Nga argumentet e fuqisë absolute të Allahut dhe madhështisë së Tij

 


“Thuaj: “O Allah, Sundues i çdo sendi, Ti ia jep pushtetin atij që do, Ti ia heq prej dore pushtetin atij që do, e lartëson atë që do dhe e përul atë që do. Çdo e mirë është vetëm në dorën Tënde, vërtet, Ti ke mundësi për çdo gjë!. Ti e fut natën në ditë dhe Ti e fut ditën në natë, Ti nxjerr nga i vdekuri të gjallin dhe nga i gjalli të vdekurin dhe Ti e begaton pa masë atë që do!” (kaptina Ali-Imran, 26-27)


Lidhshmëria me ajetet paraprake


Politeistët – idhujtarët kundërshtonin fuqishëm dërgimin e ndonjë pejgamberi nga radhët e njerëzve, kurse ithtarët e librit – jehudët dhe të krishterët mohonin kategorikisht dërgimin e pejgamberëve nga ndonjë popull tjetër, pos atij izraelit. Jehudët kishin pasur shumë të dërguar të Allahut përgjatë shekujve, derisa menduan se ata u bënë pronarë të dërgimit të pejgamberëve, dhe se është e pamundur të ketë të dërguar tek ndonjë popull tjetër, përveç tek ata. Përkundër kësaj, jehudët u treguan mosmirënjohës ndaj këtyre begative hyjnore, duke përbuzur dhe nënçmuar ato nëpërmjet torturimit dhe përgënjeshtrimit të pejgamberëve, por në shumë raste edhe të mbytjes së tyre. Jehudët u treguan popull shumë kryeneç, me zemra të ngurta e pa moral fare, dhe refuzuan tërësisht misionin e pejgamberëve dhe argumentet e tyre mbinatyrore, andaj edhe misioni i të dërguarve nuk pati sukses nëpërmjet këtij populli, dhe natyrisht u paraqit nevoja e ndërrimit të adresës së dërgimit të pejgamberëve, nga populli jehud tek një popull tjetër, i cili, me kalimin e një kohe të shkurtër, do ta përkrahte Shpalljen hyjnore dhe misioni i pejgamberit do të kishte sukses. Dhe pikërisht për këtë a sye, pejgamberi i fundit nuk u dërgua nga jehudët, por nga një popull tjetër, nga populli arab. 
Transferimi i dërgimit të Shpalljes hyjnore nga jehudët tek arabët, që u kurorëzua me dërgimin e pejgamberit të fundit Muhamedit a.s., është edhe urtësia e këtij ajeti, i cili sinjalizon qartë një gjë të tillë: “Thuaj;”O Allah, Sundues i çdo sendi, Ti ia jep pushtetin atij që do, Ti ia heq prej dore pushtetin atij që do, e lartëson atë që do dhe e përul atë që do.”(1) 
E vërteta absolute e theksuar në ajet,që vërteton se Allahu është Sundues i çdo sendi, ia jep dhe ia merr pushtetin kujt të dojë dhe si të dojë. Kjo theksohet pas një polemike të gjerë në mes Kuranit dhe pabesimtarëve, kur një pjesë nga ithtarët e librit ishin larguar nga zbatimi i dispozitave hyjnore, e më pas u thirrën që ndërmjet tyre të gjykojë libri i Allahut, dhe atëherë një pjesë e tyre kundërshtuan dhe refuzuan. Këtë e bënë duke spekuluar se ata ishin bijtë e Zotit dhe të dashurit e Tij, dhe se zjarri nuk do t’i digjte përveçse disa ditë të numëruara. Mundësia e zgjedhjes në mes udhëzimit të Zotit dhe pasioneve të tyre, ishte pa dyshim mëshirë nga Krijuesi për ta, mirëpo ata zgjodhën pasionet e tyre dhe kundërshtuan e mohuan dispozitat hyjnore, ndaj edhe u ndëshkuan. 


Shkaku i zbritjes së këtyre ajeteve 


Ibni Abasi dhe Enes bin Maliku thonë: “Pasi çliroi Mekën, Muhamedi a.s. u premtoi myslimanëve pushtetin e persianëve dhe romakëve (çlirimin e tyre dhe marrjen e pushtetit të tyre, të cilët në atë kohë ishin superfuqi botërore). Me këtë rast hipokritët dhe jehudët thanë: E pamundur! E pamundur! Prej nga Muhamedit pushteti i persianëve dhe i romakëve, të cilët janë më të fuqishëm?! A nuk i mjaftojnë Muhamedit, Meka dhe Medina, pa të lakmojë - të synojë edhe pushtetin e persianëve dhe romakëve? Atëherë, Allahu xh.sh. zbriti ajetin; “Thuaj: O Allah, Sundues i çdo sendi, Ti ia jep pushtetin atij që do, Ti ia heq prej dore pushtetin atij që do.....”(2) 
Transmeton Ibn Ebi Hatim nga Katadeja të ketë thënë: “Muhamedi a.s. i qe lutur Allahut të Madhërishëm që pushtetin e persianëve dhe romakëve ta kalonte në duart e myslimanëve, andaj edhe zbriti ajeti: ”Thuaj; O Allah Sundues i çdo sendi......”(3) 
Gjithashtu, transmetohet nga babai i Abdullah bin Amr bin Avfit, të cilit i kishte rrëfyer babai i tij ngjarjen e hapjes së Hendekut përreth Medinës, gjatë luftës së Ahzabit – Hendekut, kur myslimanët gjatë hapjes së hendekut kishin hasur në një gur, të cilin nuk kishin mundur ta thyenin dot, andaj kishin lajmëruar Muhamedin a.s., i cili personalisht paskësh marrë në dorë kazmën dhe e kishte copëtuar gurin me tri goditje; gjatë këtij veprimeve Xhibrili a.s. i kishte zbritur premtimin e Zotit xh.sh. për marrjen në dorë nga myslimanët të pushtetit të persianëve e romakëve dhe pallatet e Sanasë në Jemen. Me këtë rast, Muhamedi a.s. u dha myzhde myslimanëve se së shpejti do të kishin në dorë pushtetin e atyre vendeve (do t’i çlironin ato), derisa hipokritët patën thënë: A nuk ju pëlqen? Ju premton diçka të kotë e të pamundur....., dhe zbriti ajeti: ”Thuaj: O Allah, Sundues i çdo sendi, Ti ia jep pushtetin atij që do, Ti ia heq prej dore pushtetin atij që do.....”(4)


Komentimi i ajeteve 


“Thuaj: “O Allah, Sundues i çdo sendi, Ti ia jep pushtetin atij që do, Ti ia heq prej dore pushtetin atij që do, e lartëson atë që do dhe e përul atë që do. Çdo e mirë është vetëm në dorën Tënde, vërtet, Ti ke mundësi për çdo gjë!”. Thuaj o Muhamed a.s. dhe ju o besimtarë: ”O Allah, Sundues i çdo sendi...”, si falënderim, mirënjohje dhe mbështetje vetëm tek Krijuesi absolut, që d.m.th. vetëm Ty, o Allah, Të takon pushteti dhe sundimi ndaj çdo gjëje absolutisht në tërësi. Qartë u bëhet thirrje Muhamedit a.s. dhe besimtarëve që të jenë falënderues dhe mirënjohës ndaj Zotit Fuqiplotë, ngase Ai ndërroi adresën e dërgimit të pejgamberëve, nga jehudët (të cilët u treguan shumë refuzues) tek një popull tjetër – tek arabët, në mënyrë që misioni hyjnor të ketë sukses, dhe e dërgoi Muhamedin a.s. si të dërguar të fundit tek njerëzit dhe xhindët. Ky pejgamber veçohej nga të gjithë njerëzit për tipare shumë të larta morale dhe njerëzore, por në të njëjtën kohë Zoti xh.sh., atij i dha edhe shumë specifika e veçori që nuk i patën pejgamberët e mëparshëm dhe popujt e tyre, si; veçori që lidhen me Sheriatin, dijen mbi Krijuesin, mbi të vërtetat e botës tjetër, njohuri mbi shumë sekrete (gajbe), si dhe e bëri ymetin e tij – myslimanët, të përhapur në të gjithë rruzullin tokësor, kurse fenë islame triumfuese ndaj të gjitha besimeve të kota dhe ligjeve njerëzore, prandaj i Madhërishmi tha: “Thuaj; ”O Allah, Sundues i çdo sendi.....”. D.m.th., Allahu xh.sh. vepron me krijesat e Tij ashtu si dëshiron, në bazë të vullnetit Tij, duke u mbështetur gjithnjë në drejtësinë absolute të ligjeve Tij të përkryera. Ja se si u përgjigjet Allahu xh.sh. atyre që gjykojnë gabimi sht rreth vendimeve të Tij: “Pastaj thanë: ”Përse të mos i ketë zbritur ky Kuran një njeriu të madh nga dy qytete? Ndërsa, Allahu xh.sh. u përgjigjet: ”A thua ata e përcaktojnë mëshirën (pejgamberllëkun) e Zotit tënd?” (kaptina Ez-Zuhruf, 31-32) 
Krijuesi Fuqiplotë në këtë mënyrë dëshmon se Ai vepron e gjykon si të dojë me krijesat pa asnjë pengesë apo shkas, dhe gjithnjë me drejtësi, urtësi dhe arsye në çdo çështje, ndaj edhe pejgamberllëkun ia jep atij që do, kur thotë: ”Më së miri Allahu e di ku ta vërë dërgesën (pejgamberllëkun) e Vet” (El-En’am, 124), si dhe ajeti tjetër: ”Shiko se si Ne i kemi dalluar disa prej të tjerëve” (El Israë, 21)(5) 
Zoti i Madhërishëm ua merr pushtetin personave ose popujve për shkak të padrejtësive, zullumit dhe sundimit tyre të keq, siç ndodhi edhe me jehudët, të cilëve Zoti xh.sh. ua mori pushtetin dhe pejgamberllëkun pikërisht për këtë shkak. Jehudët përgënjeshtruan faktet e Allahut dhe u treguan refuzues të hapur, ndaj edhe Allahu xh.sh. ua mori këto të mira në bazë të ligjeve Tij që zbatohen ndër njerëz; ”(Ky është) ligj i Allahut edhe ndër ata që ishin më parë, e në ligjin e Allahut nuk mund të gjesh ndryshim” (El-Ahzab, 62)(6) 
Në këtë mënyrë u bëhet thirrje besimtarëve që të shprehin të vërtetën absolute mbi Krijuesin, se vetëm Ai ka krijuar gjithësinë në tërësi dhe se vetëm Ai drejton dhe mbikëqyr atë. Në këtë gjithësi hyjnë edhe njerëzit, dhe Zoti xh.sh. ka sundim absolut ndaj tyre, duke zbatuar ligjet e Tij funksionale të mbështetura vetëm në drejtësi absolute. Derisa Allahu xh.sh. është i Vetmi Sundues dhe posedues i vërtetë ndaj çdo gjëje, atëherë askush nga njerëzit nuk ka të drejtë që, sipas pasioneve të tij, ta keqpërdorë pushtetin që i ka dhënë Krijuesi, dhe nëse ndodh kjo atëherë doemos Zoti xh.sh. ia merr atij pushtetin dhe ia jep dikujt tjetër, si ndëshkim në këtë botë, dhe gjithashtu në botën tjetër ai do të ndëshko het për atë keqpërdorim.(7) 
Posedues i vërtetë i çdo sendi në gjithësi është vetëm Allahu xh.sh., kurse njeriu është vetëm shfrytëzues i begative të Krijuesit, dhe varësisht nga falënderimi apo keqpërdorimi ndaj pushtetit nga ana e njerëzve, Krijuesi ua jep a ua merr pushtetin. Nëse disa nga njerëzit keqpërdorojnë dhe devijojnë, atëherë Krijuesi i jep pushtet mbi ta ndonjë mizori, për se tha: ”Po ashtu (sikur u dhamë xhinëve dhe njerëzve përjetim), Ne i bëjmë sundues disa mizorë mbi mizorët e tjerë për shkak të asaj që fituan (vepruan)”. (El En’am, 129) 
Allahu Fuqiplotë është i vetmi posedues i vërtetë ndaj çdo gjëje, ngase do të vijë një ditë kur askush nga njerëzit dhe krijesat e tjera nuk do të ketë kurrfarë pushteti, pasurie a diçka tjetër, dhe gjithçka do të jetë nën sundimin dhe pushtetin absolut të Krijuesit, për se thotë: ”Ai (Allahu) është i pozitës më të lartë, i zoti i Arshit; Ai me urdhrin e Vet ia sjell shpirtin (shpalljen) atij që do nga robërit e Vet, për t’ua tërhequr vërejtjen ndaj ditës së takimit (të kiametit). Ditës kur ata do të dalin (prej varrezave) në shesh, e Allahut nuk mund t’i fshihet asnjë gjë e tyre. I kujt është pushteti sot? (bëhet pyetja). I Allahut, i Atij që është Një, i Fuqiplotit (është përgjigjja)! (El-Gafir, 15-16).(8) 
Pjesa e ajetit: ”Ti ia heq prej dore pushtetin atij që do”, na shtyn të pyesim: Ç’është kjo heqje dore e pushtetit? Kjo nënkupton heqjen e pushtetit të fuqishëm të dikujt, ngase mbretërit – pushtetarët, si zakonisht, janë të lidhur fort për postet e tyre, dhe duket sikur janë ngjitur për fronet e tyre. A thua pse? Sepse ata besojnë se pushteti i tyre është fitore e jo përgjegjësi, dhe derisa janë të tillë, ata sundojnë pa përgjegjësi, angazhim, përpjekje dhe pa kujdes ndaj njerëzve. Udhëheqësve të tillë Allahu i Madhërishëm ua merr pushtetin për shkak të papërgjegjësisë dhe keqpërdorimeve të tyre. 
Në vijim të ajetit vërtetohet edhe një e vërtetë tjetër: ”E lartëson atë që do, dhe e përul atë që do”, ngase nga pushteti i pushtetarit apo mbretit nuk përfiton vetëm ai, po përfitojnë edhe bashkëpunëtorët e tij, dhe në shumë raste ata janë protagonistë kryesorë të të gjitha vendimeve. Ata fshihen mbrapa perdeve dhe hijes së kryetarit, dhe udhëheqin shtetin si të duan dhe sipas pasioneve të tyre, duke gëzuar, përveç vendimmarrjes, edhe pasuri e autoritet, ndaj pa dyshim, kur Allahu xh.sh. ia merr pushtetin atij kryetari a mbreti mizor, nuk e përul dhe nënçmon vetëm atë, por edhe bashkëpunëtorët e tij, sepse ishin zullumqarë e mizorë, dhe ata dalin në shesh dhe zbulohen para opinionit, njësoj sikur e shohim edhe në kohën tonë. Ndërsa ata të cilëve u ishte bërë padrejtësi dhe ishin të devotshëm, Zoti xh.sh. i lartëson dhe triumfon. Nga kjo rezulton se pas pjesës së ajetit: ”Ti ia jep pushtetin atij që do, Ti ia heq prej dore pushtetin atij që do”, doemos pasoi fjala vijuese: ”e lartëson atë që do, dhe e përul atë që do”. 
Dikush thotë: Dhënia e pushtetit dikujt është gjë e mirë, kurse heqja e pushtetit nga dora e dikujt është gjë e keqe. Këtyre ne u përgjigjemi: Me të vërtet heqja e pushtetit nga dora e dikujt është gjë jo e mirë në sytë e tyre, por është e mirë për ata që e marrin pushtetin, mirëpo, në të njëjtën kohë, heqja e pushtetit nga dora e mizorëve, është gjë shumë e mirë jo vetëm për popullin, por edhe për vetë mizorët, sepse në këtë mënyrë Zoti xh.sh. po u zvogëlon atyre shanset për të vazhduar me padrejtësi dhe mizori ndaj njerëzve të tjerë, dhe të tillët, nëse tregohen të mençur për ta kuptuar këtë mirësi ndaj tyre, do ta shfrytëzojnë për t’u penduar dhe për t’u kthyer në rrugën e vërtetë. Kështu, pasimi i dhënies së pushtetit me “lartësim”, e i heqjes së pushtetit me “përulje dhe nënçmim”, është gjë e mirë dhe në të mirën e njerëzve, ndaj edhe në vijim të ajetit thuhet: ”Çdo e mirë është vetëm në dorën Tënde, vërtet, Ti ke mundësi për çdo gjë!”(9) 
Krijuesi Fuqiplotë ka mundësi absolute t’i japë pushtet kujt të dojë dhe t’i heq prej dore kujt të dojë atë, vetëm me imperativin “bëhu” dhe bëhet, duke mos u varur nga kurrfarë shkaku i jashtëm, derisa njerëzit për të arritur në pushtet, duhet të bëjnë shumë veprime përgatitore, dhe në shumë raste ata përdorin rrugën e grushteve e mjete të dhunshme. 
Në vijim, për të vërtetuar fjalën e Tij: ”Vërtet, Ti ke mundësi për çdo gjë!”, Allahu xh.sh. vazhdon të paraqesë argumente të fuqisë dhe madhështisë së Tij absolute, për se thotë: 
“Ti e fut natën në ditë dhe Ti e fut ditën në natë, Ti nxjerr nga i vdekuri të gjallin dhe nga i gjalli të vdekurin dhe Ti e begaton pa masë atë që do!” 
Ky ajet ka lidhshmëri të ngushtë me ajetin paraprak, sepse, përderisa Allahu xh.sh. ka mundësi të fusë natën në ditë e ditën në natë, të nxjerrë nga i vdekuri të gjallin dhe nga i gjalli të vdekurin e të begatojë pa masë atë që do, pa dyshim që ky Allah ka mundësi absolute edhe ndaj çdo gjëje tjetër në gjithësi, si: t’i japë pushtet atij që do; t’i heqë pushtetin nga dora atij që do; ta lartësoj atë që do, dhe ta përulë atë që do.(10) 
A nuk është nga argumentet e fuqisë dhe madhështisë së Allahut xh.sh., futja e ditës në natë dhe e natës në ditë? A nuk është nga argumentet e fuqisë dhe ma dhështisë së Tij, nxjerrja e të gjallit nga i vdekuri dhe i të vdekurit nga i gjalli? Pa dyshim dhe bindshëm kjo vërteton fuqinë dhe madhështinë absolute të Krijuesit ndaj çdo sendi në gjithësi. 
Allahu i Madhërishëm nuk e ka bërë përgjithnjë të njëjtë kohëzgjatjen e ditës a të natës, por Ai e ka bërë nganjëherë natën më të shkurtër se dita për disa orë, dhe ditën e ka bërë nganjëherë më të shkurtër se nata për disa orë. Por, a thua zgjatja apo shkurtimi i ditës dhe natës bëhet përnjëherë dhe në mënyrë të befasishme për ne? Sigurisht që jo! Veçse kjo ndodh në mënyrë të ngadalshme dhe shumë të saktë, saqë ne, me shqisat tona, thuajse nuk e vërejmë fare. Këtë dukuri interesante e hasim edhe tek njerëzit, bimët dhe shtazët, si: Fëmija i vogël nuk rritet përnjëherë që nga mëngjesi deri në mbrëmje, por ai gjatë këtij intervali kohor rritet në mënyrë shumë të ngadalshme, dhe këtë, me shqisat tona, nuk mund ta vërejmë fare. Ai rritet brenda ditës për një masë shumë të vogël të milimetrit, e cila është e ndarë përgjatë kalimit të të gjithë sekondave brenda ditës, prandaj ky proces ka nevojë për një saktësi në shkallë shumë të lartë, një mundësi që e ka vetëm Allahu me Fuqinë e Tij absolute, kurse njeriu mbetet i paaftë për një gjë të tillë përgjithmonë. Nëse ndonjë prind mundohet që të ndjek me sy rritën dhe zhvillimin e fëmijës, ai këtë gjë nuk do të mund ta arrijë, mirëpo nëse nuk e ka parë fëmijën e tij të vogël për disa muaj apo vite, kur të kthehet, do të vërejë ndryshim në rritën dhe zhvillimin e tij. Njësoj ndodh edhe kur njeriu mbjell ndonjë bimë dhe nga kureshtja ulet pranë saj dhe e shikon, - ai nuk do të vërejë zhvillimin e saj. Kështu, edhe Allahu xh.sh., me futjen e natës në ditë dhe të ditës në natë, ka tërhequr vëmendjen e njerëzve se në mes tyre nuk ka vijë ndarëse, e cila të përcaktojë kufirin apo kohëzgjatjen e tyre, dhe as ndryshimin e tyre përnjëherë dhe befas, por Krijuesi me fuqinë e Tij absolute me saktësinë shumë të madhe, ka sistemuar gradualisht futjen e natës në ditë dhe të ditës në natë. 
Në vijim të ajetit Zoti xh.sh. vazhdon të paraqesë argumente të tjera të fuqisë dhe madhështisë së Tij, ndaj sjell edhe një shembull tjetër: ”Ti nxjerr nga i vdekuri të gjallin dhe nga i gjalli të vdekurin”. 
Kjo sinjalizon fuqinë e Krijuesit se Ai është që nxjerr nga fara drithin, e nga drithi farën, nga bërthama hurmën, e nga hurma bërthamën, besimtarin nga pabesimtari, e pabesimtarin nga besimtari, pulën nga veja e venë nga pula, e kështu nga të gjitha llojet e krijesave dhe bimëve në përgjithësi. Shkencat bashkëkohore kanë vërtetuar se çdo send ka një lloj jete në vete. Ne vërejmë se si në gjethet e bimëve ndodhin reaksione dhe lëvizje të ndryshme, apo në kallirin e grurit, në drurin e hurmës, në të mbjellat e drithit e të tjera si këto, ku reaksionet që ndodhin tek to vërtetojnë se ato kanë një gjallëri – një lloj jete dhe mision të caktuar, andaj Kurani famëlartë i ka sjellë këta shembuj që theksuam, por edhe shumë të tjerë, për të argumentuar fuqinë dhe madhështinë e Krijuesit. Nëse vështrojmë Kuranin, do të vërejmë se fjala “jetë” është e kundërta e asaj “vdekje”, por në shumë raste, në vend të shprehjes vdekje është përdorur shprehja “shkatërrim”, si: ”E të shkatërrojë me argument atë që u shkatërrua, dhe ta bëjë të jetojë me argumente atë që jetoi. Allahu vërtet dëgjon e di” (El-Enfal, 42). Shkatërrimi i theksuar në këtë ajet, është e kundërta e jetës, po a thua pse Allahu xh.sh. nuk përdori këtu shprehjen “vdekje”? Sepse, Krijuesi është më i ditur absolutisht sesa krijesat dhe e dinë se njerëzit kanë mendime të kundërta e të ndryshme rreth çështjes së vdekjes: disa prej tyre mendojnë se i vdekur është ai tek i cili nuk ka lëvizje, ndjenja e zhvillim, mirëpo në të vërtetë ky i vdekur ka një lloj jete, si: kalliri i grurit, fara e të mbjellave dhe bimëve etj. Gjithashtu, kur Allahu xh.sh. sqaron se ç’do të ndodhë në ditën e Kiametit, thotë: ”Çdo send zhduket e Ai jo” (El-Kasas, 88). Me këtë Zoti xh.sh. vërteton se çdo gjë do të zhduket e të shkatërrohet, përveç Allahut, dhe derisa thuhet “çdo send zhduket – shkatërrohet”, kjo nënkupton se çdo gjë në gjithësi ka pasur jetë (gjallëri) edhe në qoftë se ne nuk e kuptojmë apo nuk e vërejmë atë.(11) 
Me argumentimin e fuqisë dhe madhështisë së Krijuesit nëpërmjet futjes së natës në ditë e të ditës në natë, nxjerrjes së të vdekurit nga i gjalli e të të gjallit nga i vdekuri, vërtetohet qartë e bindshëm se, me dhënien e pushtetit atij që do, apo heqjen e pushtetit nga ai që do, dhe me lartësimin a përuljen e atyre që do, - e tëra kjo është në të mirën e njerëzve, edhe pse shumica e tyre nuk e kuptojnë. Nëse prindi vëren tek fëmija i tij ndonjë sëmundje, ai vrapon me të shpejtë dhe e dërgon tek mjeku, duke kërkuar nga ai që me të gjitha mundësitë ta shërojë. Me këtë rast prindi ka vepruar mirë me fëmijën e tij, dhe nëse ndodh kjo në raportet krijesë – krijesë, atëherë imagjinoni raportin Krijues – krijesë! Ky Krijues (Allahu xh.sh.) është shumë fisnik, i butë dhe i mëshirshëm, dhe në çdo veprim të Tij është i mirë dhe në të mirën e njerëzve. 
Nëse shumë njerëz nuk tërheqin vëmendjen e tyre për çështjen e futjes së natës në ditë dhe ditës në natë, dhe as nxjerrjen e të vdekurit nga i gjalli, e të të gjallit nga i vdekuri, - kur është çështja e furnizimit (rrëskut), çdo njeri është doemos i lidhur me të, ndaj për këtë arsye në vijim të ajetit thuhet: ”dhe Ti e begaton pa masë atë që do!” 
Mbështetur në këtë, natyrshëm çdo mendje e shëndoshë arrin të kuptojë dhe të bindet për të vërtetën absolute të Krijuesit, planifikuesit dhe shpikësit të çdo sendi në gjithësi, furnizuesit të vetëm të çdo krijese dhe poseduesit të vërtetë të çdo gjëje në ekzistencë, Allahut xh.sh., i Cili mbikëqyr dhe kujdeset për krijesat dhe gjithësinë, dhe sistemon çdo çështje të njerëzve me drejtësi dhe në të mirën e tyre. Begatimi pa masë, do të thotë se Allahu xh.sh. nuk i furnizon njerëzit vetëm aq sa punojnë dhe angazhohen, por nganjëherë edhe më tepër. Këtë lloj të furnizimit njeriu nuk e planifikon fare, si: bujku, kur mbjell grurin, planifikon rendimentet e tij kaq ose aq, mirëpo në fund i gjen ato rendimente edhe më shumë dhe jashtë planifikimeve të tij, dhe ky është furnizimi pa masë nga ana e Krijuesit. 
Furnizimi pa masë përfshin edhe pasuritë e tjera, si: naftën dhe derivatet e saj, xehet e ndryshme, e të ngjashme, të cilat njeriu i gjen të gatshme ose me shumë pak angazhim. Pra, pjesa e ajetit: ”Ti e begaton pa masë atë që do”, nënkupton fuqinë absolute të Allahut në begatimin e furnizimin pa kufi të njerëzve, përmbi përpjekjet, angazhimet dhe punët e tyre. Derisa Krijuesi është i tillë, sundues i çdo sendi, ia jep apo merr pushtetin atij që do, e lartëson apo përul atë që do, e fut natën në ditë e ditën në natë, nxjerr të vdekurin nga i gjalli dhe të gjallin nga i vdekuri dhe begaton atë që do pa masë, - atëherë, ky Krijues – Allahu xh.sh., ka fuqi absolute edhe ndaj çdo sendi në gjithësi dhe, si i tillë, vetëm Ai meriton të adhurohet. A nuk janë këto disa nga argumentet e fuqisë dhe madhështisë absolute të Allahut?! Patjetër se po. 
Transmetohet nga Ibni Abasi se Muhamedi a.s ka thënë: ”Emri më madhështor i Allahut, me të cilin nëse bëhet lutje ajo pranohet, është në këtë ajet”; ”Thuaj: O Allah, Sundues i çdo sendi, Ti ia jep pushtetin atij që do, Ti ia heq prej dore pushtetin atij që do, e lartëson atë që do dhe e përul atë që do...”(12)


 


_________________ 
Fusnotat: 
1. Muhamed El-Gazali, Nahve Tefsir Mevduijj lisuveril El-Kuran El-Kerim, faqe 29, viti i bot. 2000, Kajro. 
2. Imam Nisaburi, Esbabu En-Nuzul, faqe 86, viti i bot. 1996, Kajro. 
3. Tefsir El-Xhelalejni, Xhelaluddin El-Mehal-li, – Xhelaludin Es-Sujuti, faqe 140, viti i bot. 1995, Damask. 
4. Imam Nisaburi, Esbabu En-Nuzul, faqe 87-88 
5. Ibën Kethiri, Tefsir El-Kuran El-Adhim, vëll. i parë, faqe 356, pa vit botimi, Kajro. 
6. Muhamed Mahmud Hixhazi, Tefsir El -Vadih, vëll. i parë, faqe 221, viti i bot. 1992, Kajro. 
7. Sejjid Kutub, Fi Dhilalil Kuran, vëll. i parë, faqe 384, viti i bot. 1996, Kajro.
8. Tefsiri i Muhamed Muteveli Sharavit, vëll. i tretë, faqe 1394-1396, pa vit botimi, Kajro. 
9. Po aty, faqe 1399-1400. 
10. Tefsir El-Bejdavi, Envaru Et-Tenzil ve Esraru Et-Te’vil, vëll. i parë, faqe 154, viti i bot. 1999, Bejrut. 
11. Tefsiri i Muteveli Sharavit, faqe 1405-1406. 
12. Tefsiri i Ibën Kethirit, faqe 356.


 


Dituria Islame  201