore. Ai ka sqaruar Mekasidin me një vizion të ri dhe praktik, për më gjerësisht kthehu në këtë permbledhje që ka bërë, sepse ia vlen të lexohet. 
12. Nahve Tef’il Mekasidi esh-Sheriati (f. 91-105); Mekasidu el-A’meti lish-sheriati el-Islamijeti Bejnel Esaleti vel Muaserti (f. 73).
13. El Mustesfa min Ilmil Usul (v.2, f 482); El Muvafekat (v2, f 20); Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti (f. 301). 
14. El Mustesfa (v2, f 482); El Muvafekat (v2, f 18-19); Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti (f. 303); Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti ve alakatuha bil Edileti esh-Sher’ijeti (f. 192-211). 
15. El Mustesfa min Ilmil Usul (v2 f 482); El Muvafekat (v2, f 19); Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti (f. 303); Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti ve alakatuha bil Edileti esh-Sher’ijeti (f. 211-234).
16. El Mustesfa min Ilmil Usul (v2, f 482); El Muvafekat (v2, f 19); Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti (304); Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti ve alakatuha bil Edileti esh-Sher’ijeti (f. 235-244). 
17. Ne e kemi radhitur këtë nga pesë objektivat e domosdoshëm duke u bazuar në shumicën e dijetarëve dhe si përgjigjje e pyetjes së mundshme nga lexuesit e cila do të ishte: Objektiv i katërt i domosdoshëm a është ruajtja e pasardhësve apo ruajtja e përkatësisë familjare apo nderi? Për më gjerësisht shiko: Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti (f. 304-305), Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti ve alakatuha bil Edileti esh-Sher’ijeti 245-276. 
18. Shiko El Mustesfa min Ilmil Usul (v2, f 482); El Muvafekat (v2, f 19); Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti (f. 304- 305); Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti ve alakatuha bil Edileti esh-Sher’ijeti (f. 245-276). 
19. El Mustesfa min Ilmil Usul (v2, f 482-483); El Muvafekat (v2, f 19); Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti (304); Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti ve alakatuha bil Edileti esh Sher’ijeti (f. 283-304). 
20. Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti (f. 305-306); Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti ve alakatuha bil Edileti esh-Sher’ijeti (f. 276-283). 
21. El Mustesfa min Ilmil Usul (v2, f 483- 484); El Muvafekat (v2, f 21-22); Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti (f. 307); Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti ve alakatuha bil Edileti esh-Sher’ijeti (f. 318-325). 
22. El Mustesfa min Ilmil Usul (v2, f 485-486); El Muvafekat (v2, f 22-23); Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti (f. 307- 308); Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti ve alakatuha bil Edileti esh-Sher’ijeti (f. 328-335). 
23. Mekasidu esh Sheriati Tesilen ve Tef’ilen (f. 297-298). 24. Mekasidu esh-Sheriati Tesilen ve Tef’ilen (f. 289-291).


Dituria Islame 357


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme