Kaloi në botën e amshueshme imami veteran i "Dukagjinit", Mulla Smajl efendi Januzi


“Shërbeu si imam mbi gjysmë shekulli në fshatrat e Dushkajës”. 



Prejardhja familjare



Mulla Smajli lindi më 01.12.1935 në fshatin Radoniq, Komuna e Gjakovës, nga nëna Xhemilja dhe babai Haxhi Mulla Ahmet efendi Januzi. Familja e tij kishte ardhur nga Krahina e Bytyqit, Malësia e Gjakovës.


Ky fshat kishte edhe xhaminë e vet, e cila kishte filluar të ndërtohej në vitin 1830.   


Ndërtimi kishte zgjatur dy vjet, d.m.th., kishte përfunduar së ndërtuari në vitin 1832. Xhamia në fjalë nuk kishte minare. Imami i kësaj xhamie kishte qenë Mulla Januzi, i cili njëherit kishte qenë edhe iniciator për ndërtimin e saj. Ndërsa trualli ku ishte ndërtuar xhamia ishte pronë e familjes Cenaj të këtij fshati. Kjo familje, kryesisht e kishte ndihmuar ndërtimin e xhamisë. Familja, e cila sot jeton në Pejë, i posedon edhe tapitë (otomane) të xhamisë. Pas tij vjen i biri Mulla Hasan ef.Januzi, të cilin, në atë kohë e kishin arrestuar malazezët, me pretekst të posedimit të armëve, bashkë me disa xhematlinj, pas torturave, mundimeve dhe rrahjeve i kanë sjell në Gjakovë dhe te fabrika e tjegullave – saktësisht te vendi i quajtur “Shllaku”), i kanë pushkatuar. Më pas vjen djali tjetër i tij Mulla Ahmet ef.Januzi, deri në vitin 1965. Pas tij vjen djali i tij Mulla Ismajl ef.Januzi.  
Mulla Ahmeti ishte fëmija e katër i Mulla Januzit, prej djemve, ku prej tyre njeri  kishte qenë hoxhë, Haxhi Mulla Ahmet efendi Januzi, ishte burrë i urtë, i ditur, i ndritur, shumë i matur dhe me sjellje shembullore. Për këto cilësi, të gjithë e donin dhe e respektonin. 


 
Shkollimi 



Mulla Smajli mësimet e para fetare i mori nga babai i tij Mulla Ahmeti, kurse katër vjet të shkollës fillore (në vitin 1950) i kreu ne vendin e lindjes, në fshatin Radoniq, për të vazhduar më pastaj (në vitin 1954) edhe katër vite në Medresenë e Ulet “Alauddin” në Prishtinë, e pastaj edhe katër vite ka vazhduar vetëm lëndët fetare dhe gjuhë shqipe, dhe ne vitin 1958 e merr ixhazetin – diplomën për imam. Kjo ishte gjenerata  e pare pas luftës së dytë botërore. 
 


Punësimi 



Në vitin 1959 emërohet në punët dhe detyrat e imamit, hatibit (predikues) dhe mualimit (mësues), ne fshatin Radoniq. Këtë  detyrë vazhdon ta kryej deri ne vitin 1985, kur xhamia mbyllet për shkak të ndërtimit të basenit artificial akumulues. Xhamia e Radoniqit ka përfshi këto fshatra: Ratkoc, Palabardh dhe Zhdrellë. Xhamia dhe prona e saj janë eksproporuar nga ana e Kuvendit Komunal të Gjakovës, prandaj u dhesh të gjendet një vend tjetër i përshtatshëm, për ndërtimin e xhamisë së re. 
Mjetet financiare që u dhanë në emër të eksproporimit të xhamisë së Radoniqit, që do të përmbytej, në bazë të vendimit të Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës dhe pëlqimit të xhematlinjve të territorit të kësaj xhamie, u vendos që xhamia e re të ndërtohet në fshatin Shqiponjë – ish Jabllanicë të Dushkajës. 
Xhamia e re filloi të ndërtohet në vitin 1986 dhe ka përfunduar në vitin 1988. Kjo xhami ka përfshi këto fshatra: Zhabel, Bardhaniq dhe Maznik. Pas inaugurimit te xhamisë së re në fshatin Jabllanicë, Mulla Smajli vazhdon punën si imam i rregullt. Pas luftës së fundit Mulla Smajli e kishte edhe fshatin Deve. Gjatë luftës 1998-99 kjo xhami ishte dëmtuar pjesërisht dhe është rinovuar nga një shoqatë Amerikane. Pos renovimit është ndërtuar minarja prej themelit dhe janë shtuar tre kupola të vogla, është ndërtuar shatërvani, është hapur bunari dhe është instaluar ujësjellësi. 
Ne vitin 2000, mulla Smajli pensionohet, sipas ligjit, mirëpo hoxha edhe pas pensionit ka vazhduar ta kryej detyrën e imamit, deri në vitin 2015, ku për shkak të moshës tërhiqet përfundimisht nga detyra e imamit, ku shërbeu më shumë se gjysmë shekulli. 
Mulla Smajli ishte një personalitet i  jashtëzakonshëm. Kur e shihje nga larg, të rrëmbente me pamjen e tij burrnore. Ajo çka e bënte madhështor këtë plak bujar dhe tejet pedant, ishte shpirti i tij fisnik dhe vullneti i tij për të respektuar dhe nderuar të gjitha moshat.  Ndoshta nuk kishte dije teorike të ekzagjeruar qysh sot kanë shumë nga të diplomuarit në universitetet e mëdha prestigjioze ndërkombëtare, por praktikën dhe shëmbëlltyrën e kishte pejgamberike – e cila s’merret me diplomë, por me rrisk nga Zoti i Gjithësisë. 
Mulla Smajli ka qenë shëmbëlltyrë e një besimtari të vërtetë, myslimani të çiltër, burrit t’madh, patrioti të patrembur,  
Mulla Smajli la pas vetit  pesë fëmijë: djemtë Faikun, Fariun, Feimin, Fehmiun dhe vajzen Fatimren.  
Ishte i përpiktë, korrekt dhe i sinqerte në punët dhe detyrat e imamit. Ndërsa i pa kompromis ne çështjet fetare. 
Mulla Smalji ndërroi jete me 08 prill 2024, varrimi i tij është bërë në varrezat e fshatit Osek Hile. Ne varrim morën pjese stafi i imamëve të KBI-së në Gjakovë, në krye me kryetarin Dr.Valon ef.Myrta, imam nga komunat tjera te Kosovës, si dhe një numër i madh i xhematlinjëve nga Dushkaja dhe fshatrat tjera të Dukagjinit, e më gjerë. 
Namazin e xhenazes ia fali Mulla Rasim efendi Bytyqi, nga Deçani, ish kryetar i KBI-së në Deçan. 



E lusim Allahun xh.xh. që hoxhën e nderuar ta marr në rahmetin e Tij dhe ta shpërblej me Xhennetin Firdevs. Amin!  


 


Esat Rexha


Nuk ka artikull pas ketij.