Synimi madhor i sheriatit është begatia e njeriut. Nevojat e tij klasifikohen në nevoja të domosdoshme, të zakonshme dhe plotësuese. Nga nevojat vitale, të domosdoshme dhe qenësore, që përfshijnë pesë synimet e sheriatit (Ed Darurijat El Hamse) është edhe ruajtja dhe mbrojtja e mendjes (hifdhul akli).
Për shkak të rolit të pazëvendësueshëm të mendjes në jetën e njeriut, Islami i ka kushtuar kujdes të veçantë asaj. Ajo është një dhuratë e madhe, dhe një nder që Allahu ia ka bërë njeriut. Zoti e ka favorizuar njerëzimin në raport me të gjitha krijesat tjera, me mirësinë e mendjes dhe të të menduarit. Mendja është thelbi i privilegjit dhe i favorizimit të njeriut. I Gjithëdijshmi Allah thotë: “Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit: ua kemi bërë të mundur që të udhëtojnë në tokë dhe në det, u kemi dhënë ushqime të mira e të lejuara, dhe i kemi ngritur lart mbi shumë prej atyre që kemi krijuar.” (El Isra, 70)
Kurani i drejtohet njeriut si një qenie racionale dhe me arsye. Allahu nuk ia drejton fjalën e Tij dhe nuk i merr në llogari veçse të zotët e mendjes. Prandaj, Kurani është: “...një përkujtim. Vërtet, për njerëzit që ruhen nga gjynahet, ka kthim të mirë (në botën tjetër).” (Sad, 49).
Ai që nuk posedon mendjen, nuk ngarkohet me obligime fetare (mukelef), dhe nuk është përgjegjës për veprimet e tij. Pejgamberi a.s. thotë: “...është ngritur lapsi për tre persona (nuk merren në llogari, përderisa janë në atë gjendje) (...), i çmenduri derisa t’i vijë mendja”.
Mendja është shenja dalluese e njeriut. Me të bëjmë ndarjen në mes të mirës dhe të keqes, të drejtës dhe të gabuarës, meditojmë për krijimin e qiejve dhe të tokës dhe çfarë ka mes tyre. Përmes saj eksplorojmë gjithësinë dhe natyrën, brenda dhe rreth nesh. Studimi dhe zbulimi i ligjeve të Zotit në natyrë bëhet përmes mendjes.
Në Kuran janë përmendur 49 herë shprehjet që kanë të bëjnë me mendjen dhe derivatet e saj: të mendoni, të logjikoni, të gjykoni...: ”... Ja, kështu jua shpjegon Allahu ajetet e Tij, mbase do të mendoni.” (El Bekare, 219); “... Këto ju porosit Ai, me qëllim që të logjikoni.” (El Enam, 151); “Thuaj (o Muhamed): Unë ju këshilloj vetëm një gjë: ngrihuni sinqerisht për Allahun, dy nga dy ose një nga një, e pastaj gjykoni...!” (Sebe’, 46).
Logjikimi dhe meditimi janë detyrim fetar. Allahu i ka lavdëruar ata që e përdorin mendjen e tyre për njohjen dhe pasimin e të Vërtetës: “... Pra, jepu lajme të gëzueshme robërve të Mi. Të cilët, pasi i dëgjojnë fjalët (që u thuhen), ndjekin atë që është më e mira prej tyre. Këta janë ata që Allahu i ka udhëzuar në rrugë të drejtë; këta janë mendarët.” (Ez Zumer, 17-18).
Kurani i qorton ata që kanë mendjen por nuk e përdorin atë. Allahu i dënon në botën tjetër ata që nuk e përdorën mendjen në këtë botë, sikurse tregon për banorët e zjarrit, për të cilët ka thënë: “Ata do të thonë: Sikur të kishim dëgjuar ose menduar, nuk do të ishim midis banorëve të Zjarrit flakërues!” (El Mulk, 10).
Zoti na ka urdhëruar që përmes kësaj dhuntie të Tij të vlerësojmë dhe gjykojmë ngjarje dhe ndodhi të ndryshme. Liria e mendimit dhe fjalës janë të drejta themelore të njeriut. Sheriati ka urdhëruar nxënien e diturisë, me qëllim që mendja të pajiset me njohuri dhe dije. Në Islam kërkimi i dijes nuk është vetëm e drejtë por edhe detyrim fetar. Fjalët e para të zbritura të Ku-ranit janë lexo: “Lexo me emrin e Zotit tënd, I Cili krijoi (gjithçka). E krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! Lexo, e Zoti yt është Bujari më i Madh! I Cili me anë të penës ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte.” (El Alak, 1-5).
Nuk lejohet censurimi dhe robërimi i mendjes. Asnjë njeri nuk ka të drejtë të sundojë mendjen e tjetrit, apo ta privojë atë nga të menduarit dhe të logjikuarit e lirë. Sheriati kërkon të mbrohet mendja, kjo dhunti e Zotit, si vlerë thelbësore e njeriut, dhe ai ka sanksionuar masa të nevojshme për ruajtjen e saj.
Mendja duhet të ruhet nga çdo gjë që e dëmton dhe e ndrydh atë. Prandaj, çdo gjë që e dëmton mendjen dhe e bën të varur, është e ndaluar rreptësisht. Në Islam konsumimi i alkoolit dhe përdorimi i drogës janë ofeza të dënueshme që i nënshtrohen ndëshkimeve dhe sanksioneve.


Artikulli i kaluar
Përfitimi i moralit (I)

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Program fetar dedikuar ardhjes së Muhamedit a.s. si mëshirë për botën