Myftiu mendjendritur i Tetovës Aqif efendi Sadiku nga Përshefca

Aqif efendi Sadiku ka lindur në vitin 1906 në fshatin Përshevcë të Tetovës. Mësimet e para fetare i ka marrë pranë Hasan efendi Rexhepit në medresenë e fshatit Përshevcë, ndërsa më pas është regjistruar në medresenë e Idriz efendi Muharemit në Tetovë.

Aqif efendiu, krahas Idriz efendiut, rregullisht e ka vizituar edhe medresenë e Bedaet efendi Jusufit në xhaminë e Çarshisë së Epërme. Pas përfundimit të medresesë, myderrizi/profesori i tij Idriz efendiu e ka ndalur si asistent në medresenë e tij, ndërsa më vonë, pasi që bashkërisht e kanë hapur medresenë Sinanijje në Tetovë, ai ka qenë një prej myderrizëve të kësaj medreseje. Krahas kësaj ai ka shërbyer edhe si vaiz/ligjërues në fshatin Nerasht të Tetovës tre dekada me radhë.
Aqif efendiu në vitin 1953 është emëruar si myfti i Tetovës. Periudha kur ai u emërua si myfti ishte shumë e vështirë dhe me sfida të mëdha. Ishin vitet e presionit të madh ndaj fesë dhe fetarisë nga ana e pushtetit komunist dhe periudha e shpërnguljeve të mëdha të myslimanëve të hapësirave tona për në Turqi. Aqif efendiu, maksimalisht, është përpjekur për ta penguar zbrazjen e trojeve tona dhe shpërnguljen e myslimanëve për në Turqi. Gjithashtu është përpjekur me tërë forcën që kishte për organizimin sistematik të jetës fetare në rajonin e Tetovës. I ka motivuar familjet tetovare dhe të fshatrave përreth që ti dërgojnë fëmijët e tyre në medrese për t’u përgatitur profesionalisht në shkencat fetare. Pikërisht për këtë edhe e ka gjallëruar punën e medresesë Sinanije , prej ku edhe ka nxjerr dy gjenerata të hoxhallarëve.
Aqif efendiu ka qenë, gjithashtu, njëri prej personave kyç me të cilin janë konsultuar tetovarët në lidhje me shumë probleme fetare dhe jetësore. Ai, shpesh, ka qenë i vizituar edhe nga rinia shqiptare e cila ka studiuar asokohe. Para demonstratave të vitit 1968, një grup i të rinjve shqiptarë, e kanë vizituar atë në shtëpinë e tij dhe janë konsultuar me të për mënyrën e veprimit të tyre.
Aqif efendiu ka qenë një ndër autoritetet kryesore fetare në periudhën pas luftës së dytë botërore. Një periudhë e ka udhëhequr edhe Mexhlisin e Ulemave në Republikën e Maqedonisë. Ai ka qenë njohës i mirë disiplinave fetare islame, por njëkohësisht edhe gojëtar i mire dhe si rrjedhojë e kësaj shpesh ka udhëtuar me obligime fetare në viset e ndryshme të ish Jugosllavisë.
Aqif efendiu ka ndërruar jetë në vitin 1969 dhe është varrosur në vendlindjen e tij në fshatin Përshevcë të Tetovës.
Zoti e miqësoftë me të mirët.



Hafiz Metin Izeti


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë