Bazat e pedagogjisë kuranore (1)

 


Në shumë vende dhe në mënyra të ndryshme Kur'ani thotë për veten se është Libër gjithëpërfshirës (p.sh.: "asgjë në Libër Ne nuk e kemi anashkaluar"(6, 38); "Tani përsosa për ju fenë tuaj, plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe jam i kënaqur që jua zgjodha Islamin fe" (5, 3); "Fjalët e Zotit tënd janë kulm i së vërtetës dhe drejtësisë` (6, 115); `All-llahu përfshin çdo gjë me dijen e Tij". (4, 126; etj).


Kur'ani, pra, është një Libër që në kulturën dhe qytetërimin musliman është burim për çdo disiplinë shkencore: ai, me fjalën e tij gjithëpërfshirëse, inicon dhe, ç'është më e rëndësishmja, përcakton qëllime të pandryshueshme.
Përveç të tjerash, pra, Kur'ani është edhe libër pedagogjie dhe natyrisht shumë më tepër se kjo. T'i edukosh njerëzit që në çdo situatë jetësore të sillen në pajtim me vullnetin e All-llahut (xh. xh.)- është qëllimi i çdo ajeti dhe çdo sureje kuranore. Në të vërtetë, Kur'ani edukon me të gjitha llojet e ligjërimit të vet të larmishëm: me këshilla, paralajmërime, kërcënime, premtime, tregime, diskutime, shikime, ilustrime … Nga ky bollëk nuk është vështirë të rikonstruktohet etterbijetu'l – kur’anijje, pedagogjia kuranore, si pjesë themelore përbërëse e et-terbijtu'l- islamijje, pedagogjisë islame.
Pjesa e dytë përbërëse e kësaj pedagogjie është terbijetu'n-nebijj, pedagogjia e të Dërguarit (s.a.v.s.).
Këto dy pjesë të pedagogjisë islame janë të lidhura në mes vete në mënyrë të pandashme; Kur'ani është aspekti teorik në Islam, ndërsa suneti i Pejgamberit të All-llahut (s.a.v.s.), si Shpallje nga All-llahu për nga kuptimi (bi ma'naha), por jo edhe për nga shprehja (dune lafdhiha), është mbartja e atij aspekti në jetën e përditshme të individit dhe shoqërisë, zbatimi dhe "shpjegimi" praktik i pedagogjisë kuranore.
Lidhur me këtë, i Lartësuari Pejgamberin e Vet e edukoi për besimtarët si etalon, në bazë të të cilit ata të harmonizojnë veprimet e tyre, ndërsa kultivimin e cilësive të mira në edukimin e njerëzve, Pejgamberi (s.a.v.s.) e bëri qëllim të misionit të tij. "Ju keni shembull të shkëlqyer në të Dërguarin e All-llahut, natyrisht për atë që shpreson në mëshirën e All-llahut dhe shpërblimin në botën tjetër dhe për atë që e përmend shpesh All-llahun" (33, 21)
"Vërtet, ti je në shkallën më të lartë të moralit" (68, 4). Pyetjes së Se'id ibni Hisham ibni 'Amrit për moralin e të Dërguarit të All-llahut, hazreti Aishja (r.a.) iu përgjigj se ahlaku i tij ishte Kur'ani, pastaj i tha Se'idit që ta këndonte fillimin e sures ElMu'minun (1, 11) dhe, kur e përfundoi, tha: "Ky ishte ahlaku i të Dërguarit të All-llahut". (Muslimi).
"Innallahe be'atheni li utmmime mekarime'l-ahlak"
-"Me të vërtetë All-llahu më ka dërguar që t'i përkryej cilësitë e mira te njerëzit," tha i dërguari i All-llahut (s.a.v.s.) 
Gjuhësisht, et-terbije do të thote et-tenmije - rritje, midis këtyre dy sinonimeve të pjesërishme ka një dallim në domethëniet e përafërta. Et - terbije vjen nga rrënja e foljes me tri bashkëtingëllore r-b-j (a e gjatë) - reba jerbi - rris, kultivoj, edukoj, arsimoj, zhvilloj…Njëri nga katër emrat e mëdhenj të All-llahut (xh.sh.) Rabb, vjen nga e njëjta rrënjë dhe sipas mufesir Bejdaviut, tregon Krijuesin, i cili çdo gjëje që ka krijuar, i jep furnizim fizik e shpirtëror dhe e shpie nga njëri stad në tjetrin derisa të arrijë pikën kulmore të plotësimit të tij tokësor (v. Envaru'l - tenzil…, komentimi i sures El-Fatiha). Prandaj, Allllahu (xh.sh.) është El - Murebbi'l - E'adham, më i madhi Ushqyes - Kultivues - Edukues në Gjithësi.
Dhe sikurse Kur'ani është i përkryer/ i kompletuar në çdo gjë, po ashtu edhe në pedagogji ka përfshirë të gjitha disiplinat e saj, që janë: et-terbijetu' r-ruhijje (edukimi i ruhut-shpirtit), et-terbijetu'l-akhlakije (edukimi i karakterit), et-terbijetu'l- aklijje (edukimi i mendjes), etterbijetu'l-xhismijje ( edukimi i trupit), et-terbijetu'l-xhemalijje (edukimi i prirjeve estetike), et terbijetu'l-ixhtimaijje ( edukimi personalitetit shoqëror), dhe et-terbijetu's sijasijje (edukimi i personalitetit politik).
Me këtë gjithëpërfshirje në konceptin e tij për edukatën, Kur'ani flak që të dy ekstremet në disiplinën pedagogjike, edhe atë ekstreme materialiste, që në variante të ndryshme dhe në të gjitha kohët, theksin e vë ekskluzivisht ose në pjesën më të madhe të tij në edukimin e trupit, edhe atë ekstrem shpirtëror, murgëror, i cili nuk përfill kërkesat trupore.
Islami qenien njerëzore e shikon në mënyrë integrale; njeriu në vete ka tri aftësi (fuqi): trupore, shpirtërore dhe mendore. Të gjitha këto kërkojnë përmbushjen e nevojave të tyre. Pedagogjia islame përpiqet t'i kënaqë në mënyrë të barabartë që të tri ato aftësi, në mënyrë që të mos ndodhë çrregullimi i personalitetit njerëzor dhe edukimi i keq. Të gjitha ato së bashku përbëjnë natyrën njerëzore, fitren, në bazë të së cilës i Lartësuari ka krijuar të gjithë njerëzit (30, 30). Kjo do të thotë se trupi ka nevojat e veta për ushqim, pije, rroba, martesë, riprodhim… dhe ato mund të jenë të plotësuara vetëm në atë mënyrë që të mos i prishin nevojat e shpirtit dhe të mendjes, por edhe që të mos asfiksohen nga kërkesat e shpirtit apo të mendjës, si p. sh. Nga asketizmi i tepruar apo nga ndonjë ideologji që kërkon martirizimin a pengimin e nevojave të natyrshme trupore; shpirti ka nevojë për udhëzim, butësi, qetësi… dhe Islami ia ka hapur dyert e ibadetit (riteve të veçanta fetare) me të cilat i kënaq nevojat e veta; mendja ka nevojë për mësim, dije dhe njohje, përsiatje, analizë, meditim, argumentim… dhe Islami urdhëron që të plotësohen edhe këto nevoja, ashtu që ( me anë të mendjes) t'i hulumtojë botët dhe porositë e Librit të All-llahut (xh. sh.), `Gjithësinë që flet` në shpirt e në shoqëri dhe atë `Kur'an që hesht` në botën fenomenale të Gjithësisë. Në këtë kuptim, mund të caktohet qëllimi themelor i pedagogjisë islame: të edukohet muslimani, që do të veprojë në pajtim me ajetin kuranor: `Dhe kështu ju bëmë ju një bashkësi të rrugës së mesme (ummeten vesaten)` ( 2, 143), që do të thotë: të edukohet personaliteti i ri që t'i shmanget çdo teprimi në të gjitha sferat e jetës dhe të mbajë gjthmonë mesin. Në besim ai mes nënkupton që njeriu t'u përmbahet sharteve të definuara qartë të imanit, se do të largohet nga çdo risi dhe elemente të huaja në të, nga çdo mendim ekstravagant në lidhje me të; në veprimtari: që të mos tejkalohen kufijtë e së lejuarës që ka përcaktuar i Lartësuari në Librin e Tij; në bashkëpunimin dhe raportet me të tjerët dhe me shoqërinë - që qëllimet personale të mos vihen mbi ato shoqërore dhe anasjelltas: që për hir të interesave shoqërore të mos lihen pas dore interesat personale dhe familjare.


Edukimi i shpirtit (et-terbijetu'r-ruhujje)


Edukimi i shpirtit, ashtu si e sheh Kur'ani, është gurthemel i edukimit në tërësi. Në qoftë se shpirti është i edukuar, të gjitha anët tjera të edukimit mund të jenë të kënaqura, dhe anasjelltas: shpirti i paedukuar apo lënia pas dore e edukimit të shpirtit, rrënon të gjitha përpjekjet e tjera në edukim.
Termi për shpirtin që përdoret në pedagogjinë islame, është errrruh që do ta përkthejmë si: shpirti njerëzor, dhe këtu do t'i lëmë anash diskutimet e thella mbi shpirtin, dallimet ndërmjet ruhut dhe nefsit, `shpirtit` dhe `zemrës` etj. në Kur'an.
Edukimi do të jetë i suksesshëm vetëm nëse personi që edukohet, beson se njeriun e ka krijua Zoti xh.sh. Në këtë rast, qenia e re njerëzore do të besojë edhe pavdekshmërinë e shpirtit, shpërblimin për veprat e mira dhe qëndrueshmërinë në rrugën e Zotit, ringjalljen, dhënien e llogarisë në Ditën e Gjykimit dhe jetën e amshuar. Kur'ani thekson se All-llahu (xh. sh.) njeriun e ka krijuar në formën, konstruktin dhe proporcionet më të bukura (Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur - Et-Tin, 4), dhe asnjë qënie, as fizike as shpirtërore nuk është krijuar sikur njeriu. Me pikëpamjen e këtillë, Islami e nderon njeriun dhe atij i jep një respekt të veçantë në botë.
Në të vërtetë, edhe qëniet e tjera kanë forma të harmonizuara fizike, por njeriu është i veçantë sipas asaj që Krijuesi frymëzoi tek ai ruhun e Vet:
"Dhe kur u tha Zoti yt engjëjve: `Unë do të krijoj njeriun nga argjila, balta e tharë, dhe kur ta përsos atë (në formën e njeriut) dhe kur t'i jap ruhun Tim, atëherë ju bini atij në sexhde" (Hixhr, 28-29; si dhe disa ajete të tjera).
Ruhu është një aftësi (fuqi) tek njeriu, me të cilën ai njeh gajbin, botën më të lartë, e njeh dhe e do All-llahun (xh. sh.), e njeh ekzistencën melaqeve, Ahiretin, fatin e caktuar etj. Ruhu nuk është material (si trupi), prandaj nuk ka pengesa për të njohur botën më të lartë dhe nuk është i kufizuar në vend e në kohë (sikur mendja) që t'iu nënshtrohej ndikimeve të mjedisit.
Njohja e All-llahut (xh.sh.) dhe e botës-gajb i është e dhënë ruhut; Kur'ani thekson që të gjithë shpirtërat, pasi janë krijuar, kanë dëshmuar në Ezel se i ka krijuar All-llahu (xh. sh.) (El A'raf,172), prandaj, njohja e All-llahut (xh. sh.) është `më e lehtë se njohja se uji është i lagët` (Ibni Tejmije). Por, edhe shpënia e ruhut në rrugë të keqe, në lajthitje, në shirk, që e bën shejtani, gjithashtu është e lehtë, dhe për këtë arsye i Lartësuari, nga mëshira e Tij, ka përcaktuar disa ibadete, të cilat duhet të kryhen disa herë brenda çdo dite e nate, në mënyrë që njeriu ta ruajë ruhun e vet nga lajthitjet e shejtanit dhe që të mos braktisë edukimin e vet. Në pikënisjet themelore të pedagogjisë islame është që nuk mund të edukohet njeriu pa ibadete, që nuk ka edukim të ruhut, në qoftë se njeriu nuk i zbaton ibadetet e përcaktuara, e pa ruh të edukuar njeriu, deshi a s'deshi, do të futet në ndonjërin nga llojet e shirkut.
`Vini re! Adhurim i sinqertë është vetëm ai për All-llahun! Ndërsa, ata që në vend të Tij adhurojnë miq të tjerë (duke thënë): Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër, vetëm që të na afrojnë sa më afër All-llahut, s'ka dyshim se All-llahu do të gjykojë mes tyre për shkak të kundërshtimeve të tyre. All-llahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë atë që është gënjeshtar dhe mohues i së Vërtetës; (Ez-Zumer)
"… përse nuk falënderojnë, por adhurojnë zota të tjerë në vend të All-llahut, me shpresë se ata do t'u vijnë në ndihmë; mirëpo, ata nuk mund t'u ndihmojnë atyre, por këta (idhujtarët) u janë bërë ushtri e dëgjueshme e tyre" (Ja-sin, 73-75)


Si e edukon Islami ruhun


Ruhu nuk mund të edukohet nëse i ndërpritet lidhja e tij me Krijuesin, i Cili e ka frymëzuar atë tek ne dhe tek i Cili do të kthehet pas jetës së kësaj bote. Kjo lidhje ruhet vazhdimisht dhe përtëritet me anë të besimit në shartet e imanit dhe me zbatimin e sharteve të Islamit, dhe ky është mjeti më i mirë e i vetmi për edukimin e ruhut, mjet që nuk e ka asnjë pedagogji tjetër. Të gjitha këto sharte janë të shënuara dhe të shpjeguara në mënyra të ndryshme në Kur'ani - kerim. Besimi në All-llahun (xh. sh.) nënkupton vetëdijen mbi Atë të Padukshmin, por të Gjithëpranishmin (El-Muhit), i Cili është dëshmitar për çdo akt njerëzor dhe i Cili di ç’fshehim dhe çfarë shprehim publikisht e para të Cilit do të japim llogari në Ahiret për të gjtha veprat tona: "Nga vërejtja jote do të përfitojë vetëm ai që ndjek Kur'anin dhe ka frikë të Gjtihëmëshirshmin, edhe pse nuk e sheh Atë`. (Ja-sin, 11);
`Të All-llahut janë gjithçka ka në qiej dhe ç'ka në Tokë! E treguat ju atë që është në shpirtrat tuaj apo e fshehët, All-llahu do t'ju marrë në përgjegjësi për të…" (El-Bekare, 284).
Besimi në melaqet e edukon ruhun ashtu që me këtë shart të imanit, të forcojë vetëdijen mbi faktin që melaqet janë shoqëruesit dhe regjistruesit e veprave të njerëzve, që bota e dukurive është e banuar me to, gjë që te personi që edukohet, zhvillon ndjenjën e vetëkontrollit, seriozitetit dhe veprimin në pajtim me dispozitat e All-llahut (xh. sh.), pastaj shton dëshirën që të arrijë pastërtinë e tyre, bindshmërinë e tyre ndaj All-llahut (xh.sh.) dhe virtytet e tyre.
Besimi në të gjithë librat dhe të dërguarit e All-llahut tek ai që edukohet, zhvillon ndjenjën se i përket bashkësisë më të mirë të njerëzve - besimtarëve dhe bamirësve nëpër të gjitha gjeneratat, se që nga lashtësia deri në ditën e Kiametit, njerëzimi mund të bashkohet duke u lidhur për Litarin e Dritës së Librave dhe të pejgamberëve të Allllahut (xh. sh.) dhe duke i tejkaluar pengesat e veta racore, nacionale dhe klasore, ngre vetëdijën se kufinjtë në mes besimeve të ndryshme monoteiste janë shumë të hollë, nëse pasuesit e tyre janë thellësisht besnikë ndaj këtij Litari Drite, se paqja dhe bashkëpunimi i ndërsjellë ndërmjet monoteistëve mund të arrihen lehtë, se e Vërteta mbi kuptimin e të jetuarit gjendet në këta libra, se ajo është universale, e dërguar për të gjithë njerëzit, se e Vërteta e Shpalljes e mban të bashkuar njerëzimin sikurse forca, përkatësisht ligji i gravitacionit që e mban Tokën të ekuilibruar në orbitën e saj, etj.
Në këtë shart të besimit, pejgamberët bëhen shembuj për breznitë e reja, shembuj të sinqeritetit dhe besnikërisë ndaj Fjalës së All-llahut (xh. sh.), shembuj trimërie, shembuj të ndërgjegjes së thellë e të lidhjes shpirtërore me Krijuesin; ata janë revolucionarët më të mëdhenj në historinë njerëzore, bartës të së Vërtetës dhe çlirimtarë të njeriut nga çdo formë poshtërimi dhe eksploatimi të tij, kundërshtarët më të përbetuar të shirkut dhe jomoralit, edukuesit dhe edukatorët më të mirë dhe pishtarët e pamposhtur të pastërtisë morale e shpirtërore.
Besimi në ditën e Kiametit dhe jeta e amshuar në Ahiret, ruhun e edukon në atë mënyrë që njeriu të përgatitet për të duke e ditur se vetëm besimi dhe veprat e mira mund ta shpëtojnë nga pasojat e këqija. Vetëdija mbi kalueshmërinë e botës materiale dhe çdo gjëje që është në të, ndihmon shërimin e ruhut nga mendjemadhësia dhe makutëria. Duke besuar në kada dhe kader, personi që edukohet nuk bie në fatalizëm (sikur komentohet shpesh gabimisht kjo shtyllë e besimit islam), por ka ndjenjën e lirisë, dhe njëkohësisht edhe të përgjegjësisë për veprat e veta. Mirëpo, ka gjëra që ndodhin jashtë mundësive njerëzore, po njeriu nuk do të përgjigjet për to. Ajo që ndikon pedagogjikisht në këtë besim, është pranimi me gjakftohtësi i çdo gjëje që ndodh duke besuar se çdo gjë ka një kuptim misterioz, i njohur vetëm për të Dashurin All-llah, dhe akumulimi i energjisë shpirtërore që të përballohen esëll të papriturat dhe vështirësitë e jetës, pastaj që t'i bëhet lutje All-llahut (xh. sh.) që t'i dhurojë `zgjidhje të drejtë` për çdo situatë dhe përfundim të mirë nga çdo ngjarje.
Besimi në ringjalljen pas vdekjes, e motivon të riun që të bëjë vepra të mira dhe të largohet nga të këqijat. Ky besim ngjall shpresën në kuptimin e jetës njerëzore dhe në përpjekjet e vështirësitë në rrugën e së Mirës. Përveç vetëdijes mbi të vetmin Zot, asgjë nuk i edukon më shumë njerëzit se të përkujtuarit e vdekjes dhe bota e amshuar në të cilën do të jepet llogari për veprat e bëra.
Të gjitha shartet e imanit edukojnë ruhun, e pastrojnë dhe e afrojnë te Krijuesi, ndërsa brezin e ri e edukojnë që të jenë të dëgjueshëm ndaj All-llahut (xh. sh.), që të kenë frikë e respekt para shikimit të Tij dhe kjo jo vetëm në jetën publike, por edhe kur janë të vetëm, larg shikimit të njerëzve:
"Thuaj: `Ejani t'ju lexoj çfarë ju përcaktoi Zoti juaj: (…) mos iu afroni mëkateve, qofshin ato publike apo të fshehta!" (El-En'am, 151)
Për sa u përket sharteve të Islamit, qëllimi i tyre pedagogjik mund të përmblidhet në një fjalë: tuhur, pastërtia e ruhut apo e `zemrës`. Me fjalë të tjera, çdo ibadet në Islam fillon me pastërinë e trupit dhe pastërtinë e qëllimit, ndërsa rezulton me pastrimin e ruhut. Në këtë kuptim, Pejgamberi i All-llahut (s.a.v.s.), sipas transmetimit të Imam Muslimit nga Ebu Malik el-Esh'ariu, ka thënë:`Et-Tuhuru shatru'liman - pastërtia është pjesë e imanit!` Këtu pastërtia ka të dy faqet e medaljes, d.m.th. me të nënkuptohet edhe pastërtia fizike edhe pastërtia shpirtërore, pastërtia dhe paqëtimi.
Të gjitha shartet e islamit, një nga një dhe si tok ibadetesh, janë përcaktuar, përveç të tjerash- e All-llahu e di këtë më mirë – me qëllim që njeriu të shërohet nga sëmundjet e rënda shpirtërore sikurse janë: idhujtaria, dyfytyrësia, agresiviteti, mendjemadhësia, koprracia, makutëria, egoizmi etj.
Për shkak të intensitetit të këtyre sëmundjeve i Lartësuari ka përcaktuar pesë namazet për çdo ditë, ndërsa në Librin e Tij famëlartë ka theksuar qëllimin e namazit, të asaj `shtylle të fesë`:
"Vërtet, namazi largon nga çdo gjë që është e irituar dhe e shëmtuar, e përmendja e All-llahut është më e madhja dëgjueshmëri!" (El- 'Ankebut, 45)
Mufesirët nënvizojnë pjesën e dytë të këtij ajeti: Ve le dhikrullahi ekber - përmendja e All-llahut ose kujtimi i Tij, që udhëzon për paqëtimin e ruhut, paqëtim që arrihet duke kërkuar falje nga gjynahet, me lutje dhe falënderime të sinqerta ndaj All-llahut (xh. sh). Pa këtë dimension të vetin, namazi është nakis - i mangët, i kryer në mënyrë jo të denjë, pa përqendrim shpirtëror, për çfarë nuk arrin qëllimin pedagogjik.
Për qëllimin e shartit të dytë, agjërimit, i Lartësuari ka treguar qartë me nocionin et-takva, që do të thotë ruajtja e kufijve të All-lahut, vetëdija e plotë mbi All-llahun (xh. sh.), devotshmëria dhe zbatimi i zellshëm i dispozitave të Tij:
"O besimtarë, ju është bërë obligim agjërimi sikurse që ishte obligim edhe për ata që ishin përpara jush, në mënyrë që ta keni gjithmonë All-llahun ndër mend" (El-Bekare, 183)
Et-Takva, pra, është dëgjueshmëri edhe publike edhe e fshehtë ndaj All-llahut (xh. sh). Agjërimi e edukon njeriun në mënyrë islame, veçanërisht në këtë formën e dytë më të vështirë të dëgjueshmërisë. Muslimani që agjëron, mund të jetë tërë ditën në livadhin e vet pranë ujrit të kulluar, i etur, larg, pa mundësinë ta shoh kushdo, por, megjithatë as që mendon ta prish agjërimin - sepse në agjërim nuk ka dyfytyrësi, agjërimi forcon vetëdijen për gjithëpraninë e All-llahut (xh.sh.) dhe e stërvit njeriun që të largohet nga mekati edhe publik edhe i fshehtë. Pejgamberi i All-llahut (s.a.v.s.) e ka shprehur këtë në mënyrë koncize në hadithin e mirënjohur: `Ihsan (bamirësi) është t'i bësh ibadet All-lahut sikur ta shihje, mirëpo, edhe pse ti nuk e sheh, Ai të sheh ty!`
Përveç dëgjueshmërisë ndaj All-llahut (xh. sh.) në mënyrën e përshkruar, agjërimi, sipas disa thënieve të tjera të Pejgamberit, njeriun e edukon të mësohet, të bëhet i durueshëm në vështirësitë e jetës, të jetë sentimental dhe t'i kuptojë ata që janë të uritur e të etur, të jetë mendjemprehtë, i zhytur në meditime mbi çështjet më të thella të ekzistencës s vet, t'i frenojë kërkesat e trupit para nevojave të shpirtit, etj.
Me obligimin e tretë fetar, me zekatin dhe në kuptimin më të gjerë me sadakanë, ruhu kurohet nga sëmundjet e lakmisë e të koprracisë, dhe në të njëjtën kohë me zbatimin e kësaj detyre i shprehet falënderim Krijuesit për sofrën që shtroi mbi sipërfaqen e Tokës përplot me begati për krijesat e Tij.
Paqëtimi i ruhut, në Kur'an është shënuar si qëllim i zekatit dhe sadakasë:
"Merr prej pasurisë së tyre zekatin që t'i pastrosh me të dhe t'i bësh të bekuar `(tutahirukum ve tuzekkihim)". (Et-Tevbe, 103).
Haxhi në vete sintetizon të gjitha ibadetet e mëparshme; ai është kulmi i vetëdijes për All-llahun (xh. sh.), kulmi i filantropisë; ai zhvillon tek njerëzit ndjenjën e varshmërisë nga Zoti (xh. sh.); pastaj ndjenjën e barazisë; ndjenjën e harmonisë në botë; ai shlyen dallimet klasore në mes njerëzve; forcon ndjenjën e vëllazërisë në mes muslimanëve të botës; ai është dita e gjykimit në miniaturë, krijon pamjen e ringjalljes nga varret dhe dhënien e llogarisë në Ditën e Gjykimit; etj., dhe që të gjitha këto së bashku e pastrojnë dhe e edukojnë ruhun fuqishëm e në mënyrën më të mirë.
Përveç ibadeteve, Kur'ani, ajo `medrese e përkryer` e edukimit (M. Mahmud), ofron edhe dy fusha të mëdha me të cilat edukohet ruhu. Ato janë: tregimet mbi popujt e lashtë dhe pamjet nga Gjithësia. Kur'ani është përplotë me tregime mbi `el-umemu'l-gabire`, mbi `popujt që i ka mbuluar pluhuri`, të cilët ishin shkatërruar për shkak se kishin braktisur ruhun e tyre e u kishin kthyer shpinën porosive të All-llahut (xh. sh.); për shkak se u treguan arrogantë dhe u bënin dhunë të tjerëve; për shkak se i kishin kaluar kufijtë që i kishte vendosur Krijuesi; për shkak se i shkelnin ligjet fetare; për shkak se qenë kryeneçë dhe të paarsyeshëm etj.
"Përse nuk udhëtojnë ata nëpër botë e të shikojnë si përfunduan (si e pësuan) ata që ishin më parë, të cilët ishin edhe më shumë se ata dhe më të fortë për nga forca e ndikimi në tokë, por ajo që fituan, nuk u ndihmoi asgjë". (Gafir, 82-85, Err-Rrum, si dhe Fatir, 44 etj.)
Ajetet që flasin për Gjithësinë, ndikojnë në mënyrë edukuese asodore që bota e krijuar dëshmon për Krijuesin, i Cili krijon me urtësi dhe bukur:
"… qoftë lartësuar All-llahu, më i miri Krijues!" (El-Mu'minun, 14).
Kur'ani i thërret të edukuarit tanë që ta hulumtojnë këtë botë – me qëllim që t'i njohin cilësitë e Krijuesit të saj, në mënyrë që ta përjetojnë këtë botë si më të mirën nga të gjitha botat tjera, si botë në të cilën nuk banojnë kurrfarë demonësh as forcash të tmerrshme (të këqija), dhe në mënyrë që ta ndiejnë se kjo botë është krijuar për njeriun, që t'i shërbejë atij, e jo që njeriu ta eksploatojë pa shpirt dhe pa përfillje, në kundërshtim me vullnetin e Krijuesit të tij. Një poet mistik ka thënë: 
`Të dua, oj botë, të dua për shkak se All-llahu të ka krijuar!`
"Ai është që për ju lëshoi nga qielli ujin, që prej tij të keni për të pirë dhe prej tij të keni bimë që në to do t'i kullotni (bagëtinë). Me atë (shiun) mbijnë, për të mirën tuaj, të lashtat, ullinjtë, hurmat, rrushi dhe nga të gjitha frutat. Në këto (të mira) ka argumente për një popull që vështron. Dhe për ju nënshtroi natën e ditën dhe Diellin e Hënën. Edhe yjet janë të nënshtruara me urdhrin e Tij. Vërtet, në këto ka argumente për një popull që mendon. Edhe për atë që ju krijoi në tokë lloje të ndryshme (bagëti, bimë, pemë, minerale etj.): ka fakte për një popull që di të marrë përvojë. Ai është që nënshtroi detin, prej të cilit të hani mish të freskët, e prej tij të nxirrni stoli që i bartni (i vishni), e i sheh anijet siç janë (lundrojnë) në të (ujin në detë e çajnë me ushtimë). Jua nënshtroi që t'i shfrytë-zoni begatitë e Tij dhe ashtu të falënderoni (Zotin). Dhe ai vuri kodra (të forta) në tokë, që ajo të mos lëkundet me ju, (bëri edhe lumenj e rrugë që të mund të orientoheni. Vuri edhe shenja të tjera (për orientim ditën), ndërsa (natën) e bëri që ata të orientohen me anë të yjeve." (En-Nahël, 1-16; dhe ajete të tjera, si p.sh. El-xhathije, 12-13; Kaf, 6-11; etj.):
"O turmë e xhinëve dhe e njerëzve, nëse keni mundësi të dilni përtej kufijve të qiejve e të tokës, depërtoni pra, por nuk do të mundeni, vetëm me ndonjë fuqi të madhe". (Err-Rrahman, 33
Të vëzhguarit e kësaj bote e përgatit ruhun që të takohet me të vërtetën, me bamirësinë, me udhëzimin dhe bukurinë e Krijuesit të Gjithësisë dhe të falënderohet për begatitë me të cilat e ka mbuluar si dhe të sillet para Tij me dinjitet dhe modesti. 
Rezultati i drejtpërdrejtë i këtij edukimi të ruhut është që ai të fillojë të ndiejë lidhje sa më të fuqishme me Krijuesin, me ekzistencën e Tij, që të jetë sa më i ndërgjegjshëm për shikimin dhe kontrollin e Tij për çdo vepër të njeriut. Vështrimi mbi botën e krijuar nxit dashurinë ndaj asaj bote dhe ndaj Krijuesit të saj. 
Kjo nuk është dashuri vetëm ndaj kësaj bote, në dukje jo të gjallë, por edhe ndaj të gjitha qenieve të gjalla që jetojnë në të. 
Ajetet që cituam si dhe shumë të tjera, njeriun e edukojnë që ai të bisedojë me botën e krijuar, të vendosë raporte të ngushta mirëkuptimi dhe bashkëpunimi e jo raporte lufte me atë botë, dhe ta njohë veten në atë botë si kurorë të krijesave të All-llahut (xh. sh.) dhe si qenien më të respektuar dhe më të vlefshme në këtë botë. 
Po ashtu të vëzhguarit e Gjithësisë fut në zemrën e njeriut kërkesa estetike për rend, harmoni dhe kënaqësi.


- Vijon –


 


Dr. Xhemaludin Latiq
Përktheu: Muhidin Ahmeti


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme