Hapësira normative dhe juridike që përcaktonte dhe organizonte jetën tregtare në shoqërinë osmane, nuk ishte e ngushtë, e vjetruar dhe refuzuese, po ishte gjithëpërfshirëse, pragmatike dhe balancuese e si pikëtakim konceptual kishte traditën dhe mirëqenien
Sistemi dhe përshtatja e ndryshimeve
Perandoria Osmane si sunduese e një territori të madh në tri kontinente, sikurse në fusha të tjera të jetës sociale, fetare, kulturore, dhe politike, ashtu dhe në aspektin ekonomik kishte veçantitë e saj që duhet të dihen. Këto veçanti, nga njëra anë, tregojnë dallimin ndërmjet saj dhe sistemeve të tjera të fuqishme socio-politike në botë përgjatë së njëjtës periudhë dhe,nga ana tjetër, shënojnë mënyrën se si janë realizuar marrëdhëniet ekonomike ndërmjet saj dhe "botës së jashtme”. Duke theksuar elementet dalluese të Perandorisë Osmane në aspektin ekonomik, nuk aludohet se ajo kishte një sistem statik që nuk pësoi ndryshime dhe modifikime përgjatë linjës historike. Duke përfshirë brenda vetes shumë popuj, kultura dhe fe, duke filluar rreth shekullit 14 për të vazhduar për rreth pesëqind vjet sundim, Perandoria Osmane, si fuqi ushtarake, politike dhe ekonomike e botës, përjetoi atë që kushtet e reja brenda periudhave të ndryshme impononin ndryshime dhe përshtatje të risive. Si perandorí dhe shoqëri muslimane, politikën, ekonominë dhe sistemin edukativ-arsimor ajo mbështeste në sistemin juridik islam, në Sheriat, ndonëse brenda sistemit juridik kishte
edhe burime normative ”shtesë”. Por, bashkë me zhvillimet dhe zgjerimet që sollën çlirimet e reja, lindi nevoja për fuqizimin e vizionit shumëdimensional të shtetit.
Osmanët përgjatë shekujve arritën të kuptonin se kultivimi i një sistemi statik e të mbyllur, as në fushën e ekonomisë nuk ishte i dobishëm karshi marrëdhënieve dhe proceseve të reja që u shfaqën. Për këtë arsye ata e panë të arsyeshme që, për të ruajtur të mirën e shtetit dhe shoqërisë, brenda juridiksionit sheriatik që zgjaste prej shekujsh, duhej të gjendeshin përgjigje të reja përballë situatave të reja dhe në këtë mënyrë disa aspekte juridike iu nënshtruan ndryshimeve.
Fjala është për heqjen e disa elementeve të sistemit klasik, veçanërisht në fillim të shekullit 19. Në raste ndryshimesh të tilla, roli i parisë fetare (shejhul- Islam) ishte që ndryshimet karshi risive në fjalë t'i përshtaste me parimet e përgjithshme të së Drejtës islame dhe t'i legjitimonte ato duke respektuar traditën juridike, pa rënë në kundërshtim me të. Me logjikën e këtyre parimeve dhe përshtatjeve, rregulloheshin të gjitha raportet ekonomike dhe proceset e aktivitetet tregtare brenda shtetit osman. Ndryshimet e imponuara osmanët nuk i pranuan në mënyrë pasive, por shteti osman përpiqej t'i adaptonte risitë në mënyrë aktive dhe në kurriz të fitimit dhe dobisë kolektive. Hapësira normative dhe
juridike që përcaktonte dhe organizonte jetën tregtare në shoqërinë osmane, nuk ishte e ngushtë, e vjetruar dhe refuzuese, po ishte gjithëpërfshirëse, pragmatike dhe balancuese dhe si pikëtakim konceptual kishte traditën dhe mirëqenien.
Tregtia dhe parimet ekonomike në shtetin osman
Në gjeografinë osmane, si "atdhe" i një popullsie të madhe e me identitete të ndryshme që shtrihej në tri kontinente, tregtia pati një rol të rëndësishëm në të gjitha periudhat sa ajo sundoi. Vazhdimësia dhe mirëqenia e shtetit dhe shoqërisë kushtëzoheshin nga tregtia. Autorë të ndryshëm theksojnë faktin se osmanët, si shoqëri muslimane, i jepnin tregtisë shumë rëndësi, duke e vlerësuar si një aktivitet të dobishëm dhe të lavdëruar. Aktivitetet tregtare, si ato të realizuara nga ana e shtetit, po ashtu edhe ato nga njerëzit e pavarur, në shoqëri luanin rol të rëndësishëm në përmirësimin dhe fuqizimin e kushteve të jetesës së qytetarëve të shtetit. Kur i qasemi funksionimit të ekonomisë në shtetin osman, është Vështirë të bëhet një ndarje e tillë e aspektit tregtar nga rrjedha e përgjithshme, ngase jeta ekonomike funksiononte e lidhur me tërësinë e marrëdhënieve fetare, shoqërore, politike, familjare dhe morale. Në literaturën e kësaj fushe përmenden tri parime ekonomike, në bazë të të cilave rregullohej sistemi tregtar perandorak: Parimi i provizionizmit (iase), parimi i tradicionalizmit (gelenekçilik) dhe parimi i fiskalízmit (fiskalizím). Secili prej tyre ishte implementuar në periudhë, hapësirë dhe sektor të caktuar, herë në masë më të madhe e herë në masë më të vogël, varësisht nga konteksti.
Provizionizmi (iase)
Sipas parimit të parë, provizionizmit (iase), malli dhe shërbimet duhet të jenë sa më të mjaftueshme, cilësore e të lira dhe në bazë të tij qëllim i veprimtarisë ekonomike është plotësimi i nevojave (kërkesave) të njerëzve.(1)
Ky është koncepti që mbizotëroi dhe vazhdoí të ishte për një kohë të gjatë model i menaxhimit të veprimtarisë tregtare. Përderisa qëllimi i veprimtarisë ekonomike për prodhuesin dhe shitësin është shitja me çmim të lartë dhe fitimi, e jo cilësia dhe mjaftueshmëria, për blerësin dhe konsumatorin qëllimi i veprimtarisë ekonomike është çmimi i ulët, cilësia e lartë dhe mjaftueshmëria. E ky koncept ekonomik mbështet veprimtarinë ekonomike nga këndi i konsumatorit (dhe blerësit), që konsiston në dobinë e shoqërisë (e jo ekskluzivisht të tregtarëve dhe shitësve).
Motivi i parë dhe më i rëndësishmi i kësaj ishte shtími i mirëqenies së popullatës. Në lidhje me burimet dhe rrethanat e shfaqjes së këtij parimi, ishin kushtet objektive ato që bënë të përvetësohej ai. Ndër to, janë tri vështirësi kryesore që u hasën e që e bënë racional, objektiv dhe të qëndrueshëm këtë parim:
a) prodhimtaria ekonomike është e ulët dhe rritja e saj është shumë e vështirë;
b) përpjekjet për ta ndryshuar gjendjen ekzistuese shpesh bartin me vete mundësinë e lartë dhe rrezikun e përkeqësimit të mëtejmë të saj dhe
c) transporti është shumë i shtrenjtë dhe i vështirë.
Këto situata me të cilat u ballafaqua shoqëria, bënë që aplikimi i këtij koncepti, që qe koncepti me i rëndësishëm, të ishte i detyrueshëm dhe kështu shteti përvetësoi metodën e ndërhyrjes për furnizim të mjaftueshëm me mall, për rritjen e kualítetit dhe mbajtjen e lirë të çmimit.(2)
Domethënë, politika e shtetit në aspektin tregtar nísej nga dobia dhe e mira e qytetarëve. Politika e shtetit parashihte një sistem ku qytetarët të mund t'i plotësonin kërkesat për prodhimet dhe shërbimet në mënyrë sa më të përshtatshme. Këtu mund të shtohet edhe një detaj krahasues, se, përderisa në logjikën perëndimore tregtia shihet si qëllim në vete, në sistemin osman të vlerave tregtia nuk shihej si qëllim në vete, po vetëm si mjet për të rritur mírëqenien kolektive.(3) Me qëllim të realizimit të këtij parimi në ekonomi, ishin krijuar një sërë kufizimesh juridike (që do të përmenden më poshtë).
Tradicionalizmi (Gelenekçilik)
Shteti osman shquhet për fokusin normativ në traditën duke e ngritur atë në nivel reference për ndërtimin dhe funksionimin e sistemit. Tradicionalizmi si parim, në ekonominë osmane shihej si mbrojtës i ekuilíbrit në marrëdhëniet sociale dhe ekonomike dhe si pengues i çdo prirjeje që çon në ndryshimet që rrezikojnë baraspeshën e arritur. Ky parim po ashtu rregullon raportin në mes prodhimít e konsumit dhe mban nën kontroll prirjet për rritjen e konsumit apo për zvogëlimin e prodhimit duke iu referuar sistemit normativ. Duke iu referuar mbështetjes së traditës dhe sistemit normativ fetar, mund të themi se "Burimi i ligjeve që rregullonin aspektet e ndryshme të jetës ekonomike, ishte Sheriatí. Mirëpo kishte edhe disa ligje të tjera që i rregullonin ato marrëdhënie të cilat Sheriati nuk i rregulloi në mënyrë të drejtpërdrejtë, që nuk i përfshíu, që nuk shfaqi ndonjë mënyrë zgjidhjeje dhe/ose (marrëdhënie) që dolën pastaj si risi”.(4)
Këtu kemi të bëjmë së pari me ligjet e quajtura ”kanunname”, që nxorën padishahët në cilësinë e prijësve të shtetít, dhe kushti i të cilave ishte të mos binin në kundërshtím me traditën sheriatike e këtu nevojitej miratimi nga autoriteti fetar, siç u përmend në fillim të kësaj trajtese.
Fiskalizmi (Fiskalizm)
Parimi i tretë është fiskalizmi. Logjika themelore e këtij koncepti ekonomik ishte që të hyrat e shtetít të rriteshin sa më shumë dhe të pengohej rënia nën nivelin e të hyrave që ishte arritur. Për këtë arsye, me mbështetjen që shteti i jepte tregtísë, nga njëra anë fuqizohej shteti në aspektin material, e nga ana tjetër rritej edhe mirëqenia materiale në shoqëri. Bashkë me dy parimet e tjera, fiskalizmi ndikoi në formësimín e jetës ekonomike në sektorë të ndryshëm. Ndër ato që quhen "kushte objektive", që kushtëzuan paraqitjen e fiskalizmit të tillë, janë:
a) prodhimtaria është shumë e vogël dhe për një periudhë nuk pritet ngritja e saj;
b) transporti i vështirë dhe pjesa e prodhimit për shítje në treg ishte e vogël, prandaj të ardhura materiale (paratë) janë në nivel të ulët.(5)
Eksporti dhe importi, ekonomia e mbyllur
Në shtetin osman, qëllimi i prodhimit ishte plotësimi i nevojave të qytetarëve. Me qëllim të dobisë së njerëzve që jetonin brenda kufijve osmanë, u ndërmorën një sërë lehtësimesh dhe kufizimesh që kishin të bënin me tregtinë, eksportin dhe ímportin. Këto aplikime mund të përshkruhen me atë, siç thotë Prof. Mehmet Genç: "Eksport do të thotë shitja e atyre mallrave që kanë mbetur pas plotësimít të këtyre nevojave, domethënë që s'u ka mbetur asnjë vlerë sa i përket vendit, me shprehjen e ekonomisë, me vlerë margjinale zero”.(6)
Shikuar nga ky aspekt, tregtarët nuk mund të bënín eksportin e mallrave që donin në kohën që ata donin. Për mallrat që do të eksportoheshin / me të cilat do të bëhej eksporti, nevojitej marrja e një lejeje të posaçme. Krahas kësaj, tregtarët ishin të detyruar të paguanin taksë doganore në bazë të sasisë së mallit.
Pavarësisht nga këto politika kufizuese të eksportit, kur flasim për importin aludojmë tek një politikë e lirë tregtare. Mallrat që ishin në sasi të vogël, vlerësoheshin si mallra me vlerë margjinale shumë të lartë dhe hyrja e tyre në tregjet e shtetít shíhej si e dobishme.(7)
Domethënë, për sa i përket importít, shteti bënte lehtësim dhe inkurajim, ndërsa për eksportin në tregun e jashtëm bënte kufizime dhe e vështirësonte atë. Kufizimet, përkatësisht lehtësimet e cekura më lart për sa i përket politikës së shpërndarjes së mallrave, eksportit dhe importit, përkojnë me sistemin e një ekonomie të mbyllur. Për sa i përket tregut të brendshëm, bartja e mallrave më të rëndësishme që konsumonte popullata, në rajone a qytete të tjera, ishte e lirë, brenda suazave që përcaktonte kujdesi shtetëror për mbarëvajtje, dhe procedurave të dokumentacionit. Përveç kësaj, në çështjen e shpërndarjes së mallrave bëhej fjalë edhe për disa kufizime nga ana e shtetít, një aplikim ky që emërtohej si regjími i kontrollit. Pra, për sa u përket mallrave për import vlente politika e lirë e bartjes, përveç disa lloje mallrash. Ndërkaq, malli për eksport nuk lejohej pa i plotësuar të gjitha kërkesat (nevojat) që shfaqeshin në tregun e brendshëm, për të parandaluar kështu mungesën e atij malli për popullatën Vendëse. Këto dy aplikime mund të shihen si mbështetëse të politikës provízioniste. Fjala është për atë se, kur të mos kishte nevoja nga qytetarët e atij qyteti, malli dërgohej në zona të tjera.
Qëllimi i shtetit osman ishte plotësimí i nevojave të qyteteve të mëdha, si Stambolli, Edreneja, Meka dhe Medina. E nëse mbetej më shumë mall sesa kishte kërkesa, atëherë përmes lejes së posaçme që lëshohej nga Këshilli Perandorak, malli dërgohej për konsum në qytete të tjera. Tregtarëve që merrnin këtë mall për ta dërguar në zona të tjera, përveç kësaj lejeje special, u kërkoheshin edhe procedura të tjera?
Vlerësimi historik dhe potenciali bashkëkohor
Kur Vlerësojmë parimet e tregtisë në shtetin osman kuptojmë se dobia e shoqërísë dhe e shtetít zinte vend qendror. Po ashtu tregtia si veprimtari ekonomike përgjatë shekujsh dhe në një gjeografi të gjerë, arriti të zhvillohej në stade të larta. Kur osmanët u ballafaquan me mungesë apo tepricë mallrash, ata përmes kufizimeve dhe qasjeve në eksport e import,ndoqën një politikë racionale e të drejtë dhe kështu vendosnin ekuilibrin në raport me prodhimin dhe konsumin. Tri parimet themelore që u aplikuan në jetën ekonomike osmane, sa janë treguesí i një pragmatizmi dhe qasjeje efektive, po aq janë tregues i kultivimit të elementeve morale dhe besnikërisë ndaj tradítës juridike dhe të vlerës). Prandaj ndërtimi i politikave shtetërore kishte kritere shumëdimensionale dhe jo Vetëm interesin shtetëror. Në tregtinë osmane kishin qasje të gjithë banorët e shtetít osman, pa dallime etnike, fetare dhe rajonale. Sistemi i ”mileteve", që qytetarëve jomuslimanë u njihte entitetin e dallueshëm dhe u siguronte drejtësinë sociale dhe kulturore, nuk ishte përjashtues as në aspektin ekonomik. Madje disa Vënë në pah se tregtia osmane ishte më shumë në dorë të jomuslimanëve. Ata që mbrojnë këtë mendim, ofrojnë argumentin se muslimanëve s'u interesonte tregtia dhe ata nuk merreshin me të. Nga ana tjetër, literatura udhëzon në qëndrimin se kjo nuk është e vërtetë. E vërteta është se tregtía Osmane deri në shekujt 18 e 19 bëhej nga nënshtetas osmanë, që ishin tregtarë muslimanë dhe jomuslimanë?
Rënia e Perandorisë Osmane ndodhi në kohën kur proceset globale (veçanërisht transformimet e gjithanshme që sollën shekujt 19 e 20) dhe imuniteti e rezistenca ndaj nacionalizmit, rivendosjes së fuqive botërore dhe modelit modern të jetës (kolektive dhe individuale), - u bënë të pamundura. Bashkë me humbjen e territoreve të mëdha, me procesin e modernizimit dhe me shfaqjen e shtetit-komb, sikur në fusha të tjera, ashtu dhe në fushën ekonomike-tregtare, dolën në pah marrëdhënie të reja dhe u rrënuan strukturat e vjetra tradicionale. Por, duke vlerësuar në dritën e përvojave historike dhe pozitës gjeo-strategjike e kulturore, Turqia, si ndërtim i ri ideologjik-politik në qendrën e dikurshme të Perandorisë, kishte një potencial tregtar dhe ekonomik shumë të favorshëm. Prandaj rivendosja e marrëdhënieve shumëdimensionale me popujt dhe shtetet e "tri kontinenteve” (që dikur i sundonte shteti osman, përshirë Ballkanin) dhe më gjerë, përveç implikimeve politike dhe kulturore, mund të rezultojë me ngritjen e ndërsjellë të kapaciteteve ekonomike dobiprurëse, prirje këto të cilat tashmë jemi duke i parë veçanërisht në dekadën e fundit. Prandaj, shumëllojshmëria dhe pasuria e humbur e perandorisë mund të transformohej në shteg bashkëpunimi strategjik në dritën e perspektivave moderne.
Për fund, ekonomia Osmane dhe tradita që ajo ndërtoi përgjatë shekujve, është një nga temat që duhen trajtuar në nivele të ndryshme akademike, ngase kjo temë përbën një nga treguesít kyç të modelit të jetës në shoqërinë Osmane dhe mund të shërbejë për të kuptuar komponentët dhe implikimet e tjera juridike, fetare, politike dhe morale, që e identifikojnë atë.
____________
1) Mehmet Genç, Osmali lmparatorlugunda Devlet Ve Ekommi, Ötüken, Istanbul, 2012, f. 47.
2) Po aty, f. 48.
3) Po aty, f. 208.
4) Mehmet Genç, Osmali lmparatorlugunda Devlet ve Ekonomi, Ötüken, Istanbul, 2012, f. 51.
5) Po aty, f. 56.
6) Mehmet Genç, Osmah lmparatorlugunda Devlet ve Ekonomí, Ötüken, lstanbul, 2012, f. 49.
7) Po aty.
8) Grup autorësh, Historia e Shtetit, Shoqërisë dhe Qytetërimit Osman, AIITC, Vol. 1, Tiranë, 2009, f. 596.
9) Shih: po aty, f. 595.
Blerim Halili