Hatixhe bint Huejlid – Një model i vyer në ditët tona

Hatixhe bint Huejlid (Allahu qoftë i kënaqur me të) ishte një grua prej së cilës mund të mësojmë shumë.

Gruaja e parë e Profetit Muhamed (a.s.) konsiderohet simbol i nderit dhe dëlirësisë së grave dhe të besimit në Zot në rolet historike të grave, si dhe një grua model, e cila mbështeti bashkëshortin e saj në mënyrë të pakushtëzuar. Një pasqyrë e besueshmërisë, integritetit, të vërtetës, modestisë, sjelljes së mirë dhe fisnikërisë; bujare, e mençur dhe e mirëkuptueshme. Ishte personi i parë që besoi palëkundshëm në fjalët e Profetit (a.s.) dhe e para që e pranoi Islamin si fenë e saj dhe mënyrën më të mirë të jetesës. Ajo mishëronte këto virtyte dhe shumë të tjera, të cilave mund t’i referohemi edhe në ditët e sotme.

Nëse shohim portretin e Hatixhes në shoqërinë e asaj kohe, do të kuptojmë autoritetin e kësaj gruaje, në një botë thellësisht patriarkale, në të cilën Islami sapo kishte filluar të afirmonte të drejtat e gruas.
Kur lexojmë për jetën e Hatixhes, në kuadrin fetar përfitojmë një model unik të femrës muslimane. Ky model është frymëzues, jo thjesht për rëndësinë e nderit, pasurisë dhe rolit të saj si bashkëshorte, por edhe sepse ajo u përball dhe kapërceu pengesa të shumta, që janë të njohura për gratë e shekullit të XXI.
Duke interpretuar portretin e Hatixhes si praktikante e besimit fetar, madje që para ardhjes së Islamit, na ndihmon të kuptojmë hollësisht rolin e saj në profeci dhe të zbërthejmë mënyrat që e bëjnë atë frymëzuese. Në këtë ese ofrohet një rilexim i karakterit të saj, ashtu siç ajo shfaqet në burimet e pakta historike, të tilla si: fragmente në tregimin biografik të Profetit, Sira – an, në disa hadithe dhe në hyrjen biografike të Hatixhes në kapitullin e Muhamed Ibn Sad -së shekullit të 9-të mbi gratë në Kitab et- Tabakat el- Kebir.

Hatixhja lindi në Mekë në vitin 556. I ati i saj, Hauejlid bin Asad, ishte një prijës shumë i përmendur në fisin e kurejshëve dhe një tregtar shumë i suksesshëm. Kësisoj, Hatixhja u rrit në mes të luksit. U martua me Halah bin Tamimi. Me të lindi dy fëmijë, Halah dhe Hind. Ajo kishte mjaft dëshirë që ta shihte bashkëshortin e saj, të ecte përpara dhe kështu financoi që ai të ndërtonte një biznes të madh. Por, fatkeqësisht ai vdiq dhe pak kohë më vonë e veja e re u martua me Atik al-Mahzomin dhe me të lindi një vajzë, që e quajti po Hindah. Martesa e tyre nuk qe e suksesshme për shkak të papajtueshmërisë.

Pas gjithë kësaj, Hatixhja (r.a.) gjithë vëmendjen ia kushtoi rritjes së fëmijëve dhe ngritjes të biznesit, që kishte trashëguar nga babai. Mprehtësia dhe aftësitë tregtare bënë që biznesi i saj të ishte ndër më të suksesshmit ndër kurejshët. Politika e saj ishte punësimi i njerëzve të ndershëm e punëtorë dhe i menaxherëve jo diskriminues. Në atë kohë nuk kishte linja udhëtimi apo komunikimi si në ditët tona dhe një pjesë e madhe e punës varej në integritetin e punëtorëve, që punonin dhe udhëtonin për të. Mallrat e saj eksportoheshin në tregje tepër të largëta si Siria dhe menaxherët sillnin të mira materiale nga këto vende, që të tregtoheshin në vendin e tyre. Meka, duke qenë një vend që nga ana strategjike rrethohej nga rrugë tregtare dhe duke qenë një qendër tregtare ndërkombëtare, ishte një pikë tregtare, që përfitonte shumë nga të mirat që silleshin që andej. Menaxherët do të merrnin 50% të përfitimit, gjë që për ta do të ishte mjaft joshëse.

Nuk ka shumë burime të cilat flasin për mënyrat e konfrontimit të saj, me damkën e të qenit një grua e vetme në një botë patriarkale, rezistencën e saj ndaj propozimeve të shumta për martesë nga mëtues oportunistë, lakmitar për shtënien në dorë të pasurisë së saj dhe vështirësitë që ajo mund të ketë hasur në rritjen e tre fëmijëve, ndërkohë që menaxhonte një biznes tregtie në shkallë të gjerë. Në një shoqëri që priste që gratë të kishin mbështetjen e meshkujve, Hatixhja ishte e jashtëzakonshme në marrjen e vendimeve në mënyrë të prerë, veçanërisht për t’u mos u martuar përsëri dhe për të mbrojtur pasurinë dhe fëmijët e saj nga individë të pabesë.

Duke mos pasur qasje në historinë sociale të Mekës në këtë kohë, ne mund të kuptojmë nga numri i vargjeve në Kuran, drejtësinë kundrejt jetimëve, të cilët ishin një segment i cenueshëm i komunitetit, pre e llojeve të ndryshme të abuzimeve apo shfrytëzimeve. Edhe pse Hatixhja i përkiste një shtrese të pasur, ajo ishte vigjilente në mbrojtjen e fëmijëve të saj .
Si kreu i vetëm i familjes së saj ajo ishte e pavarur, vendoste vetë mbi çështjet e veta në bazë të zakoneve paraislame të mekasve dhe ndërhyrjeve të mundshme fisnore.
Edhe pse nuk dihet shumë në lidhje me bindjet e saj fetare para Islamit, nga biografia e saj transmetohet se ajo kishte një xhaxha të krishterë dhe disa thonë se ajo ishte monoteiste. Në një episod në hyrjen biografike Ibn Sad tregon se, ajo besonte bindshëm praninë e Zotit në jetën e saj.

Thuhet se, pak kohë më parë ajo kishte punësuar një njeri të quajtur Muhamed, i cili ishte njeri i besueshëm. Pas një periudhe kohore, e impresionuar nga puna dhe ndershmëria e tij në të dhe dashamirësia që tregonte ai në lidhje me punëtorët tjerë, ajo i propozon martesë me anë të një gruaje të quajtur Nafisa bint Umayya. Ai pranoi dhe që të dy u martuan në prani të xhaxhallarëve të tyre.
Disa thonë se ajo ishte 15 vjet më e madhe se Profeti, i cili ishte rreth 25 vjeç, ndërsa të tjerë pretendojnë se ajo ishte rreth 20 vjet më e madhe se ai.

Mosha e madhe e Hatixhes dhe instinkti i saj për të mbrojtur pasurinë dhe fëmijët, bëri që propozimi i saj për martesë me një djalë të varfër 25 vjeçar të shkaktonte habi tek njerëzit e asaj kohe. Supozohej se në moshën 40 vjeçare ajo kishte vendosur të mos martohej më, ose të paktën të mos zgjidhte dikë që mendohej të uzurponte pasurinë dhe pavarësinë e saj, apo që të keqtrajtonte fëmijët e saj. Megjithatë, Hatixhja arriti ta përballonte këtë situatë të vështirë me shumë guxim. Falë dashurisë dhe respektit që ata kishin ushqyer tek njëri tjetri, Hatixhja ia besoi atij çështjen e pasurisë së saj dhe provoi se ai ishte shumë i butë dhe i sjellshëm ndaj njerëzve, tregues këto të mëdhenj të besueshmërisë së tij në të gjitha aspektet e jetës.

Rezultoi që ajo kishte bërë zgjedhjen e duhur. Profeti nuk pati një grua të dytë gjatë martesës së tyre 25 – vjeçare dhe ishte i mëshirshëm me fëmijët e Hatixhes, të cilët u rritën dhe u martuan. Nga martesa e Hatixhes me Profetin erdhën në jetë gjashtë fëmijë, dy djem, Kasimi dhe Abdullahi dhe katër vajza, Zejnepi, Rukia, Umu Kulthumi dhe Fatima. Vetëm vajzat mbijetuan në fëmijërinë e tyre të hershme.

Për këtë arsye çifti birësoi një djalë jetim të quajtur Zejd. Çifti e rriti këtë djalë si fëmijën e tyre biologjik.
Treguesi më i madh i ndjeshmërisë në marrëdhënien e tyre shfaqet në momentin e fillimit të shpalljes. Një hadith i transmetuar nga disa shokë të tij, tregon se pas momentit të takimit të tij të rëndësishëm me Zotin, Profeti (a.s.) zbriti nga shpella Hira me nxitim dhe u drejtua për në shtëpinë e tij. Ai u hodh në krahët e Hatixhes dhe i kërkoi kësaj të fundit ta mbulonte (Sahihul Buhari). Biografia e Profetit, Sira ibn Is’hak, e transmeton këtë skenë më me shumë detaje, skenë e cila përshkruhet nga vetë Hatixhja.
Pasi pushoi për pak kohë dhe u qetësua disi, i tregoi Hatixhes çdo gjë që kish ndodhur. Hatixhja, simbol i bujarisë dhe ngushëllimit shpirtëror, e qetësoi duke i thënë se nuk kishte dyshim, se Allahu do ta mbronte atë nga çdo rrezik dhe nuk do të lejonte askënd, t’i kundërvihej atij pasi ai ishte njeri i paqes dhe i pajtimit dhe përherë zgjaste dorën e miqësisë tek të tjerët. Asnjëherë nuk gënjente, merrte me përgjegjshmëri mbi supe barrën e halleve të të tjerëve dhe ndihmonte ata që ishin në nevojë. nëpërmjet Këtyre fjalëve ëmbëltuese dhe inkurajuese të Hatixhes, ai fitoi forcë dhe besim të pamasë.

Hatixhja besonte se bashkëshorti i saj zotëronte të gjitha karakteristikat e një profeti, tipare të cilat e bënë atë të martohej me të. Të dy vazhduan të dëshmojnë njëshmërinë e Allahut brenda intimitetit të martesës së tyre, gjë e cila i afroi më shumë me njëri tjetrin.
Thuhet se Hatixhja kaloi pjesën tjetër të jetës, në partneritet me bashkëshortin e saj, duke përhapur mesazhet e Zotit në komunitetin armiqësor të Mekës dhe më gjerë, derisa vdiq rreth moshës 65 vjeçare.
Kur ajo vdiq, Profeti (a.s.) ra në një gjendje fort të trishtuar për humbjen e një shoqeje kaq të përkushtuar, e cila i qëndroi përkrah në kohët më të vështira të jetës së tij. Me duart e tij përgatiti varrin e saj dhe zbriti vetë poshtë për ta kontrolluar. Më pas lëshoi butësisht trupin e saj dhe kështu përfundoi jeta e një zonje, mbështetja më e fuqishme për Islamin në ditët e tij të para./gruaja.org/


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pjesë nga fjalimi i Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava për luftën e UÇK-së