Allahu na urdhëron t’i ulim shikimet tona

Falënderimet, madhërimet janë vetëm për Allahun xh.sh. sunduesin e gjithë botëve, vetëm Atë e adhurojmë dhe vetëm prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Paqja, shpëtimi dhe bekimi qofshin mbi Muhammedin s.a.v.s., mbi familjen e tij të ndershme, mbi shokët e tij besnik dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij gjer në Ditën e Gjykimit.

Vëllezër në Islam! Tema e kësaj hutbe është, Allahu na urdhëron që t’i ulim shikimet tona.

Koha e jetës sonë vëllezër është përplot sfida dhe sprova të ndryshme që te njerëzit dhe shpirtrat e tyre kanë ndikim negativ, dhe dobësojnë imanin e tyre. Është e qartë se sprovave që nuk mund apo nuk dimë se si t'ju rezistojmë e dobësojnë imanin tonë të dobët, e sprovat që me ndihmën e Allahut xh.sh., i tejkalojmë, e forcojmë imanin tonë dhe na bëjnë më të vendosur dhe më stabil në rrugën e Islamit.

Të gjitha rregulloret e Sheriatit përpiqen për krijimin e bashkësisë shembullore të myslimanëve, ku vlerat morale janë karakteristikë e tyre dalluese. Për të ndërtuar një shoqëri të tillë, është e nevojshme që individët në atë shoqëri të respektojnë standardet morale, njëra prej të cilave është ulja e shikimit të mu'minit (besimtarit) dhe mu'mines (besimtares).

Thotë Allahu xh.sh.: "Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, t'i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme. ( El-Nur:31)

Allahu xh.sh., në ajetet e cituara, besimtarët dhe besimtaret, së pari i ka urdhëruar që të ulin shikimet, e me pastaj ruajtjen e vendeve të turpshme, sepse shikimi, vëllezër, të çon në amoralitet.

Në hadithin e transmetuar nga Imam Buhariu, Pejgamberi a.s., na mëson se si të sillemi në vendet publike:

Transmeton Ebu Seid el-Hudri, se Pejgamberi a.s., ka thënë: " Keni kujdes nga ulja - qëndrimi pranë rrugës". Ata thanë: "O i Dërguari i Allahut, ne duhet të mblidhemi për të biseduar!?". Pejgamberi a.s., tha: "Atëherë, nëse ju veç duhet, atëherë jepjani rrugës të drejtën e saj". “E cila është e drejta e rrugës?” Pyetën. Ai tha: "Ulja e shikimit, heqja e barrierave - pengesave, kthimi i selamit, urdhërimi në të mirë dhe të largimi nga e keqja" (Buhariu)

Në Hadithin e cituar Pejgamberi a.s., paralajmëron që të mos ulemi - qëndrojmë pranë rrugës, në mënyrë që mos t’i shqetësojmë kalimtarët me të folurit dhe shikimin tonë, e pastaj na mëson se në qoftë se ne veç duhet të ulemi pranë rrugës, atëherë jemi të obliguar që t'i respektojmë hakun (të drejtat) e rrugëve.

Ne, vëllezër, jetojmë në një kohë në të cilën jo vetëm ulja pranë rrugëve, por edhe "kopshtet - bashqet e verës" dalin në rrugë dhe kështu uzurpojnë rrugën, e gjithë kjo është e shoqëruar me muzikë me zë të lartë, talljeve të pahijshme, e jo vetëm kaq por edhe tallja me namazlinjtë, duke pasur parasysh se qeveria dhe pronarët e kafeterive dhe tavernave u pajtuan se alkooli, muzika dhe zhurma nuk i shqetësojnë besimtarët, kështu që në disa xhami më shumë dëgjohet muzika se imami dhe myezini. Le të kanë frikë Allahun xh.sh., të gjithë ata që bëjnë degjenerimin në tokë, e në veçanti le të kenë frikë ata që e bëjnë këtë degjenerimin duke i shqetësuar besimtarët në ibadetin e tyre!

Pejgamberi a.s., na mëson në hadithin e transmetuar nga Imam Buhariu:
Ebu Hurejre, r.a., transmeton se Pejgamberi a.s., ka thënë: "Allahu u ka caktuar pasardhëseve të Ademit a.s., pjesët e kurvërisë, të cilat në mënyrë të pashmangshme do t’i kryejnë; kurvëria e syve është vështrimi - shikimi, kurvëria veshëve është dëgjimi, kurvëria e gjuhës është të folurit, kurvëria e duarve është kontakti, kurvëria e këmbëve ecja, e zemra lakmon dhe dëshiron, e vendet intime të gjithë këtë e konfirmojnë ose e refuzojnë." (Muslimi)

Pejgamberi a.s., e këshilloi Ali ibn Ebu Talibi r.a.: Ibn Burde transmeton nga nga babai se Pejgamberi a.s., i ka thënë Aliut, r.a.: "O Ali, mos e hidh shikimin njërin pas tjetrit, se i pari do të falet, por tjetri nuk të falet!" (Tirmidhiu)

Sheikh Muhamed Hassan transmeton një ngjarje interesante të një djaloshi të devotshëm dhe të varfër, nga Maroku, me banim të përkohshëm në Amerikë, i cili ndiqte ligjëratat dhe ishte i interesuar për rregullat e besimit. Në një rast, ky djalosh nuk ishte prezent në ligjërata, në pyetjen e shejhut se çfarë ka ndodhur me te, të pranishmit i thanë: "Ai është tani, falë Allahut miliarder!" Pastaj ia shpjeguan historinë interesante.Me fjalë tjera, ky djalosh i moralshëm, një ditë hyri në ashensor, në ndërtesën shumë katëshe, në të cilën kishte shumë burra e gra. Pas disa kateve, në ashensor mbeti vetëm, vetëm me një vajzë të re amerikane, e cila ishte e veshur pahijshëm. E shikonte me habi djaloshin, i cili shikonte para vetit e nuk shikonte vajzën. Kur dolën së bashku nga ashensori në katin e caktuar, ajo e pyeti: "A nuk jam e bukur?" Djaloshi me një ton të dridhur i tha: " Nuk e di! As nuk te kam shikuar fare" Ajo vazhdoi: "E pse nuk me ke shikuar?". Ai tha: "Unë kërkoj strehim tek Allahu?! Unë kam frikë Allahun!” Vajza e pyeti: "Ku është Allahu që aq shumë i frikohesh? A feja juaj ju ndalon që të më shikosh dhe që të mos më bësh ndonjë gjë të gabuar?". E Pyeti: "A do të martohesh me mua? ". Ai i tha:" Unë jam një musliman. Cilës fe i takon ti?” Ajo tha: "Unë nuk jam një muslimane". I riu i tha: "Nuk mund të martohem me ty". Ajo i tha: "A do të martohesh me mua, nëse unë pranoj besimin tënd?" Ai tha: "Po" Ajo e pyeti: "Çfarë duhet të bëjë unë?" Ai ia sqaroi dhe ajo u bë një muslimane, bashkëshorte dhe nënë e devotshme, dhe që nga ajo ditë ai u bë një prej muslimanëve më të pasur në Amerikë, sepse vajza posedonte pasuri të madhe. Kur për uljen e shikimit, ky djalosh i devotshëm mori pasuri kaq të madhe te kësaj bote, e çka e pret, Insha-Allah, në botën tjetër, sepse ai ishte shkaku që kjo vajzë e re, me dëshirën e Allahut xh.sh., e me sebepin e tij, të shpëtoi nga Zjarri i xhehennemit!

Vëllezër, t’i mbrojmë sytë tanë, veshët, gjuhët, duart, këmbët dhe barqet nga harami, t’i falim me rregull namazet e caktuara, t’i duam dhe t’i ruajmë të gjithë muslimanët si vëllezër të vërtetë, duke bërë gara në të mirë dhe të përgatitemi për vdekjen dhe Ditën e Kiametit!

O Zot, na ndihmo që ta ruajmë dritën e Islamit, ruaj shikimet tona nga të shikuarit në haram, fali prindërit dhe të parët tanë, udhëzoi fëmijët dhe pasardhësit tanë, dhe bëri udhëheqës të umetit dhe gëzim të syve dhe zemrave tona, bëji ata kujdestarët më të mirë të fesë dhe të atdheut, më të mirë se na, ki mëshirë për ne në Ditën e Gjykimit dhe na bëj një vend në xhennet në shoqëri me Pejgamberin a.s., me të sinqertët, me shehidët dhe njerëzit e mirë!



Nezim ef.Halilović
Përshtati: Esat ef.Rexha


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme