Qetësia dhe pushimi ne namaz

Hyrje

Është e njohur meseleja e qetësisë apo pushimit në namaz (Et Tame'ninetu fis-salat), që nënkupton përkushtimin dhe qetësinë maksimale përgjatë namazit.

Et Tame'ninetu gjuhësisht vjen në kuptim të qetësisë, gjersa në kuptimin sheriatik nënkupton qetësinë e pjesëve trupore, gjersa secila pjesë e trupit të pushon në vendin e vet për aq sa bëhet së paku një madhërim.(1)
Qetësia apo pushimi në namaz kërkohet nga fillimi e deri në fund, mirëpo janë katër vende më specifike në namaz, ku ulemaja e shkollës hanefite kanë potencuar se në ato vende duhet të kemi më tepër kujdes. Kjo vjen si rrjedhojë e lëvizjeve të theksuara të gjymtyrëve të trupit në ato vende, e të cilat janë: Rukuja, ngritja nga rukuja, sexhdeja dhe pushimi mes dy sexhdeve. Kjo mesele ndryshe njihet edhe si ta'dilul erkan, gjegjësisht si pushimi i gjymtyrëve të trupit për aq sa bëhet një madhërim.(2)
Prandaj, për këto katër vende që kërkohet qetësia dhe pushimi do të flas në vijim, ndonëse disa prej tyre e kanë të njëjtin tretman. Megjithatë do t'i përmendi edhe mospajtimet apo mendimet ndryshe brenda shkollës hanefite, në mënyrë që të dihet qëndrimi zyrtar i shkollës hanefite dhe mendimet tjera brenda kësaj shkolle.

Qetësia (pushimi) në ruku e sexhde

Namazi nuk kryhet shkel e shko, por ka dispozita e rregulla të caktuara. Si i tillë, ai duhet të shërbejë si pushim e qetësi, e jo si lodhje e mundim. Prandaj, janë katër vende të caktuara ku ulemaja e mëdhenj kanë polemizuar rreth tyre se çfarë dispozite sheriatike ka pushimi dhe qetësia në ato vende. Nuk ka dyshim se pushimi në ruku e sexhde është shumë më i rëndësishëm se sa në vendet tjera.
Qetësia (pushimi) në namaz sipas Ebu Hanifes dhe Muhamedit është vaxhib, ndërsa sipas Ebu Jusufit është farz, së paku sa një madhërim që bëhet.(3)
Mendimi i Ebu Hanifes dhe Muhamedit është mendim i popullarizuar brenda shkollës hanefite dhe mendim i përzgjedhur në këtë çështje.
Sikurse qetësia, gjegjësisht pushimi në ruku, ashtu edhe në sexhde është e njëjta. Si rrjedhojë kemi mendimin e Ebu Hanifes dhe Muhamedit që mendojnë se qetësia në të është vaxhib, ndërsa Ebu Jusufit që mendon se qetësia në të është farz.
Ebu Hanife dhe Muhamedi kanë argumentuar me ajetin e 77-të, të kaptinës El Haxh: "O ju që besuat, faleni namazin me ruku e sexhde dhe vetëm Zotin tuaj adhuroni ... "(4)
Urdhri për ruku dhe sexhde është i përgjithshëm, urdhëron të bëhet rukuja e sexhdeja. Rukuja nënkuptohet një përkulje, përderisa sexhdeja një rënie dhe ulje. E kur namazfalësi përkulet (në ruku) dhe ulet (në sexhde), atëherë ai veç ka respektuar dhe konkretizuar atë që e nënkupton emërtimi (ruku e sexhde).(5)
Ndërsa Ebu Jusufi argumenton me hadithin e njohur si keqfalësi i namazit, që transmetohet nga Ebu Hurejre: "Na ka treguar Museddedi, i cili ka thënë: Më ka informuar Jahja ibën Seid nga Ubejdilahi, i cili thotë: Na ka treguar Seid el Makburij nga babai i tij, e ky nga Ebu Hurejre, se i Dërguari i Allahut a.s., hyri në xhami. Pastaj hyri një njeri u fal dhe erdhi e përshëndeti të Dërguarin e Allahut. I Dërguari ia ktheu selamin dhe i tha: "Kthehu dhe falu përsëri, sepse ti nuk je falur (siç duhet)!" Ai u fal dhe erdhi tek i Dërguari i Allahut, të cilin e përshëndeti me selam. I Dërguari i Allahut i tha përsëri: "Kthehu dhe falu përsëri, sepse ti nuk je falur (siç duhet)!" Kështu i tha tri herë, ndërsa ai ia ktheu: "Pasha Atë që ty të dërgoi me të vërtetën, nuk di përveç asaj mënyrë (që u fala), prandaj më mëso." I Dërguari i Allahut i tha: "Kur të hysh për namaz, shqiptoje tekbirin, pastaj lexo diç nga Kurani që të
vjen më lehtë, e më pas shko në ruku derisa (gjymtyrët e trupit) të qetësohesh plotësisht, pastaj ngrihu (nga rukuja) derisa të drejtohesh plotësisht e më pas lëshohu për në sexhde derisa të qetësohesh (e të drejtohesh) plotësisht. Ngrihu nga sexhdeja dhe qëndro ulur derisa të drejtohesh plotësisht, e më pas lëshohu prapë për sexhde derisa të qetësohesh (e të drejtohesh) plotësisht, e kështu vepro gjatë tërë namazit."(6)
Nga hadithi i mësipërm, argumentohet kryesisht përmes tri aspekteve:
I pari: I Dërguari i Allahut e urdhëroi atë që të qetësohet e pushon plotësisht, e urdhri i përgjithshëm (përderisa nuk ka ndonjë specifikë) nënkupton obligueshmëri (farz).
I dyti: E urdhëroi atë ta përsëris namazin, e përsëritja nuk bëhet ndryshe, veçse atëherë kur prishet namazi, e prishja e namazit bëhet atëherë kur humb ndonjë ruku-pjesë përbërëse e namazit. Ndaj, i Dërguari i Allahut iu drejtua: "Kthehu dhe falu përsëri, sepse ti nuk je falur (siç duhet)!"
I treti: Personi që falej nuk i dinte veprimet e namazit, disa herë radhazi, andaj i Dërguari i Allahut ia mësoi atij gjërat më të nevojshme për vlefshmërinë e namazit, në mënyrë që t' i lehtësohej atij njohja e atyre gjërave.(7)
Megjithëse ulemaja hanefite e kanë kundërshtuar Ebu Jusufin dhe iu kanë kundërvënë argumenteve të tij, sepse;
(1) Hadithi ku bazohet ai është hadith ahad dhe nuk mund të shfuqizojë Kuranin, mirëpo si i tillë mund të jetë plotësues, andaj urdhri i tij (hadithit) për pushim në namaz e ka normën e vaxhibit.(8)
(2) Urdhri i të Dërguarit për përsëritjen e namazit, nuk është si pasojë e prishjes së namazit, por si pasojë e lënies mangët dhe si qortim që të mos e përsëris më një gjë të tillë, ngase i Dërguari i Allahut veprimin e namazfalësit në fjalë e quajti namaz.
(3) Hadithi që bazohet Ebu Jusufi më tepër është kundër tij se sa argument i tij, ngase i Dërguari i Allahut ia lejoi në të gjitha herët personit në fjalë që ta vazhdoj namazin, e në asnjë mënyrë nuk e urdhëroi ta ndërpresë namazin. E po të mos lejohej ai namaz, atëherë vazhdimi i tij do të ishte i kotë, ngase namazi kur prishet, nuk vazhdohet si i tillë.
Në anën tjetër refuzimi që i Dërguari i Allahut i bëri namazit të personit në fjalë, duke mos e ndërprerë namazin e tij, por duke e urdhëruar që të falej përsëri, ku ai falej dhe vinte prapë te i Dërguari, e ky ia refuzonte faljen dhe e urdhëronte që prapë ta përsëriste, mund të ketë disa mundësi:
E para: Ndoshta njeriu ishte i pakujdesshëm ndaj veprimit të tij apo mund të ketë harruar disa veprime të namazit, andaj i Dërguari i Allahut në mënyrë të përshkallëzuar deshi ta informojë atë dhe ta largojë ai pakujdesinë e tij. Në këtë mënyrë i Dërguari i Allahut mund ta ketë zgjedhur një rrugë mësimi, pa i thënë se vepro kështu e kështu, por përmes refuzimit t' ia kujtoj atij veprimet e namazit.
E dyta: Refuzimi i namazit të tij mund të jetë edhe si shkak i madhështisë së namazit, duke u munduar ta zgjojë mprehtë sinë nga namazfalësi, gjersa kishte kohë nga kalimi i kohës së namazit.(9)
Këto janë vetëm mundësi që përkojnë me mendimin e Ebu Jusufit dhe atyre që kanë të njëjtin mendim si të tij. Sidoqoftë, mendimi i Ebu Hanifes dhe Muhamedit është mendim i përzgjedhur në këtë çështje dhe sipas tij kanë vepruar pjesa dërmuese e dijetarëve.

Qetësia prej ngritjes nga rukuja dhe mes dy sexhdeve

Për dallim nga rukuja dhe sexhdeja ku qetësia në to është vaxhib, gjatë ngritjes prej saj, dhe pushimi mes dy sexhdeve konsiderohen sunet sipas Ebu Hanifes dhe Muhamedit, madje ky mendim konsiderohet mendimi i popullarizuar.
Merginani në lidhje me këtë thotë: " ... Pushimi nga ngritja prej rukusë dhe pushimi mes dy sexhdeve konsiderohet sunet te te dytë (Ebu Hanife dhe Muhamedi).”(10)
Ngjashëm me këtë shprehet edhe autori i "El Bahrurr Rraik", kur thotë: "Pushimi në ngritjen prej rukusë dhe mes dy sexhdeve është sunet tek Ebu Hanife dhe Muhamedi, e kjo është çështje kompaktuale."(11)
Në anën tjetër Ebu Jusufi është i mendimit se qetësia në namaz gjatë ngritjes prej rukusë dhe mes dy sexhdeve është farz. Mendimi i tij në këto dy vende të namazit është i njëjtë sikurse në dy vendet paraprake; rukusë dhe sexhdes. Në këtë kontekst, autori i "El Hidaje", shprehet: "Ebu Jusufi parasheh që në të gjitha këto vende (pushimi) është farz. Opinioni i tij është sikurse opinioni i Shafiut.”(12) Sipas Ebu Jusufit, lënia e ngritjes prej rukusë apo pushimi mes dy sexhdeve, e prish namazin, për dallim nga Ebu Hanife dhe Muhamedi.(13)
Përveç këtyre, dy mendimeve që i përmendëm; atij zyrtar e të popullarizuar ku pushimi në këto dy vende është sunet e që njëherësh është mendim i Ebu Hanifes dhe nxënësit të tij Muhamedit dhe shumë juristëve tjerë hanefit, dhe mendimi tjetër që pushimin në këto dy vende e sheh si farz-obligim të domosdoshëm.
Në anën tjetër kemi një mendim të tretë që konsiderohet si mendim mesatar mes dy mendimeve paraprake. Përfaqësuesit e këtij mendimi pushimin në vendet për të cilat po flasim e shohin si vaxhib. Të këtij mendimi janë një pjesë jo edhe aq e vogël e dijetarëve të mëvonshëm hanefit, me theks të veçantë juristët e mëvonshëm hanefitë si Ibën Humami.(14) nxënësi i tij Ibën Emir Haxh, Ibën Nuxhejmi(15) dhe Ibën Abidini.(16) Pra, kemi plejadën e juristëve të mëvonshëm hanefitë që mendojnë se pushimi, gjegjësisht qetësia në pozitën kur namazfalësi ngritët nga rukuja dhe pushimi mes dy sexhdeve është vaxhib.
Edhe Kerhi është i këtij mendimi dhe sipas tij nëse namazfalësi pa qëllim nuk e bën pushimin e kërkuar, atëherë ai duhet të bëjë dy sexhde për shkak të harresës sehvi sexhde.(17) E Ibën Nuxhejmi në lidhje me këtë thotë: "Po që se ai (namazfalësi) e lë atë (pushimin), atëherë një veprim i tillë konsiderohet skajshmërisht i papëlqyer dhe personit të tillë i detyrohet përsëritja e namazit."(18) Kadi Han në "Fetava-t" e tij kur flet për gjërat që e obligojnë sexhden e harresës, thotë: "Namazfalësi kur bën rukunë dhe nuk e ngrit kokën nga rukuja, gjersa shkon në sexhde dhe ka harruar (ngritjen prej rukusë), namazi i tij është në rregull sipas Ebu Hanifes dhe Muhamedit, ndërsa sipas Ebu Jusufit duhet të bëjë sexhde për shkak të harresës."(19)
Nga këtu na bëhet e qartë se në çështjen e ngritjes prej rukusë dhe mes dy sexhdeve, brenda shkollës hanefite kemi tre mendime të njohura;
(1) opinionin zyrtar të shkollës hanefite që është më i popullarizuar se dy opinionet tjera, ku pushimi në këto dy vende është sunet dhe si i tillë nuk ka fuqi juridike që ta zhvlerësojë namazin;
(2) opinionin e Ebu Jusufit, ku pushimi në këto dy vende është obligim i domosdoshëm (farz) dhe lënia e tij praktikisht e obligon përsëritjen e namazit; dhe
(3) opinionin e juristëve të njohur nga gjeneratat e vonshme të shkollës hanefite që pushimin në këto dy vende e shohin si vaxhib.
Është interesant të përmendet fakti se kjo çështje, gjegjësisht polemizimi i saj në kuadër të opinioneve të ndryshme, nuk përmendet në dhahiru-rr rrivajeh, e si çështje e shtron El Mual-la në "Nevadir.”(20)


Përfundim

Nuk ka dyshim se çështja e qetësisë apo pushimit në namaz është e një rëndësie të posaçme, sepse namazi nuk është lodhje, por çlodhje. Në çdo pjesë të namazit duhet pasur kujdes dhe nuk duhet përshpejtuar, e në këto katër vende që i kam shpjeguar, kujdesi duhet të jetë edhe më i madh. Kjo për faktin se për shkak të lëvizjeve nëpër ato vende, një pjesë e namazfalësve janë totalisht të pakujdesshëm, si në ruku e në ngritjen prej saj, ashtu edhe në sexhde e pushimi mes tyre. Për rëndësinë e pushimit, gjegjësisht qetësisë, mjafton polemika e dijetarëve ku në disa prej tyre kanë polemizuar se pushimi në to a është farz apo vaxhib!


_________________________________
(1) El Xhuzejri, El Fikhu alel medhahibil erbeah, v.I, f.212; Buhuti, Muntehal Iradat, v.I, f.217. Zejleiu në "Tebjinul Hakaik", qetësinë në namaz e përkufizon: "Qetësia e gjymtyrëve të trupit në ruku e sexhde gjersa të pushon çdo pjesë e tij (trupit), e minimumi i kërkuar është sa koha e një madhërimi." Zejlei, Tebjinul Hakaik, v.I, f.277.
(2) Ibën Abidin, Reddul Muhtar aled Durril Muhtar, v.I, f.464.
(3) Samerkandi, Tuhfetul Fukaha, I, f.133; Kasani, Bedaiu-s Sanaiu, v.I, f.342; El Babertij, El Inajeh Sherhul Hidajeh, v.I, f.300;
(4) Kurani, El Haxh: 77.
(5) Kasani, Bedaius Sanai, v.I, f.509.
(6) Buhariu në Sahih, nr. 793; Muslimi në Sahih, nr. 602.
(7) Kasani, Bedaius Sanai, v.I, f.509.
(8) Kasani, Bedaius Sanai, v.I, f.509; Thën el Humam, Fet'hul Kadir, v.I, f.301.
(9) Ibën Haxher el Askalani, Fet'hul Bari sherh Sahihil Buhari, v.II, f.281.
(10) Merginani, El Hidajeh Sherh Bidajetil Mubtedi', v.I, f.85.
(11) Ibën Nuxhejm, El Bahrurr Rraik sherh Kenzud Dekaik, v.I, f.317.
(12) Merginani, El Hidajeh Sherh Bidajetil Mubtedi', v.I, f.84.
(13) Ahmed ibën Ismail et Tahtavi, Hashijetut Tahtavi ala Merakil Felah Sherh Nurul Idah, f. 233.
(14) Ibën el Humam, Fet'hul Kadir, v.I, f.302.
(15) Ibën Nuxhejm, El Bahrurr Rraik sherh Kenzud Dekaik, v.I, f.317.
(16) Ibën Abidin, Reddul Muhtar aled Durril Muhtar, v.I, f.464.
(17) Merginani, El Hidajeh Sherh Bidajetil Mubtedi', v.I, f.85.
(18) Ibën Nuxhejm, El Bahrurr Rraik sherh Kenzud Dekaik, v.I, f.317.
(19) Po aty, v.I, f. 317.
(20) El Babertij, El Inajeh Sherhul Hidajeh, v.I, f.300; Kasani, Bedaius Sanai, v.I, f.508


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

"Disiplinë dhe rregull" - Visar ef. Koshi